Nga Dr. Përparim Kabo shkruar ne rastin e 90-vjetorit te lindjes.
Jehona e ftesës i shkoi atje në eter, tek bënte prova për të interpretuar një figurë historike në moshën e thellë. Mjekra po ajo, e bardhë dhe e rritur goxha sa që shtrihej gjoksit të mpakur. Por zëri ishte po ai, i thellë, kumbues. Dhe drita e syve ashtu e ndritshme, që vinte nga puset e mirësisë dhe enigmës njerëzore. Duhej të paraqitej në Teatrin Kombëtar sepse një “projekt i madh kishte nevojë për të”. Ftesa ishte e çuditshme. Pa emrin e atij që e ftonte, porse paraqiste atë formulën që ai e kishte pasur si himn dinjiteti: “Kokën lart djema, kush nuk ka vdekur ronë akoma!”. Oh kishte thënë me vete Kadri Roshi, ç’ne Arturo Ui më kërkon mua, jemi ndarë herët me të, ato kishin qenë fjalë e tij? Mbase duan ta rivënë në skenë me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të atdheut dhe mund t’u jap ndonjë këshillë?!
-Sa bukur do të ishte, tha me vete! Meditimi e kishte bindur, duke i thënë shko! Dhe ai mori disa orë leje nga Hadheu ashtu si ai luftëtari në Trojë që kërkoi tri orë leje pasi kishte rënë në fushën e betejës, që të shihte se ç’bëhej jashtë.
Ecte rrugës me jakën e palltos së ngritur dhe shikonte qytetin. Ai kishte mbetur po i njëjti, por edhe kishte humbur shumë nga identiteti, me zhurmë dhe fast-food-e, me reklama femrash të zhveshura shëmtuar, me librari të vockla që shisnin revista dhe pak libra, me autobusë të palarë dhe me makina luksoze, me lypsa mjeranë dhe me policë me bark të fryrë, me kazanë plehrash anës rrugës dhe me tellallë veriorë, që luajnë në def e në dajre rrugëve pa motiv…!
Eh psherëtiu Kadri Roshi, sa rrëmujë mbeti kjo foleja jonë, pse dreqin kështu? Si nuk u morëm vesh një herë ta bënim si duhej fatin tonë. Kur do të pelegrinojnë më shumë në Teatër se sa në mitingje dhe ahengje këta njerëzit e mi të dashur, shqiptarët zemërbardhë. Eh Tirana ime, kisha mall për ty. Megjithëse rrëmujë, ke diçka që më tërheq. Ja mali Dajtit, po ai, madhështor, i heshtur. Sa kujtime kam këtu në këtë qytet, në këto rrugë dhe rrugica!
-Eh Kadri, ti dhe Tirana mund të flisni për njëri-tjetrin pa mbarim. E njoh dhe më njeh, apo më saktë më njihte, sepse ja, tani askush në rrugë nuk kthen kokën të më thotë mirëmëngjes. Kaq shumë kam ndryshuar?! Edhe Tirana është tjetër, gati e përçudnuar, por unë e ndjej me aromë se është ajo, qyteti që lindi nga një ëndërr!
-Po mirë dreqin, tha me vete, po pse kaq herët, viti sa ka bërë këmbë, 2014-ta. A mos vallë duan të më bëjnë surprizë?! Me sa mbaj mend unë, i 1924-s jam dhe në aritmetikë i bie që të bëj 90 vjet fiks sot, më 4 janar. Dhe ftesa kështu thoshte, më datë 4 të janarit të presim. Po, po e drejtë. Kam 83 vite mbi tokë dhe 7 vite nëntokë. Eh dreq o punë më duket se më kanë zënë në çark”?! Ceremoniali, duartrokitjet, fjalimet, çmallja me miqtë e shokët, aktorët në radhë, dekorimet, udhëheqja që vjen të tregojë dashurinë e thellë sublime, e mandej fjala ime e rastit. Gazetarët dhe televizionet. Aktorët e rinj dhe studentët e arteve. Meditonte Kadri Roshi, ndërsa e la rrugën e Durrësit dhe mes përmes sheshit ‘Skënderbe’, i afrohej Teatrit Kombëtar. E ndjeu që gjunjët iu prenë. Fryma po i mbahej. Ndali një çast dhe e ndezi. Vetëm duhani e qetësonte. Tek gërmonte në xhepa që të takonte çakmakun, ndeshi në një grep. I kishte mbetur që nga ajo ditë, e 6 shkurtit 2007 – kur kishte ikur nga kjo botë. Eh buzëqeshi hidhur dhe tundi kokën si t’i jepte miratim vetes.
