Ndrekë Shkjezi (1922-2002), mjeshtri i madh i karaktereve!

0
2129

Ndrekë Shkjezi (1922-2002)
Aktor i madh ne misherimin e karaktereve si ne Teater ashtu edhe ne kinematografi. Njeri nga “pioneret” e aktrimit shqiptar. Artist i merituar!

Lindi në Shkodër më 4 qershor 1922. Fëmijëria e tij u rrokullis fillimisht në vendlindjen e tij, plot kulturë dhe traditë të lashtë, dhe më pas në qytetin e Durrësit. Por Shkodra do ta magjepste gjithmonë me madhështinë, bukurinë dhe me magjinë e artit të saj. Shkodrës do t’i referohej deri në fund të jetës së tij. Ishte vetëm 14 vjeç at’herë kur shikoi për herë të parë një pjesë teatrale në të cilën interpretonin Pjetër Gjoka, Luigj Mjeda, Gjon Karma dhe Loro Kovaçi. Impresionet e para tepër të fuqishme do t’i linin gjurmë për gjithë jetën e tij e ndoshta do të ishin pikërisht këto impresione që do të përvijonin përfundimisht koordinatat e tij artistike dhe sociale.

I magjepsur nga arti, ai provon të këndojë apo të orkestrojë nëpër trupat e vogla amatore të asaj kohe. Madje tenton edhe të interpretojë në dy skeçe të shkruara nga Kolë Jakova, pikërisht te “Fotografi i hutuar” dhe “Bari i Marisë”. Intuita e lindur e ndihmon të skicojë të dehurin, e vite më vonë, ai nëpër intervista të ndryshme do të kujtonte pikërisht atë, rolin e tij të parë.

Mbasi mbaron ushtrine , shperngulet nga qyteti i tij i lindjes per ne Tirane duke hyre fillimisht ne Ansamblin e Ushtrise si kengetare.
Viti 1945 e gjen po në Tiranë, pranë trupës së teatrit popullor. Deri në atë vit shfaqjet teatrale organizoheshin nga kompanitë, shoqatat, etj. Në maj të atij viti shteti vendos të krijojë Teatrin Profesinist të Shtetit dhe Ndrekë Shkjesi ka qenë një nga gurët e parë, të ardhur nga Shkodra, në themelet e teatrit kombëtar. Që nga krijimi i teatrit profesionist dhe deri kur u nda nga jeta, në vitin 2000, ai ka qenë një aktor shumë aktiv në trupën e teatrit popullor, sot Teatri Kombëtar.
Në fillimet e tij, Ndrekë Shkjezi interpreton role të rinjësh me tipare të shkathta dhe karaktere tejet dinamikë, e hera herës plot dikotomi apo kundërshtime të brëndshme. Kështu, ai trasmeton te publiku gjëndje dhe përjetime emocionale mjaft të fuqishme, një plotësi emocionesh. Edhe pse pa shkollë arti, ai arrinë të bie në sy falë dhuntisë, talentit dhe vëzhgimit të mprehtë të realitetit, karaktereve dhe natyrës njerëzore.

E natyrisht, ai vëzhgon edhe raportet midis individëve, ai arrin të përcjell fillimisht personazhe të besueshëm dhe konkret. Interpreton kështu Aleksin tek “Gjido”, Simonin tek pjesa “Deputeti”, Stornikovin tek “Martesa”, tregtarin tek “Revizori” e mëpas luan tek “Toka e jonë”, “Prefekti”, “Fytyra e dytë”, “Mbas dy vjetësh”, “Epoka para gjyqit”, “Një letër e humbur”, “Shtatë shaljanët”, etj. Mbi 78 role në teatër marrin jetë dhe formë prej talentit, mjeshtërisë dhe individualitetit të tij krijues. Shumë shpejt ai spikat me veçansinë, me përdorimin e detajeve tepër shprehëse që ngjisnin rolin dhe plastikën tejet efikase.

Vetëm pak vitë mëpas, regjizori Rus Sergei Yutkevich i ofron atij rolin e parë në kinematografi, pikërisht atë të Jakobinit tek filmi “Skënderbeu”, krahas aktorëve tepër të njohur të asaj kohe si Besa Imami, Naim Frashëri dhe Mihal Popi. Kështu, rruga e tij krijuese fiton tipare të reja. Ai prihet me një natyrshmëri të rallë tek rolet e vogla në teatër, që në dukje të japin përshtypjen si ansore, por ai mjeshtërisht arriti të gjejë thelbin e personazhit të tij dhe e plotëson atë me detaje që qëmtonte nga jeta dhe realitetet e kohës. Përmendim këtu rolin e Zenelit tek “Lulet e shegës”; roli i Koços, i dehuri, tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, një personazh sa tragjik aq dhe komik, që përmes plastikës shprehëse të Ndrekë Shkjezit, nuancave të zërit, gjestikulacionit dhe detajave, zë vend në galerinë e roleve të papërsëritshëm.

