Kompozitori i shquar Tish Daija (1926-2003)!

0
1629

#KinematografiaShqiptare      #MuzikeShqiptare     #KompozitoretShqiptar

Tish Daija
(1926-2003)
Akademik , Kompozitor i shquar,
“Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”

Çdo 30 Janar, kujtojmë me mall, nderim dhe respekt, kompozitorin e madh Shqiptar, Tish Daija. Atë, që me veprat tij u ngjit më lart se bjeshkët e malësisë, që i donte aq shumë. Kompozitorin, që me muziken e tij depërtoi në çdo zemër shqiptare, ashtu bukur, me energjinë dhe thjeshtësinë e shpirtit të tij, që reflektohej në tingujt, veprat dhe këngët e kompozuara. Atë, njeriun, mikun, bashkëshortin, babain e shkëlqyer që la mbresa dhe kujtime të pashlyera në cilindo që e njohu nga afër.
Ai mbeti dhe do te mbetet i pavdekshëm me veprat e tij, që akoma edhe
sot duartrokiten nga publiku shqiptar, kudo në botë.
Ai është një nga themeltarët e artit shqiptar, dhe do të kujtohet gjithmone si i tillë. Trashëgimia e këtyre veprave do të vazhdojë në përjetësi, prandaj edhe ai është i pavdekshëm, faleminderit për gjithçka që dhurove nga vetvetja.

Tish Daia u lind në 30 janar të vitit 1926 në Shkodër. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e Padër Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore. Repertori i Korit përfshinte vepra të Bahut, Bethovenit, Moxartit, Shubertit etj., të cilat e mbrujtën me dashurinë për muzikën klasike, por edhe krijimtarinë popullore. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk. Jakova.
Ky formacion mori pjesë me sukses në festivalin e “Fiera del Levantes” në Bari, Itali më 1938.

Muzika e tij është shumë dimensionale dhe spikat fryma e tij patriotike,
dashuria për Shqipërinë dhe vendin e tij të lindjes, Shkodrën. Këngët,
të cilat kanë mbetur në arkivën e pacmuar të muzikës shqiptare si,
“Çikë o mori çikë”, “Sylarysha”, “Ndal, bre vash”, “ Kënga e krushqëve”,
“Me lule t’bukra” u krijuan nga mjeshtri i muzikës, i cili la një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Ndërsa vendi lëngonte nën pushtimin fashist, edhe pse ende adoleshent, Tishi e shprehte rezistencën e tij patriotike duke kompozuar marshin e batalionit
“Antonio Gramshi” (1943), partitura origjinale e të cilit gjendet në Firence,
Itali.

Në vitin 1946 mbaroi shkollën e mesme në Shkodër dhe u emërua mësues muzike në Vlorë, qytet që i fali aq shumë gëzime rinore por edhe frymëzim.
Studimet e larta për kompozicion i kreu në Konservatorin e famshëm
“P.I. Çajkovski” të Moskës ku përfitoi një bursë studimi në 1951.
Në 1956 diplomohet në katedrën muzikore të kryesuar nga Dimitri Shostakoviç, duke sjell në atdhe përveç diplomës edhe një numër veprash të arrira si: “Uverturë Festive”, Suitën “Një ditë pikniku”, kornizën muzikore të filmit “Verr topuz” (prodhuar nga Mosk-Film), dhe një kuartet harqesh.
Krijimtaria e hershme e Tish Daisë përshkohet nga mbresat që ai kish përjetuar në qytetin e lindjes, Shkodër, por edhe nga tipika qytetare vlonjate.

Pas diplomomit në Moskë, për disa vite punon në Ministrinë e Arsimit dhe
Kulturës, dhe më pas vazhdon karrierën profesionale ku spikat roli i tij
si drejtues artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980).

Nën drejtimin artistik të Tish Daisë, për disa dekada, ansambli lëvroi dhe
zhvilloi traditën muzikore dhe të valleve të të gjitha trevave shqiptare,
duke u shëndërruar në një pishtar të kulturës kombëtare dhe e shtriu
aktivitetin e tij jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të botës
ku u nderua me çmime ndërkombëtare, përfshi këtu edhe Gjerdanin e Artë në
Dizhon të Francës (1970).

Diapazoni krijues i Tish Daisë është i gjerë e i larmishëm. Vepra e tij
përfaqëson një nivel të lartë artistik bashkëkohor në të gjitha gjinitë ku ka kompozuar. Në shumë plane, krijimtaria e tij përbën një pjesë themeltare
dhe novatore të muzikës shqiptare. Nuk mund të flasësh për baletin shqiptar
pa Tish Dainë, si kompozitori i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajrija” (1963), por edhe të baletit “Bijtë e Peshkatarit” (1972). Njëherazi , ai kompozoi disa nga operat e njohura të repertorit shqiptar, ndër të cilat përfshihen opereta “Lejlaja” (1957), opera “Pranvera” (1960), opera “Vjosa”(1980).

Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe
zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për
krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike.

Programi i shumëllojshëm i veprave të tij përfshin ndër të tjera:
“Tre Valle Simfonike” / “Poemë për Violinë” / “Fantazi për Violinë”
“Koncert për Violinë” / “Rapsodi për Flaut” / “Koncert për Piano” etj.

Aktiviteti muzikor i Daisë ishte poliedrik. Krijimtarisë së bollshme në lëmin e muzikës së lëvruar i shtohet kontributi i qenësishëm në krijimin e një tradite të kornizave muzikore filmike. Ndër filmat më të njohur të muzikuar nga Daija përfshihen:
“ Fëmijët e saj” / “Debatik” / “Komisari i dritës” / “Kryengritje në pallat”
“Tinguj lufte”.

Me vitalitetin dhe optimizmin që e karakterizonte, Tish Daija vuri bazat muzikore të traditës kombëtare të muzikës së filmit.
Një tjetër tipar dallues dhe i mvetësishëm në repertorin e tij si kompozitor, është lëvrimi profesional i folklorit shqiptar, origjinaliteti i muzikës së lehtë dhe i muzikës për fëmijë, si dhe zhvillimi i muzikës tradicionale qytetare, me të cilën u mbrujt në fëmini.

Duke filluar që nga vitet ’60-të Tish Daija ka kompozuar këngë që përbëjnë një pasuri kombëtare të muzikës së lehtë si “Erë pranverore”, “Flakë e borë”, “Natën vonë” të interpretuar nga Artistja e Popullit Vaçe Zela. Më vonë do vijonin: “E bukur vjen Pranvera”, “Me zërin e Atdheut”, “Ditët që na presin”, “Me lule të bukura”, “Motive Myzeqare” ,”Motiv i ri”, “Mall për vendlindjen”, “Shqiperi ti s’kë pleqëri”, dhe “Bjeri gajdes gajdexhi”.

Gjatë aktivitetit të tij shumëvjeçar Tish Daija ju përkushtua kultivimit të trashëgimisë muzikore kombëtare tek brezat e rinj. Si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve (sot “Universiteti e Arteve”) ai kontribuoi në krijimin e shkollës shqiptare të kompozicionit dhe formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh dhe instrumentistësh. Për aktivitetin e tij akademik dhe në muzikologji ai u pranua si anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1999) dhe i Akademisë së Arteve të Kosovës (2000).

Së bashku me autorë të tjerë, krijimtaria muzikore e Tish Daisë, aktiviteti shumëvjeçar në lëmin e muzikës, e studimeve muzikologjike dhe didaktike të kompozicionit, përbëjnë një pasuri të vyer kombëtare e cila u shërben
brezave që vijnë si gur-themeli i muzikës shqiptare.
Me propozim të Akademisë së Shkencave, akademiku dhe kompozitori i shquar.

Tish Daija u vlerësua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” në 90 vjetorin e lindjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.”Kompozitor i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Me krijimtarinë e Tij ndër vite popullarizoi vlerat e artit muzikor dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi”, thuhet në motivacionin e këtij vlerësimi.
Mjeshtri i madh ndërroi jetë në 3 tetor të vitit 2003, në moshën 77- vjeçare.


___________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca : Gazeta “Blic” – 2018 me rastin e 91 vjetorit te lindjes / Oxygen press – tetor 2019

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here