(Yje të futbollit shqiptar) | I madhi Qemal Vogli (1929-2004) !

0
1180

Jeta e sjell ndonjëherë që të vish i varfër në këtë botë, të kesh një talent të jashtëzakonshëm, në bazë të tij të bëhesh dikushi i famshëm, të duash të shijosh jetën në maksimum, të mos i a arrish kësaj e të ikësh thuaj se i varfër nga kjo jetë! Në jetë të njihesh duke patur si mbiemër fatin e parathënë të jesh i vogël por, në sajë të pasionit për një kohë të shkurtër, do të jesh më i madhi dhe pikërisht prej madhështisë së kësaj kohe të pakët, kalon tërë pjesën e mbetur të jetës duke jetuar në ferr. Për ty tregohen bëma dhe shndërrohesh në legjendë, të tërë e dinë emrin tënd dhe historinë tënde por pak të njohin. Ti je aty mes tyre por, fizikisht je i panjohur e shpesh të përbuzin, të shajnë, të sillen keq sepse…dinë vetëm që je dikush që ka bërë burg politik, pra, nuk e kanë idenë se me kë flasin, kë shtyjnë tej.

Ne jemi ata fëmijët e të ulur nëpër shkallë tek hyrja e pallatit.Janë pushimet e verës dhe jemi ujë në djersë nga loja e futbollit. Pallati zjen nga të bërtiturat tona fëminore. Është ai momenti kur çdo kush nxitohet të thotë historinë e tij mahnitëse. Çdo histori, nuk mund të jetë tjetër përveç një legjende që, e trashëguar gojë më gojë, vjen nga një e kaluar e madhe futbolli, deri në fundin e viteve 70të.
– Refik Resmja ka qenë golshënuesi më i mirë! Madje nga do që të gjuante topi shkonte në rrjetë! – bërtiti Fatosi në një përpjekje që zëri i tij të dëgjohej nga të tërë.
Po mor po – e ndërpreu Jari, më i madhi nga ne – Loro Boriçi gjuante aq fort sa që, një herë, i çau barkun portierit e pastaj edhe rrjetën!
Gimi i cili pati lexuar shumë para kohe tërë librat e kësaj dynjaje, krejt i qetë, pa përpjekur ti imponohej askujt tha edhe ai atë historinë e tij – Qemal Voglit nuk i bënte dot gol askush. Ato që thoni ju, mbase ndodhnin me nuk e di me kë portier por jo me Qemal Voglin. Ishte aq i shkathët sa që, ulej sipër tranversës dhe kur sulmuesi gjuante ishte aq i shkathët sa zbriste nga aty dhe priste topin! Ndaj i thoshin “Macja e Zezë”!
Unë nuk kisha as çfarë të thoja dhe as çfarë të shtoja. E kisha dëgjuar shpesh emrin e Qemal Voglit por që nga ai moment, mu mbush mendja top që një ditë do të bëhesha portier dhe do të isha po aq i madh sa edhe legjenda Qemal Vogli.
Që nga e nesërmja, nuk qëllova më kurrë me gurë mace të zeza!

Në fakt, për Qemal Voglin nuk është përdorur shumë epiteti “Macja e Zezë”. U përdor më shumë për Sulë (Sulejman) Maliqatit pas epokës së Qemal Voglit. Në tërë botën, portierët aso kohe përdornin uniformë të zezë për të dalluar nga lojtarë në fushë. E njëjta gjë edhe në Shqipëri. Në se një portier fillonte e dallohej për akrobacitë e tij, atëherë publiku menjëherë i vinte epitetin e famshëm. Qemal Vogli u ngrit lart aq shpejt si emër dhe nga ana teknike, përdorte krahët në një mënyrë të tillë sa që, ishte krejt normale që për bashkëlojtarët e tij të ishte “Shqiponja e Zezë”.
Epoka e Qemal Voglit, koha gjatë së cilës ai luajti me Dinamon dhe Kombëtaren ishte jo e gjatë. Nga 1950 deri më 1956, vetëm gjashtë vite. Rastësia ose në se preferoni, i madhi Alush Merhori, vendosin Qemal Voglin në portën e Besës së Kavajës në moshën 15 vjeçare. Është një ndeshje e vitit 1944 dhe Besa luan me një ekip miks nga Tirana. Është një ndeshje miqësore, lufta, nuk ka mbaruar akoma dhe Shqipërisë mund ti vrasësh çdo gjë por jo pasionin për futbollin! Pa luajtur as edhe një herë në portë, Qemali zë vend midis shtyllash dhe…kështu nis rruga e tij drejt lavdisë. Pas një viti përballet me Vllazninë me emra të mëdhenj të futbollit shqiptar si Loro Boriçi apo Pal Mirashi dhe 0-0!

