Mesazhi që sillte dikur filmi “Njeriu me top”!

0
714

Mesazhi që sillte dikur filmi “Njeriu me top”!

Kur flasim për kinematografinë shqiptare deri 1990, mund të rrimë ditë e net dimri duke komentuar, kujtuar, përdorur batuta e duke përmendur në bisedë me respekt emra aktorësh të përmasave të mëdha dhe…thjesht, ata janë shumë emra! Nuk di me kë të nisësh dhe nuk mund të përfundosh!

Suksesi më i madh i artit nuk është një çmim i momentit, i kohës në të cilën një vepër realizohet. Suksesi më i madh është të rezistuarit përgjithnjë ndër kohëra i veprës, i artistit, në memorjen e artdashësve. Pra, ti rezistosh harresës, të fitosh pavdekësinë dhe këtë përveç aktorëve tanë, atyre brezave të paharruar, kanë arritur ta kenë edhe disa filma që akoma edhe sot ndiqen me shumë kënaqësi sepse kanë vlera, përmbajnë mesazhe të qarta, janë pjesë përbërëse e jetës sonë, e historisë sonë dhe sa herë kemi nevojë të kthejmë kokën pas në histori, gjejmë ndër ta një ndihmë të madhe.

Të paktën për sa i përket identitetit tonë!

Një nga këta filma është edhe “Njeriu me top”. Një roman i vlerave të mëdha nga Dritëro Agolli i realizuar në film gjithashtu, edhe pse i sjellë në kinema me ndryshime nga romani.

Thjesht duke parë filmin e duke dëgjuar dialogjet, sot ngjan e pabesueshme që të mund të kishim aktorë të tillë. Por, diçka që ishte krejt e natyrshme dje!
Këtu nuk e kam fjalën për Timo Fllokon, në atë kohë gjithnjë e në ngjitje sidomos duke interpretuar ndër filma me temë nga lufta e popullit kundër nazi-fashizmit. Në të njëjtën kohë interpretonte edhe rolin e Luanit, mësuesit të jetimores, rol i cili i dha medaljen e artë në zemrat e njerëzve me atë sekuencë të paharruar në recitimin e vargjeve të Fan Nolit “Anës Lumenjve”!
Timo i kishte dhënë provat me rolet e Kananit -Shtigje Lufte dhe Kapos-Malet me blerim mbuluar!

Tek njeriu me top, për sa i përket nivelit nuk është e nevojshme ti referohesh të madhit Sandër Prosi i cili edhe pse në një rol pothuaj episodik, tregon fare qartë cili ishte ai aktor i përmasave gjigande.

Ashtu siç gjithashtu njihej edhe Kadri Roshi, për shumë njerëz në rolin e jetës së tij si aktor, atë të plakut Mere apo Drita Pelingu në rolin e hallë Esmasë.

Kur flasim për aktorë të mëdhenj të një shkolle të madhe të një vendi të vogël dhe me një kinematografi të atëhershme jo më shumë se njëzetë e tre vjeçare (“Tana”-1954), dhe me një kinostudio vetëm 16 vjeçare (1961), kemi parasysh këtu edhe aktorët plotësues të një vepre të madhe, ata, të cilët me interpretimet e tyre plotësojnë kornizën e një filmi të suksesshëm, pra,ata që e bëjnë të plotë dhe i falin suksesin! Bota i nderon ata me çmimin “Oscar” për interpretime të roleve të dyta!

Kështu, Zef Bushati në rolin e Augusto-Agushit popullor, Elida Cangonji në rolin e Zarës e cila njihej vetëm nga ajo…”Alo Dedë” nga filmi “Rrugë të Bardha” i 1974, Enea Zhegu i njohur më parë si Tomka nga “Tomka dhe shokët e tij”, Pandi Siku si Adnan Pinxho, Stavri Shkurti si komisari Murat Shtaga-Stavri e sidomos,Birçe Hasko në rolin e Tosun Baçit dhe tërë të tjerëtgjithashtu.

Kujtoni:
E kush do të mund të relizojë aq natyrshëm batuta e bejte popullore sot siç Sandër Prosi apo Birçe Hasku interpretuan në atë film?
“- Do me thënë ti thua ta bëjmë veshin e shurdhër?”
“- Lëri llafet!Ky është urdhër!”
apo ballisti Tosun Baçi duke qëruar arra në kohën që e akuzonin për gjylet qorrë të cilat goditën mullarin e shtëpisë së Fizëve:
“- Që thua ti, koburet nuk shtien me gjyle e unë topa nuk kam o millonaaa!”

Ajo që i jep vlerat e një perle midis perlave të tjera të asaj kohe të kinematografisë është mesazhi i qartë, i përjetshëm që filmi i bazuar në romanin me të njëjtin titull i jep popullit shqiptar. Një mesazh shumë më i fuqishëm sot se sa atëherë kur filmi u realizua.

BASHKIMI!
Jemi një popull i copëtuar dhe nga trungu origjinal mungojnë pjesë të mëdha të atdheut! Jemi njerëz që mbi të tëra, bota na njeh si vëlla vrasës, pra, si ata që vriten kollaj me njëri tjetrin, duke përdorur Kanun-in për vrasje të cilat shpesh harrohen pas kohësh sepse e kanë bazën në shkaqe banale!
Dhe pikërisht për këtë merr vlera ky film!

Njëzetë vjet pas filmit, si të vërtetohej në mënyrë profetike vepra e Dritëroit,shumë shqiptarë u ndodhën përballë të njëjtës skenë të realizuar nga Timo Flloko i cili fliste një natë dimri me “Haupftman-in”, topin gjerman,të fshehur në një plevicë me kashtë.
Shumë njerëz, pas degjenerimit të shtetit, çarmatimit të plotë ushtrisë, u gjendën me një top, apo një mortajë, apo bazuka apo edhe me…tanks!

Gjëja e parë që menduan ishte …Hakmarrja! Eliminimi i kundërshtarit! Në kohën kur Shqipëria ishte e shkatërruar!
Që do të thotë se gjashtëdhjetë e më shumë vjet pas një historie në kohërat e luftës, mentaliteti mbetet akoma i njëjtë!
Bashkimi!
Mesazhi që filmi sillte atëherë, ka mbetur i patjetërsuar edhe sot!

Nga Arian Muraj / 15 dhjetor 2012
______________________
Kinematografia Shqiptare 2013-2021
© Material i rezervuar me te drejta autoresie. 

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here