Ai ka qenë një artist i pajisur me një fantazi dhe intuitë shumë të madhe. Dinte t’i skaliste rolet shumë bukur, krijonte karaktere të veçanta duke u nisur kryesisht nga bota psikologjike e personazhit. Natyrshmëria e lojës së tij, vërtetësia dhe njëlloj qesëndisje e hollë që buronte nga kontrasti i portretit me ndjesinë që përcillte, nuk i shpëtonte syrit të mprehtë të vëzhguesit të artit dramarturgjik.

Ndrekë Shkjezi interpreton me sukses si në pjesët shqiptare ashtu edhe në dramaturgjinë klasike dhe atë bashkekohore. Mjaft të spikatur dhe plot individualitet janë rolet që ai luan tek “Cuca e maleve”, “Përmbysja e madhe”, “Karavidhet”, “Orët e Kremlinit”, “Prefekti”, “Bashkë me Agimin”, “Lezja” e më pas tek “Halili dhe Hajria”, “I çuditshmi”, “Përgjegjësi fisnik”, “Në kopshtin e jargavanëve”. Edhe pse në dukje role episodike, ata mbartin një specifikë të veçantë në peshën dramarturgjike të veprës. Për Shkjezin nuk ka ndarje rolesh në “të mëdhej” apo “të vegjël”, ka vetëm role të realizuar ose jo.

Përveçse plotëson dhe i jep jetë personazhit kryesor ai shpesh rivalizon me të. Kështu ndodh tek komedia “Prefekti” e Besim Levonjës, ku Ndreka në rolin e Kapterr Veliut jo vetëm e plotëson dhe e evidenton karakterin e Prefektit por edhe e rivalizon atë. Një tjetër personazh, ku shfaqet fare mirë mrekullia dhe thellësia e lojës së tij interpretative, është Pjetër Zeka tek “Cuca e maleve” e Loni Papës. Në këtë pjesë plastika dhe çdo gjë tjetër janë në funksion të karakterit të krijuar prej tij. Këtu, gjithashtu, shfaqet edhe se me sa përkujdesje të madhe ai punonte me rolin dhe sa shumë arrinte që ta realizonte në karakterin e tij.

Pra, Ndrekë Shkjezi nuk ishte thjeshtë një figurë plotësuese në konceptin e regjizorit, por një element i pazëvendësueshëm që i përkiste tërësisë interpretative dhe dramaturgjike. Shkjezi jo vetëm e plotëson figurën kryesore por i jep kuptim kësaj figure.
Ashtu si në skenën e teatrit, ai kërkonte që edhe në sheshin e xhirimit të luaj role të vegjël, ato episodiket, por ai dinte ta ngrinte një rol dhe të formonte karakterin që kërkohej nga regjizori. Galeria e personazheve që Ndrekë Shkjezi krijoi është tejet e pasur. Në celiluidët e kinematografisë janë skicuar përjetësisht interpretimet e tij në mbi 30 filma artistik.

Pas Jakobinit në filmin “Skënderbeu” ai interpreton tek “Debatiku”, “Detyrë e posaçme”, “Plagë të vjetra”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Kur hidheshin themelet”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Gjenerali i ushtrisë se vdekur”.
Pasioni për artin e bën që ai të mos e braktis asnjëherë atë. Edhe pse në vitin 1978 del në pension ai nuk përton t’ia nisë sërish nga fillimi duke kërkuar role të reja. Kështu, e gjejmë duke interpretuar tek “Radiostacioni”, “Ne vinim nga lufta”, “Skëterrë 1943”, “Në prag të lirisë”, “Besa e kuqe”, “Shoku ynë Tili”, “Apasionata”, “Fundi i një gjakmarrje”, “Fejesa e Blertës”, “Vendimi”, “Mondi dhe Diana”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Kur hapen dyert e jetes”, “Të paftuarit”, “Rruga e lirisë”, “Dhe vjen një ditë”, “Këmishet me dylle”, “Në prag të lirisë”, “Bardhësi”, “Bregu i ashpër” “Një djalë dhe një vajzë”, etj.

 

Role ne Kinematografi:
1990 — Fletë të bardha…..Xhaxhai i Kristinës
1990 — Një djalë dhe një vajzë…..Gjyshi i Artanit
1988 — Bregu i ashpër……..
1988 — Tre vetë kapërcejnë malin……Një nga fshatarët
1987 — Këmishët me dyllë………..Hanxhiu
1986 — Bardhësi…….Gjyshi i gruas shtatëzënë
1986 — Dhe vjen një ditë…….Nikolla,portieri i Hotelit të Beqarëve
1986 — Fjalë pa fund…….I apasionuari pas gjyqeve
1986 — Kur hapeshin dyert e jetës…..Gjin Kryebardhi
1985 — Mondi dhe Diana….Peshkatari
1985 — Të paftuarit………Shefi i Policisë
1984 — Fejesa e Blertës……Themiu,babai i Blertës
1984 — Vendimi…..Tregtari
1983 — Apasionata……..Xha Nasi,roja e Institutit
1983 — Fundi i një gjakmarrjeje……Alushi
1982 — Rruga e lirisë…….Preng Ujkani
1982 — Besa e kuqe…….Plaku pa shkrepëse
1981 — Shoku ynë Tili…….Mësuesi i Gjeografisë
1981 — Në prag të lirisë……Hajdar Kasimati
1980 — Skëterrë ’43………Zoti Kiço
1979 — Ne vinim nga lufta……Nikollaqi
1979 — Radiostacioni…….Një nga ish pasanikët
1978 — Gjenerali i ushtrisë së vdekur…….Ish oficeri
1978 — Kur hidheshin themelet………Zeneli
1978 — Në pyjet me dëborë ka jetë……..Allaman Uka
1971 — Mengjeze lufte……
1969 — Plagë të vjetra…….Llambi
1963 — Detyrë e posaçme…..Mali
1961 — Debatik………Tregtari
1953 — Skënderbeu…….Gjeto Gjokaj

 

Teatër
15/05/1976 — “Lulet e shegës” e Kolë Jakovës
13/04/1976 — “Karavidhet” e Shefqet Musarajit
11/06/1975 — “Lumi i vdekur” e Kudret Velçës
04/03/1974 — “Toka jonë” e Kolë Jakovës
18/02/1974 — “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës
28/11/1973 — “Prefekti” e Besim Lëvonjës
24/01/1973 — “Sinjali i kuq” e Bashkim Kozelit
10/05/1972 — “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e Piro Manit (Artist i Popullit)
04/03/1971 — “Arturo Ui” e Bertold Brehtit
13/02/1969 — “Shokët” e Bashkim Kozelit
12/11/1968 — “Fytyra e dytë” e Drita Agollit
07/03/1967 — “Cuca e maleve” e Kolë Jakovës
16/02/1964 — “Tre ditët e kjametit” e Luan Qafzezit
13/01/1962 — “Zonja e Bujtinës” e Karlo Goldonit
24/06/1960 — “Hamleti” i Shekspirit
08/07/1958 — “Syleshi” e S.Atomoras
30/03/1958 — “Shtatë shalianët” e Ndrek Lucës (Artist i Popullit)
03/11/1957 — “Orët e Kremlinit” e N.Pogodin
24/04/1957 — “I çuditshmi” e Nazim Himet
18/09/1953 — “Përmbysja” e Llavranjevit
21/03/1953 — “Otello” e Shekspirit
11/11/1950 — “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës
12/12/1948 — “Prefekti” e Besim Lubonjës
25/01/1947 — “Revizori” i Nikollaj Gogolit
24/06/1946 — “Gjido” e Molierit
23/02/1946 — “Martesa” e Gogolit
22/11/1945 — “Coni, Ishaj dhe Roma” e Besim Lëvonjës (Artist i Merituar)
14/11/1945 — “Deputeti” e Kolë Jakovës

Çmime e Tituj
1989
Artist i Merituar

23 Prill 1983
Medalja e Festivalit
për filmin “Shoku i ynë Tili”
në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë prej datës 19 deri në 23 prill të vitit 1983.

Medalja e Punës
Urdhri “Naim Frashëri”


____________________________
Kinematografia Shqiptare nje faqe publike ne aktivitet qe ne vitin 2013. Publikuar qe ne qershor 2014 dhe rishikuar ne vitet vijues.
Referenca: “Enciklopedi e Kinematografise Shqiptare” 1999 vol. 1 ; 2002 vol.2 si dhe informacion i nxjerre nga gazeta, forume te ndryshme shqiptare online dhe dokumentari per aktorin nga “Channel One”.

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply