Beatles i pestë me nr 7të!

0
1182

Do të doja që njerëzit të më kujtonin për ato që kam bërë në fushë…”. Janë fjalët e George Best, një prej figurave më kontroverse të historisë së futbollit dhe sigurisht, i vetmi i cili ishte ”All in One”!

Vinte nga Irlanda e Veriut, ”Belfast Boy”. Vjen në Mançester që në moshën 15 vjeç dhe si një djalë i dëgjueshëm i një familjeje me rregulla, nuk harronte kurrë tu shkruante letra të tijve, dy herë në javë. Stërvitet me Mançesterin dy herë në javë dhe pas pothuaj dy viteve, ”arkitekti” i historisë së Junajted, Mat Basbi, më në fund bindet dhe e bën pjesë të formacionit të ekipit që po ndërtonte për herë të dytë në histori. Pesë vite më parë, thuaj se tërë ekipi i Mançester Junajtid, humbi jetën gjatë tragjedisë ajrore në Mynih të Gjermanisë. Është vetëm 19 vjeç kur, pas ndeshjes në Portugali për çerekfinalet e Kupës së Kampioneve kundër Benfikës, mer nga portugezët titullin ”O quinto Beatle – Bitëllsi i pestë”. Tashmë, ishte i famshëm! Më parë se fama, ishte njohur me alkoolin, një nga tre dobësitë e tij por, edhe mik-armiku i cili u bë pjesë e pandashme e jetës së tij, si fillim duke ja shkatërruar e dikur, duke ja marrë përfundimisht atë!

Në moshën 22 vjeçare, si pak të tjerë deri më sot, fitoi titullin e Premier League në Angli, Kupën e Kampioneve dhe Topin e artë! Është një yll absolut! Përdor pasurinë dhe emrin e tij dhe hap një rrjet butikësh ku shiten parfume për meshkuj, rroba dhe këpucë. Ishte i pari që futi glamurin në botën e futbollit duke influencur drejtpërsëdrejti në modë. Për këtë shpesh quhej ”Fashion Forward”. Ishte ai që hapi rrugën nëpër të cilën do të kalonte David Beckham 30 vjet më vonë. Natyrisht, më parë ishte kujdesur të identifikohej me nr7 mbi fanellën e kuqe.

”Çfarë është më tunduese për ty? Të kalosh një natë me Miss Botën apo të shënosh nga 40m në Anfield?” e pyetën dikur gazetarët. ”Nuk e di… I kam provuar të dyja!” u përgjigj pa asnjë kompleks George Best. Femrat ishin një nga tre pasionet e mëdha të tij. Edhe sot, janë shumë histori që tregohen për të në Mançester dhe jo vetëm. George Best jashtë fushave të futbollit, ishte e njëjta gjë si Alen Delon jashtë kinematografisë!

Pasioni i tij i tretë i madh, ishte futbolli. Në fakt, futbolli i dha famë dhe pasuri. Skandalet erotike, goditën tek emri i tij por alkooli, i mori çdo gjë që arriti me futboll! Edhe këtu, ai ishte i parë që hapi serinë e futbollistëve – njerëz autokatastrofikë si Garrinça, Maradona…
Njerëzit preferojnë ta kujtojnë Xhorxh Bestin, ashtu si edhe Maradonën, nëpërmjet futbollit. Në Belfast, të gjithë e kujtojnë si ai njeriu i thjeshtë si ty e si unë, që gjendej në PUB që në mengjes dhe qeraste kë të kishte pranë…

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here