Ballë për ballë – rëndësia e një filmi të rëndë dhe të vërtetat e asaj kohe
PJESA 1
Filmi
Filmi “Ballë për Ballë” nuk është një film i rëndë!
Përkundrazi. Është një film i madh!
Ashtu si edhe perla të tjera të kinematografisë sonë, ai bën pjesë në panteonin e artë të fituesve të kupave të festivaleve filmikë nëpër vite por, së bashku me filma si “Lulëkuqe mbi mure”,”Gjeneral Gramafoni” dhe “Udha e shkronjave” dallojnë nga filmat e tjerë.
Përse?
Sepse në filma të tillë gjendet autobiografia, historia e një populli. Momente të ndryshme të historisë së tij.Në rastin konkret, përplasja e madhe midis Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik.
I përshtatur në film sipas romanit “Dimri i madh” të Ismail Kadaresë, filmi ka ndryshimet e veta në krahasim me librin por edhe ndryshime në krahasim me skenarin fillestar.
Për shembull, libri i Ismail kadaresë, ishte përgatitur fillimisht të quhej “Dimri i vetmisë së madhe” por për shkaqe që tashmë dihen, u botua së pari me titullin “Dimri i madh”.
Gjithashtu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Veli Llakaj, kur lexoi skenarin menjëherë, bëri vërejtjet që sipas tija nuk korrespondonin me realitetin e asaj kohe por edhe me paraqitjen e ushtarakëve gjatë shërbimeve si në tokë apo edhe në nëndetëse dhe të tjera vërejtje si këto.
Por, merita e filmit, është se pasqyron me përpikmëri atë kohë të rëndë, të ftohtë, gjendja më e rëndë për Shqipërinë nga çdo pikëpamje politike apo ushtarake gjatë 46 viteve të atij sitemi (1944-1990).
Mbase për shkak se filmi, nëpërmjet xhirimeve më shumë dramatike, teatrale, ngjyrave të natyrës, vendeve ku nuk arrinte syri si Pashalimani ushtarako-Arkeologjik, por dhe muzikës, pasqyron realisht atmosferën e prishjes me Bashkimin Sovjetik, ka mbetur në opinionin e artdashësve si “një film i rëndë”.
Në fakt, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ne shkatërruam çdo gjë që kujtonte një dashuri të madhe!
Ata, shkatërruan dhe sabotuan çdo gjë që na patën ofruar gjatë një dashurie të madhe gjithashtu!
Na mbetën fillimisht vetëm disa libra që u quajtën të verdhë, monumente, të Leninit dhe të Stalinit, një qytet nafte me emrin e Stalinit, mauzoleu i Leninit dhe…një libër!
“Dimri i madh” i Ismail Kadaresë.
Në fakt, kur libri pa dritën e botimit, nuk kishte kaluar shumë kohë nga ai dimër i pafund që përqasej pak me dimrat e Leningradit gjatë luftës së dytë botërore por, kur filmi u shfaq për herë të parë në kinema, shumëkush nuk dinte gjë mirë për tërë atë çkish ndodhur.
Sigurisht që tekstet e “Historisë së Partisë” nëpër gjimnaze, “ndriçonin” mendjen e adoleshentit por më shumë i referoheshin Mbledhjes së Partive Komuniste në Moskë etj.
Nga ana tjetër, nuk ishte hedhur shumë dritë në opinion rreth mbajtjes së nëndetësve nga ana e jonë. Ishte pika më e nxehtë e ndarjes së madhe!
Pak kush dinte diçka rreth nëndetësve dhe kur dëgjonte për mbajtjen e tyre shpesh e konsideronte si diçka normale e të kollajtë për arsye mosinformimi!
Gjithashtu, pak kush dinte që Baza Ushtarako-Detare e Pashalimanit, ishte Bazë Ushtarako-Detare e Traktatit të Varshavës!
Pas një heshtjeje të gjatë (1961-1979), filmi solli në dritë qartësisht atë çfarë kishte ndodhur në atë përplasje të madhe mdisi dy teorive të ndryshme, të pothuaj së njëjtës politikë, e cila, në Bazën Ushtarako-Detare të Pashalimanit në Vlorë për pak kaloi në një konfrontim fizik, pra me armë!
Sapo kishim dalë nga një prishje tjetër thuaj se aq të madhe. Me Kinën dhe pjesa që duhej fshirë nga kujtesa për sa u takonte kinezëve të bënte të harroje kollaj ato që dije rreth sovjetikëve.
Gjithashtu, si sensacion ishte i përmasave të mëdha e nuk të lejonte luksin të vrisje mendjen se çndodhi më 1961…
Pak kush dinte se si provokonin ushtarakët e specialistët sovjetikë homologët e tyre shqiptarë dhe gjithashtu, pak kush e kishte idenë se sa guxim e qartësi në gjykim kërkohej atëherë nga ushtarakët shqiptarë.
Në fund të fundit, ishte hera e parë që masa, nëpërmjet një filmi, mund të kishte një kontakt viziv të fuqisë së Bashkimit Sovjetik dhe të kuptonte më mirë se deri ne çfarë limiti të frikshëm, Shqipëria e vogël pati guxuar!
Nuk është për tu mburrur që mbetëm më stalinistë se sovjetikët dhe Nikita Hrushovi por të paktën, në film, mbi të tëra kur e rishohim sot, gjejmë edhe një nivel të kënaqshëm të qytetarisë duke vëzhguar jetën e Arben Strugës,Besnikut apo të Tiranës së asaj kohe.
Kishim vetëm 17 vjet të ardhur nga feudalizmi dhe lufta bashkë por kemi të bëjmë me një nivel të kënaqshëm qytetarie gjë të cilën e kërkojmë sot dhe na mungon shpesh!
Nuk është për tu mburrur që populli me një fjalë të Enverit apo të Partisë, ishte gati të rrokte armët, ashti si Belul Gjenomadhi në film apo malesori në roman, por sigurisht që bëhej fjalë për një luftë që i kanosej Shqipërisë dhe populli i pasqyruar tek labi dhe malësori ishte i ndërgjegjshëm, ndërsa sot …
Në fund të filmit, ishte si ishte, ushtri komuniste apo popullore, ndiheshim krenarë për forcën tonë ushtarake kurse sot …
Për sa i përket realitetit të atëhershëm, problematikave dhe ndonjë kuriozitet tjetër.
Vazhdon me pjesen e dyte
Mblodhi,pergaditi materialin, Arian Muraj