Ballë për ballë, rëndësia e një filmi të rëndë dhe të vërtetat e asaj kohe.
Mblodhi, përgatiti, Arian Muraj
Pjesa e dytë
Rrethanat dhe të vërtetat historike. Baza e Pashalimanit, nëndetëset.
Ishte diçka që vonoi shumë të mësohej dhe në kujtesën e popullit mbeti kryesisht nëpërmjet interpretimit fantastik të rolit të komandant Dashamir Ohrit nga Bujar Lako në filmin “Ballë për Ballë” tek i drejtohet homologut rus ” Zheleznov: Në qoftë se ti do të tentosh të ikësh fshehurazi ose me dhunë, atëherë unë do të konsideroj dezertor dhe do të godas!”…por ç’rëndësi ka? Kuptimi ishte i njëjtë!
Në se vetëm pak njerëz e patën jetuar përballjen e Dashamir Ohrit dhe komandantit rus të Bazës Jegorov, pa hezitim që çdo shqiptar që ka ndjekur filmin “Ballë për ballë”, ruan akoma në mendje frazën kulminante të filmit dhe po aq njëlloj si 34 vite më parë goditet emocionalisht!
Duke lexuar këtë përshkrim të rrethanave historike që sollën prishjen e një vëllazërimi, disa të vërteta që kanë të bëjnë me realitetin rreth atyre momenteve dramatike të bazës ushtarako-detare por edhe të nëndetëseve që kaluan nën flamurin e Foltës Luftarako-Detare të Shqipërisë, atëherë do të keni një vizion krejt të plotë të vlerës jashtëzakonisht të madhe të filmit “Ballë për Ballë”.
Ndarja e madhe filloi zyrtarisht me ironinë e njohur të Hrushovit drejtuar delegacionit shqiptar me në krye sekretarin iedeologjik në atë kohë Ramiz Alia,në verën e vitit 1961, ” Së shpejti shoku Enver Hoxha, në vend të sekretarit ideologjik do të na dërgoja pantallonat e tija ti varim në karrige”!
Në të njëjtën kohë, në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit në Vlorë, pasi incidentet midis ushtarakëve rusë dhe atyre shqiptarë patën arritur kulmin, komandanti shqiptar i bazës së përbashkët Dashamir Ohri, i drejtohet më së fundi pa diplomaci, homologut të tij rus Riballko “Shoku admiral, njerëzit tuaj na kanë shkatërruar gjithçka.
Kjo është diçka e qëllimshme, por edhe ne nuk do ju japim mundësinë që të mund të luani kaq lehtë. Unë si komandanti shqiptar i bazës, që ti e di se ndodhet në Shqipëri, po të deklaroj që brenda 30 minutash, në qoftë se nuk merr masa që të rivendosësh situatën, atëherë do të përgjigjeni për atë që do të ndodhë këtu”!
Ishte ora 23.00 e datës 4 Qershor 1961 dhe ushtria shqiptare ndahej në mënyrën më të keqe nga simotra e saj sovjetike, pikërisht në bazën detare më të madhe e më të rëndësishme të mesdheut, Pashaliman i Vlorës!
Që nga ajo ditë Pashalimani do të ishte sinonimi i krenarisë sa herë që do të kujtohej ndarja nga Bashkimi Sovjetik atë dimër të gjatë të vitit 1961!
Katër nëndetëset e mbetura nga vëllazërimi sovjetiko-shqiptar do të ishin arma kryesore që do të bënte krenar shqiptarët në vazhdimin e vetmisë!
Kishim trashëguar nga ajo prishje, një ushtri të jshtëzakonshme me tërë arsenalin e saje si kuadro të aftë, armë dhe mjete të teknologjisë më të mirë e më të fundit, anije luftarake, pilotë të aftë po aq sa edhe sovjetikët,avionë Mig 15-17-19 por…krenaria e shqipërisë ishin dhe mbetën nëndetëset!
Për dy arsye. Për nga mënyra se si u mbajtën në territorin shqiptar dhe i mbetën ushtrisë sonë si edhe nga arsyeja e dytë që nuk u njoh kurrë deri në frymën e fundit të diktaturës…Lundrimi i fshehtë 22 ditor nën hundën e N.A.T.O.-s dhe nëpër ujërat greke, italiane dhe jugosllave, i njërës prej tyre gjatë një prove ushtarake gadishmërie e cila mbeti e panjohur për opinionin shqiptar!
Pra, le të hedhim pak dritë si një homazh mbi historinë e brigadës së nëndetëseve të Flotës Luftarake Detare Shqiptare, nga të cilat sot vetëm njëra do të mbetet si një muze kurse tre të tjerat, pasi njohën braktisjen, turpërimin nga zotërimi dhe shkatërrimi i plotë nga duar hajdutësh ordinerë, më pas u dhanë për skrap!
Një histori që filloi pa lavdi,me udhëtimin torturë dhe pritjen ofenduese të nëntë kuadrove kryesorë të Flotës Shqiptare në Bashkimin Sovjetik më 1958 dhe mbaroi me dhënien e tyre për skrap më 2012.
Nëntor 1958
Nëntë ushtarakë shqiptarë, nisen në Bashkimin Sovjetik për tu paraqitur në bazën ushtarake detare të Kaliningrad-it në detin Balltik. Arrijnë në Moskë dhe ndonëse sipas protokollit, duhej të ishin përfaqësuesit e drejtorisë së dhjetë siç quhej drejtoria e posaçme e Ministrisë së Jashtme Sovjetike, nuk gjejnë askënd që ti priste!
Të lodhur, të pangrënë, të papirë e pa para, mbesin për gjashtë orë në aerodrom në mëshirë të punonjësve të tij, të cilët u jepnin ndonjë monedhë për të folur me ambasadën shqiptare apo me drejtorinë e dhjetë! Pra që në nisje të historisë së nëndetësve, besoj se shkon shumë shprehja”Sa turp!” siç shprehet në filmin “Ballë për Ballë” aktori Stavri Shkurti në rolin e arkeologut.
Ishte një turp jo vetëm për ta por për tërë shtetin ashtu siç i fyenin sovjetikët, shprehet në kujtimet e tij ai. Të nesërmen, ata nisen nga Moska për Kaliningrad në një udhëtim tri ditor me tren.
Krejt të uritur, të rraskapitur nga lodhja e të këputur nga uria, për tri ditë qëndrojnë, flejnë në dyshemenë e trenit pasi ishin pa lekë dhe nuk mund të paguanin kabinë! Por edhe lekët e biletave i kishin grumbulluar nga ato çka u kishin dhënë me zemër të mirë njerëzit që punonin në aeroport! ushqimi i tyre i vetëm…një gotë çaji pa sheqer që u a jepnin si dhuratë punonjësit e trenit…
Kështu u turpëruan ushatarkët tanë ndërkohë që e pabesueshmja sipas komandant Ohrit ishte se ndodheshin në vitin 1958 kur marrëdhëniet akoma nuk ishin ftohur dhe vinim për të marrë në dorëzim katër nëndetëse dhe bazën moderne lundruese që i shoqëronte! Sido që të ishte, edhe një delegacion armiqsh nuk mund të pritej në atë mënyrë duke i bërë të mundur të ulet në tavolinë pranë ushqimit pas katër ditësh!
Lundrimi i nëndetëseve drejt Shqipërisë mbajti plot 18 ditë! Në krye printe baza lundruese”Nemçinov” e riemërtuar më vonë “Tomorri”. Nëndetëset ndiqnin pas me shpejtësi 10 nyje në orë. Ishte një udhëtim i vështirë sipas itinerarit që patën caktuar rusët duke marë më parë aprovimet nga shtet përkatëse.
Fillimisht nisja u bë me dy grupe, të cilët ndoqën itinerare të ndryshme dhe së fundmi u takuan në detin e Veriut. Aty ishte dhe pika e diferencimit të nëndetëseve ndryshe,balancimi.
Grupi i parë drejtohej nga komandanti i brigadës sovjetike, Jegorov, personazhi i të cilit jepet nëpërmjet figurës së Zheleznovit, luajtur me aq mjeshtëri nga aktori i mirënjohur Sulejman Pitarka. Ai grup përbëhej nga nëndetësja e parë dhe e katërt, si dhe baza lundruese.
Ato kaluan nga Baltiku në Kil-Kanal dhe dolën në pikën e takimit në detin e Veriut. Grupi i dytë që përbëhej nga nëndetësja e dytë dhe e tretë dhe drejtohej nga shefi i shtabit sovjetik, kapiteni i rangut të dytë, Kastromov.
Në këtë grup ndodhej edhe Dashamir Ohri. Pas dy-tri ditësh kalojnë në jug të ishullit Bërholm, mes Suedisë – Danimarkës, Kadigad – Skadigad, dhe arrijnë në pikën e takimit. Aty sipas planit të përgatitur më parë, lundrojnë në njësh-kolonë të katërt nëndetëset dhe baza lundruese, të cilat morën rrugën për në drejtim të Shqipërisë.
Ishte një udhëtim në një kohë shumë të keqe! Përveç kësaj, ishin të detyruar të lundronin në sipërfaqe ndryshe do të cilësohej si një manovër ushtarake. Ishte kohë aq e keqe sa sipas kujtimeve të komandant Ohrit nëndetëset nuk arrinin të shikonin njëra tjetrën dhe dallgët të jepnin përshtypjen se po u binte një mal mbi kokë!
Itinerari ishte; Gjiri i Londrës, Lamansh, Atlantik, Gjirin e Biskajës , Gjibraltar, Mesdhe, kthim drejt nga Siçilisë, dalje në detin Jon për të hyrë pastaj në gjirin e Vlorës duke përfunduar pas 16 ditësh në Pashaliman.
Por…
Sipas një plani të menduar mirë më parë prej rusëve, nëndetëset mbeten komplet në duart e rusëve! Shqiptarët cilësohen të paaftë dhe kështu detyrohen të pranojnë rolin e dublantit që më shumë kishte të bënte me hapje trashesh, pastrime, gërmime kanalesh apo mirëmbajtje lulishtesh në bazë se sa marrje eksperience në praktikë në nëndetëse! Plani rus, pati filluar që me trainimin e studentëve shqiptarë!
Studentët që patën mbaruar shkollën e marinës në Baku të Azerbajxhanit më 1957, u emëruan në brigadën e sapo krijuar të nëndetëseve dhe natyrisht që ndodheshin përpara nevojës urgjente për të zhvilluar kurse specialë që kishin të bënin me artin ushtarak të nënujit.
Kështu, niset për kursin special në Sevastopol e gjithë brigada e nëndetëseve. Ka qenë viti 1957 kur sapo ishin kthyer nga Azerbajxhani.
Në brigadë, gjendeshin ushtarakë jo vetëm nga specialiteti i mbiujësave, por edhe këmbësorë dhe specialitete të tjera, dhe do tu duhej të gjithëve të përgatiteshin për nëndetëse. Sipas programit të detyrueshëm të shkollës, duhej tu nënshtroheshin studimeve në dy faza përgatitore.
Faza e parë zgjaste 8.4 muaj, ndërsa faza e dytë do të zgjaste 9,8 muaj. Pra, kursantët shqiptarë ishin përgatitur për të qëndruar plot 18,2 muaj.
Mirëpo çfarë ndodhi aty nga muaji i pestë a i gjashtë i kursit…? U jepet urdhri që të ktheheshin në atdhe. Pra, pa mbaruar as fazën e parë të tij, u duheshin akoma dhe 2,4 muaj, jo më të flitej për fazë të dytë…
Ardhja e nëndetëseve në Shqipëri trumbetohet si shtimi i fuqisë së mbrojtjes por e vërteta është Shqipëria paguante shumë shtrenjtë praninë e nëndetëseve në Pashaliman!
Ndërkohë që ato ndodheshin në duar sovjetike, po ashtu përdoreshin për intresa ushtarake sovjetike si p.sh. patrullime njohjeje të territorit që më vonë do tu intresonte për shkak të afërsisë me Greqinë.
Karburanti që përdorej ishte shqiptar dhe çdo nëndetëse kishte rezervën në nisje prej 124 tonë naftë dhe 14 tonë vaj, 9 tonë ujë…
Në ruajtje të nëndetëseve ishte krijuar një brigadë rajonale e mbrojtjes së ujërave.
Ndërkohë që nëndetëset ndodhen në lundrim jashtë bazës dhe deri edhe në Mesdhe për interesat e tyre, çdo gjë është sovjetike dhe vetëm flamuri është shqiptar!
Pra kostoja e një gabimi apo konfrontimi të mundshëm pa prezencën e asnjë ushtaraku shqiptar do të binte menjëherë mbi qeverinë e popullin shqiptar!
Plani sovjetik funksiononte për mrekulli!
Në parim, Pashalimani ishte Baza e përbashkët Ushtarako Detare si edhe Bazë e Traktati të Varshavës!
Vizitorëve të huaj u paraqisnin nëndetëset apo edhe demonstrime to por me ekuipazhe sovjetike dhe Pashalimani, si baza ushtarako detare më e madhe e Traktatit të Varshavës, është shndërruar thuaj se në një pikë pëlegrinazhi për ushtarakë e udhëheqës të Europës Lindore!
Në praktikë, u shërbente krejtësisht intresave sovjetike për një dalje në mesdhe. Mjaft të kujtojmë se nga territori i tyre, i pengonte floka turke!
Do të vazhdonte të funksiononte kështu për katër vjet! Gjatë këtyre katër vjetëve, asnjëherë ushtarakë, marinarët shqiptarë nuk ishin gjendur në udhëtimin e ndonjë nëndetëseje.
Askush nuk mund të ankohej për diçka, madje edhe në kohën kur provokimet ruse me pasojë incidentet midis ushtarakëve sa vinin e shtoheshin! Sa po të binte diçka në veshët e Jegorovit ( komandanti rus i bazës i interpretuar nga Sulejman Pitarka tek “Ballë për Ballë”), pushohej menjëherë nga puna!
Në kohën kur “dimri” i marrëdhënieve sovjetiko-shqiptare bëhej gjithnjë e më i ftohtë, incidentet prej provokimeve të shuara përditë e më shumë prej rusëve nuk mjaftohen vetëm në rang ushtarësh të thjeshtë.
Figura qendrore e kësaj kohe admirali Zagrebe i cili drejtonte nga ambasada sovjetike në Tiranë.
Ai ishte inspiruesi më i madh i incidenteve. Kulmi arrin në një moment kur ai u drejtohet trupave sovjetike të Pashalimanit me zë të lartë qëllimisht për tu dëgjuar nga shqiptarët: “Duhet ta dini, se sado afrimitet që të kihet nga profesori me nxënësin, ata, nuk mund të bëhen njëlloj! Prandaj ju këshilloj që të kini kujdes në marrëdhëniet me ta.”
Ushtarakët shqiptarë, midis tyre e kishin pagëzuar me epitetin “Rrufeja” për arsye që kuptohen fare lehtë!
Ai kurrë nuk vinte për mirë në Pashaliman! Çdo ikje e tij sillte provokime prej sovjetikëve me shprehje të tilla si , “nëndetëset janë tonat dhe ju duhet të rrini urtë” ose “Ne ju mbajmë me bukë dhe me çfarëdo gjëje, ku keni ju mundësi për të ecur pa ne etj., etj.”!
Rusët ndihen si zotër të shëpisë, madje Jegorov shprehet haptazi se mer urdhra vetëm nga komanda e vetë e Flotës së Detit të Zi!
Pak më vonë ai ndërrohet me Riballko dhe numërimi i kundërt në favor të shqiptarëve do të fillojë nga dita e vizitës së përbashkët së Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës.
Duket haptaz se marrëdhëniet midis tyre janë ftohur. Ata akomodohen në bazën lundruese”Tomorri” ish “Nemçinov” po ashtu si edhe shoqëruesit e kësaj vizite si Liri Belishova. Midis të tjerash, kuptohet se sa luksoze ishte baza lundruese.
Enver Hoxha në mëngjes, drekë apo darkë, sipas rastit, thjesht i dërgonte ftesën Hrushovit si i zoti i shtëpisë që ishte…
Pas kësaj vizite, komandant Dashamir Ohri, fillon ti shpeshtojë takimet ushtarake me homologun e tija Riballko,me temë ankesat kundrejt provokim-incidenteve sovjetike. Vazhdimi ishte thjesht, burokratik, sorollatës nga ana e Riballkos për të shfajësuar të tijët dhe për të akzuar ushtarakët shqiptarë.
Fundi i pjeses se 2-te