Jorgji Spiru (1927 – 2002) | Përkujtimore!

0
2033

Jorgji Spiru ose i mirenjohur si Gaqo Spiru
(1927-2002)
Aktor i brezit te pare nga teatri “Aleksander Moisiu”, Durres dhe i Kinematografise Shqiptare.

Lindi në Durrës me 18 maj 1927. Gaqo ishte vetëm 8 vjeç kur humb të atin, Jovanin, ndërkohë që në krah të tij do të vendoset e ëma, Erifili, e cila sakrifikoi jo pak për ta rritur dhe edukuar.
Ne vitet e luftes bëhet anëtar dhe më pas një nga krerët kryesore të DEBATI-ut. Që këndej hidhet në rradhët e Brigadës 23 sulmuese, formacionet e së cilës luftuan për çlirimin e trojeve në Krujë, Dajt e Shkodër.
Me Çlirimin e vendit bëhet pjesë e të rinjve që drejtojnë kurse kundër analfabetizmit, ndërkohë që vet nuk i ndahet leximit, studimit dhe aktrimit. Gaqo krijon personalitetin e tij në saj të karakterit të fortë, ndërgjegjes së pastër dhe përkushtimit. Për shkak të pasionit të veçantë bëhet ndër të parët aktor amator në teatrin e Durrësit, tek kinema “14 nëntori”. Njëherësh vijon studimet e larta në Fakultetin Histori-Gjeografi.

Ai i përket plejadës së parë të aktorëve që themeluan teatrin profesionist në Durrës. Me 11 janar 1953 vihet në skenë komedia e parë “Vajza nga fshati”, ndërkohë që me themelimin e teatrit, më 8 shkurt 1964 vendoset në anën e krijuesve të trupës profesioniste. Teatri fillimisht e më pas filmi do të krijojnë personalitetin e fortë të këtij aktori, emri i të cilit do të qëndrojë në listën e më të mirëve aktorë shqiptarë. Për shkak të pjekurisë, të ndihmesës së drejtpërdrejtë në çlirimin e vendit dhe meritave profesionale, Gaqo Spiru emërohet në vitin 1968 drejtor i teatrit “Alekssandër Moisiu”.
Qëndrimi i tij në këtë post të vështirë i jep shtytje të madhe ecjes së estradës dhe teatrit. Falë mbështetjes dhe inkurajimit të tij u bë e mundur kapja e rekordit, përgatitja brenda 12-13 ditëve e shfaqjes së premierës.
Pikërisht në këtë periudhë, e cila përkon me prurjet e reja të artistëve që vinin nga Instituti i Lartë i Arteve, emri teatrit dhe estradës së Durrësit sa vjen dhe bëhet më i dëgjuar. Rreth kësaj trupe qëndronin emra të niveleve kombëtare, ndërkohë që turnetë në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi në vitin 1973 ia zgjerojnë gjeografikisht famën.

Gaqo Spiru la gjurmë të forta edhe në kohën që shërbeu si shef i kulturës në komitetin ekzekutiv me inkurajimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e artistëve. Piktura, skulptura, estrada dhe teatri morën fizionominë dhe mbështetjen e plotë. Përvojë më vete në jetën e tij do të jetë periudha e qëndrimit si pjesë e ekuipazhit të anijes “Durrësi”. Kjo i dha mundësi të shëtisë në shumë porte të Botës, në një kohë që bëri gjetje të ndryshme për të argëtuar marinarët në udhëtimet e gjata. Kështu, falë edhe njohjes së veçantë që kishte krijuar me drejtues të kinostudios, mori që andej kaseta filmi të cilat i shfaqte në bazë të një programi brenda në anije. Kjo argëtonte pa masë marinarët të cilët e ndienin thellë mungesën e familjes me muaj të tërë në udhëtimet përtej Adriatiku.

Daljen në publik si aktor e nisi që në moshë fare të vogël. Fillimisht në grupet amatore të krijuara pas Çlirimit të vendit. Aty u shfaq prirja e tij për t’u bërë artist profesionist. Jeta artistike e Gaqo Spiru qëndron mes aktorit të teatrit dhe atij të filmit. Durrësi është qyteti që i dha jetë dhe lavdi emrit të tij.
Sa herë që vjen koha për të shikuar pas dhe për të matur rrugën e përshkuar të artit në Durrës që nga koha e hapave të parë të ngritjes dhe konsolidimit të trupës profesioniste, mendja dhe sytë shkojnë tek emrat më të dashur për të gjithë: Nikolin e Meropi Xhoja, Spiro e Vera Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, Vangjel Heba, Gaqo Spiru,Gjergj Vlashi, Lutfi Hoxha… Janë ata që jo vetëm e ngritën trupën profesioniste, por edhe bënë mrekulli në skenën e estradës dhe të teatrit.

Miqtë më të afërt të Gaqos kanë qenë Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Anastas Bojaxhiu (profesori i parë në Durrës), Marta Burda, Lazer Murati, Kadri Pirro, Todi Thanasi, Milto Profi për të vazdhuar me estradën dhe me emrat e Ramazan Njalës, Spiro Stratit, Aleksandër pepës, Enver Likmetës… Dhjetra role të lozura prej tij në teatër. Në shumë prej tyre në role kryesore. Arkiva e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka dhjetra foto në të cilat fiksohet artisti në skenë. Dalja e parë e tij si aktor i nivelit profesionist i përket vitit 1953 “Vajza nga fshati” me rolin e Palit. Asokohe Spiru ishte 25 vjeç.

Jorgji Spiru ne filmin “Nje ndodhi ne port” – 1980

Kishte kaluar provë pas prove me trupën amatore. Njëra pas tjetrës vinë “Dasma e madhe”, “Shkarkuesi i parë”, “Dreqnit e Kënetës”, “Dredhitë e Skapenit”, “Ljubov Jarovaja”, “Kërkuesit e lumturisë”, “Çështja Ivanov”, “Biri i humbur”, “Nota zero në sjellje”, “Sëmundje e rrezikshme”, “E deleguemja”, “Votra e huaj”, “Ata u rritën në luftë”, “Ndalesa e fundit”, “Shufra e hekurt”, “Invadimi”, “Jashtë bie shi”, “Hijet e natës”, “Rrugë të tërthorta”, “Pulëbardha. Role nga më të larmishmet të cilat u luajtën me mjeshtëri të rrallë. Teatri arriti të jepte 5 e 6 premira në vit, ndërsa trupa e estradës po bënte revolucion në anën tjetër duke e vendosur qytetin e Durrësit në epiqendër të aktiviteteve kulturore kombëtare.

Temat ishin të larmishme. Shumë prej tyre kishin në qendër luftën për çlirim. Të tjerat edukimin qytetar, depërtimin e moralit të ri, luftën kudër paragjykimeve, emancipimi femrës, roli rinisë, jeta në fshat, ngritja e kantiereve…Për shkak të kulturës së lartë në interpretim Gaqo Spiru u zgjodh për t’u bërë pjesë e trupave ne realizimin e disa filmave. Kështu emri tij spikat në rolet kryesore në disa prej tyre si tek “Toka jonë” me figurën e Metit; “Detyra e posaçme” me rolin e nënkolonelit; Petro motoristi në “Horizonte të hapura”; gazetari “Përse bie kjo daulle”; organizatori i grupit në burg “Njësitë guerile” …

Pikërisht në këtë periudhë që nis në vitet 1963 dhe shtrihet për dy dekada do të ketë fatin të interpretoje përkrah ikonave të kinematografisë shqiptare, përkrah aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave si: Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Sandër Porsi, Ndrek Luca, Pjetër Gjoka, Ilia Shyti, Lazer Filipi, Pandi Raidhi, Dhimitër Orgocka, Robert Ndrenika, Nikolin Xhoja, Sulejman Pitarka, Vangjel Heba.

Aktori nga Durrësi bëhet figurë shumë e adhuruar. Regjisorët dhe aktorët panë tek Spiru personazhin e shkrirë plotësisht dhe qetë e pastër në rol. Ky lloj mishërimi bëri që atij t’i besohen role shumë të veçanta si në rastin e metit tek “Toka jonë”, nënkolonelit tek “Detyra e posaçme” etj. Kolegët ruajnë mbresa të jashtëzakonshme për të në ditët e xhirimeve. Gaqo kishte aftësi të sfidonte çdo gjë: rolin e vështirë, motin e keq, pagjumësinë, lodhjen. Nuk ankohej asnjëherë. Rolin e merrte shtruar dhe me vullnet duke depërtuar shumë shpejt brenda karakterit të personazhit. Fakti se Spiru e nisi karrierën artistike në teatër, i dha mundësi të shumta për t’u përshtatur pa shumë vështirësi në rolin e aktorit të filmit. Mjeshtëria për të aktruar në skenë qe një shans e fat më shumë për të. Kjo e bëri emrin e tij simpatik dhe të adhuruar tek regjisorët dhe aktorët. Loja përkrah Marie Logorecit e cila tek “Toka jonë” qe Lokja, apo në krah të Ndrek Lucës, Sandër Posit tek “Detyrë e posaçme” ishte shkollë më vete për aktorin e Durrësit. Gjithnjë energjik, i saktë, i palidhur dhe emocionues, rol pas roli. Nderron jete me 22 tetor 2002.


Rolet në teatër 24 :
“ VAJZA NGA FSHATI” – 1953…… Pali
“ DASMA E MADHE” – 1954…… Rexhep Ceka
“ SHKARKUESI I PARE” – 1957 (OPERETE)
“ DREQNIT E KENETES “ – 1956
“ DREDHITE E SKAPENIT” – 1957….. Argonti
“ LJUBOV JAROVAJA ” – 1957…. Kolonel Melini
“ MBRAPA MUREVE” – 1957…. Sotir Shytaj
“ TE RINJTE “ – 1958….. Bujari (pergjegjes i njesitit te fshatit)
“ KERKUESIT E LUMTURISE” – 1958…… Damian Mikolov
“ CESHTJA IVANOV ” – 1959…..Mekov
“ UDHEKRYQE E BARRIKADA“ – 1959….. Civili
“ BIRI I HUMBUR “ – 1960…… Lambit Medejari
“ NOTA “0” NE SJELLJE “ – 1960…… Stefan Vardia (kryesor)
“ SEMUNDJE E RREZIKSHME “ – 1960….. Aliu (kryepuntor)
“ E DELEGUEMJA “ – 1961…… Sula (pergjegjes blegtorie)
“ VOTRA E HUAJ “ – 1961….. Lini
“ ATA U RRITEN NE LUFTE “ – 1962…… Czhao Lao Czhun (drame kineze)
“ NDALESA E FUNDIT ” – 1962….. Koh (ushtari)
“ SHUFRAT E HEKURTA “ – 1962…… Gazmend Pojani
“ INVADIMI “ – 1963…… Fajunjin Nikollai Sergejevic
“ JASHTE BIE SHI“ – 1964…… Profesori
“ HIJET E NATES “ – 1964….. Sotiri
“ RRUGE TE TERTHORTA” – 1965…… Aliu (komandant brigade)
“ PULBARDHA “ – 1965….. Shamrajev.

Si aktor në filma 7 role:
“ DETYRA E POSACME ” – 1963…….. Nen-kolonel sig.
“ TOKA JONE “ – 1964…… Meti
“ HORIZONTE TE HAPURA” – 1968….. Motorrist (sek.partie)
“ PERSE BIE KJO DAULLE ” – 1969….. Gazetari
“ NJESITI GUERIL “ – 1969 …..Organizator i grupit ne burg
“ NUSJA E SHTETRRETHIMI” – 1976
“NJE NDODHI NE PORT” – 1980

Publikuar per here te pare ne Facebook ne maj 2016 dhe rishikuar ne vitet vijues.

__________________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: “Gazeta Bulevard” / tetor 2014.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here