Intervista! | Fadil Kraja: “Drama ime, në teatrin e Gjakovës”

0
257

Interviste me dramaturgun Fadil Kraja
(2005)
Vepra:

Krijimtaria e Krajës përfshin 5 vëllime me poezi, tri vëllime me tregime, dy romane, mbi 40 drama e komedi, një libër i shkruar në gjuhën italiane dhe një roman i shkruar prej tij po në italisht, që pritet të dalë së shpejti, librete operash dhe operetash, si dhe krijimtari për fëmijë.

Poezi dhe tregime:
“Kanga ime”
“Melodi malësore”
“Jehonë malesh”
“Hije të paska”
“Ndodhitë e Nereidës”
“Bjer topuz”.

Prozë:
“Kandidatja e fundit”
“Fajin e kishte”
“Besa”
“Heshtja që të ther shpirtin” “L’aquila ferita”
“La gravidanza ferita” “Britma e një gruaje (roman)”.

Drama e komedi:
“Fisheku në pajë”
“Shpartallimi”
“Baca i Gjetajve”
“Dashuria e trojeve tona” “Dy drama”
“Luani i shtëpisë”
“Nata e fundit”
“Jorgani”
“Gjaku i Arbrit”
“Sinjalet e natës”
“Çështja e Blertës”
“Djem të mbarë”
“Fundi i një komedie” “Flamur në dasmë”
“Kur flasin zemrat”.

Vlerësime dhe tituj:
Urdhri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës,
Titulli “Krenaria e qytetit”, si dhe dhjetëra tituj e çmime në konkurset letrare kombëtare.

Ndonëse mbi supe mban vite te tera, duket se koha nuk ia ka zbehur pasionin dhe dashurinë për letrat dramaturgut Fadil Kraja, por, përkundrazi e kanë bërë t’i dashurojë më shumë ato.

“Këto ditë, një dramë e re që kam shkruar do të vihet në skenë nga Teatri i Gjakovës. Kam vendosur të mos i ndahem dramaturgjisë”, thotë dramaturgu Kraja, në një intervistë për “Tirana Observer” (2005), duke shtuar se ai do të botojë shumë shpejt edhe një libër me poezi.

Si jeni lidhur me letrat dhe në ç’ mënyrë ju ka lindur pasioni për të shkruar?

Dashurinë dhe pasionin për botën e artit dhe të letrave i kam marrë nga familja. Kanë qenë prindërit dhe të afërmit që më kanë mësuar të shijoj shumë gjëra në art dhe në letërsi. Kam qenë pjesë e një familjeje që e deshën shumë artin. Të gjithë kishin krijuar një lidhje gati të pazgjidhshme me artin. Nga prindërit kam marrë dashurinë për letrat. Prej tyre kam mësuar sesi të shkruaj rreshtin e parë, si të lexoj vargun e parë të një poezie, librin e parë mbresëlënës.

Cili ka qenë krijimi juaj i parë dhe ç’ mund të na tregoni për fillimet tuaja?

E kam nisur jetën artistike si poet. Vetëm pas një farë pjekurie artistike i jam dedikuar dramaturgjisë. Isha 13 vjeç kur shkrova poezinë e parë që e botova, në gazetën “Letrari i ri” në vitin 1947. Pas kësaj, rruga ishte e hapur. Në vitin 1954, kur isha 23 vjeç, botova vëllimin e parë me poezi të titulluar “Kënga ime”. Me këtë vëllim mora edhe sadisfaksionin e parë në fushën e krijimit. U vlerësova me çmimin e parë në konkursin e 10-vjetorit të çlirimit të atdheut. Po në të njëjtin vit, në konkursin kombëtar letrar të të rinjve, poezia “Mësuesi i Malcisë” fitoi çmimin e parë.

Cili është kujtimi më i veçantë që ruani nga gjithë këto vite krijimtari?

Më kujtohet premiera e “Bacës të Gjetajve”. Jepej më 16 prill 1979 të nesërmen e tërmetit të madh. Salla e teatrit “Migjeni” ishte e tejmbushur. Në mes të shfaqjes ndodhi një lëkundje e vogël tërmeti. As njerëzit, as aktorët nuk u kujtuan për të. Përkundrazi, çdo gjë vazhdoi e qetë. E dhamë atë dramë në 27 qytete shqiptare dhe një vit më vonë në Gjakovë. Salla atje ushtonte nga thirrjet. Në Preshevë, një plak i ndezur nga batutat të interpretuara nga i madhi Ndrekë Luca doli në skenë dhe i vuri qeleshen e tij aktorit. Ndreka e mbajti atë qeleshe dhe atë ditë tha: “Dua të varrosem me këtë qeleshe”.

Po dramën e parë kur e keni shkruar?

“Fisheku në pajë”, është shkruar më 1967 dhe është vënë në skenë nga regjisori Serafin Fanku. Suksesi i kësaj drame bëri që Fadili të tërhiqet pas kësaj gjinie. Drama ka pasur mbi 500 shfaqje në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e diasporë dhe kudo pati sukses.

Në dramat tuaja vihet re edhe lidhja me historinë. Mund të na përmendni disa pjesë tuajat ku ngjarjet historike zënë një vend të dukshëm?

Kam shkëputur mjaft ngjarje nga historia, të cilat i kam vendosur në dramat e mia, si “Baca i Gjetajve”, “Shpartallimi” etj. Por përveç historisë, në dramat e mia jam përpjekur të fus brenda edhe poezinë. “Gjaku i Arbrit” për shembull, përveç ideve e thurjeve dramatike, ka brenda dhe poezinë. Madje, kjo dramë fillimisht është shkruar në vargje.

Ku dhe si e gjen frymëzimin për të shkruar Fadil Kraja?

Më pëlqen të shkruaj në verë. Madje, pjesët më të mira i kam shkruar në plazh. Me familjen shkonim vazhdimisht në plazhin e Shëngjinit dhe aty ndërsa të gjithë dilnin në det dhe në breg, unë në dhomë isha me personazhet e mi. Por edhe Shkodra për mua mbetet e pazëvendësueshme. Shkodra ringjallet nga hiri i vet, dhe do të ringjallet përsëri, sepse nga liqeni, nga tre lumenjtë, nga deti dhe alpet aq pranë, buron balsami që shëron çdo plagë.

Jeni 75 vjeç, megjithatë vazhdoni të punoni. Çfarë keni në dorë këto momente dhe me se do të shfaqeni në publik së afërmi?

Këto ditë, një dramë e re që kam shkruar do të vihet në skenë nga Teatri i Gjakovës. Kam vendosur të mos i ndahem dramaturgjisë, edhe pse herë pas herë i kthej sytë edhe te romani dhe te vargjet. Kështu, së shpejti do të dalë në qarkullim edhe një vëllim tjetër me poezi.

Serafin Fanko: Fadili është miku im më i mirë

Askush më mirë se miku dhe bashkëpunëtori i tij më i mirë, regjisori Serafin Fanko, nuk mund të thotë vlerësimet e veta për Fadil Krajën.

“Dy vite më parë, Fadili më dhuroi një nga veprat e tij. Në autograf thuhej: “Mikut dhe vëllait tim më të mirë Serafinit”. Dy vjet më vonë, unë kështu dua t’i drejtohem Fadil Krajës. Mikut dhe vëllait tim, Fadil Krajës. Të dyve na bashkoi puna, jeta, gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe sukseset e skenës. Më kujtohet se kur nisa studimet për regjisurë i dhashë premtimin Fadilit se drama e parë që do të vë në skenë do të jetë e tij. Më 1967 vumë në skenë “Fisheku në pajë”, që na garantoi një sukses të madh që të dyve”, është shprehur regjisori Fanko.

“Marre nga “Tirana Observer” – 2005

_____________
Kinematografia Shqiptare 2013-2021

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here