Ditar i mbajtur nga vete aktori Naim Frasheri:
Tiranë, më 19.1.1954
E fillova karrierën profesionale si aktor në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin më lindi në vitin 1943, kur ne të udhëzuar nga rinia komuniste filluam të pregatisnim dramën “Vilhelm Tel”, të Shilerit.
Natyrisht, kjo çfaqje nuk u lejua nga fashistët të jepej. Ky fakt ndikoi shumë tek mua që të kuptoj thellë rolin e theatrit dhe ta dua më shumë. Në fillim të ´44-ës në mal (Priskë) u krijua grupi artistik i Rinisë. Atje i dërguar nga organizata e Rinisë, ku bënja pjesë organizuam grupin theatror dhe pregatitëm dramën “Partizanët” të Fatmir Gjatës, në të cilën interpretoja rolin kryesor. Çfaqja u dha në Tiranë më 28-29 nëntor 1944, me çlirimin e vendit.
Pas një monologu që kam recituar në moshën 7 vjeç, përpara prindërve në shkollën fillore të qytetit të Kavajës dhe pas disa pjesëve të vogla me 1 akt, që jepnin gjatë luftës, ndër lagjet e ndryshme të Tiranës, për banorët e këtyre, roli i komisarit në dramën “Partizanët”, ishte takimi im i parë me spektatorin, në një shfaqje të madhe dhe them se ishte debutimi im i parë në skenën e theatrit. Në këtë kohë vendosa t´i dedikohem profesionit të aktorit.
Ata nuk më besonin
Në maj 1945, me krijimin e theatrit profesionist të shtetit, u pranova anëtar i atij kolektivi.
Në fillim, rolet nuk më besoheshin dhe fillova të mos e ndjej veten mirë. Pas një viti, kur erdhi nga Rumania regjisori ynë Pandi Stillu, m’u besua roli i Mishës në “Portreti”. Nuk pata sukses. Prapë filluan pikëpyetjet mbi prespektivën time. Kjo është periudha më e vështirë për mua. Besimit që kisha karshi vetes, i dilte përballë mosbesimi i një pjese të madhe të theatrit… Por… më në fund, prapë regjisori i dashur për mua, P.Stillu, më besoi rolin e Fjodorit në “Invadimi”.
Rol shumë i mirë, por i vështirë.
M’u desh një punë e madhe, jo vetëm në krijimin e këtij roli, por edhe për të thyer murin e tmerrshëm të “opinionit” dhe për të patur një vend në kolektiv. Ia arrita qëllimit. Çfaqja u prit shumë mirë dhe interpretimi im i rolit të Fedjas u ça mjaft dhe, siç ndodh zakonisht, rolet filluan të më ngarkohen njëri pas tjetrit.
Rruga drejt majës
I paharruar roli Teodorit do të mbetet për mua, jo vetëm për thellësinë dhe bukurinë e tij, por, sepse puna ime në këtë rol ishte vendimtare për të ardhmen time në artin theatral. Pas këtij roli m’u dha Valeri te “Tartufi”, Smith te “Çështja ruse”.
Me këtë rol filloi një etapë tjetër për mua. Nëpërmjet regjisorit sovjetik, Vladimir Dudin, u njoha me theatrin realist. Punova në bazë të shkollës së stanisllavskit dhe, megjithëse për një kohë të shkurtër, kuptova më kjartë kërkesat e mëdha që duheshin për të vazhduar profesionin e aktorit.
Shfaqja korri shumë sukses. Rol të madh për pjekurinë time si aktor, ka luajtur repertori me pjesë të dramaturgjisë sovjetike. Meqenëse dramaturgjia jonë kombëtare sa kishte filluar të shënojë aty këtu ndonjë vepër. Kështu që kam patur rast të interpretoj role mjaft interesante nga pjesët më të mira të dramaturgëve sovjetikë si Borodskij në “Për ata që janë në det”, Stjepa në “Platon kreçiot”, Makdonal tek “Zëri i Amerikës”, Krivashein tek “Karakteri moskovit”, etj. Përshtypje më ka bërë roli i Nikollait tek “Armiqtë” e Gorkit.
Ky rol nuk do të më tingëllonte në qoftë se nuk do të pajtoheshim aq shumë me regjisorin e ri dhe të talentuar, Mihallaq Luarasi, në trajtimin e kësaj pjese. Punë interesante për mua ka qenë në rolin e Merrih te “Rrënjë të thella”, ku regjinë e kish A.J. Kriçkov dhe, sidomos faza e zbërthimit të rolit.
Por mua më tërheqin shumë rolet që janë të ndryshëm nga plani dhe natyra ime si aktor. Po kështu, kënaqësi pata edhe në punën për rolin e Van der Lubos në “Procesi i Laipcingut” dhe në rolin e Ribakovit tek “Orët e Kremlinit” me regjisor V.Bratko, megjithëse këtë rol m’u desh ta pregatis brenda dhjetë ditëve, meqenëse në këtë kohë merresha njëkohësisht me xhirimin e filmit “Tana” jashtë qytetit.
Evenimenti më i madh në punën time krijuese ishte pregatitja e “Hamletit”, vënë në skenë nga regjisori V.Bratko. Për këtë nuk mund të them asgjë. Hamleti im është akoma foshnjë normale dhe të shohim se si do të rritet me gjithë kujdesin e prindit nga ana ime.