De Rada ishte me një cironkë në xhep kur iku nga kjo botë, po ama bëri shumë për shqipen tonë të bukur. Po ja dhe unë bëra jo pak në skenë dhe në ekran, dhe grepin e kam ende në xhep. Me të mund të peshkoj dhe ëndrra dhe fate, dhe role të reja…! Atë ditë që iku nga kjo botë binte shi dhe qielli qe gri. E dha frymën e fundit në krah të së shoqes, Drita Tahos, artistes, që e kishte bërë nuse 60 vite të shkuara, kur ishte djalë i ri 23-vjeçar. Grua me besë nga Gjakova, fisnike me halle dhe me virtyte, që i fali dy fëmijë, vajzën dhe djalin, të dy me art u morën. E gjithë familja si një çetë profetësh të artit.
– Eh jetimit thoshte Kadriu, nuk i qesh buza. Dy vjeç e kishte lënë e ëma Sabria dhe 12 vjeç i ati, avokati i shquar Maksuti, njeri i drejtësisë që kishte ditur me dinjitet dhe profesionalizëm të fitonte çështjet në gjykata.
– Mos duhej të kisha shkuar nga familja fillimisht, pyeti veten? Pastaj nga “shtëpia ime e shpirtit dhe e pasionit”, këtej nga Teatri, ku endacaku dikurshëm, jetimi që brodhi në Vlorë e në Durrës, në Kavajë e Tiranë, në Gjirokastër e ku nuk shkeli, mbërriti një ditë pasi kishte punuar hamall në port, dhe kishte prerë biletat tek dera e kinema ‘Republikës’.
-Eh ajo kinema! Ktheu kokën në atë krahë dhe pa një godinë të lartë. Po ajo ç’është pyeti veten? Kolla ia mori frymën dhe kraharori i ngrihej dhe ulej.
– Pa shih tha, dhe një kryq në atë drejtim, qenka katedrale.
– Eh Kadri, Kadri i tha vetes, mos je ngatërruar more njeri, mos nuk është qyteti yt ky?!
– Po ja Kulla e Sahatit qenka, dhe Xhamia e Et’hem beut ja ku është. Jam në udhën e duhur, jepi këmbëve plak! Të presin njerëzia, nuk bën të shkosh me vonesë, ti kurrë nuk ke shkuar vonë në Teatër! Mbërriti fiks në orën 9-të tek porta e hekurt e Teatrit! Sytë iu çelën dhe shpirti iu ndez e iu bë qiell, ajri ishte ndryshe këtu. Iu bë se nga brenda godinës dëgjonte zëra, që i flisnin “Erdhe mjeshtër! Oh sa mall! Eja në skenë eja! Po të presim me dëshirë të përvëluar!”. Tek porta ia befi një polic, nga këta privatët që e kishte gojën plot duke u mbllaçitur.
-Eh xhaxhi kë kërkon? Iu drejtua Mjeshtrit, që loti e kishte tradhtuar. Në faqen e rreshkur ai kishte bërë një gjurmë që shkëlqente. Ky boshllëk tek porta përmbysi në çast gjithçka që kishte paramenduar.
-Drejtori nuk është se ja, nuk e ka makinën, i tha polici, vjen apo nuk vjen nuk di gjë unë. Thonë që e kanë hequr dhe do sjellin një të ri nga jashtë shtetit. Të tjerët i ke tek kafja këtu jashtë, tek Galeria, këtu në kthesë.
– Po mor bir po, e shoh psherëtiu Mjeshtri, e shoh që qenka shkretuar gjithçka. Eh Kadri Roshi dhe t’i prisje ceremoni për 90-vjetorin e lindjes?! Eh more naivi i shkretë?! Eh kush kujtohet më për ty?! Ministri a ministria kushedi se ku është?! Mbase bën pushime dimërore në ndonjë vend alpin e bën ski. Aktorët janë shpërndarë si pa çoban, dhe nën zë përsëriti fjalët e Plakut Mere tek filmi “Njeriu me Top”: “Ikni, ikni ju, ikni dhe qyqja do të këndojë mbi këtë shtëpi, O Allah tunde një herë nga themelet, dynjaja u shthur”.
– Po kush je ti zotrote e pyeti polici? Se ku të kam parë unë ty? Mos je ai aktori, Anastas Kristofori, që vjen ndonjë herë këtu? – Ashtu të dukem ia ktheu mjeshtri, si Anastas, jo si Kadri?!
– Ha ore i gjorë, ha me karar atë që ke në gojë se mos mbytesh oh njeri!
– A të prish punë të hyj të shoh pak teatrin se kam mall?
– Hyr posi, por po qe se ke ndonjë dymijë lekëshe për “lalin”, mirë do bësh?
– Po more do të të jap 10 mijë kur të dal i tha Kadriu dhe 20 mijë po deshe, se nuk më duhen më lekët. Porta e hekurt u hap dhe ai shkoi drejt e tek pylli me bredha dhe pa që dhe Esma Agolli kishte ikur nga të gjallët, Roland Trebicka, Drita Pelinku, Fatos Sela. Me duart e bardha hoqi ca barëra të liga dhe ua zbukuroi me gishta dheun e lagësht. Eh pyll që qan dhe qesh si në skenë! Eh ju drunj mirësie që ditët të këndonit art dhe fjalë magjike! Sapo shtoheni nën pushtetin e heshtjes, çka tregon se po rrallohet pylli në skenë. Oh ja ku qenka dhe Agim Qirjaqi! Oh Agim o bir, oh mrekulli e skenës, oh biri Kadriut po pse kaq shpejt oh bir! Po ama atje tek “Lulëkuqet mbi mure” ti mësues dhe unë kujdestar, diçka bëmë apo jo?! Njerëzit e kanë pëlqyer. Si të thosha: “Zoti drejtor zoti drejtor, ju e dini si u sollën ata me mua, ju vetë më kishit ngarkuar të hetoja”… oh sa bukur ishte të punoje me mjeshtrin Anagnosti, ai ishte vetë rregulli. E kisha provuar herët atë burrë arti.
Tek “Malet me blerim mbuluar”, isha Safa Ymeri atje. Më prishën dasmën dhe nuk mund ta mbaja atë turp, ndaj ia dhashë një të mirë atij tim biri, që la sofrën dhe shkoi me partizanët. Më dhëmbi dora dhe shpirti, po ato sytë e birit (Mevlan Shanaj) më kanë mbetur në mendje, xixonin si yje, eh liria e atdheut!
I puthi trungjet një e nga një dhe i përqafoi i mallosur. Në një çast i tha Roland Trebickës:
– Pa ty bir skena nuk di më të qeshi. Do të duhet kohë që një i dytë si ty t’u vij këtyre brigjeve. E qeshura jote kishte filozofi, ndaj brenda vetes të bënte të qaje! Polici që e ndiqte me shikim nga larg, mendonte se ky qenka i marrë po ishalla ma jep atë 2 mijë lekëshin së paku. Me hapa të lehta hyri në teatër. Heshtje. Ajri i athët vinte nga skena, ashtu i përzjerë me aromën e shfaqjeve dhe me afshin e duartrokitjeve. Një lloj ajri ndryshe ky, krejt i veçantë, që në vend të oksigjenit afron teatër! Nëse oksigjeni të mban frymën gjallë, arti i teatrit të mban gjallë shpirtin, të ushqen mendjen dhe të bën që zemra të të rahë për atdheun, për lirinë, për dinjitetin njerëzor, për dashurinë e pastër, për të mirën. Po ja për këto arsye shkruan Sofokliu, Eskili dhe Euripidi, Shekspiri dhe Shileri, Gogoli e Çehovi, Besim Levonja dhe Kol Jakova, Ndrek Luca dhe Fadil Paçrami, Spiro Çomora e Vedat Kokona, Ruzhdi Pulaha dhe Fadil Kraja. Sa hyri në sallon lexon në një pllakë metalike, “Salla ‘Kadri Roshi’”. Nuk u beson syve. Unë paskam dhe një sallë këtu? Dhe qeshi nën buzë, kur iu kujtua ajo që thoshte shpesh me vete në dilemën e modestisë:
– “Mos u tregova mendjemadh? Po mirë xhanëm dhe mendjevogël nuk duhet të tregohem”.
Po i shtrenjti Kadri Roshi, ish-ministri Kulturës, Bujar Leskaj, e bëri atë veprim civil dhe të kulturuar, sallës së Teatrit Kombëtar i vuri emrin tënd Kadri Roshi. Ishin ato net të stuhishme kur ti mbushje sallën deri në shembje.
Ishin duartrokitjet që nuk reshtnin, ovacionet me bravo që nuk mund të shuheshin. Kishe lënë frymën dhe artin tënd në atë skenë dhe ky emërim ishte shumë pak për të vlerësuar veprën tënde. Nuk dëgjohej asgjë, pipëtinte vetëm heshtja. Si pa kuptuar ai nisi të flasë, tek shikonte ato foto të mëdha nga shfaqjet varur në mure.
“Heshtja është e tmerrshme, (nisi monologun artisti) e tmerrshme”! Dhe sa kaq u gjend në skenë. Atje fillikat, pa prozhektorë, me një dritëz të zbehtë që vinte nga jashtë. “Heshtja ta vret kujtesën”.
Ajo e shpon shikimin njerëzor dhe bota është e verbër. Më tej ne nuk dimë ku vemi, nuk dimë nga vijmë, nuk dimë kush jemi! “Oh mos! Mos o gjak shqiptari, mos e helmo veten me braktisjen e historisë! Mos u jep pas qejfeve moderne të një bote gënjeshtare!
Pa teatër do të jemi turma indulgjentësh të kohëve të kibernetikës, lypsa dyerve të kancelarive, lavire të orgjive të politikës! Ndal dora me gotën e helmit që në gjumin e pasmë do të na vërë! Zgjohu shqiptar dhe dil nga lumi i harresës, ku gjithçka mbetet për të mos u kujtuar më! O dhoga të kësaj skene, lebetituni si atëherë, shpërtheni në rënkime që flasin dhe shpalleni thirrjen. ‘Njerëz nëse shkoni në teatër, shoqëria nuk verbohet’! Ky është tempulli që na bashkon duke e dashur njëri-tjetrin pa dallime e dasi!”. E mbaroi këtë monolog dhe ra në gjunjë duke qarë me dënesë.
– Pse erdhe Kadri Roshi, i tha vetes, pse?! Të shihje katrahurën. I kishte mbetur kjo fjalë që nga filmi “Gjeneral Gramafoni”. “Xha Parandili i pakët si kandili”. Po tani që kandili i teatrit po mbaronte.
– Si ka mundësi që në skenë nuk ka prova, tha me vete?! Si nuk pashë afishe për shfaqjet e javës?! Si e kanë lënë anijen dhe kanë ikur lundërtarët e artit të frymës njerëzore, teatrit?!
O qiell që më ke dhënë strehë, më ndihmo të them atë që duhet, sepse tani po më duket se po vdes. Po vdiq teatri kemi mbaruar të gjithë. Ndërkohë zëri myezinit vinte nga xhamia. Mjeshtri zuri veshët me duar!
– Jo – i tha atij zëri, – jo të lutem, të respektoj të dua dhe ty, po këtu nuk ke punë, ke tempullin tënd ti. Ky është kryetempull. Ka tjetër zë ky, është zëri që krijoi njerëzimin dhe i dha diturinë që nuk shteret. Ne jemi më të hershëm. Dhe Zoti vjen në skenë të teatrit si personazh! Nisi të përkëdhelte dërrasat e skenës dhe u ul e i puthte një e nga një. Një hop iu bë se dëgjoj që po duartrokitej, ashtu lehtë si me pëllëmbë hijesh, që më shumë të kujtonin krahët e pëllumbave. U ngrit dhe pyeti me zë kumbues. – Cilët jeni ju atje? Flisni o të uruar se tri orë leje kam marrë dhe ende nuk kam shkuar të takoj njerëzit e familjes, fëmijët, nipat dhe mbesat. Hijet iu afruan. Ishin të veshura si për skenë teatri dhe sheshe xhirimi filmi.
Në një zë ato thanë: “Jemi rolet e tua i Madhi Kadri Roshi, të kujtojmë në 90-vjetorin e lindjes, sepse jeta jote është dhe jeta jonë. Pa ty ne nuk do të ekzistonim kurrë në këtë realitet shqiptar.
– Oh rolet e mia psherëtiu – dhe zëri iu mallëngjye Kadriut të Madh.
– Pa hë, më thoni cilët jeni? Unë jam Podgoliseni tek ‘Martesa’ e Gogoli, ai rol që bindi se ti ishe aktor i lindur, pas dy herë refuzimi nga juria, si i patalentuar.
– Eh më kujtohet, edhe Naim Frashërin e skualifikuan herën e parë. Atë pjesë e përkthyem vetë nga frëngjishtja dhe e vumë në skenë. Duartrokitjet e pafundme i thanë jurisë ‘ky është Kadri Roshi që bën për këtë skenë’. Sa u mërzita atëherë kur më refuzuan dy herë. Endesha rrugës i përlotur. Mësuesi i fillores, ai që prekej kur unë recitoja Naim Frashërin, poetin, dhe Migjenin, e rregulloi me Zihni Sakon që më futën në Teatër si sufler. Iu ishte fiksuar atyre të komisionit se unë isha thuthuq. Më mbahej goja. Po jo, unë kisha një familje komshie që kishte 11 fëmijë që u mbahej goja dhe unë i imitoja të gjithë. Aq shumë e bëra këtë punë sa mu bë si sindrom. Eh ata i ranë shkurt ‘ik nuk bën, je i patalentuar’.
– Po ti tjetri kush je, që je përkulur deri në tokë nga respekti? Jam Osipi, roli yt i parë tek pjesa e Gogolit ‘Revizori’. A më mban mend?
– Oh Osip, si nuk të kujtokam ty. Edhe kur u ktheva nga studimet nga Praga, rolin e parë që luajta ishe po ti.
-Eh sa flitej për ty atëherë. Fillove në Kroaci dhe kur u prishëm me Jugosllavët shkove në Çekosllovaki, po ama erdhe me Odlicno-shkëlqyeshëm, kështu e kishe diplomën.
-Po Osip. Dua të të përqafoj dhe po munde ta ndërrojmë këtë pallton që kam mbi shpatulla me veshjen tënde. Dua të shkoj në qiell me këtë kostum shfaqjeje. Osipi heshti një çast.
– Kadri i shtrenjtë, – i tha, – unë mendoj se ato veshje që të kanë shoqëruar në rolet e tua duhet të mbeten këtu, sepse janë historia e teatrit. Janë kultura kombëtare dhe në një muzeum teatri ato do të kishin shumë vlerë.
– Ke të drejtë Osip, u nxitova. Le të qëndrojnë këtu, por me një kusht ama, që të mos humbasin dhe hidhen pa respekt.
– Po hë kush jeni ju të tjerët se qenkeni shumë?
– Po, jemi 215 rolet e tua në teatër dhe në kinema, u përgjigjën njëzëri personazhet e jetës së tij artistike. Ne të bëmë ftesë të të urojmë 90-vjetorin e lindjes. Për ne ti nuk je i vdekur.
– Pa hë, mu prezantoni një nga e një. Unë jam mullixhiu tek ‘Toka e Përgjakur’, unë jam Mark Porovina tek ‘Fije që priten’.
– Eh Mark të dua, por ai nuk ishte film, ishte propagandë, më morën me pahir në atë film.
– Unë jam plaku Mere. Unë jam Xha Hyseni, tek filmi ‘Liri a Vdekje’.
– Ah shqipja jonë! E bukura, e ëmbla, e mençura, bujarja, e vjetra sa vetë jeta, gjuha që këndoi në shqiptarizmën e saj, por që solli aq bukur gjithçka që krijoi literatura botërore për teatrin. – Xha Hysen, ju drejtua artisti, mos u beso kohëve të sotme, se edhe këto mund të na e prishin gjuhën e mëmës. Po vdiq gjuha shqipe Hysen vëllai, nuk ka më shqiptar dhe Shqipëri.
– Unë jam Belul Gjëmëmadhi tek filmi “Ballë për ballë”.
– Afrohu Belul t’ia marrim një herë. ‘O Vlorë e bukur në gropë-skela e parë në Europë’. Si është Vlora Belul? Ëh, kruajti zërin Beluli, si të them.
– Më thuaj Belul si është Vlora se e njoh atë që kur isha fëmijë dhe ecja zbathur për bukën e gojës. Po qe se nuk është mirë Vlora, nuk është mirë Shqipëria Belul vëllai, ndaj ma nda ‘shapin nga sheqeri’.
– Po ja Kadriu i Madh, ka shumë ndërtime dhe po zaptojnë dhe detin.
– Ah me detin e kanë kot, zemërimi i Poseidonit të rrafshon. Po Teatri ‘Petro Marko’ si është?! Ka shfaqje, punohet? Artistët e Vlorës kanë qenë me nam.
– Po edhe punohet mjeshtër, edhe punohet.
– E kuptova Belul s’qenkemi mirë.
– Po ju të tjerët kush jeni? Dhe personazhet shtyhen që të prezantohen dhe të takojnë shpirtin dhe trupin e tyre njerëzor-artistik.
– Avashni more të uruar avashni se do t’u takoj të gjithëve.
– Jam Ademi, Kadri artisti, Ademi tek “I teti në bronz”, të kujtohet, “Zamet e ke Sali e efendi që ta marr kujtim në botën tjetër, hajde më puth një herë në prapanicë”.
I takoi të gjithë, Lefterin tek filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” me regjisor Kristaq Dhamon, ku Tinka Kurti donte Stefanin (e Naim Frashërit). Takoi minatorin tek “Era e ngrohtë e thellësive”, postierin tek “Misioni përtej detit”, Xha Zenunin tek “Rrethimi i vogël”, bariun tek “Kolonel Bunkeri”, Demostenin tek “Apasionata”. Atje u ndal dhe i tha.
– U sollëm keq me atë vajzën, Mirën, o Demosten. Ai djali ynë nuk u bë as piktor, as inxhinier, i përkëdhelur që donte çka nuk meritonte mbeti, tekanjoz. Tek mbaroi se çmalluri me personazhet e filmave, përfshirë rolet edhe tek “Furtuna”, “Skënderbeu”, “Shembja e idhujve” (personazhi Murr Përkeqi e donte shumë atë rol), “Përballimi” (Nazifi që thoshte: Gërmo o Tare gërmo kam qenin e ngordhur atje, merreni, merreni) të gjithë me radhë. Kadri Roshi filloi të takonte personazhet e Teatrit. Hamleti qëndronte i heshtur dhe i tha: “Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja” mjeshtër! Të jesh është e thjeshtë Hamlet, por se jeta e ka fundin me vete, nderi dhe turpi është vepër e njeriut dhe ti këtë më mësove me historinë tënde o princi i Danimarkës në penën e Shekspirit. Sahatndreqësi i “Orëve të Kremlinit” u përkul me respekt dhe i tha: “Zejtar vetmitar. Luanesha vërtet bën një këlysh, por se bën luanin, unë do të rregulloj orët e Kremlinit”.
– I rregulluam ore zanatçi i mirë, por se ato orë me komunizmin brenda nuk sollën liri dhe begati për njeriun.
– Jagua jam mjeshtër, më mban mend?
– Eh Jago, pa ty nuk ka Otello! Si nuk të mbaj mend, sepse regjisori ma dha rolin dhe pastaj ma hoqi. Provoi me të tjerë dhe ngeci, shfaqja nuk po i ecte sepse intriga ishte gënjeshtra dhe kurthi i Jagos dhe erdhi e me tha: hajde Kadri se pa ty nuk bëhet.
– Ashtu është, iu gjegj Jagopersonazhi, unë e kuptoja që nuk e bënin dot të tjerët, isha ngushtë me ta, nuk isha unë, aq sa një ditë i thashë regjisorit: oh më sill Kadri Roshin, oh lëre këtë punë. Ju shfaq tek këmbët Abdyl Frashëri tek “Epoka para Gjyqit”. Kadriu i puthi duart dhe ai e puthi në ballë.
– Abdyl bej, ende që nga Kongresi Berlinit dhe Lidhja e Prizrenit, nuk e kemi gjetur gjuhën me Europën. Afrohet dhe largohet si pa u vënë re, nuk e kuptojmë përse.
– Ah Kadri bir, hija e orientit është më e rëndë se mali, duhet kohë që ta zbojmë nga vetja se nuk është jashtë, por është brenda nesh. Po qe se njerëzia nuk lexon libra, nuk vjen në Teatër, nëse “Epoka para Gjyqit”, nuk rivihet në skenë, çfarë ndodh? Ndodhi që 105-vjetori i “Kongresit të Manastirit”, që na bëri me alfabetin latin të mos kujtohej dhe kështu harrohet historia kombëtare.
– Janë bërë njerëzit si tek “Hijet e Natës” Abdyl bej, e kanë mendjen se ku të fshehin paratë. O atdheu, o pasuria, këtu ndahet shqiptari nga tregtari.
– Ke të drejtë Kadri ylli, – ia preu Abdyli i Frashëllinjëve!
– Ezopi kishte qëndruar si i ngrirë. E përqafoi mjeshtrin, artistin unikal të skenës dhe iu drejtua me këto fjalë.
– Dhelpra ende ashtu thotë se rrushtë nuk janë pjekur. Porse autori brazilian Figueiredo, ashtu si para gati 45 viteve, mbeti i mendimit se: “E kam parë në shumë vende të botës, porse Ezopin që mendova dhe shkruajta, e gjeta vetëm në këtë teatër!”. Në fund të radhës së personazheve ishin pranë e pranë Arturo Ui dhe komisari Memo. I pari që e ngriti në maja interpretimin e tij, por që e shpuri dhe në OAN si për dënim e riedukim. Dhe i dyti që e risollli në skenë me një grup amatorësh së ndërmarrjes dhe ku gati u rrëzua teatri se kishe brenda dyfishin e spektatorëve. Artur Ui i Kadri Roshit e frikësoi diktaturën dhe diktatorin. Në analogji të plotë u flitej njerëzve se nuk po jetonin në liri, se klika shkatërronte çdo gjë, madje edhe shokët e afërt, se jeta nuk vlente, sepse shoqëria e nuliteteve ishte një “trust lulelakrash”. Ndërsa Koha e Komisarëve zhgënjeu të rënët në fushën e betejës, por se propaganda donte spektakël me idealin e tradhtuar. Kur rituali i takimeve mbaroi, mjeshtri i skenës, ‘Artisti i Popullit’, ‘Nderi Kombit’, Kadri Roshi tha këto fjalë: “Këtu doja të lindja, këtu doja të vdisja, këtu doja të ringjallesha, sepse Teatri ka qenë për mua gjithçka, jeta, ëndrra, pasioni, puna, përkushtimi, ideali, fryma dhe dashuria për njeriun. Spektatorët kanë qenë dhe mbeten miqtë e mi më të mirë. Ndaj personazhe iu ftoj të duartrokasim për ata që iu kushtuan teatrit, krijuesit dhe spektatorët. Duartrokitjet zgjatën me ovacione, shumë të gjata, pa fund…!
Në emër të krijesave të tij artistike, ishte caktuar personazhi i Arturo Uis që të bënte pyetjen: “Unikali Kadri Roshi si na krijove?”. Dhe Kadri Roshi duke iu dredhur mjekra u përgjigj: “Ju për mua nuk jeni thjesht njerëz, jeni karaktere dhe duhet të njiheshit në thellësi, me parakushtin që artisti duhet ta dashurojë rolin. Ta njohë thellë, ta kuptojë, ta analizojë në rrethanat me veten, me botën me shoqërinë, me ëndrrën, me bukurinë, me dashurinë, me vdekjen, me intrigën, me prapaskenën, me kurthin, me dallgët e jetës dhe me ato të shpirtit, ato që nuk duken jashtë, por që përmbysin botën, tek e fundit me absurdin dhe paradoksin e tij. Kështu, unë njihja mendimin tuaj, emocionet dhe këto ua transmetoja spektatorit. Arti i skenës është njeriu që ribëhet, që e ka jetën të gjallë, aq sa kufiri mes artistikes dhe njerëzores nuk dallohet. Teatri është jeta në skenë, aq kohë sa jeta është teatri ynë i fatit, i gjithsecilit që jeton me shqetësimin se si është atdheu, ku shkon njeriu, pse bota ende rënkon, qëkurse Prometheu ia dha zjarrin njerëzimit dhe në shkëmb vajti për shpagim! Teatri është filozofia e artit antropologjik, që udhëton me brezat në pelegrinim. Artet e tjera janë bërë dhe industri, teatri mbetet njerëzor, është frymë! Në një moment, artisti pa një njeri.
– Po ti kush je more njeri?
– Jam lundërtari që të merrja në barkë kur peshkonim në Divjakë. Po të pres të shkojmë të hedhim grepat. E pashë në ëndërr që do të vije. Çdo 4 janar vij këtu me besimin se një ditë do të ktheheshe, si Jezusi që pasi u ngjall, para se të ikte në qiell me betimin se do të rikthehej, ua mbushi edhe një herë shportat me peshq nxënësve të tij. Dhe unë kam besuar se do të ktheheshe. Eja tani të mbushim arkat me peshk.
– Ik birë përpara se do të vij, ik, ja sa të shkoj nga shtëpia të çmallem me vajzën dhe me djalin, të puth nipat e mbesat, dhe erdha. Ik, ik, se varka jote është varka e Karonit dhe me të do të kthehem andej nga erdha. Do t’i lë një kacidhe atij policit tek porta dhe kam mbajtur dhe “ovullën” në xhep për taksën e botës së shpirtrave. Më presin atje se jam duke u përgatitur të luaj Priamin në një tragjedi për Trojën dhe Ekuba është Drita Pelinku! Ik bir ik, se do të vij! Ndërkohë nisi të përsëriste një fragment nga teksti i tragjedisë ‘Troja’: “Trojanë trima, emri juaj vjen nga fjala Troja, toka, atdhe. Kjo luftë do duhet të mbahet mend jo thjesht për dashurinë e tradhtinë e Helenës, as për kalin e drunjtë, as për thembrën e Akilit dodonas. Të gjitha këto janë truke që historia të shtrembërohet, të fshihet, të zhbëhet, e të rishkruhet ndryshe në shekujt që do të vijnë. Mos harroni kush jemi ne. Jemi pellazgët, qytetarët e parë të këtyre hapësirave, para se këtu të zbrisnin ata që do të quhen helenë. Jemi ne që krijuam mitologjinë pellazgjike dhe me gjuhën tonë folën zotat. Njerëz, populli im trim, po harruam se kush jemi, e gjithë historia do të jetë për ne një fat i mbrapshtë. Dhe në mijëvjeçarë do të mbetemi jetimë!”. U bë sikur zëri erdhi nga qielli dhe mjeshtri humbi mes një drite verbuese!
Ishte 4 janar 2014! Institucionet ishin në gjumë!
Nga Dr. Përparim Kabo shkruar ne rastin e 90-vjetorit te lindjes. Ilustrimi me foto nga “Kinematografia Shqiptare”
Na ndiqni edhe ne:
Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw