Alida Hisku dhe ditari i saj…..
Atëherë ajo ishte tre muaj në një fshat të Sarandës, ku do të bënte punën fizike për t’u kalitur. Ashtu thoshte Partia në atë kohë. Në punën prodhuese ajo kishte në dhomë tri vajza nga Rrësheni, Vlora dhe Fieri.
Ja si shprehet ajo:
“Si sot më kujtohet ajo ditë. Ishte 13 qershor. Mbushej plot një vit që më kishte vdekur nëna, ndaj e mbaj mend atë ditë. Kujtimet për të mundohesha t’i hidhja në ditar. Pra çdo kujtim timin për nënën mundohesha ta hidhja në ditar. E doja shumë nënën pasi ajo ishte nënë për të gjithë lagjen dhe për shumë fëmijë jetimë. Dua të theksoj se, edhe motra ime mbante një ditar. Këtë ndjesi për ditar na e kishte kultivuar nëna, ndaj dhe e mbaja. Në ditar shkruaja çka më ndjente zemra. Ato çka pashë në realitet:
P.sh… “Pikërisht sot në një vjetorin e vdekjes së nënës time të dashur jam shumë e mërzitur. Dhe jeta më duket skëterrë. Këtu ku jam, ha pula gurë. Gjithë fshatarët rropaten gjithë ditën në punë dhe bëjnë jetë të keqe”.
Të nesërmen ndodhi çudia. Ditari nuk ishte nën jastëk. Atë ja kishin dhënë profesorit të Shkollës së Partisë, i cili e çoi në Komitetin e Partisë. Po të nesërmen më thonë të nisemi direkt në Tiranë, ku do të paraqitesha në Komitetin e Partisë Nr.3. Aty më priti F.B., e cila më tha se keni thyer rregullat e partisë, ky ditar është hapur agjitacion e propagandë.
Duhet të dorëzosh teserën e partisë. Ditarin ja dorëzova babait. Filluan dënimet. M’i zhdukën edhe këngët, organizata e partisë më hoqi dhe më çoi në një repart ku ishin punëtorët e dënuar.
Kështu fillova jetën nga e para, por tashmë larg skenës, larg aktiviteteve, larg njerëzve, në një punë që rropatesha. Kështu kam punuar dhe jetuar derisa erdhi demokracia dhe u largova për Gjermani”.
Flitet se keni shkruar diçka që ju kishit dëshirë të bënit koncerte recitale dhe të bënit turne në Shqipëri. Sa e vërtetë ishte kjo?
Këto kanë qenë ëndrrat e mia që të krijoja një grup, një kompleks. Një kohë ka pasur një kompleks të rinjsh që më vonë u hoqën si modernë, si kapitalistë. Ka qenë një kompleks i “Petro Nini Luarasit” në vitet ’70 ku unë kam kënduar, por vetëm kaq. Nuk e realizova ëndrrën time.
Të këndoja dhe të bëja turne në Shqipëri dhe jashtë shtetit, të popullarizoja këngën shqiptare. Për herë të parë kur kam dalë nga Shqipëria nga Titogradi isha 16 vjeç. Edhe atje ndihej ndryshimi me botën e jashtme.Më vinte keq kur kthehesha në Shqipëri dhe thosha me vete: Çfarë kanë më shumë se ne këta? Se në atë kohë ne nuk na linin t’i mbanim flokët më të gjatë se supet, sepse ishte shfaqje moderne. Edhe rrobat na i zgjidhnin ata. Ishte komisioni ku duhej të kaloje si dele. Çdo gjë kontrollohej në pe të gjilpërës. Të arrije sukses në atë kohë, nuk ishte si sot. Këndoja me tekst të shkruar në dorë, sepse çdo ditë ata e ndërronin tekstin kur gjenin ndonjë gjë që nuk iu pëlqente, apo nuk iu shkonte për hije….
Pse i munguat skenës shqiptare pas ’90?
Në vitet e kaluara Shqipëria mori një vrull dekadent në muzikë, dhe unë nuk gjeta vend. Unë sa herë që vija nuk gjeja vend në artin e sotëm. Ishte një art që nuk kishte vend për mua, dhe prandaj nuk kam pasur dhe ftesa. Për 20 vjet që këtu nuk u interesuan për Alida Hiskun, nuk kam parë interes për mua dhe muzikën time. Por kësaj radhe shikoj që interesi është zgjuar. Kam pasur shumë vëmendje nga media këtë herë me ardhjen time, po shikoj një tjetër frymë që më bën optimiste.
-Ku e shikoni sot këngën shqiptare, festivalet e këngëve, pasi sot shumë këngë harrohen?
Ka probleme me krijimtarinë, sepse sot kompozitorët i drejtohen biznesit në muzikë. Kompozitorët e kanë një vesh te muzika arabe dhe një vesh te muzika evropiane, amerikane, mundohen të vjedhin, por nuk mbahet shtëpia me miell hua. Një krijimtari e vjedhur nuk jeton shumë. Populli kërkon krijimtarinë shqip dhe ne në kohën tonë kemi qenë të tillë dhe na ka mbajtur populli. Kjo është arsyeja që këngët e atyre viteve jetojnë dhe sot, ne ishim tabani i popullit. Më vjen keq për brezin e ri artist, dhe dua ti jap mesazhin ta bëjnë muzikën për qejf, as për modë dhe karrierë apo biznes. Vetëm kur muzika të jetë për qejf do ti mbetet origjinaliteti, ta bëjnë muzikën të kënaqin popullin, jo shikimin. E kam ndjekur dhe festivalin e RTSH dhe ka probleme me krijimtarinë. Gjatë këtyre viteve na dëmtoi kopjimi në muzikë, por duhet të vlerësojmë gjërat tona.
-Folët për muzikën, jetën tuaj, por biografinë tuaj në libër e keni sjellë në gjermanisht. Pse?
Unë Alidën nuk e shikoj si një emigrante që ka shkuar në Gjermani, por si ambasadore e shtetit shqiptar. Kjo më ngarkon mua për shumë detyra, por dhe nëse unë do të sjell në treg diçka për veten time duhet ta sjell për gjermanin. Unë përfaqësoj të gjithë emigrantët, nuk jam Alida, atje jam ambasadore e shtetit shqiptar, dhe duke e lexuar lexuesi gjerman thotë: i heq kapelen Shqipërisë. Kjo është detyra ime. Unë atje organizoj dhe koncerte me gjermanë, sepse kam blerë një shtëpi në pyll është e madhe dhe kam restorant, kam bërë një skenë atje, dhe në fund kur e pyes publikun ju pëlqeu koncerti apo ushqimi shqiptar, ju them a doni dhe një këngë shqiptare. Por a ka gjë më të bukur se kjo, është pozitive për Shqipërinë.
Festivalet në RTSH ktheheshin në festa të vërteta popullore. Kjo për shumë arsye, por kryesorja ashtu të izoluar këto veprimtari i jepnin gëzim jetës së popullit shqiptar. Salla, ku zhvillohej festivali nuk diskutohej që ishte plot, por në ato net nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk gjeje njeri. Të gjithë i kishe pranë televizorëve apo radiove duke ndjekur festivalin. Kërkesa e llogarisë ishte në maksimum. Nuk kishte miqësi për t’u ngjitur në skenë. Nuk njihej superpozimi apo play back?!
Kush kishte zë, kishte zë, pikë! Ai ngjitej në skenë. S’të faleshin teprimet në skenë. Skena ishte e shenjtë.
Jeteshkrimi
Emri: Alida
Mbiemri: Hisku
Datëlindja: 20 qershor 1957
Shkollimi: Pasi përfundon shkollën tetëvjeçare, Hisku vazhdon Liceun Artistik dhe më pas edhe një shkollë profesionale.
Idhulli: Vaçe Zela
Çmimet
1970: 13 vjeç në festivali e nëntë, merr çmimin e dytë. Kompozimi Agim Krajka “Portret Heroine”
1971: 14 vjeç në festivalin e 10-të, merr çmimin e dytë. Teksti Dritëro Agolli “E Paharruara”
1973: merr pjesë në festivalin e 12-të dhe fiton çmimin e dytë. Me këngë të Josif Mingës “Agimi i Kuq”
1974: merr pjesë në festivalin e 13-të dhe fiton çmimin e parë me kënngën “Vajzat e fshatit tim”. Këngë e Enver Shëngjergjit, teksti Zhuliana Jorganxhiu
1975: merr pjesë në festivalin e 14-të të këngës dhe fiton çmimin e parë me këngën “Buka e duarve tona”. Muzika Kujtim Laro, teksti Xhevahir Spahiu
1979: merr pjesë në festivalin 18-të me këngën “Nëntori i Lirisë”, e fiton çmimin e dytë, në një duet me Lindita Theodhorin. Muzika Limo Dizdari, teksti Koçi Petriti
1980: merr pjesë në festivalin e 19-të dhe fiton çmim të dytë me këngën “Njerëzit e agimeve”, në një duet me Irma Libohovën.
Interpretimi dhe emocionet e këngëtares në mbrëmjen e së hënës
“100 Këngët e Shekullit” kthen Hiskun në skenë
Pas gati 25 vjetësh ajo rikthehet në skenën shqiptare, në spektaklin e organizuar në Tv “Klan”, “100 Këngët e Shekullit”. E ftuar nga organizatorët e këtij spektakli me regjisor Bledar Laçon, Hisku u shfaq para publikut më e emocionuar se kurrë.
Rijetoi edhe njëherë ato vite kur këndonte në Festivalet e Këngës dhe atë muzikë që bëri të mos harrohej. Gjithçka ka ndodhur pas telefonatës dhe ftesës së bërë nga kompozitori Ardian Hila, i cili në mënyrë se si e ka konceptuar spektaklin ka përfshirë këngëtaren në projektin e vet. Vetë Hisku këndoi një kolazh mjaft interesant me këngëtarët e tjerë që merrnin pjesë në “Këngët e Shekullit”, duke sjellë edhe një herë emocionet e viteve shtatëdhjetë, kur Alida Hisku bënte që publiku të duartrokiste për të shumë gjatë. Vetë Hisku këtë e përshkoi me një emocion shumë të veçantë dhe e bindur se ajo nuk kishte më punë me skenën; ky ishte një rikthim dinjitoz. Pikërisht pas këtij suksesi ajo tashmë mendon që brenda këtij viti të realizojë një spektakël me këngët e repertorit të saj, pikërisht për publikun shqiptar. Alida Hisku do të mbahet mend gjatë për interpretimin e saj mjaft të ndjeshëm.
(Sipas : “TiranaObserver” prill 2005)
__________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Follow us: Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/ Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com) Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw