Intervistë me piktorin e popullit Agim Zajmi: “Teatri është shtëpia ime”!

0
473

Interviste e v. 2009 me artistin Agim Zajmi
“Teatri është shtëpia ime”

Ka një jetë që ka punuar si skenograf në skenat teatrore dhe vazhdon ende sot, ku projekti më i fundit i tij është skenografia e shfaqjes premierë “Pamje nga Ura”. Për të teatri është më shumë se vetë jeta. Ka bashkëpunuar me shumë regjisorë, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme si skenograf në skenat teatrore.
Ndonëse i vjen keq që vitet kanë ikur dhe mbase e kanë lodhur ca në profesionin e tij, përsëri ai shprehet se teatri është shtëpia e tij.

Agim Zajmi u lind në Tiranë më 28 nëntor të vitit 1963. Studimet larta për pikturë dhe skenografi i mbaroi në vitin 1961 në San Peterburg, Rusi.Prej vitit 1961 punon si skenograf në teatrin Operës dhe Baletit, punon gjithashtu edhe në Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe kohë pas kohe edhe në Teatrin e Shkupit dhe të Kosovës. Më 1978 emërohet profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka paraqitur pikturat e tij në shumë vende të botës si: Francë, Itali, Egjipt, Angli etj. Veprat e tij në pikturë janë në koleksionin e Galerisë së Arteve, por ato janë të shpërndara edhe në vende të ndryshme të botës. Si skenograf ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare teatrore. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Në vitin 1991 nderohet me titullin “Piktor i Popullit”.

Keni kohë që merreni me skenografi teatrore, në cilin vit daton fillimi i karrierës suaj si skenograf?

Karriera ime e ka fillimin e saj në vitin 1961 që ka qenë opera “Karmen” në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit sepse në fillim kam qenë dy vjet në opera pastaj më ka tërhequr Teatri Kombëtar sepse në atë kohë ishte më i zhvilluar. Më vjen mirë që kalova në teatër sepse ka pasur një nivel kulturor që i bën mirë çdo njeriu. Kur kalon në një nivel të tillë kulturor dhe letrarë shumë të pasur dhe shumë dashamirës me njëri – tjetrin ndjehesh mirë. Kjo gjë për fat të keq sot ka një farë ftohtësie, atmosfera ka qenë teatrale gjithmonë pa u ngatërruar në politikë për mua ka qenë gjithmonë teatri. Teatri edhe me gjëra të thjeshta bëhet i bukur kur e dashuron atë. Por për mua teatri duhet që vetë të gjallërohet dhe të bëjë aktivitet të gjallë artistik dhe njerëzit të vijnë sa më shumë në skenë, dikur publiku vinte nga tre apo katër herë për të parë shfaqje ndërsa sot vijnë më radhë. Këtu duhet që të kemi parasysh që Tirana në atë kohë kishte 200 mijë banorë ndërsa tani po vete 1 milion dhe është po kjo skenë po ky numër karrigesh. Pra, këtë të metë unë e gjej tek vetë teatri dhe tek askush tjetër. Po të dojë teatri zgjedh vepra të mira që ka interes publiku dhe jo të zgjedhë vepra që nuk kanë interes. Unë jam kundër zhargoni kundër teatrit të rrugëve, ekziston le të ekzistojë. Teatri është fjala është mendimi ajo e ka mbajtur gjallë për shekuj ku teatri ka mbijetuar nga filozofia e veprës. Ka teatro të tjerë që janë pantonime e balete dhe unë nuk mund ta mohoj, por këtu futja e zhargoneve dhe sidomos tendenca erotike vulgare jo e kulturuar janë jashtë kësaj skene.

Si e kuptoni ju teatrin dhe kjo e parë me syrin e një skenografi që ka vite që merret me skenën teatrore?

