Ida Kraja (1926 – ) | Aktoret e para të teatrit shkodran!

0
307

Ida Kraja (1926 – )
Njera nga aktoret e para te teatrit shkodran e ardhur nga levizja amatore me profesion mesuese

Lindi ne Shkoder me 13 prill 1926
Shkodra , kryeqendra e kulturës shqiptare ka nxjerrë ndër vite talente ne çdo fushe të artit .Disa shume të njohur e disa më pak, ato kane lëne ndër vite gjurmë të pashlyera tek artdashësit e shumtë shkodrane e jo vetëm. Një prej tyre ishte dhe Ida Kraja ,një aktore veterane e Teatrit te Estrades e profilit komik që ndonese nuk kishte kryer shkolle të lartë artistike, la gjurmë në artin shkodran.

Ne klasën e parë kishte mësuese murgeshat Emilia e Stenla Koladën. Më pas kalon në Shkollën Shtetërore. Ne klasen e 5-te mësueset e Ides ishin emra te degjuar ne Shkoder: Liza Ashiku e Luçije Serreqi (poete për fëmijë). Me pas ajo përsëri kthehet në Shkollën Stigmatine, ku kryen kursin e ultë të parë e të dytë. Në fund mbaron Institutin femëror “Donika Kastrioti”, ku diplomohet mësuese.

Outobiografi:
”Ishte festa e Kshndellave. Pa i marrë leje askujt, hipa në podiumin e Betlemit dhe nisa të recitoj vjershën “O Krisht i vogël, o Krisht i lumë…” Papritmas më kapi për dore padër Anton Kiri e më tha: “Je një vajzë shumë e zonja! Do të bëhesh një recituese e mirë!”

”Babanë tim, Tishin, e kam pasur komik. Nxirrte bejte “qit e prit”. Unë nuk i largohesha prehërit të tij, kështu që shpesh nxirrja edhe unë ndonjë bejte të vogël. Pastaj edhe vëllezërit e motrat e mia nuk më linin rehat. Duke parë aftësitë e mia për recitim; shfletonin libra, gjenin vjersha dhe më “detyronin” t’i recitoja…”

”Me maturanët e Pedagogjikes po bëja një orë letrare. Tregimin e kisha inskenuar. Bile kisha kontroll edhe nga Ministria e Arsimit. Kur mbarova orën e mësimit, njëri nga anëtarët e ekipit m’u afrua dhe më pyeti: “Keni luajtur ndonjëherë në skenë?” Iu përgjigja: “Kur kam qenë e vogël kam luajtur në pjesët: “Shtatë xhuxhat dhe Borëbardha”, “Sherret e një vajze”, etj. Ai përsëri vazhdoi: “Ju keni prirje të bëheni aktore. Atje e keni vendin. Mos e harroni këtë porosi…”

M’u kujtua, përsëri, babai im, Tishi, kur e mbështetur në supin e tij nxirrja nga një bejte të vogël dhe… sigurisht m’u kujtua edhe padër Anton Kiri.

Në melodramën “Dasma shkodrane” që u dha më 15 shtator 1947, me autor dhe regjisor Artistin e Popullit Andrea Skanjeti, kisha një rol shumë të lezetshëm, atë të shkueses. Roli më shkoi mirë. Në momentin kur nënës së vajzës (të cilën e interpretoi Luçije Fani) do t’i jepja paratë, nga lart shkëputet një copëz dërrase dhe më bie në kokë. Ashtu mes dhimbjeve, unë vazhdoja të interpretoja fjalët e tekstit: Paska qenë sahati i hajrit! S’ka dhandërr ma të mirë se të kam ba! Paska kenë sahati i hajrit!” Kështu u mbyll roli im.

Në pjesën “Ishulli i paqes” të J. P. Petrov, që u shfaq në vitin 1949, paraqita tipin e një gruaje llafazane, por që kishte një burrë plak (interpretuar nga Artisti i Merituar Adem Kastrati). Si sot e mbaj mend… Ishte momenti kur do të interpretoja një monolog të gjatë, tepër të gjatë. Ademi si komik diç më foli. Unë qesha aq shumë sa s’mbaja dot të qeshurën. Vazhdoja të interpretoja. Por e qeshura vazhdonte… Spektatori nuk kuptoi gjë. T’ju them të drejtën, në ato çaste, pse t’ju gënjej, e ndjeva veten aktore të vërtetë…”

”Më pyetët për fëmijërinë, për rolet që kam interpretuar, por kam dëshirë, edhe pse në këtë moshë pleqnie, të kujtoj shoqet e mia të viteve të rinisë, që së bashku kapërcyem muret e fanatizmit, bashkë provuam emocionet e sukseset e roleve të njëra-tjetrës. Kujtoj dramën “Emira” të V. Prendushit. Regjisor ishte Ludovik Kiri. Atëhere ishim në Shkollën e Murgeshave Stigmatine. Data ishte 23.02.1935.

Kështu më vjen ndër mend Agetina Daija, edhe pse ishte një tip i mbyllur, rolet ashtu në heshtje i nxirrte mirë, Albina Dajçi e shkathët e me një intuitë fëminore të cilësuar, Mici Deda edhe kjo e shkathët, Marije Rranxi që luajti shumë role por më pas iu kushtua sportit, Marije Deda në rolin e harapeshës në dramën “Juvenilja”. Mbase mund të kem harruar edhe ndonjë shoqe… Por… ju e kuptoni që kanë kaluar shumë vite. Edhe një gjë dua të kujtoj. Është fjala për rolin tim të fundit. Dhe ishte ai i Madërgonës tek drama me të njëjtin titull të Andrea Skanjetit. Isha në rolin kryesor. E dashurova shumë! Por… fatkeqësisht nuk i dhashë aq shumë jetë në skenë, sepse pikërisht në ato ditë më vdiq nëna. Pikëllimi im qe shumë i madh, aq i madh sa “u përshëndeta” me skenën, për ta harruar përgjithnjë atë… Ishte e dhimbshme për mua! Por… kështu… qenka jeta…”

Ida vazhdoi jetën e mësuesisë. Po si mësuese, doli në pension.
Krahas profesionit te mesuesise duhet evidentuar vlerat që dha ajo në lëvizjen amatore teatrore, si dhe për të kujtuar se, Ida interpretoi edhe në dramën “Nën gështenjat e Pragës”. Për personazhin që aktroi, me vërtetësi e dallueshmëri paraqiti pasionet e flakta që kishte kjo grua për bashkëshortin e saj ushtarak (roli i interpretuar nga Gjovalin Çarkaxhia). Pas shfaqjes, regjisori Andrea Skanjeti e pergezoi ate duke i thene: “Mendoj që ti, Ida, rolin e ke zbërthyer drejtë”.

Ajo duke qenë kërkuese ndaj vetes, edhe në një rol episodik që kishte te drama “Portreti” i A. Afinogiekov, që u shfaq në nëntor të vitit 1945 në kinema “Rozafat”, i dha suksesin e duartrokitjet e spektatorit.

Në të gjitha pjesët që interpretoi, të cilat u vunë në skenë nga Andrea Skanjeti, regjisori në ditarin e tij për Ida Krajën do të shkruante: Është ndër aktoret e para të grupit amator teatror të Shtëpisë së Kulturës, qe ndër të paktat e profilit komik.

Ekskluziviteti ne kete faqe mban daten 20 shkurt 2022
_____________
Kinematografia Shqiptare nje faqe publike ne aktivitet qe ne vitin 2013. Referenca: Libri “Drita e Kujtimeve” nga Xhahid Bushati

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here