Kolosi i skenes shqiptare | Sander Prosi (1920-1985)

0
3219

“O popull sa shume gjera behen nen emrin tend, biles edhe naltmadhnija flet nen emrin tend . Nje njeri mund te mashtroje nje tjeter per nje kohe, mund te mashtroje edhe nje popull per njefare kohe, por kurre nuk mund te mashtroje nje popull te tere per te gjithe jeten “

Sandër Prosi eshte nje aktor i kompletuar. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë 35 vjetëve në krijimin e qindra roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmëndjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ai bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara.

Sander Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Gjatë kohës së shkollës së mesme, në Gjimnazin e Tiranës, përgatit dhe vë në skenë dramën e Shilerit, “Vilhelm Teli”, që u pengua të shfaqej nga regjimi fashist i kohës. Me pas ai shkon për studime në Austri për dentist, të cilen nuk e mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike. S. Prosi krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Kujtojme figurat e paperseritshme “Fytyra e dyte” rolin e Vuksanit, Horatin tek “Hamleti”, Otellon tek “Otello”, dhe Mileri tek “Intrig e dashuri” ku figurat nuk kapen ne menyre te pergjithshme, statike por ne zhvillim e siper si rezultat i kontradiktave qe zhvillohen ne nje veper dramatike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare.

Si të tilla zënë një vënd të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit. Prandaj krijimet filmike të Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran,por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ai mbaroi studimet për stomatologji, dhe ishte profesionalisht larg artit dramatik, por brenda dhimbjes artistike të njeriut, ku kjo gje do ta shtynte drejt skenës për të depërtuar në karaktere dhe figura historike dhe artistike, të cilat do të nxirrnin në pah aftësinë e tij për t’i tejkaluar ata dhe për t’i bërë pjesë të karakterit të vet.

Burri me pamje fisnike, do të thirrej herë pas here me emra të ndryshëm dhe do të linte mbresa të veçanta për spektatorët, duke sjellë para syve të tyre Abdyl Sharren, kapitenin e Bigës, dr. Kristo Borovën, peshkatarin Vranen, Jaho Labin, profesorin, Miti Vozarin, Sefedinin, Dhaskal Todrin, Ismail Qemalin, prof. Mirushin, kolonelin Xhon, Brunon, Markun, gjeneralin, Pilo Mullixhiun etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film . Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël, ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm, që u bë artist i madh. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë.

Më vonë, ai luajti në mjaft filma të suksesshëm, Artisti i Popullit Sander Prosi ne vitet 1962-1975 e deri sa vdiq gjithashtu jepte mesim si pedagog ne degen dramatike ne Akademine e Arteve. Më 24 mars 1985 Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur. Kur do të ishte ky momenti i duhur? Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh, se një nga tentativat e tij e çoi në fund. E kanë thënë kolegë të afërt që nuk kanë pranuar megjithatë ta pohojnë këtë gjë në publik. Në të kaluarën vetëvrasjet nuk duheshin zënë goje, sikur të ishin shprehje e një individualiteti të pavarur, e një lirie personale, e vetvetiu të rrezikshme. Në përgjithësi nuk ka pasur koment dhe shpjegime për to, thjesht nuk ziheshin ne goje. Rasti Sandër Prosi do të rrëfehet një ditë kur kultura jonë të ketë jetëshkrues profesionistë, biografë që të tregojnë pa simuluar cili ishte artisti dhe njeriu Sandër Prosi.

Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes). Motivacioni ishte ky: “Si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar.”

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje. Presidenti i atehershem Topi i dorëzoi Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi, Aristidh Prosit, djalit të madh të aktorit, solist i Orkestrës Simfonike të RTSH-së.

Ndërsa komentonte arsyet pse Sandër Prosit i jepej ky Urdhër, Presidenti ka bërë një retrospektivë të fillimeve të teatrit dhe kinemagrafisë shqiptare dhe ka vlerësuar kontributin plejadës së aktorëve dhe regjisorëve të vitet 40-50 të shekullit të XX-të “ku shkëlqeu me talentin e tij edhe Sandër Prosi. Të parët, themeluesit, kanë një karakteristikë që i bën ata pjesë të asaj historie që shndërrohet në pikë referimit për brezat, ata kishin talentin e madh, talent si ai i Sandër Prosit.” Kontributin e Sandër Prosit, lidhet me një nxitje të madhe “për mendimin tonë, për raportin tonë me të bukurën, me artin, me vetë lirinë. Ai ishte i saktë, i vërtetë, i mençur, shqiptar deri në palcë, në jetë dhe në art. A nuk është i tillë Otelloja, që ai interpretoi me aq mjeshtëri ku duket qartë nderimi për besën dhe përçmimi për pabesinë?

Lartësia e interpretimit bashkohej me vlerat e personazhit dhe padyshim me vlerat morale të aktorit.”

CMIME DHE VLERESIME

Sander Prosi , si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, është nderuar me disa çmime, kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës, serish nuk ka marrë aq sa duhet nga shteti. Kështu, në vitin 1975, ai u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë, për rolin e Jaho Labit në filmin “Në fillim të verës”.

Realizimi i figurës së Ismail Qemalit, ishte imponuese, kështu që ai u nderua me Medalien e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.

Për mëse tre dekada krijoi mbi 80 role në 75 vepra të autorëve të huaj dhe tanët. Por klasi i lartë i tij bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit: trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj.

Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), Vitet e para (1965), “Horizontet e hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur” filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.


Publikuar per here te pare ne “Kinematografia Shqiptare – mars 2013.
Rishikuar ne vitet vijues.

Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here