KADRI ROSHI | I PATJETËRSUESHËM SA VETË PERJETËSIA !

0
949

Kadri Roshi është i patjetërsueshëm sa vet përjetësia! Ky mjeshtër i madh u bë shkollë e aktrimit shqiptar….

“Arti nuk është kopjim mekanik i realitetit, por lloj, rritje, përsosje e tij”.

Kjo thënie mrekullore e artistit Roshi është postulat për të gjitha kohërat për artistët e rinj të artit teatror. Si kritik dhe studiues  arti duke ndjekur për gati gjysmë shekulli jetën dhe krijimtarinë e “Artistit të Popullit” Kadri Roshi, isha bërë mik i shpirtit të tij. Takimet me këtë artist të madh të artit teatror kanë qenë nga më mbresëlënëset. Roshi asnjëherë nuk ka pranuar të nxirrje letrën apo lapsin a magnetofonin në komunikimin me të, kështu që bisedat janë zhvilluar si midis dy miqsh. Artisti ishte tepër i mençur,  ku njihte mirë historinë, psikologjinë filozofinë, por veçanërisht artin teatror dhe atë filmik. Ndaj arriti në zenitin e tij. Në figurat e realizuara  në artin teatror apo filmik ai mbeti i patjetërsueshëm…

Respekti i popullit tonë për këtë artist të madh ishte dhe mbetet i pa masë. Artistit përherë i fliste zëmra, i fliste shpirti. Ndjesitë  e tij ishin të magjishme si vet arti i tij. Aty shpërthente si vullkan i zjarrtë, aty belbëzonte me urti. Roshi solli në skenë vitalitetin e kombit dhe ka hyrë në çdo  qelizë të popullit me lojën virtuoze. Shoh skenën e Teatrit Kombëtar dhe më kujtohen bisedat që kam zhvilluar me të ku ai hipi në këtë skenë mbi 60 vite më parë dhe qëndroi si katakomb përherë i pavdekshëm. Ndaj  ky  teatër mbanë emrin e tij KADRI ROSHI…

Biseda me të… “E shikon djalosh atë skenë, e kam larë me leckë dyshemenë e saj!?… Po pse vallë!? Nga pasioni dashuria për artin, edhe gjumin dua të bëjë në skenë. Ai e di sekretin përse në luajta në shkallën më të lartë rolin e Arturo Ui?!-së… Sepse jam shqiptar, luajta temperamentin e shqiptarit. Brehti iku në Amerikë dhe thoshte… “I shpëtova egërsisë, gjakun tim po ma hanin çimkat, por nuk i shpëtova paaftësisë së kolltukëve që ma grinë mishin…”.

Biografia e artistit Kadri Roshi ka pika takimi me atë të artistëve të mëdhenj të skenës, të cilët në fillesat e tyre edhe janë rrëzuar, por pasioni i gjithëfuqishëm për artin i ka mbajtur gjallë.

Kadri Roshi është lindur në Ballsh më 4 Janar 1924 dhe u nda nga jeta më 6 shkurt 2007, por me origjinë nuk ishte andej, i ati dhe e ëma ishin nga Libohova e Gjirokastrës. Muhim Roshi gjysh i Kadriut, ka luajtur dramën “Besa” të Sami Frashërit në qytetin e Janinës në vitin 1908. Roshi mbeti jetim nga nëna që në moshën 12 vjeç dhe në moshën 16 vjeç mbeti pa baba. Duke qenë jetim nisi të siguroj me sakrifica bukën e gojës. Punoj si punëtor ngarkim- shkarkimi. Në kohën e luftës edhe u burgos. Më vonë punoj si biletashitës në kinemanë “Gloria” … 