Është vetëm 16 vjeç, ka vetëm një vit eksperiencë dhe luan me nivelin dhe eksperiencën e një portieri të konfirmuar! Pas tre vitesh me Besën, shpërngulet në Durrës familjarisht dhe bëhet pjesë e ekipit vendas. Në tre vite në formacionin kreu ndeshje të shkëlqyera dhe më 1947, pas vetëm dy vitesh në Durrës, thërritet në ekipin Kombëtar. Nuk ka mbushur akoma fiks 18 vjeç! Pikërisht në radhët e Teutës atëherë Ylli i Kuq i Durrësit, në një ndeshje kundër një formacioni ushtarak të misionit anglez në Shqipëri, gjatë fitores së Durrsakëve 4-0 pret penalltinë e tij të parë. Ishte e thënë që ta priste në një ndeshje miqësore, ashtu siç edhe filloi karrierën dhe, ndaj një anglezi! Tashmë është një emër i madh i aktualitetit futbollistik Shqiptar! Është mosha për të kryer shërbimin ushtarak dhe më 1950, këtë e shfryrëzon Dinamo e sapokrijuar. Historia e Dinamos së madhe, nis me Qemal Voglin në portë! Tashmë është edhe portieri i Kombëtares, më saktë, lojtari i padiskutueshëm i Kombëtares dhe Dinamos.

Është më i miri dhe brenda pak kohësh, do të shndërrohet në portierin më të madh të historisë së futbollit tonë. Bashkë Partizanine formuar vetëm para tre viteve, Dinamo do ti japë tonin një kampionati i cili është një çështje për vetëm dy ekipe por këto dy ekipe, janë në të vërtetë dy kombëtare të njëjta për nga cilësia. Të sfidoje Partizanin e Loro Boriçit, Refik Resmes dhe Sulejman Maliqatit impononte të kishe jo vetëm ekip tepër të fortë por edhe të ishe një portier i shkëlqyer.

Është një nga duelet historikë Dinamo – Partizani në “Qemal Stafa” të mbushur më shumë se plot me spektatorë. Refik Resmja me një pasë në të djathtë të sulmit të Partizanit diku 20m larg zonës Dinamovite. Sapo zotëron topin, bën atë që di të bëjë më mirë, lëshon një predhë tokazi në drejtim të portës.Qemal Vogli hidhet në cep të shtyllës në krahun e tij të majtë. Duket që dora e tij pothuaj se prek shtyllën por topi gjendet në rrjetë pa u kuptuar se si. Stadiumi me një sekondë vonesë shpërthen “Goool! Arbitri drejton dorën nga qendra.

Ndonëse Qemal Vogli dhe të tjerë lojtarë të revoltuar të Dinamos ankohen, është 1-0 për Partizanin dhe me këtë rezultat mbaron ndeshja. E vërteta ishte se Vogli nuk ankohej kot! Rrjeta që lidhej me shtyllën e tij të majtë ishte e palidhur mirë dhe e hapur aq sa të kalonte një top futbolli nëpër të dhe pikërisht për këtë ankohej…
Mëngjes. Ora diku 07.30 dhe në derë dëgjohet një trokitje e lehtë. Refik Resmja ngrihet nga tavolina ku po hante mëngjesin dhe hap derën. Në prag të saj, më një top në dorë…Qemal Vogli.
– Do vish me mua në stadium. Gjuaj 100 herë nga të duash ti dhe po shënove një gol, burrërisht do pranoj që goli ishte i rregullt! Në se nuk më bon gol, do pranosh ti që nuk ishte gol!
Refiku buzëqesh!
– Je i marrë! – i drejtohet – eja të hash mëngjes.
– Jo faleminderit por, ngrihu tani dhe eja me mua në stadium – këmbëngul Qemali. Midis të qeshurave Refiku përpiqet përsëri ti ndërrojë mendje por ishte e kotë. Në rregull, nuk po ta prish, shkojmë – pranon ai.
Pas shumë gjuajtjesh, Refiku detyrohet të ndalojë. Është ujë në djersë, nuk ka arritur të mposhtë Voglin – Në rregull, Qemal, kishe të drejtë, nuk ishte gol! – detyrohet të pranojë!

Ndërkohë, Qemal Vogli vendos edhe një rekord që nuk do të thyhet ndonjë herë në të ardhmen. Pëson vetëm pesë gola gjatë një kampionati! Gjithashtu, një rekord tjetër i asaj kohe ishte 840 minuta pa pësuar gol ose dy muaj, prej 21 janarit deri më 23 mars më 1952.

Është e njëjta kohë kur Kombëtarja ndonëse për pak ndeshje, vetëm 11 do të përfitojë nga shërbimet e portierit të saj më të mirë të të tëra kohërave.
Duke filluar prej vitit 1949 Kombëtarja, zhvillon disa ndeshje nëpër Europë. Është një lloj turneu eksperimental i cili do ti paraprinte Kampionatit Europian të Futbollit. Takimi i parë, në Bukuresht me përfaqësuesen Rumune. Barazim, 1-1. Shtypi rumun nuk mund të mos e përmendë “Portieri Vogli, më i shkëlqyeri nga të 22 lojtarët që ishin në fushë, me pritjet e tija të mrekullueshme tërhoqi vëmendjen e publikut”. Më pas në Poloni, në Lodz dhe Shqipëria mund Poloninë 0-1 me gol të Qamil Telitit. Shtypi polak gjithashtu shkruan me elozhe për Qemal Voglin “Porta shqiptare ishte një barrikadë e pakalueshme e cila mbrohej nga një zezak (për arsye të uniformës) që me pritjet e tija u bë i pakalueshëm”.

Turneu mbyllet në Bullgari ku ndaj përfaqësueses vendase Shqipëria barazon 0-0! Tani, a mund ti llogjikojmë sot tre ndeshje të tilla jashtë fushe me këto tri skuadra?!
Ndeshjet ndërkombëtare vazhduan me ardhjen e përfaqësueses së Moskës në “Qemal Stafa” më 1951, 0-0. Në të njëjtin vit, arrin edhe Vashash e Budapestit. Në të bëjnë pjesë disa lojtarë të Hungarisë së madhe së viteve 50të, teorikisht, ekipi më i madh i të tëra kohërave në historinë e futbollit. Fitojmë 3-1 dhe është dita të cilën Qemal Vogli pa Anton Mazrekun duke lëshuar lotë gëzimi! Më 1952, në Tiranë zhvillohet ndeshja e kthimit ndaj Polonisë. Shqipëria fiton 2-0! Kësaj radhe komplimentat për Qemalin vijnë nga traineri i Polonisë “Porta e Qemal Voglit është kala e pakalueshme”!

Gjatë vitit 1955, gjatë një tjetër turneu miqësor, ishte koha kur kishim të bëjmë me një lloj Europe Lindore të bashkuar ose, atë pjesë të Europës që aderonte në Traktatin e Varshavës, Kombëtarja, në Poloni do mundë përfaqësuesen Çeke në Poznan 2-0 dhe në Lodz Poloninë 3-0. Më pas në Pragë mund përsëri përfaqësuesen Çeke 3-2. ndeshja e fundit është një miqësore nderi e rezervuar në Moravo-Stravo. Në atë qytet, asnjë ekip i huaj nuk pati arritur të marrë qoftë edhe një barazim. Kombëtarja përfundon ndeshjen në barazim 2-2 dhe i ekzaltuar shtypi çek do të komentojë ” Nuk mundëm dot të fitonim sepse nuk mundëm të mposhtnim gjigandin e portës Shqiptare Qemal Vogli”!

Natyrisht, mund të përmendej edhe humbja më e madhe e kombëtares me Hungarinë e madhe, 0-12 por, përveç nivelit të padiskutueshëm të ekipit Hungrarez, është një Kombëtare e rënuar psikologjikisht nga arratisja e dy anëtarëve të saj dhe e cfilitur fizikisht nga udhëtimi i gjatë me vapor. Nga ana tjetër, e kundërta e bukur e kësaj është turneu miqësor që Dinamo e Tiranës zhvillon në Bashkimin Sovjetik, në Moskë.

I mahnitur nga paraqitja e Qemalit, i madhi Lev Jashin, e fton të kryejnë një seancë stërvitore së bashku. I impresionuar nga niveli i Qemalit, ai e “pagëzon” miqësisht si “Tirgri i Zi” Shqiptar! Në se portieri më i madh i botës i të tëra kohërave të vendos preonalisht një epitet të tillë, atëherë, ky është vlerësimi më i madh në karrierë dhe në trurin e Qemalit, me të drejtë fillon e përpunohet ideja se Shqipëria është e vogël për karrierën e tij…

Aty, pranë Laçit, ndanë rrugës nacionale që të shpie në Shkodër, punohet me ritëm të lartë për tharjen e kënetës. Është një nga veprat e madhe të socializmit shqiptar. Tharja e kënetës së madhe, tharja e së cilës do krijojë një hapësirë të madhe për ndërtimin e radhës. Punojnë shumë të burgosur politikë në punë të detyruar. Midis tyre edhe Qemal Vogli. Ai e di shumë mirë se pas pak do të kalojë autobuzi i Partizanit për të zhvilluar në Shkodër ndaj Vllaznisë ndeshjen e kampionatit. Për këtë kujdeset të gjendet pranë rrugës. Kur autobuzi kalon aty pranë, lojtarët e Partizanit me kapitenin Lin Shllaku, janë kujdesur që më parë të vendosen pranë dritareve. Ata përshëndesin Qemalin me duar nga dritaret. Qemali, poshtë rrugës lë kazmën apo lopatën dhe i përshëndet edhe ai.

Është thjesht një fragment nga dritarja, ashtu siç kalon një pemë, një tabelë apo një urë. Më pas lojtarët akomodohen në sediljet e tyre dhe për disa minuta nuk flet askush. Kjo është e ndaluar por ata, duan të përshëndeten me Qemal Voglin. Ndanë rrugës, Qemal Vogli, ul kokën dhe rifillon punën. Është një moment që zgjat sa një jetë. Është një moment që e rikthen në jetë. Kjo është e ndaluar për një të burgosur por ai dëshiron të përshëndesë lojtarët e Partizanit, ish kolegët e tij të Kombëtares.

3 shtator i vitit 1956. Berlin, pjesa lindore e qytetit. Në një qendër sportive pranë një parku, është akomoduar Dinamo e Tiranës që ndodhet në Gjermaninë Lindore për një turne miqësor. Pasdite. Qemal Vogli bashkë me Skënder Bagejan kalojnë pasditen në park pranë një liqeni. Aty ndodhen dy vajza nga të cilat, njëra është duke u larë tjetra e ulur në bar. Qemali zë muhabet me të por papritmas, shfaqet kolonel gani Kodra, shoqëruesi special i partisë pranë ekipit të Dinamos. I zemëruar, Qemali largohet. Pak më vonë, merr rrugën drejt pjesës tjetër të Berlinit, i vetëm, ndonëse për herë të fundit ishte parë i shoqëruar nga një femër…

Gjërat nuk shkojnë ashtu si ai pati përfytyruar. Fillimisht arrin të futet në ekipin Mynhen 1860 por më pas, fillon kalvari i hetimeve. Merret në pyetje nga organet e Republikës Federative Gjermane. Ata, më vonë ua dorëzojnë padronëve të tyre francezë (sipas konventës së pas luftës, francezët kishin kontrollin e tyre mbi Gjermaninë Perëndimore). Këta, e dorëzojnë te spiunazhi amerikan. Amerikanëve u interesonte vetëm pjesa që kishte të bënte me marrjen informacionesh si nga tërë të arratisurit e tjerë të bllokut komunist dhe lufta e pafund e propagandës ndaj Shqipërisë komuniste.

Kështu, nga Berlini ai gjendet në Frankfurt e pas disa ditësh, në Nyremberg dhe në në kampin e Oleruten ku përsëri fillon nga e para duke i u përgjigjur shumë pyetjeve për regjimin komunist deri në imtesi. I ngopur me këto dhe krejt i zhgënjyer por më së shumti me ëdnrrën për tu aktiviziar në kampionatin italia, tenton të kalojë fshehurazi nga Austria në Itali por nuk ja arrin dot. Në Austri, gjen Kombëtaren e madhe të Hungarisë e cila ndodhej për të zhvilluar një ndeshje. u kërkon atyre që ta marrin me vete në Hungari dhe Hungarezët të cilët e njihnin mirë se cili ishte e trajtojnë me dashuri vëllazërore. Gjendet me ta në banket, e prezantojnë tek bashkëshortet e tyre si portieri i Shqipërisë dhe madje, ndan dhomën e të madhin Sandor Kocish dhe Zoltan Cibor.

Ideja e karrierës jashtë shtetit përfundoi në një zhgënjim të madh. Frika për njerëzit e tij në Shqipëri, së bashku me zhgënjimin e bindën që të paraqitej tek ambasada Shqiptare në Budapest e të kërkojë të kthehet në Shqipëri. Vetë Marton Bukovi, traineri i famshëm i Hungarisë së madhe, e shoqëron deri në ambasadë. Nëpërmjet ambasadës, i premtohet se, me kthimin në Shqipëri, nuk do të ketë pasoja për të. I paguajnë qëndrimin dhe ushqimin për disa ditë në hotelin luksoz Margit Siget madje, i vënë në dispozicion që ta shoqërojë, të paharrueshmin Sabri Peqini duke përfshirë çdo gjë, ushqim apo kinema e teatër të paguar për dy veta nga ambasada Shqiptare… Vazhdimi është i njohur! Qemal Vogli zbriti nga avioni me një thes mbi kokë dhe i lidhur me pranga!

Pak kohë më pas, për hir të së vërtetës historike, Pushkash, Kocsic, Hideguti, Boszik dhe Cibor kërkuan strehim politik në Spanjë. Hidegkuti dhe Boszik ashtu si Qemal Vogli u rikthye në Shqipëri edhe ata u rikthyen në Hungari. Pas kthimit, trajtimet e tyre nga shteti hungarez, ishin krejt të ndryshme nga trajtimi që pushteti në Shqipëri i bëri Qemalit.

Njerëzit sa vijnë e shtohen tek fusha e vjetër përpara ish stadiumit Dinamo, sot Selman Stërmasi. Për kampionatin e futbollit amator midis qendrave të punës së Tiranës, ekipi i Parkut të Autobuzëve përgatitet për të zhvilluar ndeshjen e radhës. Lajmi ka bërë xhiron nëpër tërë Tiranën. Me Parku e Autobuzëve do të luajë portier Qemal Vogli, tashmë 32 vjeç. Njerëzit shtohen aq shumë sa që në një moment, arrin policia dhe shpërndan turmën dhe ndeshja nuk do të zhvillohet për arsye sigurie. Shumë më parë, Partia është kujdesur ti bëjë të qartë Qemal Voglit se nuk i lejohet ushtrimi i sportit!

Përfundimisht, nga 15 vite burg që ishte pretenca, për shkak të sjelljes së tij të mirë, Qemal Vogli lirohet nga burgu para kohe duke kryer vetëm pesë vite. Është 32 vjeç, pesë vite pa futboll, i lodhur fizikisht, i torturuar psikologjikisht por, i gatshëm për të luajtur futboll. Futbolli për të ishte jeta. Nga Flamurtari ka arritur një kërkesë drejt Hysni Kapos si vlonjat që ishte që, Qemal Vogli të lejohej të riaktivizohej në futboll dhe ekipi i Flamurtarit ishte i gatshëm ta mirëpriste. Hysni Kapo në çështje delikate, ishte po aq inteligjent sa edhe Pons Pilati. Ja adreson çështjen Kadri Hazbiut. Ky i fundit, ishte tifozi nr një i Dinamos por edhe lab në origjinë e mbase nuk do tja prishte Flamurtarit e njëkohësisht do të mbante edhe përgjegjësinë para Partisë.

Por Kadri Hazbiu kishte frikën e Enver Hoxhës e të Partisë e në emër të tyre pati eliminuar dhe do eliminonte shumë ish shokë të luftës. Nga ana tjetër si ministër i brendshëm e si tifoz i thekur i Dinamos nuk do ti a falte kurrë arratisjen portierit të Dinamos dhe majorit të Ministrisë së Brendshme siç e kishte gradën Qemal Vogli! Madje berberit të tij (edhe ky tifoz sporti) i përgjigjet prerë “Jo! Ai nuk i meriton duartrokitjet!” Pas njëzet viteve, Partia e Kadri Hazbiut, u kujdes që, fati i të birit të tij, Agron Hazbiu (Dauti) të ishte shumë herë më i keq se i Qemal Voglit…

Tiranë, Shkolla e Bashkuar, verë e vitit 1986. Dyqani ushqimor, radhë e gjatë, tek bulmetorja radha ishte akoma më e gjatë, dyqani i mishit, dyqani ku shitet vajguri gjithashtu. Bëhem gati të hyj në dyqanin ushqimor, numëroj nga krahu i meshkujve dhe i fundit është i 55ti! Ndërkohë, mendjen e kam tek fusha, tek futbolli.

Është koha e Kampionatit Botëror të Meksikës, Maradona, Platini, Kareka, Rrumenige etj. Jam as fëmijë, as i rritur diku tek të 16at. Dita ime është futboll, jam portieri i lagjes. Një herë në ditë bëj pazarin gjë në nuk më pëlqen fare dhe pjesa tjetër e ditës është top, ose më mirë në portë. Madje edhe aty në radhë për atë e vras mendjen. Futem brenda dyqanit, rrëmujë. Një burrë i shëndoshë, i bërtet një burri tjetër më të dobët.

Të dy hahen për radhën. Në fakt, jam i ri në këtë lagje por, atë të dobëtin e njoh si fytyrë. Gjendet gjithnjë në dyqan. gjithnjë duke u grindur për radhën me të tjerët. Në përgjithësi është tek 3 a 4 të parët në cdo dyqan e me një llogaritje të thjeshtë i bie të mos flejë gjumë fare sepse duhet të gjendesh natën nga ora 01.00 aty para dyqaneve për të zënë radhën. Është gjithnjë e njëjta fytyrë, elegant, pothuaj tek të 60at, i veshur gjithnjë me një kostum të thjeshtë ngjyrë gri dimrit e këmishë të bardhë ose gri verës.

Shumë aktiv, me shumë timbër, tamam njeriu që nuk rri dot i qetë dhe nuk e di pse por, të tëra këto një krijonin një antipati për të. Burri i shëndoshë është skuqur nga zemërimi dhe e shtyn tjetrin. Pas arrijnë fjalët “mos me thënë që duhej të ishe në burg…”. Pranë meje një grua shprehet e indinjuar ” pse more? Fëmijë nuk ka edhe ai?!” Një djalë i vogël i cili sikur mbiu nga asgjëkundi më flet në emër. Është krejt afër shitësit, i dyti në radhë. E shoh. Nuk e njoh. Megjithatë, djali ofrohet tja jap atij listën time të ushqimeve domethënë, ofrohet të më shpëtojë nga radha e gjatë. Ja jap pa hezitim dhe pas pesë minutash, i gëzohem faktit që jam bërë i njohur tek kalamajtë e bllokut tim si portieri i lagjes. Në fakt, ajo kohë nuk ofrohej për autografe por, në një farë mënyre isha dikushi e kjo po i jepte frytet e veta! Mbi të gjitha, jam i ri këtu dhe nuk njoh shumë njerëz.

Pasdite, në fushë. Jemi gjatë një ndeshjeje e cila është shndërruar shumë më e ekuilibruar se sa e prisnim. Nuk jam i qetë dhe shpesh kam edhe frikë. Pas portës si gjithnjë ka shumë njerëz. Korne për kundërshtarin. Ndjej frikë brenda meje dhe më shumë shpresoj ta largojnë topin mbrojtësit se sa të dal e ta grushtoj. Për fat të mirë Tan Baholli gjendet në vendin e duhur dhe e largon me kokë. Pa marrë frymë akoma pas portës dëgjoj një zë që më drejtohet mua “Përse nuk i flet mbrojtjes që të merreni vesh. Foli mbrojtjes, mos ki frikë”! Kthej kokën i nervozuar. Në fakt është hera e parë që dëgjoj kritikë, gjithnjë më thonë bravo e më duartrokasin. Është ai, “grindaveci” i radhëve në dyqane. “Ej na lër rehat, pas porte beheni profesorë të gjithë!” – ju përgjigja unë me inat.

Tjetër pasdite, përsëri tek fusha. E ku tjetër, aty janë të tërë, kur ka por edhe kur nuk ka ndeshje. Kryej një vrap të lehtë dhe në një cep me bar të fushës, shoh përsëri atë njeri grindavec për mendimin tim, i cili, çuditërisht, po stërvit dy moshatatrë të mi, portierë! Kjo po që ishte krejt e pabesueshme! Të parin nga çunat e pallatit që kam më afër, e ndaloj dhe e pyes, “Trainer futbolli është ai që po stërvit ata çunat?” Tjetri më shikon i habitur. “More?! Nuk e njeh Qemal Voglin ti?!”

Lashë çdo gjë dhe ika në shtëpi. Nuk mund të bëja asgjë. Ndihesh keq në vetvete. I madhi Qemal Vogli! Legjenda e fëmijërisë ishte aty, aq pranë dhe unë nuk e kisha idenë se cili ishte përkundrazi, i u përgjigja krejt pa respekt për moshën!”

Qemal Vogli, arriti të paktën të jetojë dy ditë të bardha në demokraci. Mori dëmshpërblimet monetare të burgut dhe kurrë nuk e mbajti mend njeri të grindej nëpër korridore ministrish apo Shoqatash. I u dhanë tërë titujt sportivë që meritonte. Në fakt, titullin më të madh, e pati marrë nga Lev Jashin atë pasdite vere në Moskë. E kalonte ditën e tij, kryesisht tek klubi “Loro Boriçi” që gjendej pranë stadiumit “Qemal Stafa”. I respektuar nga të tërë. Përmendte shpesh Perlat Mustën dhe Jani Kaçin por të tërë janë të një mendjeje në diçka, që kishte shumë dobësi për Foti Strakoshën.
Qemali, fitoi me Dinamon pesë kampionate dhe pesë kupa. Momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, i jetoi kryesisht nëpër ndeshje miqësore si, ndeshja kur luajti për herë të parë, penalltia e parë që priti, ndeshjet e mëdha nëpër turne miqësorë me Kombëtaren dhe me Dinamon. Gjatë një turneu të tillë me Dinamon, jeta e solli të pagëzohet si “Tigri i Zi Shqiptar” nga i madhi Lev Jashin dhe gjithashtu gjatë një turneu me Dinamon, braktisi gjithçka dhe u nis drejt shkatërrimit të vet duke kaluar nga Berlini Lindor në atë Perëndimor…

Me kombëtaren luajti në total vetëm 11 ndeshje. Iku nga kjo botë jo i pasur dhe në momentin që dha shpirt, mbante veshur fanellën e portierit të Kombëtares së Shqipërisë! Dhuratë nga federata Shqiptare e Futbollit, me numrin 75 të stampuar nga pas, aq sa vitet e jetës së tij dhe me emrin Strakosha.

nga Arian Muraj

Follow us: 

Facebook : https://www.facebook.com/VizionSportiv

Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti 

Blog:  https://pierosportvision.blogspot.com/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here