Futbolli total holandez dhe ai praktik racional i gjermanëve!

0
894

Këdo që të pyesësh nga të pasionuarit e futbollit, historia e këtij sporti njeh erën e re të saj në Majin e largët të vitit 1974 dhe në Gjermaninë Perëndimore. Vezullimet e para të kësaj kohe të artë përkojnë me Ajaksin e vitit 1969 dhe finalen e humbur me Milanin, vazhdojnë me Fejnord më 1970 dhe sërish Ajaks tre vite radhazi më 1971, 1972 dhe 1973.

Kupa e Kampioneve mbetet për të katërtin vit në Hollandë. Hollanda është bëre shkolla e të famshmit “Futboll Total”! Gjermania Perëndimore e vitit 1974, vërtetonte superioritetin ekonomik të Perëndimit kundrejt Lindjes.

Kupa e Botës e Gjermanisë Perëndimore, pritej të ishte një kompeticion që i tillë nuk mund të imagjinohej më parë… Vetë gjermanët u kujdesën të perceptohej lehtësisht ndryshimi midis dy sistemeve, atij kapitalist dhe komunist, ndryshimi midis dy kontinenteve, atij amerikan dhe atij europian!

Para finales, tërë ekipet përfaqësuese pjesëmarrëse në botëror, u shfaqën të parakalonin simbolikisht në fushën e stadiumit Olimpik të Mynihut…nëpërmjet autobuzave të modelit më të fundit të “Mercedes Benz”!

Në thelb, ishte më shumë një ekspozim i prodhimeve të kompanisë së famshme gjermane! Vetë ekipet nuk gjendeshin brenda në ta përveç emrit të tyre dhe flamujve të stampuar në pjesën e jashtme të autobuzave. Stadiumet gjermane ishin një diçka…krejt tjetër! Nuk ishin parë në të kaluarën të tilla nivele luksi dhe teknologjie dhe pavarësisht se ku luante një ekip, gjithçka brenda një stadiumi ishte supermoderne! Ja vlen të përmendet stadiumi Olimpik në Mynih ku u zhvillua edhe finalja. Më shumë ngjante me një vepër arti, diçka përrallore se sa një objekt sportiv! Nga ajri duhej të fërkoje mirë sytë për tu bindur se ajo që shihje ishte e vërtetë dhe jo ndonjë sens i rremë që përkonte me një botë çudirash!

Stadiumi Olimpik i Mynihut dhe njeriu zë e dyshon…Është një pamje reale apo thjesht përrallore?! Ishte një paradë botërore e firmës “adidas”! Kurrë më parë ajo kompani nuk pati një përfaqësim të përmasave të tilla në një kompeticion ndërkombëtar! Gjithkund shihje uniforma dhe këpucë futbolli të markës në fjalë. Vetëm disa ekipe si Italia, Gjermania Lindore, Uruguai, Brazili dhe Skocia përdornin marka të tjera sportive veshjesh. Gjithsesi, në kompleksitet, pothuaj tërë futbollistë përdornin këpucë “adidas”! Nga një kompani, “adidas” sapo ishte shndërruar në një perandori ekonomike në një nga momentet e saj më të mira! Një perandori që do të sfidohej nga një sportist i cili nuk ishte dokushdo por ylli më i madh i botës dhe protagonisti absolut i turneut, Johan Krojf!

Të tëra këto të ndërlidhura edhe me protagonisten, Hollandën me uniforma në ngjyrë të çuditshme portokalli por edhe cilësia teknologjike e filmit “Technicolor”, i dhanë kompeticionit një super shkëlqim në sytë e mbarë planetit dhe Gjermania perëndimore u bë sinonim i nivelit më të lartë botëror ekonomik apo organizativ dhe krejt natyrshëm, tërë bota shuajti nga memorja edhe ato pak njolla që ruante nga Lojrat Olimpike të dy viteve më parë në Gjermaninë Perëndimore! Gjermania Perëndimore ishte Kampionia e Europës në fuqi që para dy vitesh dhe nga finalja e fituar me 3-0 në “Heysel” kundër Bashkimit Sovjetik. Në botërorin e kaluar ishte një nga dy protagonistët e “Betejës së Shekullit” në gjysëmfinale në “Azteca” kundër Italisë (3-4).Që atëherë ishte përmirësuar si ekip dhe me prezencën e Gerd Mylerit në radhët e saj pretendonte me të drejtë të fitonte titullin më të lartë ndërkombëtar në futboll! Luante para spektatorëve të saj dhe ishte një superfuqi botërore futbolli! Në stol kishte të njëjtin trainer që nga viti 1966, të madhin Helmut Shën!

Hollanda ishte edhe ajo në të njëjtat nivele por në rang klubesh. Një herë Feynord dhe tre herë Ajax, katër vite me radhë ishin Kampione Europe dhe duke përdorur vetëm lojtarë hollandezë!Në stol kishin “maestron” e Futbollit Total, të jashtëzakonshmin Rinus Michels i cili pasi pati krijuar Ajaksin e madh dhe fituar me të Kupën e Kampioneve së bashku me Johan Krojfin, gjendeshin që prej 1971 tek Barcelona. Ylli i gjermanëve pa dyshim ishte “Kaizeri” – Franc Bekenbauer, Hollanda kishte yllin e saj “Hollandezin Fluturues” – Johan Krojf…Në fund të tëra këtyre, gjermanët ngjanin të ishin favoritë sepse kishin pothuaj të njëjtën kollonë qendrore të ekipit që nga 1966, ishin me eksperiencë dhe Kampionë Europe në fuqi ndërsa Hollanda, nga ana tjetër, kishte avantazhin e të qënit ekip i panjohur! Përfaqësimi i saj i fundit ndër botërorë datonte në vitin 1938! Edhe diferenca në portë në pamje të parë nuk tregonte ndonjë ndryshim konkret. Gjermanët kishin më të mirën e botës, Sep Majerin por Hollandezët që kishin të panjohurin Jan Jongblod patë pësuar vetëm një gol deri në finale! Thjesht, diferenca midis dy ekipeve ishte se Hollanda luante një futboll …nga një planet tjetër!

Asgjë nuk dukej të ishte pro Gjermanisë Perëndimorederi në finalen e madhe! Hollanda, pas fitores me Uruguajin 2-0, lë një barazim të bardhë me Suedinë 0-0 e më pas shpërthen, 4-1 me Bullgarinë, 4-0 me Argjentinën, 2-0 Gjermaninë Perëndimore dhe 2-0 Brazilin! Shihej qartazi se para finales ishte favoriti i madh!

Gjermania me …”emra bluza të rënda” nuk pati ecur edhe aq mirë. Në grup, fiton me vështirësi 1-0 me Kilin me golin e Braitnerit nga rreth 30 metra, mund debutuesit australianë 3-0 dhe humbet gjermano lindorëve 0-1 (Shparvaser `78) në një ndeshje e cila kaloi në histori sepse nuk pati më kurrë një përplasje tjetër midis tyre. Mbase kjo humbje i shërbeu për mirë gjermano perëndimorëve sepse më pas, pas një dramë në një kohë të rënduar nga shiu, mundin Suedinë 4-2 duke vënë zemrat në fushë! Më pas dy fitore, 2-0 kundër Jugosllavisë dhe 1-0 në një finale të parakohshme ndaj Polonisë, si për shkak të tërrenit por edhe kundërshtarit të një lojë të nivelit të lartë. Nuk ishin favoritë në finale siç ishin hollandezët por gjithmonë në histori, kjo ka shërbyer për të karikuar më shumë gjermanët,madje ishte hera e dytë që përplaseshin në një finale si autsajder përballë një ekipi që ka shkruar historinë!

Ashtu si Hungaria e viti 1954 edhe Hollanda ishte përfaqësuese e një shkolle që ndryshoi futbollin dhe nuk dukej të kishte kundërshtarë, çdo gjë të sillte ndër mend finalen e paharruar të Bernës më 1954. Edhe atëherë Gjermania përballej me përfaqesuesit e historisë së futbollit! Madje në se atëherë loja pati nisur 0-2 për gjermanët në tetë minutat e para, në finalen e Mynihut, Hollanda, në një shfaqje të superioritetit të saj, pas pesëmbëdhjetë pasave, shënon me Neskens nga pika e penalltisë dhe gjermani i parë që prek topin për herë të parë në finale, është portieri Sep Majer i cili e nxjerr nga rrjeta dhe sapo është plotësuar minuta e parë…!

E megjithatë, Gjermania perëndimore fitoi!

Pas golit, hollandezët menduan se e fituan ndeshjen dhe diku aty filloi beteja e heshtur midis Sakrificës Totale dhe Futbollit Total! Më vonë Krojf pranoi se ” ne nuk prisnim kurrë që ta kontrollonim ndeshjen kaq herët! Kjo na bëri të humbisnim ekuilibrin dhe të bënim gabime pas gabimesh! Në thellësi të çështjes, e vërteta është se kupën nuk e fitoi Gjermania Perëndimore. E humbëm ne”!

Hollandezët luajnë me 3-4-3 dhe gjermanët me 4-2-4. Pas fillimit të keq, Berti Vogst markon një për një Krojfin, Braitner zhvendoset më përpara në qendër dhe Bekenbauer nuk është…mbrojtës qendre! Kurrë nuk ishte! Organizon lojën nga pas dhe Bonhof dhe Overat, të fuqizuar edhe nga Braitner dhe nga ngjitjet e Shvarcenbek i japin superioritet në ofensivë Gjermanisë Perëndimore. Kanë fituar betejën për qendrën e fushës! Nga ana tjetër, Syrbir dhe van Hanegem nuk ndihmojnë sulmin nga krahët e mbrojtjes dhe kjo bën që Hollanda të gjendet nën presion. Mbase i pari që u thye nga presioni i gjermanëve ishte arbitri Xhek Tejlor i cili akordon një penallti të dyshimtë për gjermanët në ’25 kur Holcenbain rrëzohet nga këmba e Vim Jansen. Braitner ekzekuton saktë dhe barazon 1-1 por asgjë nuk ndryshon në lojë. Hollandezët akoma nuk guxojnë përpara dhe Krojf nuk gjen hapësira për arsye të markimit individual prej Vogst. Gjermanët nuk është se kryejnë një presion të madh por stabël ama. Në fund të pjesës së parë, Bonhof brenda zonës hollandeze pason tek Gerd Myler. Ai ndonëse i rrethuar nga disa mbrojtës kontrollon aq sa i duhet të rregullojë topin dhe lëshon një gjuajtje të shkurtër vrastare pas një rrethrrotullimi në vend. Është 2-1 për Gjermaninë Perëndimore!

Do të jetë edhe rezultati final! Vazhdimi ishte monolog i pafund i sulmit hollandez por Sep (Jozep) Majer mban gjallë gjermanët me ndërhyrjet e tija. Xhek Tejlor, në një rast gabon me atë të pjesës së parë nuk jep penallti për herë të dytë për gjermanët duke shtuar kështu dyshimet a ishte apo nuk ishte penalltia e gjermanëve me të cilën barazuan rezultatin!Do të kemi edhe një gol të anulluar të Mylerit por të tëra këto nuk i mban mend askush! Gjermanët nëpër sheshe kanë filluar të festojnë duke pirë birra dhe duke u hedhur nëpër shatërvanë! Brenda stadiumit Olmpik, ekipi i tyre ka filluar xhiron e triumfit! Gjermania perëndimore është për herë të dytë Kampione Bote! Ai që vuajti më shumë nga hollandezët ishte Vim van Hanegem. Gjatë luftës së dytë botërore pati humbur babanë dhe dy vëllezërit dhe siç shprehej edhe vetë “Nuk më pëlqejnë gjermanët!Kam probleme sa herë që luaj kundër tyre, prej luftës” Në Hollandë dhe për Hollandën kërkojnë të gjejnë shkaqet e humbjes. Sigurisht që shfaqnin në fushë e kudo një lloj arrogance dhe mungesë sensibilitetit, qoftë edhe në orën e himnit kombëtar. Ishte koha e Rolling Stones, luftës së Vietnamit, Beatles e HiPi dhe hollandezët më shumë ngjanin si “rock star” në Woodstock se sa si futbollistë…

Një ditë para ndeshjes, ishte bërë edhe një “pool party” në pishinën e hotelit ku ndodhej kombëtarja hollandeze. Disa vajza, patën ther kordonin e sigurisë dhe …përfunduan në pishinë me lojtarët!

Johan Krojf nuk u gjend aty por…kaloi tërë natën duke u përpjekur të sqarojë të shoqen në telefon rreth asaj që ishte shkruar në tërë gazetat e Gjermanisë Perëndimore!

Ishte edhe kjo një arsye që udhëheqësi i portokallinjve ishte në hije në finale, pavarësisht penalltisë që fitoi në fillim. Nga ana tjetër, tërë bota kuptoi se gjermanët nuk dorëzohen kurrë dhe është pikërisht kjo ajo diçka që kanë ata dhe nuk e kanë të tjerët në futboll! Hollanda mbeti në memorie si Fituesi Moral!

E shpuri futbollin në nivele të paarritur më parë, fanella e çuditshme e saj u bë sinonim i futbollit të bukur! Ashtu siç mbeti përjetë në kujtesë fanella e çuditshme e Johan Krojfit me numër 14 dhe me dy nga tre vijat sinjifikative të “adidas”.Këtu është momenti për të thyer heshtjen rreth këtij misteri, rreth uniformës së plotë “adidas”, mbathje e fanellë por me dy dhe jo tre vija të Krojfit. Johan Krojf, ylli absolut i kohës së tij, djaloshi elegant e simpatik që më shumë ngjante me një yll muzike , futbollisti që theu i pari limitin e milionit të dollarëve në blerje, kishte një simbol të veçantë me “puma”. Ai vetë ishte reklama më e mirë e kompanisë dhe veçanërisht për këpucët e futbollit “puma king”. Kështu, i detyruar të përdorë uniformë “adidas” me kombëtaren, mendoi që të heqë njërin shirit nga fanella dhe nga të mbathurat dhe nga që nuk mori pjesë në Kupën e Botës së Argjentinës që vinte më pas, mbeti mitik për bluzën e tija “adidas” me dy shirita dhe gjithashtu, sot është edhe një nga më të kërkuarat në shitje në e-bay! Gjithsesi, katër vite më vonë edhe binjakët van der Kerkhof do të paraqiteshin edhe ata me të njtin “model” fanelle por kjo nuk ra pothuaj se fare në sy. Nuk mund të kishin fuqinë rrezatuese të një ylli si Johan Krojf! Rinus Mikhels, nuk do të gjendej në Argjentinë gjithashtu!

Do të kthehej të vinte në vend nderin e tija katërmbëdhjetë vite më pas. Pikërisht aty ku humbi finalen e Kupës së Botës, në Gjermaninë Perëndimore dhe në stadiumin Olimpik të Mynihut, do të fitonte finalen për titullin Kampion Europe duke i falur Hollandës të vetmin trofe deri më sot por, siç pranon edhe ai vetë…”Të tërë e dimë që ndeshja kryesore për ne, ishte ajo ndaj Gjermanisë Perëndimore në gjysëmfinale…”

Hollandezët fituan 2-1 duke u hakmarrë sado pak për humbjen e vitit 1974!

Nga: Arian Muraj
VizionSporti / Ora e Kampioneve 5 janar 2021

____________________

Follow us: 

Facebook : https://www.facebook.com/VizionSportiv

Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti 

Blog:  https://pierosportvision.blogspot.com/

 

 


Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply