Gaqo Çako (1935-2018) | Tenori Virtuoz!

0
1172

Gaço Çako (1935-2018)
Artist i popullit & Nderi i kombit

Lindi më 24 janar 1935, është nje këngëtar qe i perket brezit te arte te muzikes shqiptare .
Mban titullin Artist i Popullit. Tenori legjendar, Gaqo Çako, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Avni Mula, Ibrahim Tukici, Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj.

Ne vitet 1957 – 1961 ai ka studjuar në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Gaqo Cako thjesht një student, i cili kërkonte të fuste brenda vetes çdo detaj që lidhej me muzikën dhe artin, i riu shqiptar, i pashëm do të binte në sy për përkushtimin dhe talentin nga profesorët e tij.

Drejtori i Konservatorit Aleksandër Vasiljeviç Svjeshnikov, do të shihte në zërin e djaloshit shqiptar, personazhin kryesor në operën e Puçinit, “La boheme”, atë të Rodolfos. Në vitin 1957 Gaqo Çako, do të interpretonte në skenën ruse, interpretim që do të mbetej gjithmonë i paharruar .

Më pas erdhën suksese të tjera në operat “Evgienij Onjegin” (Çajkovski) dhe “E fejuara e carit” (Rimskij-Korsakov), të cilat shfaqeshin nëpër studiot operistike të Kolegjit Muzikor, apo të teatrit pranë Konservatorit “Vaganova”.

Për tenorin e ri,ato ishin kohë të arta, ku i gjithë konservatori fliste për talentin dhe suksesin e një djaloshi nga Shqipëria. Për këto role ai paguhej me 50 rubla, çka i mjaftonte për të bërë jetën e një studenti në Moskën e atyre viteve… Teksa shijonte duartrokitjet e pafundme pas interpretimit të operës “La Boheme”, Gaqo Çako nuk mund ta mendonte se koha e tij në Konservatorin “Çajkovski” do të ishte e shkurtër, dhe se ai nuk do të mund të arrinte të diplomohej në Moskë (studimet i përfundoi në Tiranë).

Prishja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, do të priste përgjithmonë kontaktet me këtë qytet të bukur. Tirana do të ishte stacioni ku ai do të ndalej, për ty kthyer në një yll të muzikës operistike në vend. Roli i parë për publikun shqiptar do të ishte “Komiti i Parë”, nga “Lulja e Kujtimit”, më 5 nëntor 1961.

Role të tjera do të pasonin pas kësaj, si ai i Agronit nga opera “Heroina” e Vangjo Novës, e cila u vu më 1967, roli i Besnikut nga opereta “Brigada e grave” e Llazar Morckës më 1969-ën, Shpendi nga “Përtej mjegullës” e Pjetër Gacit më 1971, Doda te opera “Mrika” e Prenk Jakovës më 1975-ën, deri te roli i Galan Lugaparit tek opera “Borana” e Avni Mulës më 1984.

Fati do të ishte në anën e tenorit të ri, pasi në kohët e ndryshimeve në kulturën shqiptare, të ndikuara nga Revolucioni kinez, ai ndodhej për studime në Itali bashkë me kolegun Ramiz Kovaçi. Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias (ne nje brez me ate te kengetarit italian Claudio Vila).

Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Per artistin e madh Gaqo Cako mund të permenden regjistrime të 34 arieve të huaja, të kënduara në gjuhën origjinale e në shqip, si dhe të 13 këngëve lirike qytetare shqiptare (pa llogaritur të tjera këngë e duete, gjithashtu të regjistruara në studion e Radios);

Të gjitha sukseset, sigurisht, që e kanë një emër, dhe tenori ia dedikon këtë gruas së tij Luizës, e cila ka qenë frymëzuesja në jetën e tij. Te shkruash për jetën e artistit Gaqo Çako, nuk mund të jetë thjesht një rrëfim për një jetë. Ai është rrëfim për një epokë dhe për ata njerëz që ngritën institucionin e operës në Shqipëri dhe krijuan një traditë, pavarësisht kushteve të vështira të kohës.

Çako ishte i vetmi këngëtar lirik i Operës që merrte pjesë dhe këndonte në festivalet e Radios, të cilët përfshinin këngëtarë me zërin e tyre natyral (apo dhe këngëtarë me zë të impostuar ose gjysmë të impostuar, por jo këngëtarë lirikë të mirëfilltë operistikë. Çdonjërit prej këngëtarëve lirikë të Operës, por edhe të tjerëve muzikantë, ky pranim i Gaqos për t’iu përqasur gjinisë së këngës së ‘lehtë’, që në fillim të karrierës së tij, iu duk si një ‘devijim’ nga linja e pastër e këndimit lirik operistik.

Ai krijoi portretin e një këngëtari serioz operistik pranë skenës së Teatrit të Operës e Baletit dhe krahas këtij profili ai u shfaq (në fakt i luteshin të shfaqej) pa hezitim në ekranet televizive sa herë që i kërkohej një gjë e tillë, si dhe regjistroi zërin e tij në studion e Radio Tiranës për transmetimet radiofonike. Këngë të tilla festivalesh si “Këputa një gjethe dafine” e “Rrjedh në këngë e ligjërime” i dhanë atij famën.

Gaqoja ishte i pari që filloi të regjistrojë muzikë operistike të huaj në një kohë kur në Shqipëri nuk praktikohej një gjë e tillë nga këngëtarët lirikë dhe as rekomandohej nga eprorët, pasi konsiderohej si një literaturë muzikore që mund të përmbante ‘influenca të huaja’, të dëmshme për ideologjinë e kohës.

Shumica e regjistrimeve të Gaqos, i përkasin vitit 1981, por edhe të tjera u bënë shkallë-shkallë deri më 1990. Për herë të fundit në skenë Gaqo Çako u ngjit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së sopranos së njohur Tefta Tashko Koço.

Në skenën ku gati gjysmë shekulli më parë kishte nisur karrierën (1961), ai këndoi një këngë tradicionale qytetare korçare “As aman moj lule” një duet me Teuta Koçon në këngën “As aman trëndafil çelës” dhe një tjetër duet, përsëri me Teutën, nga “Vejusha e gëzuar” e kompozitorit Franz Lehár.

Ndahet nga jeta ne moshen 83 vjecare ne 1 gusht 2018. Per meritat e tij artistike eshte nderuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.


________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013

Shkeputur nga libri i shkruar nga Eno Koco “Gaqo Çako, legjenda e gjallë e tenorit” dhe pershtatur per faqen ne Dhjetor 2015. Fotot, kontribut te administratoreve te faqes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here