Lola Gjoka – Aleksi (1910-1985) | Në kujtim të pianistes së parë shqiptare!

0
2782

Lola Gjoka (1910-1985)
Pianiste. Artiste e Popullit

Që në fillimet e shekullit të kaluar, kur nis e hedh hapat e parë tradita e muzikës së kultivuar shqiptare, krahas shumë personaliteteve të kohës, veçohet meritueshëm edhe ndihmesa e instrumentistes së parë shqiptare, pianistes Lola Gjoka (Aleksi)
“Artiste e Popullit”.
Personaliteti i saj bëhet edhe më i vlerësueshëm jo vetëm si e
para instrumentiste profesioniste në historinë e kulturës sonë muzikore kombëtare, por edhe si luftëtarja që mes mjegullnajës së prapambetjes shekullore që mbisundonte në Shqipërinë gjysmëfeudale të fllimshekullit XX, u bë simbol i përparimit dhe i emancipimit për mbarë femrat shqiptare.

Artistja e madhe Lola Gjoka, me talentin e veprimtarinë e saj, frymëzoi e tërhoqi në rrugën e artit muzikor, e veçanërisht të atij pianistik, me dhjetëra të reja e të rinj, duke u bërë udhërrëfyesja e shkollës shqiptare të pianos, së bashku
me pianistin Tonin Guraziu “Artist i Popullit”.

U lind në Sevastopol të Rusisë, më 22 maj të vitit 1910 në një familje emigrantësh shqiptarë, me origjinë nga Bulgareci i Korçës. Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe danc në klasën e Karallova-s. U kthye në atdhe, në Korçë, në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Trujan, Thoma Bezhanin, e Llambi Turtullin debutoi në koncertin e parë profesionist, në kinema “Mazhestik” të Korçës. Në vitet 1933-1934 kreu një varg koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, Kristo Koço e Mihal Ciko.

Vlerësohet me fletë nderi në konkursin pianistik në Vjenë të Austrisë, në vitin 1933, ku shquhet për debutimin e saj dhe po atë vit emërohet nga Hilë Mosi mësuese e pianos dhe e valles në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Përfundon me pikët më të larta studimet e larta si pianiste koncertiste në Athinë. Së bashku me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën e Marie Krajën merr pjesë në Panairin e Firences si përfaqësuese të artit shqiptar në vitin 1938.

Lola Gjoka është një ndër të parat mësuese të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncertmaestre e grupit lirik në Filarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontribuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore dhe si as/regjisore. Pas hapjes se Teatrit të Operës luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe. Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe koncertmaestre e klasave të specialitetit të kantos, duke mos iu ndarë aktivitetit koncertor edhe jashtë vendit, si në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj.

Merr titullin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”.

Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Nderroi jete më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë. Një cmim për pianistët e rinj në Shqipëri ka emrin e saj.

Foto shkeputur nga filmi “Tinguj lufte, ku mori pjese duke ushtruar pianon ne rolin e nje shoqeruese te nje konkursi muzikor te shkollave, pjese e skenarit te ketij filmi

Jehona e artit dhe e ndihmesës së saj në shërbim të Atdheut e kulturës kombëtare, si edhe shumë e shumë arsye të tjera, e kanë frymëzuar Prof. Hamide Stringën për të marrë përsipër realizimin e monografisë “Një jetë mbi tastierë”, kushtuar “Artistes së Popullit” Lola Gjoka (Aleksi), vepër që vjen e ribotuar për lexuesin e gjerë si një rivlerësim i merituar katërcipërisht për këtë personalitet të shquar të muzikës sonë.
________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
“Nje jete mbi tastiere” – monografia / H. Stringa.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here