Ikona e aktrimit shqiptar Tinka Kurti | Profil!

0
966

Tinka Kurti
Aktore e shquar e Kinematografise dhe Teatrit
Artiste e Popullit / Mjeshter i Madh /
Qytetare Nderi e Shkodres

Lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj shpërngulet, kur ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaron arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 niset në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës.

Rastësisht – siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë- do të kalonte në Degën e Dramës në Liceun Artistik. Por studimet e saj do të ndërpriteshin brutalisht pasi përjashtohet nga shkolla për “ manifestim të shfaqjeve liberale”. Kthimi në Shkodër në vitin 1948 do ta gjejë si punonjëse në muzeun e rrethit të Shkodrës . Po në këtë vit ajo fillon aktivizimin si aktore amatore me Shtëpinë e Kulturës së qytetit ku edhe do të zgjidhet prej regjisorit Andrea Skanjeti për daljen e saj të parë në skenë, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçare, në melodramën “Dasëm Shkodrane” ku ajo interpreton një rol “të vogël”, atë të Nuses.

Me krijimin e Teatrit Profesionist “Migjeni” në vitin 1949, ajo do të aktivizohet në këtë Teatër si aktore gjysëm profesioniste duke qenë një ndër dhjetë aktorët themelues të këtij Teatri. Pjesa e saj e parë “serioze” do të jetë në dramën “Fejesa”e Çehovit. Kalimi i saj në aktore tërësisht profesioniste do të përkojë me ardhjen në këtë Teatër të autorit Kol Jakova i cili vuri për herë të parë në skenë në Shkodër dramën “Toka jonë” ku Tinka do të luajë rolin e Files. Me këtë rol ajo do të vlerësohet me Kupën e Festivalit si “Aktorja më e mirë e Republikës” në Festivalin e I-rë të Teatrit Shqiptar. Më tej do të vazhdonin rreth 260 role në teatër, role për të cilat do të vlerësohej me tre Kupa në festivalet e Teatrove.

Këtu mund të përmendim interpretimin e saj mjeshtëror në rolin e Plakës Nicë në dramën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Piro Manit (Artist i Popullit), në rolin e Nënëmadhes në dramën “Gjaku i Arbërit” të Fadil Krajës, në rolin e Lokes në dramën “Toka jonë” të Kol Jakovës, në rolin e Vales në dramën “Histori Irkutase”, në rolet e Ledi Makbethit apo Dezdemonës në kryeveprat botërore të Shekspirit e shumë të tjera. Roli i saj më i fundit do të jetë ai i Rozalia Solimenes në pjesën “Filumena Maturano” e Eduardo de Filipos e vënë në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar fundin e shkurtit të vitit 2009.

Të shumtë do të jenë edhe rolet që Tinka Kurti ka interpretuar edhe në kinematografi, plot 95. Filmi i saj i parë do të përkojë me filmin e parë tërësisht shqiptar “Tana” në vitin 1958 ku ajo do të interpretojë rolin e protagonistes së filmit, Tanës. Më tej do të vazhdonin një galeri e tërë rolesh si roli i Nënë Pashakos në filmin “Yjet e netëve të gjata”, rolin e Nënës së djalit në filmin “Çifti i lumtur” rol për të cilin ajo do të marrë edhe Medaljonin e Festivalit si “Aktorja më e mirë” në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur prej datës 5 deri më 11 prill të vitit 1976 të mbajtur në Tiranë, rolin e Sinjorina Mançinit tek filmi “Vajzat me kordele të kuqe” , rolin e Dilës në filmin “Besa e Kuqe”, rolin e Nënës së Merit në filmin “Vdekja e kalit”, rolin e Nënës në filmin “Zemra e Nënës”, rol për të cilin do të marrë Çmimin e I-rë në Festivalin Internacional të Filmit në Salerno (Itali). Interpreton me mjeshteri edhe ne dy Filma kosovar: “Kur të kthehet Remziu” – Nëna e Remziut dhe “Kur shpirti ndërron jetë”. Roli i saj më i fundit do të jetë në filmin “Bota” (2014).

Në vitin 1994 ajo hyn me të drejtë në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5.000 gratë më të shquara të botës. Po ky Institut në vitin 1996 e shpall “Gruan e Madhe të Vitit 1996”. Në 17 dhjetor 2007 ajo do të ftohet në Uashington (SH.B.A) për të vendosur një pllakë mermerin me emrin e saj në këtë Institut.

Në vitin 2001 do të shpallet “Qytetare Nderi” e qyetit të Shkodrës. Emrin e saj e mban sot Gjimnazi i Përgjithshëm në Lekbibaj,një Teatër shqiptaro-suedez në Malmoe (Suedi) dhe një Kinema në Durrës. Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin e XI-të të mbajtur prej 23 deri në 27 Prill te vitit 2000 në Tiranë do ti jepet Çmimi i Madh i Karrierës. Në vitin 2003 regjisori Esat Teliti realizon dokumentarin “Tinka” që do të shfaqet për nder të kësaj artiste të madhe në kinema ”Millenium”në Tiranë me rastin e 71 vjetorit të saj. E martuar me Palok Kurtin, drejtuesin e të parës bandë muzikore në Shkodër.

Përveç Çmimeve të përmendura ajo është edhe e aktorja më e re që në moshën
28 vjeçare i jepet titulli “Artiste e Merituar” në vitin 1961 . Më vonë për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti do të vlerësohet më titullin e lartë “Artiste e Popullit”.
Po kështu do të marrë medaljen e Urdhrit “ “Mjeshtër i Madh”” e akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Kinematografi
2014 – Bota
2009 — Gjallë/Alive –
2009 — Kronikë provinciale –
2009 — Ne dhe Lenini. – Kristina
2008 — Mira. – Teza Dija
2006 — Etjet e Kosovës. – Murgesha
1998 — Dasma e Sakos – Meja
1998 — Qëndresa (Film TV) –
1996 – Nata – Gjyshja
1993 — Zemra e Nënës. – .Gjyshja
1992 — Pas Fasadës. –
1992 — Vdekja e kalit – Nëna e Merit
1990 — Unë e dua Erën – Doktoresha Keti
1989 — Balada e Kurbinit. – .Nëna e Dartit
1989 — Edhe ashtu edhe kështu – .Regjisorja e shfaqjes, Tezja e Almës
1988 — Flutura në kabinën time – Marta
1988 — Misioni përtej detit – Nëna
1987 — Në emër të Lirisë. – .Nëna
1987 — Telefoni i një mëngjesi – Nëna
1985 — Hije që mbeten pas. – Nëna e Agronit
1982 — Besa e Kuqe – Dila
1982 — Rruga e Lirisë – .Nëna e Sanijes
1981 — Qortimet e vjeshtës – Nëna e Kujtimit
1981 — Si gjithë të tjerët – Drejtoresha
1980 — Mëngjese të reja -Shërbëtorja e Doktorit
1980 – Nusja – Dema
1979 — Emblema e dikurshme (Film TV) – Plaka
1979 — Ne vinim nga lufta – .Arshia
1978 — Vajzat me kordele të kuqe – Sinjorina Mançini
1976 — Gjeneral Gramafoni – Nëna e Halitit
1976 – Thirrja – Mrika
1975 — Çifti i lumtur – Nëna e djalit
1975 — Në fillim të verës. – .Nëna e Verës
1975 — Lumë drite – Halla
1973 — Operacioni Zjarri – Mrika
1972 — Yjet e netëve të gjata – Nënë Pashakoja
1970 – Guximtarët – Nëna e Ilirit
1958 – Tana – Tana

Teatër
“Baca i Gjetajve” e Fadil Krajës – Nusja e shtepise
“Çifti i lumtur” e Bik Pepës – Halla
“Çështja e Blertës” – Nëna e Blertës
“Ç’murosja” e Serafin Fankut (Artist i Popullit)
“Dasëm me flamur”
“Fisheku në pajë” e Fadil Krajës
“Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)
“Filumena Maturano” e Eduardo de Filipos – Rozalia Solimene
“Gjaku i Arbërit” e Fadil Krajës. – Nënëmadhja
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e Piro Manit (Artist i Popullit) – Plaka Nicë
“Histori Irkutase” – .Valja
“Ishulli i Shitenit” e Albri Brahushës
“Këshilli i ndrikullave” – Domenika, njera nga ndrikullat.
“Lëre derën hapur” e Stefan Çapalikut
“Makbeth” e Shekspirit – Ledi Makbeth
“Nora”
“Optimiste” – Komisarja
“Otello” e Shekspirit – Dezdemona
“Quo vadis”
“Pjata prej druri” e Morrison
“Pse” e Sterjo Spases
“Rozafa”
“Streha e të harruarve” e Ruzhdi Pulahës
“Toka jonë” e Kol Jakovës – Filja
“Toka jonë” e Kol Jakovës – Lokja

Çmime e Tituj
Artiste e Popullit
Urdhri “Mjeshtër i Madh”
i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike.

2001
Qytetare Nderi e qytetit të Shkodrës

27 Prill 2000
Çmimi i Madh i Karrierës
“për aktivitetin e saj artistik si në kinematografi ashtu edhe në teatër “ në Festivalin e XI-të të Filmit Shqiptar të mbajtur prej datës 23 deri më 27 prill të vitit 2000 të mbajtur në Tiranë.

11 Prill 1976
Medaljoni i Festivalit
për interpretimin e rolit të Nënës së djalit në filmin “Çifti i lumtur”
në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur prej datës 5 deri më 11 prill të vitit 1976 të mbajtur në Tiranë.

1954
Kupa e Festivalit
për interpretimin e rolit të Files në dramën “Toka jonë” të Kol Jakovës
në Festivalin e I-rë të Teatrit Shqiptar të mbajtur në Tiranë në vitin 1954.

1996
Çmimi “Grua e Madhe të Vitit 1996”
e akorduar nga Institutit Biografik Amerikan.

1992
Çmimin e I-rë si “Aktorja më e mirë”
për interpretimin e rolit të Nënës në filmin “Zemra e Nënës”
në Festivalin Internacional të Filmit në Salerno (Itali) të mbajtur në vitin 1992.

Publikuar per here te pare ne Facebook ne faqen me te njejten emer, qe ne ne dhjetor 2013 dhe rishikuar ne vitet vijues.
____________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: Seleksionim i informacionit te nxjerre nga portale dhe gazeta te ndryshme shqiptare online.

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here