Edhe sot e kësaj dite, megjithë faktet e vërtetuara të paktën teknologjike, në Angli, goli i Xhof Harst (Geoff Hurst), i cili në thelb i fali Anglisë të vetmin titull ndërkombëtar, konsiderohet pa pranuar asnjë hezitim, gol i rregullt!
Në Gjermani…nuk do ta pranojnë kurrë!
Për shumicën e njerëzve, futbolli bashkëkohor, fillon nga Kupa e Botës 1966. Era e ndryshimeve për sa i përket “Lojës Magjike” ndihej kudo në prag të atij kompeticioni atë vit në Angli. Së pari, si aktivitet, u zhvillua pikërisht aty ku futbolli pati lindur. Në Angli! 75 shtete morën pjesë në eliminatore, numri më i madh në pjesëmarrje ndonjëherë. Portugalia, si ekip i shfaqur për herë të parë, do të pagëzohej si një nga më të mirat e botës dhe së bashku me Korenë e Veriut, dëshmuan se tashmë, futbolli, nuk i përkiste më vetëm vendeve që ndodheshin që në fillime në hartën botërore të futbollit si Uruguai,Argjentina,Brazili,Italia,Hungaria etj.
Mbi të tëra, ndonëse ishte shpallur Kampione Bote 12 vite më parë, për Gjermaninë Perëndimore, pikërisht nga ky vit, 1966, merr jetë historia e lavdishme e saja në futboll në skenën botërore duke qenë skuadra përfaqësuese më e fuqishme deri më sot me pjesëmarrje në finale në vitet 1966,’74,’82,’86,’90,2002 dhe 2014, herë fituese më 1974,1990 dhe së fundmi më 2014 por edhe thuaj se gjithnjë prezente ndër gjysëm finale si më 1970,’78,2002,’06 dhe 2010 që prej 1966!
Që nga paraqitja e saj e parë, Gjermania Perëndimore, si të thuash “martoi” futbollin me ndjenjat si E Pabesueshmja (Zvicër 1954 me Hungarinë), Heroizmi i të luftuarit deri në fund (Angli 1966), Zhgënjimi (Spanjë 1982 me Algjerinë) dhe në përgjithësi, çfarë do që të ndodhë, të lësh fushën me kokën lart (Japoni – Kore e Jugut 2002, Gjermani 2006 dhe Afrikë e Jugut 2010), të të kenë frikë edhe kur të tjerët janë ekip më i mirë, të bësh botën të mendojë se fusha e futbollit ngjan me një fushë beteje kur sheh në të një grup të disiplinuar dhe shpirt luftarak të një niveli ushtarak!
Pa pikë dyshimi, protagonistë të risisë “Qëllimi justifikon Mjetin” (Zvicër 1954,Spanjë 1982,Meksikë 1986) duke gjetur një formulë të artë në blerje dhe lënie ndeshjesh deri edhe në shmangie të vendit të parë në grup për të evituar përplasjen e ardhshme, formulë e cila nuk gabon kurrë në matematikën e nevojshme të planit qendror për vazhdimësinë e sigurtë drejt finales!
Gjithashtu kemi të bëjmë me ekipin protagonist të thuaj se çdo ndeshjeje të paharruar të shekullit të kaluar, beteja të cilat nuk janë të pakta si me Italinë më 1970, Francën më 1982 etj.
Këta janë gjermanët, plus, thënien e famshme të Gary Linecker!
Tani…vetë ata, akoma nuk kanë arritur të kuptojnë mirë se, çfarë pikërisht është Italia por kjo është një çështje tjetër!
13 vjet më parë, Anglia ishte turpëruar si kurrë ndonjëherë më parë por edhe për të ardhmen në historinë e saj kur humbiste 3-6 në Wembley prej Hungarisë dhe 7-1 në revansh në Hungari!
Një prej lojtarëve që u gjendën në “Ndeshjen e Shekullit” e cila turpëroi botërisht anglezët, ishte edhe sir Alf Ramsey i cili tashmë, gjendej si drejtues i kombëtares angleze pikërisht para syve të mbështetësve të saj, në vendin ku lindi futbolli dhe me detyrën historike të mos dështonte të mos merrtë Kupën e Botës!
Në qoftë se nuk do të kishte ndodhur aksidenti ajror i misionit të Machester United i cili kthehej nga Beogradi në Mynih më 1958, ndoshta gjërat do të mund të ishin shumë herë më mirë për anglezët. Njëri prej të shpëtuarve, atëherë vetëm 17 vjeç dhe aq i panjohur sa edhe një lojtar rezervë, Robert (Boby) Charlton, tani ishte “kollona” e ekipit të cilit, pretendimet e publikut, ja bënin fanellën shumë të rëndë! Ngjajnë me gladiatorë të cilët janë të destinuar të fitojnë deri në fund, në sytë e tifozëve krejt të veçantë anglezë, nën vështrimin e mbretëreshës dhe përpara kombit! Gordon Benks, Nobi Staills, Robi Mur,Xhof Harst,Xheki dhe Bobi Çarlton,Rei Uillson,Martin Piters,Roxher Hant dhe Alan Boul ishin të zgjedhurit e historisë për të qenë aty! Nga ana tjetër, Hans Tilkovski,Hëtges,Overath,Shnelinger,Uve Ziler,Haler,Emerih,Veber,Held,Shulc, Franc Bekenbauer dhe “strategu” i paharruar i historisë së futbollit gjerman Helmut Shën, ishin brezi në nisje drejt kulmit të historisë për futbollin gjerman!
Anglia, nuk ishte ekipi që të trembte në sulm dhe deri në finale patën shënuar pesë gola në katër ndeshje. madje e patën nisur me një 0-0 zhgënjyese në ndeshjen e hapjes me Uruguain, por, kishin një Gordon Benks fantastik në portë dhe një mbrojtje e cila nuk pësonte kollaj gol me Nobi Stajlls,Xheki Çarlton,Rei Uillson dhe kapitenin Bobi Mur. Patën pësuar vetëm një gol me penallti në gjysëm finalen ndaj Portugalisë së shkëlqyer së Eusebios.
Gjermania pati shënuar plot 13 herë deri në finale dhe patën pësuar vetëm dy! Me kalimin e kohës u kuptua se emrat e njëmbëdhjetëshit gjerman ndillnin frikë në dëgjimin e tyre madje, disa lojtarë prej atij formacioni të Wembley-t, u gjendën për të mbaruar mision e tyre historik në finalen e Mynihut tetë vite më vonë kundër Hollandës më 1974…
Thjesht, bota, për herë të parë dëgjonte emrat e tyre dhe merrte një shije se çfarë nënkuptohej me emrin Gjermania në futboll! Ekziston një teori konspirative që, në udhën e dy ekipeve drejt finales, në bazë të tërë atyre që ndodhën, të fshihet një e vërtetë e hidhur…Që finalja midis dy shteteve europianë të ishte paracaktuar!
Nga njëra anë, me që finalja zhvillohej në Europë dhe nga ana tjetër, me që Brazili ishte fitues i dy Botërorëve të fundit, pati bërë që Amerika Latine të kryesonte në 4-3 në trofe të fituara ndaj Europës!
Në ndeshjen Gjermani Perëndimore – Uruguai, arbitri anglez Jim Finney,ndonëse uruguajanët protestuan për prekje me dorë të topit prej Shnelinger, dëbon kollaj jashtë me të kuqe Horacio Troche dhe më pas Hector Silva (kartoni i kuq ishte rregulli më i ri dhe u përdor pikërisht në Angli më 1966 për herë të parë). Nervat ishin tendosur aq shumë sa Horacio Troche godet me pëllëmbë Uve Ziler-in ndërsa Hector Silva detyron policinë të ndërhyjë në fushë e ta nxjerrë jashtë!
Pele, u traumatizua dhe u detyrua të braktisë ekipin herët, ashtu si edhe Brazili kompeticionin! Në çerek finale,Anglia gjen përballë Argjentinën. Në një moment, krejt pa arsye, arbitri gjerman Rudolf Kreitlein, dërgon jashtë me karton të kuq kapitenin e Argjentinës Antonio Rattin për arsye se…nuk i pëlqente mënyra se si ky i fundit e shikonte!! Sipas “mballosjes” së gazetarëve anglezë, Rattin pati përdorur dhunë verbale ndaj tij dhe arbitri nuk kuptonte spanjisht! Rattin nuk pranon të dalë dhe duke treguar shiritin e kapitenit kërkon përkthyes! Sipas tija dhe por dhe teorisë së konspiracionit, anglezët dhe gjermanët bashkëpunonin për të lënë të tjerët jashtë vazhdimit… Përfundimisht del nga fusha i shoqëruar nga policia! Për një moment, jashtë barit të fushës, ulet i nervozuar sipër qilimit të kuq të shtruar për mbretëreshën Elisabet! Pas ndeshjes, Alf Ramsey cilëson “kafshë” argjentinasit në konferencën për shtyp! Shtypi argjentinas kundërpërgjigjet në mënyrën e tija ditën tjetër duke përqasur maskotin Willie si pirat me stemë mbretërore!
Sfida e përjetshme Argjentinë – Angli sapo ka marrë jetë…Rastësisht ose jo, këto ishin gjëra që ndodhën në udhën drejt finaleve. Sigurisht, ekziston edhe ana tjetër e së vërtetës që thotë se ato të dyja ishin ekipet më të mira dhe me të drejtë u gjendën në Wembley për të diskutuar trofeun absolut!
Finalja nisi si tërë ndeshjet e tjera për anglezët.
Më parë kujdes në mbrojtje e pastaj të tjerat. Ovacionet e 98.000 shikuesve që gjendeshin në Wembley, atë moment mbase shurdhonin tërë globin por gjermanët u hodhën në sulm të parët! Pas një hezitimi të mbrojtjes angleze, Helmut Haler shënon dhe 1-0 për gjermaninë. Deri më atëherë, Gordon Benks, pati shpëtuar të paktën dy herë Anglinë nga gola të sigurtë! Benks, u gjend në orën e kërkuar nga historia në portën e Anglisë dhe me të drejtë, mbetet deri më sot portieri më i mirë i tërë kohërave i kombëtares angleze! Katër vite më vonë në Meksikë, me dëmtimin e mungesën e tija, i hapi udhë Gjermanisë për revanshin…
Katër minuta më vonë Xhof Harst barazon në 1-1.
Dukej se gjithçka do të përfundonte përkohësisht 1-1 por Martin Piters, pas përpjekjeve pa frute të të dyja ekipeve, më në fund shënon në ’78 dhe 12 minuta para përfundimit gjendemi në 2-1 për Anglinë! Tifozët në Wembley kanë kaluar në histeri! Çdo gjë ngjan si një fat lehtësisht i kuptueshëm, i paracaktuar për Anglinë! Por..
Thënia e Gary Linecker se “Futbolli është një lojë e cila luhet 11 kundër 11 dhe pavarësisht se çka ndodh në fushë, në fund fitojnë gjermanët” konkretish i referohet gjysëm finales së Italisë 1990 midis dy ekipeve por, historikisht i ka rrënjët që më 1966! Bota do të njihte për herë të parë virtytin kryesor të gjermanëve dhe për të cilin i iadmiron ata në futboll. Ata, nuk dorëzohen kurrë!
Në minutën e fundit, Uve Ziler, fiton një faull nga e majta e sulmit gjerman shkaktuar nga Xheki Çarlton, i cili, ankohet se nuk shkaktoi faull. Lotar Emerih jo shumë larg cepit të djathtë të zonës angleze, nuk kroson por gjuan tokazi. Topi gjen këmbët e mbrojtësit Xhorxh Kohen por mer një fallco të çuditshme nga e kundërta paralel me portën angleze dhe gjen Benks dhe mbrojtësat të zhvendosur nga vendet dhe aty Volfgang Veber me një përpjekje heroike fluturon drejt shtyllës së dytë dhe arrin ta shtyjë në portë. 2-2!
Për herë të parë në historinë e Kampionateve Botërorë, një finale shkon në shtesë!
Që në fillim të 30 minutëshit ekstra, anglezët hidhen në sulm. Tilkovski kryen dy ndërhyrje shpëtimtare, madje herën e dytë, arrin ta grushtojë topin pas gjuajtjes së Bobi Çarlton, pikërisht në rrëzë të shtyllës pingule. Njëmbëdhjetë minuta nga shtesa, Alan Boul shtron topin brenda zonës në të djathtë për Harst dhe ai, me një gjuajtje kthesë e dërgon topin më parë në taversë dhe më pas…
Historia akoma edhe sot nuk ka mbaruar, për arsye se është momenti i cili ka fokusuar historinë e të vetmit trofe botëror të historisë angleze të futbollit dhe ata këmbëngulin se topi pati hyrë brenda!
Teknologjia, Gjermania dhe pjesa tjetër e Botës akoma nuk e pranojnë!
Atë moment historik, Harst pas gjuajtjes dhe Hant ngrejnë duart për të festuar! Gjermanët me Tilkovskin, më parë ngrejnë dorën në shenjë mohimi e më pas bërtsain “Jo”!
Për arbitrin zvicerian Gotfrid Dinst është thjesht momenti që nuk do të dëshironte ti rastiste kurrë dhe zgjidhja e vetme është që të ndalojë lojën dhe të verë e të këshillohet me anësorin sovjetik Tofik Bahramov. Sipas asaj që u pa botërisht, Bahramov deklaron krejt i bindur se topi e kaloi vijën fatale…Shumë vite më vonë, u vërtetua edhe zyrtarisht me bazë teknologjinë, se nuk kishte të drejtë!
Për gjuhët e liga, ekziston edhe një histori e cila thotë se pas pyetjes përse e vërtetoi golin e anglezëve, Bahramov u përgjigj thjesht e prerë “Stalingrad”!
Pra, diku aty, finalja për gjermanët përfundoi!
44 vite më pas rolet do të ndërroheshin dhe në Afrikën e Jugut, viktimat do të ishin anglezët!
Veç se shpërblimi i golit nuk mund të ishte kurrë i njëllojtë në përmasa për gjermanët!
Thjesht për statistikën,Xhef Harst, në sekondat e fundit, brenda zonës nga e djathta, gjuan, sipas tij thjesht për ta dërguar topin sa më larg e të fitojë kohë por, topi për surprizë të tija dhe të Hans Tilkovskit në portë, ngulet në trekëndëshin e djathtë të portës gjermane dhe rezultati përfundimtar i finales do të jetë 4-2!
Po të pyesje atëherë tërë kombin anglez se cili ishte lojtari më i mirë i ekipit do të të përgjigjeshin pa hezitim Bobi Mur, kapiteni por pa dyshim shpirti i ekipit ishte Nobi Stajlls, njeriu i shkurtër me flokë të rënë të cilit i mungonin dy dhëmbët e para dhe ndërkohë që tregonte për 50 vjeç, ishte shndërruar në një atraksion, duke sfiduar kështu edhe maskotin “World Cup Willie”, të parin maskot në historinë e Kupës së Botës, luanin i cili mbante veshur një bluzë në formën e flamurit britanik!
Sot, për të tërë, Bobi Çarlton ishte çdo gjë për Aglinë dhe pa të, anglezët nuk do të kishin arritur të fitonin të vetmin trofe të tyre!
Dankan Eduards, lojtari më i mirë i brezit të “Bebeve” të Mat Basbit e të Manchester United i cili humbi jetën në tragjedinë ajrore të Mynihut, shkëlqeu në mungesë e tij! Xhimi Grivs, sulmuesi bazë i anglezëve mungoi në finale gjithashtu por zëvendësuesi i tija Xhof Harst e bëri mirë fare punën e tij, madje duke shënuar të vetmin hat-trick deri më sot në një finale të një Kampionati Botëror!
Gjermanët lajmëruan në mënyrën më të mirë të ardhmen e tyre dhe Bekenbauer, Ziler, Overat dhe Shnelinger, ndonëse një vit më pas do të mbeteshin jashtë finaleve të Europianit të Italia 1968 prej Shqipërisë, do të ishin protagonistët e mëdhenj të historisë gjermanë të futbollit!
Me emra të tillë si Çarlton,Benks,Mur,Bekenbauer,Eusebio,Jashin,Rivera etj, futbolli do ngrihej shumë nivele më lart që prej aty, duke lënë pas transmetimin e fundit në film bardhë e zi, Anglinë dhe vitin 1966!
Nga Arian Muraj / #VizionSportiv / Ora e kampioneve 30 dhjetor 2020