“Intrigë dhe dashuri”
Një nga rolet më të mirë që kam është roli i Ferdinandit tek “Intrigë dhe dashuri”. Thonë se e loz mirë. Në këtë rol u laureova me çmimin e Republikës. Mund të them se ky është i pari rol me rëndësi në repertorin klasik. Ndodhesha përpara një prove të madhe karshi vetvetes. Kjo më shqetësonte shumë, nga ana tjetër më detyroi t´i përvishem një pune shumë serioze. Nuk më preokuponin aktet e para të kësaj drame, por akti i fundit, ku Ferdinandi vjen në skenë dhe krijon një atmosferë krejt të kundërt nga ato të parat. Sa ja dola, këtë nuk e di, por kritika e ka pritur mirë.
Edhe unë e kam lozur më me pasion këtë akt, ku mbizotëron mbi të gjitha monologu i brendshëm, por… realiteti është se edhe vetë Shileri e ka shkruar këtë akt me shumë dashuri dhe dhimbje. Prandaj vendin më të madh të suksesit e zë vetë autori.
Kur xhironim “Skënderbeun”.
Një nga fazat më të bukura të punës sime në art është koha e xhirimit të filmit “Skënderbeu”. Një grup ideal për të zhvilluar një punë krijuese. Natyrisht, kjo i dedikohet udhëheqësit të grupit, regjisorit, të dashurit, Sergej Jutkeviç, i cili me një forcë të çuditshme, krijoi me tërë kuptimin e fjalës, një atmosferë të atillë pune, që është vështirë të harrohet dhe e ruajti atë deri në fund. Por nga ana tjetër edhe vetë, të gjithë anëtarët e grupit, ishin të predispozuar për një punë të tillë.
Që në takimin e parë me të, (Jutkeviçin), kuptova se me cilin kisha të bëja.
U dashurova me të dhe përpiqesha të krijoja çdo mundësi për të mësuar sa më shumë, por… fatkeqësisht ai ishte mjaft i zënë me punë, kështu që nuk e arrita atë që dëshiroja. Në kinematografi ishte debutimi im i parë dhe natyrisht si çdo gjë, që është në fillim e kisha të vështirë, por u ambientova.
Punë interesante.
Mbusha 35 vjet dhe kam interpretuar në skenë 40 role, ndër të cilat më shumë se gjysma role kryesorë. (mestitujt janë të redaksisë)
Përshtypjet e aktorit mbi një shfaqje të vitit 1954
Si kam punuar me pjesën “Nderi i familjes”
Në fillim kur u ndanë rolet, roli që m’u caktua mua, nuk më ngrehu, me një fjalë nuk më pëlqente. Kisha dëshirë të interpretoja Bajramin, pasi ai ishte një rol i ndryshëm nga ato që unë kisha interpretuar më parë dhe tek ky rol unë shikoja se do të kisha një farë përparimi në zhvillimin si aktor. Mirëpo në realitet më ishte caktuar Ata dhe jo Bajrami.
Më paraqitesh një punë e vështirë përpara
1) Regjia që ishte e re dhe nuk e njihja punën e saj.
2) Roli që nuk më pëlqente.
Filloi puna. Me regjinë që në ditët e para u ambientova. Dhe e them me bindje se e kuptova. Puna e saj përqendrohej në logjikën, në interpretimin sa më thjeshtë dhe real, pa pompozitet, e të gjitha këto pajtoheshin me punën time të aktorit.
Kurse për rolin më duhej punë.
E para më duhej të gjeja emocione të atilla në rol, që të më bënin ta dashuroja atë dhe, pikërisht fillova me lirizmin që përmbante roli, pasi ajo qe më e afërt për natyrën time. Monologët mbi natyrën e Turkmenisë, dialogët me Zinën më lehtësonin punën, pasi ato i shkonin individualitetit tim. Duke përvetësuar këto momente, fillova të “dua” vendin, d.m.th Turkmeninë dhe me anën e Zinës të dua njerëzit dhe në radhë të parë pastërtinë dhe ndershmërinë e tyre.
Kur ia arrita deri diku këtyre, atëherë fillova të lehtësohem dhe pa vështirë si hyra në thelbin kryesor të rolit. Pas një pune të vazhdueshme, u bëra mik me rolin, por nuk arrita ta dashuroj.
Autori më pengonte mjaft. Kalimi nga një situatë tek tjetra ishte e shpejtë, nuk më lejonte që këto kalime të bëheshin organikisht. Kisha në ca momente nevojë të madhe për ngrohtësinë nga ana e figurës më të dashur për mua në pjesë, Zinën, atë nuk e kisha. Këto nuk më inkurajonin shumë. Kur filluam lëvizjet, në fillim kisha vështirësi me mënyrën e punës së regjisë.
Ndalesat e saj të shpeshta më shqetësonin. Ndjeja nevojën të punoja shpejt skeletin e lëvizjeve të rolit tim dhe pastaj të hyja në hollësira. Kjo nuk zgjati shumë, pasi edhe regjisorja filloi deri diku të kuptojë natyrën time si individ. Ky kuptim reciprok solli si rezultat që të lindë një lloj inspirimi i përbashkët midis meje dhe regjisores. Nga kjo lindi, që regjisoria me pak droje filloi të më bëjë vazhdimisht vërejtje, të cilat për mua nuk ishin më të vështira t´i vija në zbatim.
Kjo ishte puna ime me rolin e Atas.
_______________________________
Publikuar per here te pare ne faqen “Kinematografia Shqiptare” qe ne vitin 2016.
Follow us: Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/ Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com) Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw