Lec Shllaku (1921-2007)
Regjisor , aktor, shkrimtar. “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit te Elbasanit. Punoi si regjisor ne Teatrin “Migjeni” dhe me vone ne “Skampa”, Elbasan
U lind në Shkodër në 3 nëntor 1921. Mbeti jetim nga babai që 4 vjeç. Bashkë me nënën dhe dy vëllezërit u rrit në shtëpinë e dajës, i cili ndonëse me profesion rrobaqepës, kishte hobi skenën, bejtet, karnavalet e sportet.
“Ndjeja nji prirje të veçantë për artet e dijet. Në krye të herës kur do të shoshiteshin prirjet e mia, ngurrova shumë për t’u binde se çfarë emërtimi do të kishte rruga ime. Doja të bâhesha nji profesionist i mirë e t’arrija përsosuninë. Me teatrin e poezinë, ma së pari m’afroi Daja im, teatrist i shquem i skenës shkodrane e bejtar në zâ i Karnevaleve.”
Fillimet e tij artistike i përkasin teatrit amator, para dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 – 1949 ai vë në skenë me amatorët, disa pjesë të suksesshme, ku angazhoi një sërë aktorësh amatorë, që më vonë u bënë bërthama e teatrit “Migjeni”, që u krijua në vitin 1949. Të kësaj kohe janë pjesët “Agimi”, “Kopraci”, “Jeta fillon përsëri”, “Shërbëtori i dy zotnive”, “Tirani i Padovës”, etj, pjesë që patën suksesin e vet, të vëna në skenë në harkun kohor 1945 – 1960. Për një vit, 1949-’50 punon në Teatrin Qendror të Ushtrisë.

Prej vitit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri m’at kohë udhëhiqej prej Andrea Skanjetit. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi gjenial âsht edhe vendosja në skenë e «Kopracit» me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor.
Së bashku me regjisorin tjetër të këtij teatri “Artistin e Popullit” Andrea Skanjeti, Lec Shllaku ka merita në konsolidimin e këtij teatri, të cilët i dhanë atij një fizionomi kombëtare dhe u bë teatri i dytë me rëndësi në Shqipëri, që për vite krijoi vlera të mëdha dhe që u ballafaqua me sukses edhe me teatrin kombëtar, apo ata të rretheve.
Në vitin 1962 me urdhër të ministrisë ngarkohet të themelojë teatrin e Elbasanit. Një punë që ai e nisi nga fillimi e që për mëse 8 vjet pune të palodhshme si autor dhe regjisor, bëri një punë të madhe regjisoriale, krijoi një trupë të suksesshme dhe e ngriti këtë teatër në rangun e teatrove më të mirë kombëtare. E kanë cilësuar si regjisori që shtroi bazamentin e shëndoshë të një trupe cilësore teatrale profesioniste.
“Në qeverisjen e mbasluftës autorët e huej të mdhaj, filluan me u përfillë në skenat tona përkatsisht pak si vonë. Për t’i futë në skenat profesioniste, pranë Ministrisë së Kulturës ishte ngritë nji komision i posatshëm. Ai përgatiste listen e autorëve të huej e u hapte dritën e blertë vetëm atyne që gjykoheshin si ma “edukative” d.m.th. kritikonin e godisnin ma egërsisht klasat e nalta me të drejta përjashtimore, sidomos ato të feudalizmit e të kapitalizmit. Edhe kur kaloheshin në peshoren e përzgjedhjes për blatim bashkësive artistike profesioniste të provincave – këto tipare duhet të peshonin shum ma randë se vlerat e tyre artistike.”
Janë 13 premiera, 10 drama e 3 komedi, që i dhanë shkëlqimin si regjisor. Ndër pjesët e tij më të suksesshme përmendim komeditë “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Udha e Zavalinjëve”, dramat: “Shatë shalianët”, “Fundi i një intrige”, “Skënderbeu”, etj.
Në vitet 60-70 skenën e Teatrit Profesioinist e zotëronin disa emra të shquar e të mëdhenj si Nazmi Bonjaku në Vlorë, Lec Shllaku në Elbasan, Kujtim Spahivogli në Tirana, Gjergj Vlashi në Durrës, Pirro Mani në Korçë e më pas në Tiranë, Serafin Fanko në Shkodër.
“Kështu në vitin 1962 më dërguen në Elbasan, ku themelova dhe drejtova për nji dhjetëvjeçar teatrin «Skampa» dhe ku m’u dha mundësia me çilë horizonte të reja e me njohtë nji realitetet që ma ka ndihmue shumë. S’mund të rri pa kujtue aktorët e mëdhaj Robert Ndrenika dhe Demir Hyskja, por më bjen ndër mend edhe vlerësimi që dha Viktor Eftimiu për aktorin Haxhi Sejko, kur ndoqi shfaqjen e “Njeriu që pau vdekjen me sy”: Të këtillë aktorë as teatri ynë në Rumani nuk i ka.”
Në vitin 1970 largohet nga teatri “Skampa” dhe për çudi nuk e emërojnë në teatrin “Migjeni”, por mësues në shkollën 8 – vjeçare në Koplik, me idenë të angazhonte edhe vatrën e kulturës (?!), qëndroi deri sa doli në pension, por që u angazhua edhe me Institutin e Shkodrës, ku vuri me ta 11 pjesë teatrale.


Lec Shllaku është aktivizuar dhe në disa filma, kryesisht në role negative: “Skënderbeu” (1953) në rolin e Gjon Kastriotit, “Ngadhenjim mbi vdekjen” (1967); “Yjet e neteve te gjata” (1972) si oficeri Obersturmfyrer; “Rrugicat qe kerkonin diell” (1975) si kuestori; “Plumba Perandorit” (1980) gjykatësi; “Qortimet e Vjeshtës” (1981) në rolin e priftit; “Rruga drejt lirise” (1982) Gjelosh Marashi ;
Në vitin 1994 mori pjesë edhe te filmi “Larg barbarëve” i regjisores franceze me origjinë shqiptare Liri Begeja, dhe këtu në rolin e përkthyesit Jusuf Vrioni.
Pas vitit 1990 iu përkushtua të shkruarit. Mbasi doli në pension, ai e vazhdoi aktivitetin e tij, kryesisht në fushën e letrave. Që prej 1997-s, emigroi në Athinë, së bashku me djemtë e tij, Primo (poet) dhe Brunon (aktori teatrit “Migjeni”). Për aktivitetin dhe kontributin e tij të veçantë është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Deri në vitet e fundit të jetës Lec Shllaku nuk u ndal së punuari. Shkroi me vërtetësi e pasion historin e teatrit shkodran, është autor i monografive kushtuar figurave të tilla të kulturës e skenës si Zef Jubani, Loro Kovaçi, Palokë Kurti, etj, është autor i disa vëllimeve me poezi e prozë, madje duke lëvruar dhe lloje të gjata të këtyre gjinive si poema “Norja e Nika” në vitin 1995, “Kur lindej teatri”, “Loro Kovaçi 1903-1966” (monografi) , apo romani i fundit “Historia e një plage”. Në 5 vitet e fundit botoi plot 7 libra, një ndër të cilët, libri me përshtypje udhëtimi “Dy hapa në Perëndim” është botuar në italisht dhe greqisht.
U nda nga jeta në 5 gusht 2007, por la pas një emër, la një vepër e cila nuk ka gjetur ende vlerësimin e saj. Emri i Lec Shllakut i shtohet emrave të shquar të kësaj familje që kanë një kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm në kulturën tonë kombëtare, shto këtu edhe përkthyesin e madh, vëllanë e Lecit, Gjon Shllaku.
“A e kam frikë vdekjen? Kam frikë vuejtjen, të cilën s’e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s’e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh. Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t’i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue ka qenë hupja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi.”
Mban titullin me te larte “Artist i Popullit” dhe Qytetar Nderi i Elbasanit.
Filmografia
Skënderbeu (film) – (1953)… Gjon Kastrioti
Ngadhënjim mbi vdekjen – (1967)
Yjet e netëve të gjata – (1972)… Obersturmfyhrer
Rrugicat që kërkonin diell – (1975)… Kuestori
Plumba perandorit – (1980)… Gjykatësi
Qortimet e vjeshtës – (1981)… Prifti
Rruga e lirisë – (1982)… Gjelosh Marashi
Loin des barbares – (1994)… Réfugiés Mourmelon
________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Follow us: Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/ Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com) Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw