(ARKIV-2009) Ema Andrea, Teatri Kombëtar dhe gozhda e Nastradinit!

0
368

Interviste me aktoren Ema Andrea (2009)

Teatri Kombëtar dhe gozhda e Nastradinit

Artistja Ema Andrea komenton situatën në Teatrin Shtetëror dhe për teatrin në tërësinë Shqiptare. Mentalitet i vjetër, moszbatim i ligjit dhe rrafshim i vlerave.

Kur nuk ndryshon mentaliteti, kur janë të njëjtët njerëz ata që të dalin për zot dhe të njëjtët që hedhin gurë, kur dëgjohen të njëjtat qaravitje artistësh, për Ema Andrean, teatri do të mbetet ky që është në Shqipëri. Në një kohë që publiku është i etur për shfaqje të mira, për të ndjerë emocione të forta, Teatri Kombëtar vuan, jo vetëm trashëgiminë e së kaluarës, por edhe tekat e ministrave, që ndryshojnë krerët e tij sipas ngjyrave të partive e vendlindjeve. Për aktoren dhe regjisoren e skenës, teatri ende nuk po gjen veten, pasi prej kohësh, vlerat në art po qarkullojnë në mënyrë horizontale.

Ema Andrea prej vitesh ka ndjekur një rrugë për të mos thënë krejt e vetme në skenën e teatrit. Është për t’u theksuar se kjo artiste e ka përshkuar këtë rrugë gjithnjë dhe gjithnjë jashtë Teatrit Shtetëror. Ajo nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e organikës së këtij teatri. Po nuk është kjo arsyeja që Ema është e rreptë në përfundimet që jep më poshtë, janë përvojat që ajo ka pasur intensivisht këto vite me skenën dhe me fjalën e fundit të artit skenik përtej kufijve lokalë të Shqipërisë.

 

Në këto dy-tre vite e kemi parë tek monodrama e Stefan Çapalikut “I am from Albania” (aktore), “Medea” (Medea), “Dasmë qyteti” i Bertolt Breht (regjisore) dhe “Me syrin enjë klouni” Hajnrih Bël, (aktore dhe regjisore).

Si njeri i skenës që jeni Ema, mendoni se teatri është bërë pre e krizës institucionale?
Më së pari, më lejo të them se teatri duhet konsideruar përtej një institucioni, të varuar apo jo nga shteti. E mira apo e keqja e mbarëvajtjes së këtij institucioni është, mendoj, e mbartur nga e shkuara, e cila ka krijuar këtë mentalitet, të cilin nuk do të dija ta përcaktoja si mund të quhet. Do të doja të mos e mendoja fare pikën e krahasimit me asnjë eksperiencë, qoftë ballkanike, evropiane apo më tej, sepse do të ishte një mundim dëshpërues, përse realitetet, për të cilat do të flisnim janë krejt pa lidhje, në dimensione paralele, fatkeqësisht asnjëherë të përputhshme, as si iluzion optik.

Më konkretisht, si do t’i komentoje “zhvillimet” në Teatrin Kombëtar?
Për cilat zhvillime po flasim? Shpesh ky institucion, më duket si gozhda e Nastradinit për shumë ministra. Ndërrohen shpesh drejtorët me forma nga më të ndryshmet. Nuk jam shumë e sigurtë për kompetencat administrative dhe artistike që ka drejtori i një institucioni të tillë. Nuk kam as idenë më të vogël se mbi çfarë kriteresh zgjidhen këta të fundit. Dhe kjo, jo sepse nuk do të doja të dija, por sepse midis formës plebishitare dhe autoritetit ligjor mbi të cilin duhet të mbështetet kjo zgjedhje, asgjë nuk është e qartë, apo transparente… Në fakt është thjesht e tejdukshme… Nuk shihet asgjë, me pak fjalë.

Përpos këmbimit të drejtorëve, nuk shihni ndonjë ndryshim (për mirë, apo për keq), në TK?
Zhvillim do të thotë ndryshim dhe ndryshimi i emrave, apo i disa perdeve nuk besoj se do të thotë shumë për një institucion. Nuk ka ndryshuar mentaliteti i atyre që brenda javës janë idealistët që duan të mbrojnë teatrin, dhe këta të fundit i njohin shumë mirë format arrogante mediatike, dhe rezultati është përplasje personale. Nuk ka ndryshuar as mizanskena e kafes ku artististët hamletojnë mbi ndryshimin, zhvillimin, mbi “si duhet bërë”. Nuk ka ndryshuar personazhi i përjetshëm “individi viktimë”, që përplaset me ecco të gjata në muret e këtij institucioni.

Atëherë si mund ta përkufizojmë atë që po ndodh në teatër?
Rrëmujë do të thoja. Besoj se vjen nga fakti, i mungesës ligjore, apo i zbatimit ligjor, i cili natyrisht ka të bëjë vetëm me anën administrative të problemit, dhe aspak me cilësinë artistike. Dhe për këto dy çështje ia vlen të diskutohet më vete.
Po flasim për një institucion, vlera e të cilit është vënë gjithmonë në diskutim, nga padija apo injorimi. Natyrisht që prej kohësh në Shqipëri vlerat po ecin vetëm në drejtim horizontal. Më vjen keq që këtu në përgjithësi dhe sidomos arti dhe kultura vazhdon të rrugëtojë në këtë mënyrë, teatri si pjesë e kulturës dhe TK si institucion i një peshe të madhe në teatër. Në fakt ka ardhur koha, më fal, jemi me vonesë, për rrugëtimin vertikal të vlerave në këtë shoqëri, tanimë sipërfaqësore.

Nuk ka ndryshuar as mizanskena e kafes ku artististët hamletojnë mbi ndryshimin, zhvillimin, mbi “si duhet bërë”. Nuk ka ndryshuar personazhi i përjetshëm “individi viktimë”, që përplaset me ecco të gjata në muret e këtij institucioni.

Rrëmujë që vjen nga fakti i mungesës ligjore, gjë që ka të bëjë vetëm me anën administrative të problemit, dhe aspak me cilësinë artistike. 

Marre nga “Shekulli” on line – 2009

________________

Kinematografia Shqiptare 2013-2021

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here