Ballë për ballë, rëndësia e një filmi të rëndë dhe …..(Pjesa 3)!

0
804

Pjesa e 3-te

Kjo situatë, vazhdon e nderë deri…

Ishte viti 1961.

Ish admirali deriatëhershëm Teme Sejko, ishte pas akuzave për veprimtari armiqësore, arrestohet dhe më pas ekzekutohet (në fakt vdiq gjatë torturave).

Komanda Qendrore e Flotës Luftarake Detare, drejtohet nga vetë ministri i mbrojtjes Beqir Balluku. Ai thërret Dashamir Ohrin në komandë dhe i transmeton urdhrin e Enver Hoxhës i cili në mënyrë të prerë urdhëron si më poshtë;

“Gjak sovjetiku, këtu nuk do të pikojë në asnjë mënyrë. Ndërkohë, duhet të merrni të gjitha masat të ruhen nëndetëset nga çdo gjë, sidomos nga sabotimet. Duhet të bëni kujdes që të mos ndodhë ndonjë rrëmbim nëndetëseje nga ana e sovjetikëve.

Që sot, urdhëroheni që ju dhe forcat që drejtoni nuk do të jeni më dublantë, por marinarë të vërtetë në teknikën, që është dislokuar në bazën tonë. Pra, në një përmbledhje, po të them që të administroni me nerva të tendosura bazën, duke e bërë pronë tuajën dhe duke mos lejuar që të ndodhë asnjë incident!

Ashtu siç kollaj imagjinohet, situata tendoset akoma edhe më shumë pas këtij urdhri! Forcat shqiptare ishin inkurajuar shumë pas marrjes së këtij urdhri.

Në mënyrë të paevitueshme, për tu gjetur një zgjidhje, në Tiranë takohen zv.ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë Halim Budo i autorizuar direkt nga Enveri dhe zëvendësi i tija Hito Çako me përfaqësuesit e palës sovjetike zv.ministri i punëve të jashtme Firjubin i cili mbarte me vete urdhrat e Hrushovit direkt dhe i shoqëruar nga komandanti i Flotës së Detit të Zi, admiral Kasatanov.

Pas dy ditë të një beteje të ashpër bisedimesh me argumenta, kundër argumenta, fakte e pretendime të ndryshme, më në fund u vendos që katër nëndetëset si edhe baza lundruese shoqëruese e tyre prej 450 vendesh “Tomorri”, i mbeteshin flotës shqiptare ndërse rusët merrnin me vete tetë nëndetëset që patën sjellë më pas si edhe bazën lundruese për to prej 700 vendesh.

Më parë se ky takim, Shqipëria refuzon edhe të paktën mbetjen e bazës së Pashalimanit si një bazë e Traktatit të Varshvës!

Dalja prej këtij traktati, nuk do të vononte të vinte!

Që në fillim të Marsit, forcat shqiptare kanë kaluar në gatishmëri numër një! Askush nuk vete më në shtëpi! Të tërë flenë pak orë dhe me rroba e armatim gati!

Hysni Kapo në vijim të urdhrit të Enver Hoxhës, udhëzon komandant Dashamir Ohrin: “Dashamir, po qe se je gjaknxehtë, mos e merr armën me vete. Nuk duhet të ketë pikë gjaku sovjetik, se ata këtë kërkojnë. Le të ktheheni të vdekur, por ta dini se gjakftohtësia juaj do t’i shërbejë shumë popullit”.

Nga ana shqiptare, jo pa të drejtë, mendohet rreth tentativës së mundshme të rrëmbimit të ndonjë nëndetëseje nga pala sovjetike. Vetë marinarët sovjetikë u drejtohen shpesh atyre shqiptarë se “nëndetëset janë sovjetike dhe nuk kanë përse tu a lënë shqiptarëve!”

I revoltuar, komandant Ohri proteston tek admirali sovjetik duke denoncuar një incident të tillë të sapo ndodhur por, ky i fundit krejt i qetë i përgjigjet se: “Këtë ju duhet ta kuptoni, që ato tonat janë dhe s’ka si të bëhen tuajat dhe aty ku kapeni ju për mbledhjen e Tiranës, që u takuan zv. ministrat tanë të jashtëm, nuk është argument”.

Në orën 23.00 të 4 Qershorit 1961, komandanti shqiptar i bazës, Dashamir Ohri, njoftohet se ushtarët sovjetikë, po shkatërronin gjithçka si letra dhe dokumente sekrete që kishte pala shqiptare dhe ky ishte edhe provokimi më i hapur që i bëhej palës shqiptare!

Në këto momente ai është vetëm! Ka mbi shpatulla, urdhrin direkt të Enver Hoxhës si edhe udhëzimin e Hysni Kapos dhe tërë ushtarakët shqiptarë, i kanë armët e tyre pa municion për të evituar një knfrontim të mundshëm me pasoja gjakderdhjen!

I duhet të marrë një vendim…dhe ai e merr!

Pa pyetur për protokolle apo takt dipllomatik, mbërrin furtunë në kabinën e komandatit sovjetik Riballko dhe as pa trokitur në derë, i shprehet haptaz :

“Shoku admiral, njerëzit tuaj na kanë shkatërruar gjithçka. Kjo është diçka e qëllimshme, por edhe ne nuk do ju japim mundësinë që të mund të luani kaq lehtë. Unë si komandanti shqiptar i bazës, që ti e di se ndodhet në Shqipëri, po të deklaroj që brenda 30 minutash, në qoftë se nuk merr masa që të rivendosësh situatën, atëherë do të përgjigjeni për atë që do të ndodhë këtu”!

Del duke tërhequr e përplasur derën pa respekt dhe menjëherë nis e organizon kudo roje shqiptare. Kudo ndihen hapat e shpejtë të tyre dhe gjithandej mbizotërojnë ushtarët shqiptarë.

Baza lundruese dhe nëndetëset zihen të para dhe ushtarët shqiptarë janë të gatshëm deri edhe në vdekje të mos i lëshojnë ato. Nga kodrat rreth e rrotull, këmbësoria dhe artileria, janë gati të hapin zjarr!

Duke nuhatur menjëherë situatën, pas njëzet minutave, admirali sovjetik, komandant Riballko, thërret homologun e tija, komandant Ohrin dhe i shprehet ” “Shoku Ohri, për të shmangur çdo incident mes njerëzve, që unë dhe ti komandojmë, urdhërova që të gjithë marinarët dhe të gjithë efektivët tanë të tërhiqen në kazermë dhe të mos kenë asnjë kontakt me tuajt.

Kështu besoj se i shërbejmë më mirë qetësisë dhe situatës normale midis nesh, që të ndahemi me respekt”.

Nuk kishte rrugë tjetër! Gjithsesi më parë se të dalë, komandant Dashamir Ohri i thotë se e përshëndet që arritën ti kuptonin!

 

Që nga 5 Qershori, gjithçka ishte shqiptare.

Më 6 Qershor 1961, ushtria sovjetike, largohet nga Baza Ushtarako-Detare e Pashalimanit gjithsesi nën shënjestrën e topave.

Fantazma e sabotimeve

Do të ishte krejt e pallogjikshme që të mos ekzistonte si një fantazëm, hija e frikës së sabotimeve të mundshme!

Në fakt, Komarov, diku ishte shprehur “miqësisht në konfidencë” se “Çfarëdo që mund të jetë bërë në nëndetëse, dije se është bërë pa dijeninë time”!

Fillon menjëherë kontrolli imtësisht i nëndetëseve. Asgjë e dyshimtë nuk gjehet në to por gjithsesi caktohet si limit zhytjeje thellësia 30 metra dhe rreptësisht jo më shumë.

Ishte si presioni që varet mbi kokat e njerëzve nga prezenca e një fantazme të cilën askush nuk e sheh por të tërë e dinë që është aty!

Kur erdhi koha e riparimit të mesëm të nëndetëseve, nga kontrolli më se i imët i specialistëve kinezë, u konstatuan vrima në trupat e tyre! Në tre prej katër nëndetëseve!

E katërta, ishte nëndetësja ku mungonte ekuipazhi rus dhe gjithashtu, hyrje-daljet në të, kontrollohen rreptësisht vetëm nga pala shqiptare.

N Ë N D E T Ë S E T

Në fund të vitit 1960, nga marina sovjetike iu dhanë shqiptarëve, sipas marrëveshjes, katër nëndetëse, “C-241”, “C-242”, “C-358” dhe “C-360” si dhe baza lundruese “Vladimir Nemçinov” e cila më pas u emërtua “Tomorri”.

Nëndetëset , ishin të tipit të mesme,të projektit “613”, model “Whiskey”

Është 75 m e gjatë,

6,3 m e gjerë,

14m lartësi .

Në ujë, në sipërfaqe, pluskon deri në 5 m thellësi.

Furnizimet:

124 tonë naftë,

14 tonë vaj,

100 tonë bateri, e cila kishte plot 124 elementë me një peshë prej 600 kg secili,

9 tonë ujë,

2 tonë ushqime.

Ekuipazhi:

8 oficerë

22 nënoficerë

60 ushtarë

Silurat 12

tetë përpara dhe katër pas

Siluri

Gjatësi 7 m

Pesha 1 ton

Distance maksimale e hedhjes 10 km

Koka me 450 kg tritol

20-22 mina nënujore

 

Baza Lundruese

Baza lundruese “Tomorri”.

Pesha 5200 tonë

Akomodim me të tëra kushtet për 450 persona

Lundrimi i fshehtë 22 ditor jashtë ujërave territoriale shqiptare!

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ndërkohë që çështje e nëndetëseve ishte akoma e nxehtë me krenarinë e jashtëzakonshme që shkaktoi tek populli dhe ushtria shqiptare dhe njëkohësisht turpin që shkaktoi tek politika dhe ushtria ruse, Hrushov nuk vonoi të ironizonte publikisht se ” pa ne, tani që shqiptarët do të zhyten, nuk do të mund të dalin dot më!”

Beqir Balluku, vjen në bazë për një vizitë dhe pak më pas i gjendur vetëm me komandantin e bazës Dashamir Ohri, pyet këtë të fundit:

– E dëgjove deklaratën e Hrushovit?

– Po – i përgjigjet ai

– Si mendon se mund ti përgjigjemi? – e pyet ministri

– Me veprim konkret  – përgjigjet pa hezituar komandanti i brigadës së nëndetëseve – Këtë do ta tregojmë shpejt ! – shtoi me krenarinë dhe vetësigurinë e një ushtaraku të sigurtë për veten dhe ata që kishte nën komandë.

Përveç irritimit të momentit, nga ana tjetër kjo rezultoi edhe si nxitje e një ideje për të kryer diçka që do të mund ti tregonte jo vetëm sovjetikëve por edhe botës se për çfarë ishte e aftë marina luftarake shqiptare më konkretisht, brigada e nëndetëseve.

Ushtaraku, komandanti i brigadës së nëndetëseve Dashamir Ohri, ishte më se i ndërgjegjshëm për atë që deklaronte!

Bazohej tak marinarët e tij, tek mentaliteti krenar prej fitimtari i tërë efektivit të Pashalimanit, mbi të tëra, bazohej tek një person që mbase i tillë nuk mund të gjendej në atë kohë në të tëra nëndetëset e botës, një komandant të cilin SH. B. A. dhe Bashkimi Sovjetik do të mund të ëndëronin ta kishin të tyrin!

Ai ishte Aleko Pojani, komandanti i njërës prej nëndetëseve, një i pasionuar pas botës së nënujit po aq sa i famshmi kapedan Nemo dhe një talnt i jashtëzakonshëm, njeriu i cili ishte i lindur për kapiten nëndetëse! Ishte vetëm 21 vjeç!

Kështu, bazuar mbi këto, hapet rruga për realizimin e planit që kishte menduar Dashamir Ohri! Një udhëtim sa i guximshëm aq edhe i paimagjinueshëm për kohën e atëhershme dhe Flotën Luftarake Detare, për brigadën e nëndetëseve që ishte akoma në nisjen e saj në histori!

Ideja e guximshme ishte që të ndërmerej një udhëtim jo më pak se njëzet ditor në kushte absolute të luftës së ftohtë!

Duke kaluar më parë në ujërat Greke në afërsi të brigjeve të Qefaloniasë, jugut të Italisë Gargano dhe brigjeve të Dubrovnikut e më pas kthimi në bazë!

Një udhëtim shumë i guximshëm sepse fare kollaj mund të kuptoheshin dhe të asgjësoheshin!

 Një udhëtim shumë i vështirë për arsye se do të qëndronin për më se njëzat ditë nën ujë me tërë pasojat që kjo shkaktonte, fizike dhe psikologjike!

Komandanti D.Ohri, pati fituar gradën e komandantit të nëndetëses që në vitin 1958 dhe planifikonte ta realizonte udhëtimin me nëndetësen e parë në të cilën ishte emëruar komandant i saj në mbërritjen e nëndetëseve më parë se të emrohej komandant i brigadës së nëndetëseve.

Ishte nëndetësja e radhës në gatishmëri një javor, pra gati për lundrim. Prezenca e Aleko Pojanit si komandant në të, ishte një arsye më shumë për të ndërmarë këtë tentativë të guximshme…

…dhe plani fillon e merr jetë!

Kryen pa rënë në sy, një inspektim të hollësishëm të çdo gjëje si edhe gatishmërisë së ekuipazhit.

Kjo për faktin se i ruheshin mundësisë prezente të ndonjë agjenti rus në bazë. Askush nga vartësit nuk di gjë për nisjen. As edhe familja e tij. Dihej që do të lundronin por kur dhe drejt ku…askush nuk mund ta dijë.

E di vetëm komandanti Dashamir Ohri dhe…zarfi i dyllosur i arritur nga “lart” që mban sekretin brenda tij! Në rast dekonspirimi, merret me mend se do të asgjësoheshin sapo të kalonin ujërat territoriale shqiptare!

Një ditë më parë se të nisen, ai shkon në Ministrinë e Mbrojtjes dhe takohet me komandantin e Flotës Luftarake, Abdi Matin duke i raportuar për udhëtimin që do të ndërmerte. Normalisht, këtë gjë do ta mësonte vetëm Abdi Mati, Petrit Dume si shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Beqir Balluku si ministër i Mbrojtjes.

Të nesërmen kthehet në bazë dhe para nisjes ndalon pak në Vlorë,nga familja por pa treguar gjë për udhëtimin!

Thjesht përmend fjalën “shërbim”!

Nuk u tregon gjë as edhe Komisarit të Bazës Mihal Zhamo dhe Shefit të Shtabit Petrit Myftiu!

Udhëtimi u realizua në një kohë kur lufta e ftohtë ishte mbase në pikun e saj. Qershor 1969.

Dy ishin momentet kulmore të tij.

Gjatë kalimit të kanalit të Otrantos, mbase mund të jetë disi komike ashtu siç tërë ekuipazhi qeshi pas kthimit por, nëndetësja futet në një zonë të mbushur me parangalle peshkimi dhe tërheq me vete grepat dhe bidonët që i shoqëronin duke rezonuar tinguj të çuditshëm të cilët shqetësuan ekuipazhin në brendësi të saj.

I tërë udhëtimi kryhej në thellësinë rreth 60 metra dhe pasi zhyten më thellë, sërish tingujt dëgjohen! Vetëm pasi ngrihen në të quajturin teknikisht ” gjendja pozicionale e nëndetëses”, pra një metër nën ujë, hapin kapakun dhe kur dalin jashtë shohin se çfarë kishte ndodhur…

Rasti i dytë i cili kushtoi shumë nga ana psikologjike sepse kërkonte nerva të tendosura në maksimum dhe një gjakftohtësi të jashtëzakonshme ndodh kur nëndetësja lundronte fshehurazi në gjirin e Garganos në Itali.

Papritmas, vëzhguesi i periskopit, raporton se një luftanije e madhe italiane pu afrohej drejt tyre.

Ndërkohë që ishin të sigurtë që nuk ishin pikasur, luftanija vazhdonte të afrohej krejt saktësisht përsipër tyre dhe për disa momente mbizotëron paniku i idesë se ishin zbuluar! Ishin momente që të jep ndjesinë se koha ka ngrirë dhe tëmthat rrahin kaq fort sa ndjen se goditesh ritmikisht!

Momente kur koha ngrin dhe minutat e ankthit u ngjan orëve!

Momenti, i jepte prioritet të padiskutueshëm luftanijes në një betejë të mundshme! Komunikimi me radio ishte përjashtuar nga udhëtimi sepse tërë Mesdheu ishte një rrjet gjigand radiolokacioni,teknoligjikisht perfekt i forcave të N.A.T.O.-s dhe Italia e Greqia ishin pjesë e këtij pakti.

Do të mjaftonte një orvajtje komunikimi dhe aeroplanët e N.A.T.O.-s do të gjendeshin në moment sipër nëndetëses!

Nëndetësja zhvendoset në thellësinë më shumë se 100 m duke devijuar nga kursi nga i cili vinte zhurma në sonar, pra kursi i luftanijes e cila duke kaluar sipër tyre vazhdon drejt itinerarit të saj pa kuptuar gjë për prezencën e nëndetëses shqiptare nën vete!

Të tërë morën frymë thellë por ishte një moment që do ta kujtonin tërë jetën!

Ishte në përgjithësi një udhëtim sfilitës! Nga ana teknike kërkonte maksimumin e përqëndrimit mjaft të thuhet se nëndetësja ka…pesë timonë!

Dy përpara, dy pas dhe timonin qendror! Vëzhguesi i periskopit edhe pse iu lodhur, vazhdonte detyrën e tija madje me njërin sy të lidhur dhe nuk ishin shumë të tillë që të ndërroheshin shpesh për ti lënë radhn të shlodheshin njëri tjetrit. Ishin vetëm dy marinarë!

Tërë kohën pa dalë në sipërfaqe! Dhe kjo, më saktë kuptohet si një udhëtim ku mbizotëronte temperatura e brendshme 43 gradë dhe të tërë gjendeshin në të mbathura dhe shpesh edhe pa to!

Erdhi një moment që lodhja fizike dhe të vjellat u bënë të padurueshme! Më pas arriti infeksioni i lëkurës për arsye të mungesës së ujit për tu larë.

Mjaft të prekje pak ndryshk diku e më pas të fshije djersët! Çdokujt i takonte vetën katër litra ujë në ditë…Mjekrrat ishin bërë pjesë përbërëse e portreteve të tyre! 60 veta vazhdonin detyrën e tyre me fare pak metra kub ajër në bordin e mbuluar nga temperatura e lartë dhe papastëria!

Shpesh edhe duke u detyruar të ndalojnë për të verifikuar sinjalet e antenave të lokacionit bregdetar armik dhe të mos lëvizin që aty për më shumë se një ditë. Gjatë 22 ditëve të këtij udhëtimi, të tërë humbasin rreth dhjetë kg peshë…

Nëndetësja kthehet në Pashaliman duke përmbushur me sukses detyrën, duke realizuar një udhëtim të jashtëzakonshëm duke marrë parasysh rrethanat si edhe të qenit pjesëtarë të një flote ushtarake modeste si edhe pa shumë eksperiencë! Kjo shkaktoi edhe habitjen deri në pabesueshmëri kryesisht të sovjetikëve dhe N.A.T.O.-s kur u mor vesh më vonë!

Ishte një udhëtim ndër detet ku mbaronte apo fillonte zona e influencës e N.A.T.O. dhe e Traktatit të Varshavës dhe dhjetëra anije dhe sisteme përgjimi krihnin detet e Mesdheut!

Ky, padyshim është momenti më i artë në historinë e dikurshme të një flote luftarake detare të një vendi të vogël si Shqipëria!

Të një vendi, dikur të vogël por me burra të mëdhenj!

Aleko Pojani!

Për kolegët e tij, mbase nuk ishte i njohur tek të tërë me epitetin “Kapiten Nemo” por sigurisht të tërëve u sillte ndër mend admiralin e famshëm gjerman, komandantin e nëndetëseve U-boat, Karl Denitc!

Që të meritosh të njëjtin krahasim do të thotë që je i lindur për detin, nëndetësen dhe Aleko Pojani ishte ndoshta një rast unikal në botë.

Temperamenti i tij ishte krejtësisht binjak me atë të një piloti të shkëlqyer që në vend të një komplimenti e quajmë “të çmendur”!

Kjo ra në sy që kur ai ishte student në shkollën e marinës në Baku, Azerbajxhan. Ai kërkoi me dëshirën e tij të studionte ofcer nëndetëse. Në ditën kur ai hyri për herë të parë në nëdetëse, hyri me dëshirën e tij dhe…e nxorrën pa dëshirën e tij!

Aq shumë kohë ndenji brenda!

Ishte vetëm 21 vjeç kur u bë kapiten nëndetëse në bord! Diçka për të cilën duhen rrëmuar arkivat botërorë të asaj kohe por edhe më parë e më pas për të gjetur një rast të tillë!

Ishte i guximshëm siç thamë më lart si një aviator dhe mënyra se si përdorte nëndetësen, si luante me të, si e provokonte funksionin e saj në kompleksitet, duke bërë ushtrime shumë të vështira, si zhytje të shpejtë, lundrim nën ujë me lundrueshmëri negative, bllokim timonash, diferente avarie në kufjet maksimale dhe të gjitha këto në thellësi të mëdha dhe me një masë metalike luftarake prej rreth 1200 tonësh.

Nëndetësja në këto parametra stërvitjeje gumëzhin, vibron dhe është pjesë e “lojës” së komandës për të kalitur nervat deri në limitet më të frikshme, ashtu siç mund të bëjë vetëm një aviator në ajër tek “bën zap” aeroplanin e tija!

Për të, “mekanizmi” 1.250 tonësh ishte si një lodër që e njihte symbyllur deri në çdo vidë dhe luante me të!

Në vitin 1962, në një udhëtim stërvitor një ditor 4-5 milje larg Sazanit, ai kryen “zhytjen e shpejtë”, ushtrimin e kalimit nga gjendja e mbiujshme në atë të nënujshme në 38 sekonda.

Për fat të keq, një marinar motorist në lokalin V, kishte lënë të mbyllura rubinetat e cisternës së karburantit, të cilat duhej të ishin hapur më parë për të realizuar barazimin e presionit në thellësinë mbi 30 m, që siç dihet arrin në thellësinë 30 atmosferë. Pas zhytjes së shpejtë të nëndetëses nën këtë presion, shpërthen cisterna dhe derdhet karburanti.

Është pikërisht fjala “diferent”, fjala të cilën çdo pjesëtar ekuipazhi nëndetëseje, uron të mos e dëgjojë kurrë në shërbim, pra pozicioni diagonal i nëndetëses kur fillon rënien e lirë drejt mbytjes, çekuilibrimi i saj!

Nëndetësja pati kaluar menjëherë e çekuilibruar nga tetë në tetdhjetë metra dhe vetëm kapiteni i saj, Aleko Pojani nuk hutohet por arrin ta mbledhë nëndetëse nga fluturimi i saj i çmendur drejt shkatërrimit duke ndërprerë lundrimin dhe e drejton nëndetësen nga këndi i pjerrtësisë duke përdorur për këtë një manovër të dhënë nga intuita e detarit të aftë, ajrin e presionit të lartë të motorëve për të realizuar drejtpeshimin…

Ish komandanti i një tjetër nëndetëseje, Jak Mandrea, shprehet se jo vetëm ai por edhe tërë ushtarakët e tjerë të asaj kohe akoma besojnë se nuk mund të gjendet një kapiten me sado përvojë të madhe, nga tërë flota botërore, të bëjë atë që bëri Aleko Pojani në ato momente kur shpëtoi më se 70 vetë nga vdekja e sigurtë si edhe mjetin, nëndetësen nga shkatërrimi…

Ishte vetëm 24 vjeç me vetëm tre vjet eksperiencë si komandant nëndetëseje!

Ishte një përmbledhje me aq sa munda të gjej duke rrëmuar gjithandej, e një historie të artë por të shkurtër,për të cilën akoma jemi krenarë dhe sot na mungon!

Nuk është se kam vjedhur diçka nga të drejtat e gazetave nën sensin që çdokush është i lirë të kërkojë e të sjellë për bashkënjerëzit, ngjarje e dokumente për të cilat, ndjen detyrimin tu a transmetojë atyre duke i bërë krenarë!

Ashtu siç nën këtë ndjenjë e jo për fitim personal, gazetari Fatos Veliu mori intervistën nga ish komandanti legjendar Dashamir Ohri , pikërisht kur ky i fundit gjendej në çastet e tij të fundit të jetës në spital dhe nuk mori me vete tërë këto që u shkruajtën këtu!

Siç, ish komandanti nëndetëseje, z.Jak Mandrea tregon për ish kolegun e tija Aleko Pojanin!

Ndërkohë që jemi akoma një popull në kërkim të identitetit, jo vetëm që nuk u kemi dhënë vendin e merituar në histori disa njerëzve si Dashamir Ohri dhe Aleko Pojani, por nuk kemi as shumë dijenira rreth tyre! Të paktën deri në këtë kohë.

FUND

_________________________

Mblodhi, përgatiti, Arian Muraj!

Ky shkrim i gjate tre pjesesh u publikua per here te pare me 23 korrik 2013 ne faqen “Kinematografia Shqiptare” (Facebook), linku i origjinalit ketu prane: https://business.facebook.com/notes/355825785629935/?__cft__[0]=AZXXn1fn81W797ZzRjqgLhNjrXGr2ZayhxOMlQp0Xqm0TH0E_uEmrsKiX3zJIE8E8gfdjB4QM33N7u92pA5IakHsj4v7Vsb1nA0-Bk83idSdx7i5K-gikW4tWP90gSfTfqUpRrBne5wY37T5tHrc03yEqeaTgRV_gmARqSpvMgW-lOsTReCdgd0JhItvEivc00E&__tn__=%2FTH-R

 

Follow us :

Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/

Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare

Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti

YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw


Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply