Autobiografia e aktorit Paulin Preka!

0
1689

#KinematografiaShqiptare         #PaulinPreka      #EstradaShkodrane

Paulin Preka
“Artist i merituar”
“Urdheri Naim Frasheri i klasit III-te dhe II-te”
Njeri nga kolonat e Estrades se teatrit shkodran,

Kam lindur në Shkodër me datën 02.02.1935 në njëfamilje të varfër, në një shtëpi Jerevi (perdhese) dhe jam rritur në mes të katër fëmijëve, një vëlla dhe dy motra, nga të ardhurat e krahëve të babës dhe të përkujdesjeve të jashtëzakonshme të nanës, e cila na rriti dhe na edukoi me tolerancën, besimin në zotin, me shkollimin dhe dashurinë ndaj së mirës. Në rregjistrin themeltar të Gjendjes Civile jam i rregjistruar me emrin dhe mbiemrin Palok Prek Gjergji,por duke u rritë fillova të thërritem nga shoqëria Paulin Preka, emër me të cilin njihem sot nga publiku shkodranë e shqipëtarë.

Sapo u afrova vitit të tetë te fëmijërisë, baba më rregjistroi në shoqërinë e Kishës Katedrale të qytetit tim. Brënda asaj shoqërie Dom Alfons Tracki (prift misionar gjerman), njëmjeshtër i apasionuar mbas artit skenik, mori iniciativën për të vù në skenë melodramën ”Shtatë Gjugjmagjugjat” ku një nga të shtatët pata fatin të ma besonin mùa, e pikërisht një nga rolet e para i quajtur Knapsi. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodranë, nga autoritetet e asajkohe, nga autoritetet e kishës katolike, Mons. Gaspër Thaçi, Dom Mikel Koliçisi dhe nga medja e atëherëshme. Në vlerësimin që na u ba gjatë interpretimit:Çesk Jubani dhe unë u vlerësuam me çmime të para. Në kënaqesinë e këtij vlerësimi mu kriju pasioni për aktorin dhe skenën, i cili më shtyu për gjithë jetën time drejtë krijimtarisë me interpretime të ndryshme të cilat po i radhis në këtë autobiografi.

Në vitet 1945-1946, në moshën rreth 11 vjeç, mësuesi Lec Sekuj vuri në skenë dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të dramaturgut austriak për fëmijë Ernest Molnar e cila u interpretu nga nxënësit e shkollës Pashko Vasa. Në këtë dramë interpretova rolin e Van Daurit të Këmishave të Kuqe. Rolin kryesorë e interpretoi i talentuari Çesk Jubani. Drama u prit me mjaft sukses.

Në vitin 1947-1948 u hap Shtëpija e Pionerit dhe u kriju krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit.
Nga viti 1948-1951 rrethi i jonë shfaqi tri drama të autorit rus Arkadi Gajdar (Timuri dhe Skuadra e Tij,Komandanti i Fortesës prej Dëbore dhe një mision i veçantë;). Në të tri dramat u aktivizova me mjaft ngarkesë.
Në vitin 1952 për arësye ekonomike u detyrova të hyj 17 vjeç në punë jo ma si pioner, por si i ri punëtor.

Në vitin 1953 me shumë vështirësi, falë vullnetit tim u aktivizova pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë verë nën drejtimin e regjizorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore (Estrada në Pengjere). Shfaqjen e udhëhiqnim Tano Banushi dhe unë. Shfaqja pat mjaft humor dhe sukses.

Në vitin 1953-1954, kur sapo ishte kriju Klubi i Punëtorëve pranë Bashkimeve Profesionale më ftuan të luaja një rol tek drama bullgare “Traktoristat” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuruam në Takimin Zonal të Veriut ku u shpallëm Lauratë të këtij takimi. Unë u dallova me dipllomë nderi për interpretim të lartë.
Në fund të vitit 1954 mobilizohem në shërbimin ushtarak dhe mbasi kryej periudhën e betimit në rregjimentin e ndërlidhjes, tërhiqem në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë esradës profesioniste në rolin e konferencierit të cilin e udhëhoqa deri në lirimin tim në fund të vitit 1956.

Viti 1957 e në vazhdim ishte mjaft i ngarkuar me aktivitete edhe pse unë punonja marangoz në kooperativën e punim drurit. Me Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti shfaqëm dramën “Rinija e Baballarëve”, një dramë sovjetike e cila zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë mu besua pesha ma e madhe e roleve.

Gjatë kësaj kohe regjizori iTrupës Profesioniste, Lec Shllaku më ftoi të interpretonja tek drama “Shtatë Shaljanët” rolin e Abdullahut (birit të vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqipëtare, pati një jetëgjatësi të habitshme.
Gjatë vitit 1957-1958 po me trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës, marr pjesë tek komedija brilante e Karrlo Goldonit “Gjorgj Dade” e cila u prit mjaft mirë nga publiku shkodran si dhe nga ai i Korcës, Elbasanit, Tiranës e Durrësit duke krijuar bindjen se duhej të pranohesha në mes të Trupës Profesioniste të qytetit të Shkodrës.Andrra ime 23 vjeçare u arrit dhe me at dëshirë e pasion i jam përveshur për 38 vjet aktorit e skenës, si në teatër ashtu në estradë e cila u kriju po në ate vit që unë hyra në teatër.

Mbas 8 vjetësh që unë punonja aktor drame, me vendim të Komitetit të Partisë kalova aktor estrade. Një vit ma vonë për arësye të materialeve që krijoheshin me vështirësi, provova për herë të parë ti vij në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin tim të parë “Bac Byreku” i cili u luajt nga mjeshtri Tano Banushi, nga Zyli, Jolanda dhe Katrina. Të gjitha këto që shkruaj në këtë autobiografi janë të dokumentuara në arkivat e Teatrit Migjeni. Pra në këtë vit hyra në vargun e autorëve humoristë.
Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga unë me qindra e qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e mija janë pëlqye nga Trupa ime e janë kërkuar e luajtu r nga Trupat e rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit tim e nga Mirdita, Lezha, Puka e të tjerë.

Kam kriju personalitetin tim me një arësim unik e dy të mesme me shkollë nate, por me intuitën e vullnetin tim, me pasion e këmbëngulje deri në ditën e daljes në pension.
Kam interpretu i uritur, ivarfër, me tre fëmijë, i servijuar nga dashakeqas të mijë, por i përkrahur e i inkurrajuar nga kolegët e mij të vjetër në moshë por kollosa në skenë.

Arrita të meritoj nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë e nga institucionet ma të larta shtetërore diplloma, medalje e në vitin 1974 Urdhërin Naim Frashëri i Klasit të III, në vitin 1980 Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të II, në vitin 1988 Titullin e Lartë Artist i Merituar.Në vitin 1996 pak muaj perpara se ta mbyllja karrierën time profesioniste, në Takimin e Trupave Profesioniste në Tiranë, u dipllomova “Aktori Më i Mirë i Karrierës”.

Jam përpjekur të jem i dashur me kolegët e mij për 38 vjet të qenies sime, me kolektivin, me të mirëte të këqinjtë, me artista e karrierista, me ata që më donin e që nuk më donin. Jam përpjekur të argëtoj publikun e varfër të asaj kohe por shumë të etur për gjininë e estradës.
Por mbyllja qe tragjike për Teatrin tim, për spektatorin tim, për qytetin tim. Ngjarjet e marsit të vitit 1997 kushtuan randë për gjith Shkodrën e në mes të sajë për artin skenik si shumë arte të tjera të qytetit të Djepit të Kulturës.
Rreth te shtatëdhjetave nëpamundësi me i rrezistu atij makabriteti që ngjau, mora rrugët e emigrimit përtë qënë pranë fëmijve të mijë.

Në se e kërkon nevoja e qytetit tim, që të vihet në vënd dëshira e qytetarëve shkodranë për një art ma cilësorë në të gjitha degët e tij, për artin e skenës së humorit, unë përsëri me aq sa më ka mbetë e sa di vihem në dispozicion.
E kam për obligim ndaj qytetit që më rriti e më vlerësoi me meritën e lartë “Krenarija e Qytetit” / (Nga vete Autori – Paulin Preka)

Pervec veprimtarise ne estraden e Shkodres, Paulin Preka ka luajtuar edhe ne disa filma artistike si: Kercenimi / Cifti i lumtur / Dasma e shtyre

____________
Publikuar per here te pare qe ne v. 2014 ne faqen “Kinematografia Shqiptare” ne Facebook.

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here