Labinoti!

0
1171

Në foto, shihen një grup lojtarësh të Labinotit, menjëherë pas ndeshjes me Partizanin në Tiranë. Menjëherë pasi janë shpallur kampionë edhe matematikisht .

Kampionati dhe sezoni më i bujshëm por edhe më i çuditshëm futbollistik. Shqipëria me Shpresën dhe Kombëtaren në momentet më të bukura të historisë por, pa asnjë lojtar të Labinotit! Një ekip i cili shpallet kampion duke thyer hegjemoninë e emrave tradicionalë kampionë të vendit por edhe me një fat të jashtëzakonshëm. I vetmi kampionat kur, sapo humbiste diku një pikë e kështu rrezikohej vendi i parë për kryesuesen, matematikisht, në të njëjtën ditë, ndjekëset linin pikë! Ishte viti kur Partizani regjistron dy humbjet historike 0-3 me Naftëtarin me dhjetë vetë pa portier dhe 2-5 me Luftëtarin, madje, pasi kryesonte 2-0 ose kur Vllaznia humbiste në Shkodër 0-1 prej 31 Korrikut që ra nga kategoria! Rekordi i një portieri, i cili pëson gol për herë të fundit javën e 13të (1-1 me Luftëtarin në Gjirokastër) dhe ripëson pas plot 1037 minutash më 13 maj por, një gol që nuk prish fare punë sepse ishte dita kur shpallej Kampion! Një sulmues krejt i panjohur, Zyber Bega i ardhur…nga asgjëkundi, fazën e dytë, si askush tjetër shënon vetëm gola fitoresh, gjashtë në gjashtë ndeshje por që kanë vlera aq të mëdha sa fitimi i një kampionati! Si të vendosur simbolikisht në foto, i pari është portieri Bujar Gogunja dhe i fundit Zyber Bega, emrat që edhe sot të vijnë menjëherë në mend kur kujton sezonin 1983-1984. Pa diskutim që asgjë nuk do të arrihej pa punën e trainerëve Jorgaqi dhe Stringa por edhe pa djersën e Lunikut, Tafanit, Asllanit, Deliut, Agalliut, Staçenit, Popës, Lleshit, Mitrollarit, Ramës pra, të tërë atyre djemve të mrekullueshëm që përbënin ekipin shumë simpatik të labinotit të Elbasanit në vitin 1984!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here