Teatri është art kolektiv. Punojnë shumë njerëz për të, duke filluar që nga administrata që nuk duket fare deri tek punonjësi më i thjesht që është i prapavijës i skenës. Këto janë ata heronjtë e padukshëm që nuk duken, por pa ata nuk bëhet shfaqja. Duke u nisur pikërisht nga koncepti i artit të vërtetë që unë e përqafoj mbështetem gjithmonë nga vepra që vihet në skenë p.sh Shekspiri si një nga figurat e njohura ai është baza, ndonëse ai si është në një vepër nuk është në një tjetër me krijuesit duke filluar nga regjisori skenografi dhe autori janë tre sepse përgjithësisht autori nuk ekziston. Atë here, komunikim bëhet midis dy personave që e konceptojnë këtë shfaqje që janë regjisori dhe skenografi. Thuhet se në teatër që regjisori duhet që të jetë i tillë 100% ku nga këto 50% duhet që ai të jetë skenograf. Dhe e kundërta thuhet se skenografi duhet që të jetë 100% skenograf dhe 50% duhet që të jetë regjisor. Kështu që lidhja organike është një domosdoshmëri për spektaklin. Pa një lidhjeje të kësaj gjëje ai do të çalonte, janë këto pastaj që organizojnë pjesën tjetër sepse aktorët janë interpretues, pa i ulur vlerat e tyre krijuese ku baza e tyre është pse, sepse atë e kanë të shkruar nga tjetër kush. Regjisori dhe skenografia është abstrakte, mund të jetë siç e shikojmë ne në shfaqjen “Pamje nga Ura” dhe duhet të jemi të bindur që në shumë vende të botës skenografia e shfaqjes është bërë në shumë variante. Ky është një variant ku unë kam besim pa modestinë e shqiptarëve, nganjëherë duhet thënë, sepse në moshën time 71 vjeçare mund të jetë një nga variantet më të mira, që kjo skenografi e kësaj shfaqjeje është vënë në skenat e tjera. Por, ama nuk mund të them se kjo është e fundit dhe nuk do ta bëjnë të tjerët, por është për teatrin tonë, në kushtet e kësaj skene sepse hapësira e saj është shumë e vogël. Këtu do të përmendja skenën e akademisë ku ajo ka një hapësirë prej 10 metrash ndërsa këtu ajo ka një hapësirë 8 metra. Por, do të thosha që ne jemi mësuar të punojmë me ekonomi dhe të sjellim diçka të bukur por që edhe ta pëlqejë spektatori.

Keni ndërtuar skenografi gjatë dy periudhave të ndryshme për sa i përket zhvillimit teatror në vend. Si e shikoni ndryshimin midis tyre?

Tani gjykoj se vetëm atë herë ka pasur teatër dhe aktorë, regjisorë dhe skenografë. Përkundrazi, nga ana e kulturës nga mjeshtëria ka një rritje sot më shumë, pavarësisht nga publiku që sot është larguar më shumë nga skena teatrore.

Thatë që sot publiku është larguar nga skena teatrore. Pse ka ndodhur diçka e tillë?

Për largimin e publikut e ka fajin vetë teatri sepse nuk është teatër repertori, ku vetëm ditën e hënë bënte pushim ndërsa që nga e marta deri të dielën e bënte aktivitet të përditshëm dhe kjo e bënte publikun që të ishte i lidhur, ai e dinte se çfarë ndodh. Por, sot duke e lënë pushim për një kohë të gjatë ai nuk kujtohet për të. Atë here e mbanin gjallë turnetë apo shfaqjet e shumta që ai jepte dhe njerëzit kujtoheshin për atë.

Kalojmë pak tek shfaqja “Pamje nga Ura”, na flisni diçka rreth konceptit të saj teatror?

Kjo për mua është një shfaqje e pastër, koncepti i është larguar asaj linjës së emigracionit sepse konflikti nuk është ai. Konflikti është drama familjare psikologjike ku personazhi Edi Karbone jepet në dy lloje. I pari një njeri i ndershëm ku ka sakrifikuar dhe tjetri një Ed me një temperament jugor që ka një lloj xhelozie të tijën që këtu justifikohet në vepër. Kjo është ndërtuar në mënyrë të tillë që ky personazh me xhelozinë ballkanike dhe temperamentin e tillë e çon me logjikën që është i pranueshëm nuk është agresiv siç ndodh tani për fat të keq në vendin tonë, ku ndodhin vrasje e gjëra të pajustifikuara vetëm nga temperamenti. Sigurisht që pendohen brenda minutit kurse ky ka një logjikë sepse ka sakrifikuar për këtë vajzë dhe xhelozia në fillim nuk është se ai e do atë vajzë, por sepse ai ka sakrifikuar për atë, e ka si fëmijën e vet atë. Por, kjo justifikohet sepse ai është njeri i ndershëm i pastër ka jetuar me pastërti dhe nuk është ajo që mendohet sepse ky e vret veten në fund. Këtu është një ndërtim shumë i bukur i regjisorit sepse dihet që në vepër Edin e vret Marko. Në vepër del në pah karakteri i mirë i atij si personazh.

Jeni skenografi i saj. Si e keni ndërtuar dekorin e saj dhe cilat janë të veçantat e tij?

Ka një dekor të natyre të veçantë, është nga ato dekoret që thuhet se skenografia lind dhe vdes prapë në shfaqje, kjo skenografi do të kujtohet për këtë shfaqje. Nga ana e konceptit artistik është me një gjuhë të thjeshtë konvencionale pavarësisht se vepra është realiste, kjo nuk do të thotë se konvencioni nuk është realist. Konvencioni është kur mundohet që ta shprehësh në një gjuhë sa më të thjeshtë, të mos kesh mbingarkesa. Vepra teatrore është e ndarë në tre ambiente të cilat unë jam munduar që t’i lidh si pjesë organike, jo që ato të rrinë veç larg njëra tjetrës. Ka qenë një ide që mund të ishin në rrotativë, mirëpo ajoi na krijonte zbutje, kurse këtu ngjarjet zhvillohen në sy të publikut. Unë jam për atë teatër që përgjithësisht publikut t’ia demonstrosh të gjitha në mënyrë ndershme. Le ta shikojë ai që është dekor që është karrige. Teatri është më shumë se sa jeta sepse bën një sintezë të asaj që bën në jetë. Në jetë gjërat janë të zakonshme, ndërsa në teatër gjërat marrin fuqi tjetër.

Para pak ditësh u organizua festivali Teatror “Teatri i të Rinjve” dhe ju i keni ndjekur disa prej tyre.
Do të doja të dija mendimin tuaj se si ishin konceptuar nga ana skenografike këto shfaqje, duke pasur parasysh që ato vihen në skenë nga të rinjtë.

Në fakt nuk i kam ndjekur të gjitha shfaqjet por mendoj se ne kemi vajza dhe djem të talentuar. Sigurisht që në kushtet e këtij festivali mundësitë kanë qenë të vogla për të realizuar, ku menjë fond minimal janë të detyruar që të gjithë komponentët e shfaqjes të vërtiten rreth atij fondi. Ata djem dhe vajza janë të talentuar dhe duhen aktivizuar.

Si e shikoni zhvillimin skenografik në teatër gjatë këtyre 17 viteve?

Skenografia në teatër nuk ka atë madhështinë që kanë skenat në koncerte festive. Por, është shumë më e vështirë që të merresh me atë sepse ajo ka shumë probleme të cilat atje nuk janë. Skenografia ka ecur shumë mirë drejtim të një lloj konvencioni. Po të jetë për publikun 80% duhet që ajo të jetë realiste. Unë i kam provuar dhe jam skenograf i natyrës që pranoj konvencionin në teatër dhe skenografinë bashkëkohore, por i fshehur mendimi jo ekstravagant. Unë dua që të jetoj bashkë me trupën që të duket që kjo skenografi është shpirt bashkë me autorin regjisorin dhe aktorët. Por, ne kemi problem se kemi aparatura të vjetra. Këtu janë po atë mundësi të vjetra nuk është shtuar asgjë ndonëse ne mundohemi që të krijojmë me ato mundësi që kemi. Në vendin tonë koncepti bashkëkohor ecën mirë ndërsa niveli material nuk është ai që duhet.

Profesor Agim Zajmi kur e kthen kokën pas çfarë shikon tek karriera e tij?

Më vjen keq që kam bërë kaq shumë skenografi sepse kanë kaluar mbi 300 shfaqje dhe më shumë duke mos harruar se unë jam piktor kavalete dhe të njëjtën gjë e kam bërë dhe në pikturë. Është një punë që e kam bërë me kënaqësi dhe këtë e thash me humor sepse p.sh. mbrëmë ishte inspektori dhe kam harruar që unë kam punuar dhe vetëm kur i dëgjoj që unë kam punuar, do të kisha dashur që unë të kisha punuar më pak. Ndoshta është më mirë që kam punuar kaq shumë nuk e di se si ta them këtë. Por, unë nuk them që po largohem se nuk i dihet por jam në një fazë që duhet t’i kthehem më shumë artit individual pikturës sepse ai është art i pavarur. Këtu, kur vjen një moshë në teatër ka edhe lodhje me njerëzit për t’i realizuar gjërat. Për humor po e mbyll këtë bisedë ku unë i thosha dikur Pirro Manit se me atë kam punuar gjithë shfaqjet bashkë, kur isha i ri futesha në skenë ajo ishte bosh dhe e kisha frikë, trembesha çfarë do t’i bëj unë kësaj sepse ajo duhej transformuar për shfaqjen ndryshe nga sa shikohet. Tani duke e hequr këtë modesti kur futem unë në skenë ajo trembet nga unë.

Referenca: Tirana Observer – 2009
_____________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne v. 2013

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here