Kujtim Laro (1947-2004), njeriu që bëri histori në muzikën e filmit shqiptar!

0
2077

Kujtim Laro (1947-2004)
Kompozitor i shquar ne vecanti ne formulimin e kolonave zanore te filmave shqiptar te Kinostudios. Mbante titullin “Artist i merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë.

Një nga figurat më të rëndësishme në kinematografinë shqiptare dhe muzikë. Muzika e tij nuk përbëhej vetëm nga nota. Ajo ishte dhimbje, valë deti, një iso e gjatë e kënduar nga burrat e jugut. Kolegët e tij e quajtën Enio Morrikone, kompozitorin më të madh të të gjitha kohërave në gjininë e muzikës së filmit, të papërsëritshëm, një gjenialitet i prerë në mes.

Kujtimi lindi në qytetin bregdetar të Vlorës në 8 maj të vitit 1947 dhe kaloi fëmijërinë ne kete qyetet. Prindërit e tij nuk ishin muzikantë, por njerëz të thjeshtë, me botë e me shpirt të madh. Babai, shofer, pati shumë besim në të ardhmen e Kujtimit, kurse nëna edukoi tek i biri ndjenjën e dashurisë për të mirën dhe të bukurën. Ishte pastaj Vlora, me historinë, traditat dhe njerëzit e saj, me bukurinë dhe peizazhin e mrekullueshëm, që ngacmuan dhe nxitën te Kujtimi frymëzimet e para. Në fillim, mbase një fërshëllimë e lehtë nëpër buzë apo një melodi e thjeshtë, që harmonizohej me valëzimet e detit të kaltër, me shushurimën e ullishtave, limonëve, portokajve, dhe, më pas, pjesëmarrja në koncertet e fëmijëve vlonjatë, që përvijuan rrugën e tij krijuese.

Bregdeti i Jonit, polifonitë dhe elegjitë e jugut, ishin frymëzimi i tij, andaj edhe muzika e tij tingëllonte aq ëmbël, aq shqip.
Studimet e larta, ai i kreu në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua në vitin 1970. Më pas ai do të punonte, pranë Akademisë së Arteve, për vite të tëra si pedagog në degën e kompozicionit. Ai ishte gjithashtu drejtor artistik në Ansamblin e Ushtrisë. Derisa ishte student, ka punuar shumë pjesë muzikore që do të ishin lajmëtaret e para të suksesit të tij në fushën e krijimtarisë muzikore, si “Variacione për violonçel dhe orkestër”, “Koncert nr. 1 për violinë dhe orkestër”, ” “Poema simfonike””. Pasi emërohet si drejtor artistik në Ushtrinë Popullore (UP), krijoi mbi 16 tablo koreografike nga të cilat janë: “Labëria”, “Bilbilenj e trembëdhjetë”, “Vëlla e motër”, “Yje për Liri”, “Pesë heronjtë e Vigut ” dhe gjithashtu ka krijuar shumë këngë, korale, kantata, përpunime, suita vokale etj
Gjithashtu kompozime në zhanre të ndryshme si, “Baladë për Selam Musain”, “Baladë për Ismail Qemailin”, etj; Katër rapsodi , “Koncert nr. 2 për violinë dhe orkestër”, etj.


Edhe pse i ka lëvruar të gjitha gjinitë muzikore, më të dashurat për të kanë qenë muzika e filmit dhe kënga. Firmën e tij mbajnë kolonat zanore të rreth 30 filmave të njohur artistikë, si “I teti në bronx”, “Në fillim të verës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Militanti”, “Vendimi”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Partizani i vogël Velo”, “Fletë të bardha”, etj.

Gjatë karrierës së tij, ka bashkëpunuar me regjisorët më të mirë shqiptarë, si Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Kristaq Mitro etj. dhe të gjithë ndihen të nderuar prej këtij bashkëpunimi dhe të ngushëlluar prej faktit që muzika e tij do të mbetet e gjallë në filmat e tyre. Krijimtarinë e tij në këtë gjini e ka nisur me filmin “I teti në bronx” dhe e mbylli me kolonën zanore të filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”, të shfaqur vetëm pak muaj më parë në kinematë e kryeqytetit dhe që u quajt prej kolegëve të tij, si “kënga e fundit e mjelmës”.

Pavarësisht cilësisë kinematografike të filmit, muzika e krijuar nga Kujtimi është në nivelet botërore, përsa i përket ndjeshmërisë, ngjyrës dhe emocionit që përcjell. Pjesëmarrës në festivalet e Këngës në Radio e Televizion, që nga i dhjeti e deri sa Kujtim Laro jetoi, gati të gjitha këngët e tij janë vlerësuar me çmime të para, të dyta dhe të treta, janë interpretuar nga këngëtarë të mëdhenj: Vaçe Zela, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Alida Hisku, Adriana Ceka, Pandi Zguro, Alma Bektashi, Myfarete Laze… Bashkë me emrat e këngëtarëve na vijnë të freskët tingujt dhe muzika e këngëve “Gjurmë Gjaku”, “Buka e duarve tona”, “Në çdo zemër një herë troket”, “Zhgënjimi”, “Djepi i trimërisë”…

Keshtu pra, “Morrikone” shqiptar, mestro Kujtim Laro ka qenë edhe një kompozitor besnik festivalesh. Ndër krijimet e para të tij ka qenë kënga “Buka e duarve tona”, një bashkëpunim me poetin Xhevair Spahiu, e kënduar nga Alida Isku dhe Ema Qazimi, e cila në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, në vitin 1976, ka fituar çmimin e parë. Më tej kanë vijuar të tjera këngë, si “Mirëmëngjes!”, kënduar nga Irma Libohova, që ka marrë çmim të dytë, këngën “Të kisha pritur” kënduar nga Adriana Ceka, e shumë të tjera, për të mbërritur tek kënga e mrekullueshme “Zhgënjimi”, e kënduar në Festivalin e Këngës në RTSH të vitit 1996, nga këngëtarja Alma Bektashi.

Në festivalin e 41-të, ai u nderua me trofeun e kompozitorit më të mirë, ndërsa në vitin 2001, u nderua me çmimin “Muza”, në konkursin me të njëjtin emër, për muzikën klasike. Edhe pse vuante nga një sëmundje e pashërueshme, madje qe i ishte nënshtruar edhe një operacioni në stomak, ai vazhdonte të punonte. Mbi pentagram kanë mbetur ende punë të papërfunduara.

Ai ishte ne process pune per Operën “Një vjeshtë me stuhi”, të kompozuar nga Dhora Leka, gjatë viteve të internimit të saj. Kujtim Laro po punonte për orkestrimin e kësaj vepre, por nuk arriti ta shihte në skenën e TOB-it, ku ishte parashikuar të shfaqej për festat e Nëntorit te vitit 2004.
Duke gdhirë e mërkurë, 28 korrik zemra e kompozitorit dhe Artistit të Merituar, Kujtim Laro, pushoi së rrahuri. Ishte 57 vjeç, kishte edhe shumë vite të tjerë për të jetuar, por jeta vërtet qenka e çuditshme, të pret në besë atëherë kur nuk e mendon.

Për kontributin që ka dhënë për kulturën shqiptare, kompozitori Laro mbante titujt “Artist i merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë, megjithatë është fare pak për njeriun që bëri histori në muzikën e filmit.

KONTRIBUTI NE FESTIVALIN E KENGES
1970 – Fest. 9-te – “Peisazh punetor”
1971 – Fest.10-te – “Biri i te gjithe nenave”
1972 – Fest.11-te – “Nje dege e gjelber”
1973 – Fest.12-te – “Gjurme te arta”
1974 – Fest. 13-te – “Derdhem gjak e hodhem rrenje”
1975 – Fest. 14-te – “Buka e duarve tona”
1977 – Fest. 16-te – “Komuniste te rritesh”
1978 – Fest. 17-te – “Djepi i trimerise”
1979 – Fest. 18-te – “Me gjak shkrove historine”
1980 – Fest. 19-te – “Njerezit e agimeve”
1981 – Fest. 20-te – “Flaka e betimit”
1982 – Fest. 21-te – “Kur zemrat rrahin si nje zemer”
1987 – Fest. 26-te – “Mes dy yjesh ngjan si hene”
1988 – Fest. 27-te – “Ne cdo zemer nje here troket”
1989 – Fest. 28-te – “Ti je dashuria ime”
1991 – Fest. 30-te – “Kembanat e shpreses”

U publikua per here te pare ne Kinematografia Shqiptare , Facebook ne maj 2016 dhe u rishikua ne vitet vijues.
Fotot: kontribut i administratoreve te faqes.

___________________

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here