“Ishte viti 1945 kur trokita  në dhomën 63 në hotel “Vollga” . Hyra dhe ata që ishin aty më vështruan me kureshtje.. “ Dua të bëhem aktor..!”- ju thashë dhe u tregova pusullën që më kishin dhënë nga komiteti i arteve. Por ata më pyetën, se sa shkollë kisha dhe unë ju përgjigja se kisha katër klasë fillore”, kujton artisti. Por Kadri Roshi u miqësua shpejt me ta dhe ju përvesh punës me vullnet dhe me këmbëngulje në një kurs që u hap pranë Teatrit Popullor. Pas mbarimit të tij artisti u zhyt në lexime duke kaluar nëpër mendje me dhjetëra e dhjetëra monologë, madje disa herë, duke luajtur vetveten, ku aktori kujton se, duke  punuar  edhe para pasqyrës duke u sjellë sikur të ishte para publikut. Për të arritur deri në skenë për artistin nuk ishte e lehtë. Fillimisht punoj si sufler, derisa arriti t’i “vidhte” dhe t’i mësonte përmendësh rolet. Hyri në konkurrim për të marrë pjesë me trupën e Teatrit Popullor!… Por dy herë u rrëzua në provim. Ogur jo i mbarë, por që ishte një prolog për lindjen e roleve të mëdha të aktorit Roshi. 

Të jesh një Demosten…?!  Kishte një cen të vogël . Aktorit i mbahej pak goja. Vullneti dhe rrëmbimi pas artit e bëri të kapërcej kufijtë, çdo pengese dhe sakaq u bë protagonist i mbi 100 roleve, ku 80 prej tyre në skenën e teatrit dhe 30 në kinematografi. Kishte lexuar për Demostenin e lashtë, oratorin e Greqisë që vuante nga belbëzimi dhe kishte vështirësi të mbante fjalime .  Ndaj për të shkëputur fjalët përditë ushtrohej buzë lumit dhe anës detit duke dëgjuar jehonën e zërit të tij.  E ai kur delte para popullit ligjëronte mrekullisht. Po kështu veproi dhe artisti  Kadri Roshi. Duke artikuluar me dhjetëra e dhjetëra herë zanoret e bashkëtingëlloret deri sa u bë mjeshtër i fjalës artistike. Loja e artistit Roshi është cilësuar si një lojë e fuqishme, depërtuese komunikuese. Ishte aktor i planeve të shumta dramatike, elegjike, satirike.. Ai u dha portretin dhe zërin dhjetëra figurave të dramaturgjisë shqiptare dhe asaj botërore. Abdyl Frashëri  tek “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut depërtoi me gjuhën e artit në të vërtetat historike. Rolet e tij përherë e më të spikatura tek “Halili dhe Hajria”, “Revizori”, “ Familja e peshkatarit”,  “Hamleti”, “Ezopi”, “Arturo Ui” e shumë të tjerë shpalosin tiparet e një aktori gjithmonë në kërkim me kuptim të spikatur origjinaliteti dhe tejdukshmëri, deri në përsosje. Filozofi  Ezop  Artisti Kadri Roshi është një nga korifenjtë e Teatrit Kombëtar është një nga baballarët e këtij laboratori shumë të madh të punës së dramaturgjisë shqiptare. Kam ndjekur nga afër shfaqjet skenike teatrore ku në një nga krijimet më të bukura të tij është Ezopi tek “Dhelpra dhe rrushtë”. Dy variantet e kësaj drame si variant i parë nën regjinë e Mihallaq Luarasit, por dhe variant i dytë i vënë në skenë me regjinë e Dhimitër  Pecanit, loja e Roshit fliste për dukuri skenike të jashtëzakonshme. Partnerja e tij në këtë dramë “Artistja e Popullit”, Margarita Xhepa është shprehur…” Luajta bashkë me artistin e Popullit Kadri Roshi,  unë rolin e Kleas dhe ai të Ezopit.

Roshi ishte i gjithëpushtetshëm në lojën e roleve të tij në teatër dhe kinematografi. Në plastikën e rolit Roshi është i thellë dhe sidomos kur përcakton biografinë e rolit. Futet në fijet më të holla, ku i dilte qartë jo vetëm teksti, por edhe nënteksti. Logjika e tij ishte sugjestionuese. Ai  mjaftë komunikues  ku diskuton gjatë për  tablonë, diskuton gjatë për gjendjen e përjetimin me partnerin. Kur punoja me të, e ndjeja veten të lirshme. Nuk i lejonte vetes shakara gjatë provave dhe nuk kënaqej lehtë me atë që mbërrinte. Nga shfaqja në shfaqje bënte diçka të re.. Ishte përherë i përqendruar dhe me disiplinë artistike. “Po çfarë ndjeu aktori nën petkun e filozofit Ezop?…

Vetë Roshi pohon: “Lum ai që di të derdhë djersën  në kohën e duhur dhe kështu bukuria e çdo figure qëndron në vështirësinë për ta bërë figurën si veten tënde.  Tek Ezopi kam bërë punë shumë të mashe përsa i përketë trajtimit të tregimit të fabulave. Thoja në prova dhe në skenë mbi 100 fabula. Që të arrija këtë më është dashur  të mësoja shumë fabula të tjera për të kuptuar  se cili ishte Ezopi. Por Ezopin e kam mësuar në një fabul që nuk gjendej fare në tekst. Në të gjeta thjeshtësinë, e të treguarit të fabulës. Domethënia nuk ka nevojë për shpjegime, është jeta që ndihmon kulturën profesionale e artistike, sa herë që ajo s’të jep dot rrugëdalje.

Rebeli “Arturo Ui”  Në dramën “Arturo Ui”  të Bertold Brehtit, Roshi dha figurën e nazistit të viteve 1930. Kjo figurë djallëzore e shoqërisë njerëzore, që mëshironte cilësitë makabre, të cilat sollën kob në shumë vende të botës, interpretohet me aq pathos, me aq mjeshtëri, e me aq shkathtësi e mprehtësi psikologjike nga mjeshtëri i skenës Kadri Roshi. Për këtë rol artistit ju desh të studionte shumë. Kjo gjë bëri që Roshi të krijonte një individualitet tepër të veçantë. Arturo Ui , çirret, bërtet, ulërinë, duke kujtuar bishën.

Aktori luajti me zërin sepse më pas, zëri i tij tingëllon me vibracione të pastra. “ Hamleti” i Shekspirit  Roshi tek “ Hamleti i Shekspirit është shprehur”. Të lozësh Hamletin do të thotë të fillosh të jetosh me mesjetën, me njeriun  e asaj  epoke, me mendësinë e tij me dramën e tij” Hamleti i Kadriut ishte pikëshikim tjetër nga i luajtur nga aktorët Naim Frashëri e Kujtim Spahivogli. Nëse Naimi ishte pasionant në atë që bënte me “Hamletin”, Kadriu ishte tepër i hidhur më një nëntekst shumë të  pasur brenda. Artisti Roshi e zotëronte jashtëzakonisht planin e dytë në veprimin e aktorit. Ndoshta nënteksti, ironia e Roshit vihet shumë në dukje tek “Hamleti”. 

Në rolin e Bektash Shkozës. Në planin e tragji-komedisë, Kadri Roshi është i patjetërsueshëm. Veçanërisht kjo është shprehur tek realizmi i figurës së Bektash Shkozës tek “ Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit. Bektashi i Roshit është satirik dhe komik në të njëjtën kohë. Në të dyja planet ky aktor shpreh shumëfishin në krijimtari dhe kjo vërehet jo vetëm në rolin e Bektashit, por dhe në të gjithë rolet e tjera. 

Të jesh mjeshtër i skenës “ Arti nuk është kopjim mekanik i realitetit, por interpretim, rritje përsosje e tij. Artistët e vërtetë i vënë veshin jetës, njeriut. Njohja është nevojë e domosdoshme, kurdo dhe kudo. Është si ushqim për organizmin e gjallë… Bota e aktorit pasurohet vetëm me njohje dhe me përjetim të gjallë të përhershëm. Mbresat janë të domosdoshme për aktorët artistët…

Këto mbresa mua si jetim  më ndihmuan në rolin e kujdestarit tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”.

Figura skenike nuk është diçka empirike. Në të qëndron dhe abastragimi, arsyetimi i thellë për të zbuluar rrënjët fiziologjike të figurës artistike.

Filmat! Tek artisti përherë është ndjerë aroma e xhirimeve në dhjetëra filma, ku ka spikatur virtuoziteti i tij interpretativ. Dhjetëra role të xhiruara dhe asnjëherë i njëjtë. Ka realizuar tipa dhe karaktere tepër të veçantë. Artisti përherë e ka ndier veten midis njerëzve të thjeshtë. Ata janë bërë burim frymëzimi… Artisti Kadri Roshi  është përherë i gjallë midis nesh me rolet e interpretuara si shkollë e aktrimit shqiptar.

Nje shkrim i Baxhul Merkaj / Ilustrimi me foto: “Kinematografia Shqiptare”

________________________

Albumi i aktorit ne Facebook

Na ndiqni edhe ne

Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here