Gjosho Vasia (1931-2013), artisti i kompletuar pa merita dhe çmime!

0
1256

Gjosho Vasia (28 tetor 1931 – 21 nëntor 2013)
Aktor, rregjisor, mjeshtër i interpretimit të skeceve humoristike, i parodisë, prezantues i pashoq, bejtexhi, udheheqes artistik e megjithekete i pavleresuar me ndonje cmim, me merita te mohuara!
Mbas 90-tes iu dha titulli “Mjeshter i madh” dhe “Mirenjohje e Qytetit te Shkodres”

“Hë mor, Gjosho Vasija jam, a po m’njeh ?”
E kush nuk e mban mend humoristin elegant shkodran, parodistin e kupletistin e mrekullueshëm me kitarrë, imituesin e jashtëzakonshëm të disa zërave brenda të njëjtit kuplet, Gjosho Vasinë?

Për shumë e shumë vite ai ishte ndër komikët më të preferuar në skenën e estradës e në ekranin e televizorit shqiptar, për ato aftësi originale që e bënin të pangjashëm me asnjë komik e humorist tjetër. I persekutuar që në vitet e para të rinisë së tij, Gjosho Vasia kishte atë eshkën përherë të ndezur në gjirin e tij, humorin e mprehtë e satirën e hollë që në çdo kohë mund të ndiznin zemrat e publikut

Gjosho Vasia lindi, në qytetin e Shkodres me 28 tetor 1931, në një familje me tradita të larta atdhetarie e qytetarie. Babai Jaku dhe nëna Angje, patën tre femijë, ndër to dy djem dhe një vajzë. Rruga Vasiej, ku lindi dhe u rrit artisti, kish marrë emrin e familjes së tij, shtëpia e së cilës ishte nder të parat të ndërtuara në rrugicën pranë katedrales së Shkodres. Krejt lagjja Serreq, pjesë e së cilës ishte dhe rruga Vasiej, ishte qëndra e familjeve qytetare, të cilat i përcollen vlera të papërsëritëshme kulturës shkodrane.

Pasi mbaroj mësimet fillore dhe të mesme në shkollën e jezuiteve në Shkoder, në shtator të vitit 1949, duke parë nevojat e kohës për mësues, punësohet si arsimtar në zonat e thella të Mirditës. Pas tre muajsh pune, ndër ditët që priste inspektorin nga seksioni i arsimit, me 23 nëntor 1949 e arrestojnë atë duke e dërguar në internim në kampin famëkeq të Tepelenës. Aty, Gjosho mundohej që me sharmin e humorin e tij të lindur, tu jepte ngjyra jetës së përditëshme të banorëve. Edhe pse në mes vuajtjesh dhe i rrethuar me tela me gjëmba, ai arriti të gjejë dhe “gjysmën tjetër” të tijën, dashurinë e vërtetë, shoqen e jetës Berinën.
Berina, një vajzë fisnike, vinte nga familja tiranase me tradita e Kaceleve. Gjosho Vasia, pas 5 vitesh burgim , lirohet nga internimi dhe kthehet në Shkoder. Fillon pa shpresë të kërkojë punë, pasi nga statusi i tij “i internuar” i mbylleshin të gjitha dyert. Për arsye që të mos “kujtoheshin” për internimin, ai detyrohet të deklarojë se kishte qënë ushtar dhe arrin të fillojë punë në Ndërmarjen e Pasurive të Shtetit si ndihmës bojaxhi, ku lyente me gelqere muret e rrugicave të Shkodres.

Gjatë kësaj kohe, Gjosho mëson autodikakt instrumentin e kitarrës dhe fillon të jetë pjesë e ndonjë evenimenti kulturor në qytet. Paraqitet për të parën herë në një skenë të improvizuar amatorësh në qëndër të qytetit, natyrisht i panjohur, me kupletin Plak me Marak të autorit të famshëm Pjeter Gjini. Të mahnitur nga zëri i tij, Gjoshon, fillojnë ta ftojnë në mbremjet e argëtimit që organizoheshin nga rinia në ndërmarrjet e ndryshme. Suksesi dhe fama e tij në qytet, u bë shkak që ai të humbasë punën si bojaxhi, pasi e njohën dhe e paditën si i internuar e si “element armik”.

Pas një periudhe të veshtirë, në vitin 1957, i propozojnë që të punojë në fermën Perlat Rexhepi në repartin e riparimit të arkave, por me kusht që të drejtojë dhe grupin amator të fermës.
Atë vit, Gjosho i përvishet punës me pasion për të krijuar dhe drejtuar grupin artistik të ndërmarrjes dhe paraqitet me sukses në festivalin e estradave, ku arrinë të fitojë cmimin e parë, të cilin e fiton edhe në vitin 1958-tën për të dytin vit radhazi.

Në vjeshtën e vitit 1958, artitsti i madh Gjosho Vasia, thirret ushtar dhe dërgohet në një repart pune në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Në repart, ai krijon një grup artistik duke aktivizuar dhe civile nga zonat për rreth e ndër to edhe këngëtaren e re Vace Zela. Në këtë periudhë, përvec se drejtues grupi, atij i duhet të shkruaj tekstet, të aktroje dhe të shoqërojë me kitarrë këngët e repertorit.

Foto galeri e artistit Gjosho Vasia
 
  
  
 
  
  
 
 
  
  
  
  

Pas viteve 1960, ai ishte shumë aktiv në skenë dhe arrin të bëhët një humorist i njohur dhe mjaft popullor. Bëhet mjeshtër i interpretimit të skeceve humoristike, i parodisë, prezantues i pashoq, por fillon të njihet dhe si bejtexhi duke i dhënë dasmave dhe festave familjare një kënaqësi të papërshkruar. Sic pohon ai vetë: ….vargun popullor shkodran (Bejten) pata fatin ta dëgjoj qysh fëmijë nga gaztori i madh Zef Hile Gega. Vargu tetërrokësh, AB- AB ose rrima, u përdor shumë në Shkoder prej Osos së Falltores, Hilës së Files, Kasem Xhurrit, Tuk Vasisë e mikut tim Pjeter Gjinit….

Njihen duelet në bejtë të Gjoshos me talente të tjerë të humorit si Pjeter Gjinin, Mergim Muhjen, Muharrem Nurjen, Gjok Vatën, Njazi Burginë, Mark Kaftallin e me kushrinjtë e tij Simon e Kolec Pepa.
Artisti i madh Gjosho Vasia që në vitin 1962, punësohet si punëtor, në Fabrikën e Cingareve të Shkodres, ku i kërkohet të krijojë grupin artistik, i cili u bë shumë i njohur për humorin dhe lojën e mrekullueshme të aktorve. Aktorët Gjosho Vasia, Muharrem Nurja dhe Gëzim Kruja, që ishin themeli i grupit, si dhe këngëtarët Fatmira Puka, Gjokë Vata, Tonin Tërshana, njiheshin në të gjithë republikën.

Në vitin 1967, Gjosho-ja krijon grupin shumë të njohur të Hidrocentralit të Vau Dejës me të cilin del në turne në të gjithë republiken grup me te cilin do te kete nje karriere prej 25 vitesh, jo vetem si aktor, parodist e kupletist, por edhe si shkrimtare, humorist me materialet e tij te shkurtera te zhanreve komike, kryesisht te parodive dhe te molologjeve. Bashkëpunon me aktorin brilant Zef Deda duke u bërë dyshja me simpatike e skenave të humorit shqiptar. Një vit më vonë, në 1968-tën, Gjosho dhe grupi i tij i hidrocentralit nderohet me Flamurin e Festivalit të Estradave të Ndërmarrjeve si dhe merr Medaljen e Artë në takimin e estradave profesioniste në Tiranë.

Gjatë kësaj kohe, Gjosho Vasia, arrin të shpalosë të gjithë talentin e tij të shumëanshëm. Ai ishte autor, rregjisor, poet, kompozitor, parodist, prezantues, imitues. Ai lot në kitarrë, por edhe imiton me goje vegla të ndryshme muzikore si dhe zëra përsonazhesh të ndryshëm. Në një aktivitet të dendur artistik, humoristi Gjosho Vasia dallohet për ironinë dhe realizimin me mjeshtri të figurave “problematike” për shoqërinë e kohës. Ai sjell në skenë, me një interpretim brilant, një galeri rolesh si :… të kopracit, dembelit, hajdutit, matrapazit, rrencakut, burokratit, mendjemadhit, punëtorit pararoje, fshatarit medioker…

Po ashtu është shumë aktiv së bashku me humoristin Zef Deda në TVSH, në programet e ndryshme, që nga ai i fëmijëve deri në formatet e mëdha të vitit të ri që organizonte radiotelevizioni.
Në vitet 1970 – 74, kur arti dhe kultura pat një “fllad” të lehtë modernizimi dhe demokratizimi, Gjoshon e pranojnë si aktor profesionist në Estradën e Shkodres. Kjo ëndërr nuk i zgjatë shumë, pasi fillon fushata e “ashpërsimit të luftës së klasave” me pleniumet e radhës. Ai e kupton që duhet të largohet nga ky institucion që ishte nën kontrollin e rreptë të Partisë dhe jep dorëheqjen.

Aktori Gjosho Vasia, me personalitetin e talentin e tij të pashoq, u ndi mirë gjatë interpretimeve në skenën profesioniste, por duhet përmendë që përjetoj edhe momente të vështira nën trusninë e disa “kolegëve me parti” të cilët e sulmonin për “hijet në biografi”. Pas statusit të “profesionistit” në teatër, ai fillon punën në Uzinën e Telave në Shkoder me statusin e përditshëm “të punëtorit”. Në të vertetë, në organike figuronte si punëtor, por krijoj dhe drejtoj grupin artistik nga ku sfidoj me profesionalizëm shumë artistë të mëdhej të skenës. Ai arrinë të zërë vendin e tij të respektuar në plejaden e humoristëve më të permendur shqiptar, si dhe të fitojë respektin dhe miqësine e tyre. Aktorët të cilët e njohën atë nga afër si P. Preka, S. Sallaku, Z. Deda, F. Hasa, A. Prodani….etj. janë shprehur me superlativa për Gjosho Vasinë njeri dhe aktor.

Ndërsa në lagjen e tij, Gjoshon e mbajnë mend për kanconetat italiane që këndonte sidomos kur mblidhte miqtë për të pjekur rakinë. Komshitë cuditeshin me aftesitë e Gjoshos për të bërë të gjitha zanatet. Në rindërtimin e shtëpisë së tij, falë një fiziku prej sportisti, ai bëri hamallin, muratorin, karpentierin, marangozin, bojaxhinë e mekanikun. Gjosho njihet edhe si kompozitor i disa këngëve të muzikës së lehtë e për fëmijë të cilat shpesh i këndonte në mes miqve e shokëve. Ai është autori i këngës se njohur “Unë dhe Kombinoshet”, të cilën pasi nuk ja pranuan në festivalin e fëmijëve në Shkoder, fitoj cmimin e parë në festivalin kombëtar të pionierve në Tiranë.

Por Gjosho ishte dhe sportist i mirë. Ai garoj disa herë në garat e atletikës ne disiplinen “kërcim së larti”, duke pasë rezultate të shkëlqyeshme e duke marrë vendet e para. Në kampionatin rinor kombëtar të atletikës në vitin 1949, shpallet i dyti në kërcim së larti si dhe në Spartakiaden e parë Kombëtare të vitit 1959 në Tiranë, ai shpallet kampion i kërcimit së larti. Falë këmbënguljes së B. Dizdarit e F. Bilalit, ai ishte aktiv edhe me ekipin e Vllaznisë, ku stervitej tre herë në javë në stadium dhe njihej si kampion lokal i kërcimit së larti.

Në vitin 1990, kur filluan levizjet për demokraci, Gjosho Vasia u gjend në disa rrethana jo fort te rehatshme. I kercenuar ai vendosë gjënë më sublime, të arratiset prej atdheut. Pasi shet cdo gjë që i perkiste trashëgimisë 300 vjecare të familjes Vasia, blen dy bileta avioni dhe fluturon për në Kanada. Por atje nuk ndjehet mirë dhe vendosë të jetojë në qytetin e Triestes aty ku jetoj prej mese 20 vjetesh ne azil politik deri sa nderron jete me 21 nëntor 2013.

Në nëntor të 2008-ës, Gjosho Vasia u vlerësua nga këshilli bashkiak në Shkoder me titullin MIRENJOHJA E QYTETIT dhe me 16.3.2010 u vlerësua nga Presidenti Republikës Bamir Topi me urdhërin MJESHTER I MADH me një motivacionin që është rezultantja e jetës së tij:
…Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti ti rezistojë me fisnikëri përndjekjes së eger të diktatures komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve në të gjithë vendin. …

Gjosho Vasia mbahet mend per dhuntite e tij vokale, ndjeshmerine muzikore, ne karrieren e tij 40 vjecare shquhej si nje aktor fin, elegant, me nje humor te holle pa ekzagjerime dhe vulgarizime, perkundrazi perplot shpoti, ironi e hare te brendeshme.
* * *
U publikua me pare qe ne nentor 2013, dhe u rishikua ne vitet vijues!
____________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: “Shqiptarja.com / P. Logoreci dhe informacion i mbledhur nga portale te ndryshme shqiptare on line.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here