#KombetarjaKuq-Zi #ShqiperiRFGj1967 #PanajotPano
“Die Schmach von Tirana”
Për ne, do të mbetet në histori si “Ndeshja e shekullit”! Për ata, në mos “Turpi i shekullit”, do të mbetet si “Turpi i Tiranës”!
Ashtu si për Shqipërinë në vizitën e parë të saj në Gjermani para tetë muajsh, në prill edhe për Gjermaninë hera e parë e saj në Shqipëri do të jetë një pasdite e vrenjtur. Nuk janë i njëjti formacion si ai i ndeshjes në Dortmund që mbase dëshmon një ndjenjë superioriteti dhe nënvleftësimi të tyre ndaj nesh.
Për ta, është një vizitë…që i ngjan më shumë një vizite në Hënë se sa në një shtet brenda të njëjtit kontinent! Qetësi nëpër rrugë. Ngado biçikleta, meshkuj pa mjekrra e flokë të gjatë dhe mbi mure sllogane politikë, dizajne ku binte në sy më së shumti kazma dhe pushka. Mandej, ushtarë, oficerë, studentë ushtarakë e jo rrallë ndër rrugë makina të vogla ushtarake. Diktatura e proletariatit në tërë madhështinë e saj! Dy vjet para ardhjes së Gjermanisë, Xhorxh Best pyeste veten se çfarë pikërisht mbronim nga bota me aq fanatizëm?! Ai i kishte vënë re këto sigurisht dhe e vetmja gjë që nuk pati vënë re, ishte prania e madhe e njerëzve në stadium, entusiazmi i tyre që reflektohej në fushë me entusiazmin e lojtarëve të Shqipërisë. Irlanda doli me një barazim 1-1 nga Shqipëria dhe nuk hyri aty ku dëshironte. Në kampionatin botëror të Anglisë 1966.
Gjermania ka ardhur tashmë, dy vjet pas Irlandës. Për yjet e futbollit gjermanoperëndimor, Vili Shulc, Volfgang Overat, Gynter Netzer apo Horst Diter Hotges është thjesht një udhëtim rutinë. Diçka që duhet bërë dhe, mjafton të bëhet edhe gjysëm me zero për Gjermaninë. Në të njëjtën kohë, strategu Helmut Shën mbase ka përgatitur tashmë fjalët që thuhen për kortezi pas ndeshjes gjatë shtrëngimit të duarve me trainerin kundërshtar.
Janë R.F. e Gjermanisë. Superfuqia e re e futbollit, nënkampionët e botës të cilët synojnë pa kurrfarë kompleksi Kupën e Botës. I sheh dhe kupton se ndihen kampionë bote. Gjermanët dolën në fushën e “Qemal Stafas” për të marrë atë fitore që do ti çonte në Kampionatin e parë Europian, atë të Italisë të vitit 1968. Brenda atij stadiumi në dukje të vogël, gjendet një botë e madhe! 28.000 njerëz nga 15.000 që është kapaciteti!
Përballë tyre në fushë, 11 lojtarë që luajnë për krenari kombëtare, për të shpaguar atë 6-0 të tetë muajve më parë. Në stol Helmut Shën sigurisht nuk luan ndeshjen që të fal lavdinë por tashmë ka filluar të ndjejë më shumë ftohtë se sa realisht është atë pasdite në Tiranë. Ai e di që Loro Boriçi, është një trainer i shkëlqyer. Por ai nuk e di se çdo të thotë për një trainer të bëjë autokritikë publikisht!
As nuk e di se në një ndeshje që peshon kaq shumë, traineri Loro Boriçi do vendosë në fushë një portier, Koço Dinella, vetëm 20 vjeç dhe debutues për Shqipërinë! Kush do të guxonte të mendonte? Të bënte diçka të tillë?
Në fushë truri i ekipit, pra, ai që ekzekuton skemat e Loros në fushë quhet Sabah Bizi dhe është vetëm 21 vjeç! Në shkallë, 28 mijë njerëz me ovacionet e tyre, e kanë shndërruar stadiumin në një vullkan. Diçka që nuk ka lidhje fare me atë cfarë kanë parë e jetuar gjermanët që nga zbritja në Rinas e deri në orën e ndeshjes nëpër Tiranë. Askush nuk qëndron ulur ndër shkallë. Të tërë në këmbë e aty ku duhej të mbaronin spektatorët…fillojnë tri radhë të tjera që ngjan se qëndrojnë mbi kokët e të tjerëve. Sipër gjithçkaje, banderola gjigande “Elektrifikimi i plotë i fshatit më 1971 vepër madhështore e Partisë”!
Normalisht tifozët shqiptarë pas tre ndeshjesh të luajtura dhe 10 golave të pësuar, i binte të prisnin elektrifikimin por habitshmërisht…ata janë të shumtë në numër, 28.000!
Natyrisht nuk janë të sigurtë se do vijë një fitore por me ovacione të papërshkrueshme mbështesin, brohorasin djemtë e veshur me fanella të kuqe! Djemtë e veshur me të kuqe, luajnë për ta, luajnë për krenari! Kështu apo ashtu, gjermanët janë të hutuar. Nuk kanë raste flagrante sado që gjenden në sulm. Mbase për arsye se traineri Shën ka bërë gabimin të vendosë dy fantazistë së bashku, Netzer dhe Overat por, Meyer, shënuesi më i mirë i Bundesligës pati premtuar se do të shënonte në Tiranë…
Ishte ai presioni që nuk jep frute sikur të luash qoftë edhe një javë dhe siç do të shprehej Vili Shulc vite më vonë ” nuk mund të gjenin çelësin për të hapur kutinë shqiptare”! Ajo kutia të cilën e hapnin aq kollaj para tetë muajsh!…
Hotges dhe Shulc nuk ndihmojnë dot sulmin. Përballë tyre kanë Panajot Panon në një ditë të madhe. Është i vetmi shqiptar në sulm!
Është kudo ku vete topi dhe ngjan se janë dy apo tre të tillë në fushë! Vili Shulc e ka të pamundur ta ndalojë. Në një rast që tashmë i përket historisë, Pano ecën para me top duke lëvizur mesin sikur do lëvizë majtas por lëshohet në të djathtë, Shulc bën dy tre hapa mbrapa dhe trulloset e bie djathtas. Stadiumi shpërthen! Shulc pa u ngritur mirë hidhet me furi me të dyja këmbët në ato te Panos por ai i ikën duke e lënë të shtrirë për t`i parë numrin 7 mbi fanellë!
Pjesa e dytë fillon me Panon në qendër i cili pa u sforcuar shumë shmang me klas duke lënë në tokë Overat dhe Hotges. Po ti referohesh gjuhës së trupit, kjo përkthehet në këtë mënyrë: Gjermanët e nisin me furi për të luftuar me tërë mënyrat por Shqipëria pa kurrfarë kompleksi do të vazhdonte të luante bukur madje akoma më kërcënuese se pjesën e parë!
Qielli sa vjen e errësohet, në stadium situata sa vjen e elektrizohet. Shqipëria nga shkallët e stadiumit, nga televizorët që numëroheshin me gishta mbase dhe nga radiot nuk i besonte syve dhe veshëve për cfarë dëgjonte dhe shihte!
Është një betejë e hapur e topi shkon herë në njërin krah e herë në tjetrin. Gjermanët duan fitoren me çdo kusht! Shqiptarët nga ana e tyre tashmë besojnë se mund të marrin fitoren dhe të tërë janë të gatshëm të lënë shpirtin në fushë duke filluar që nga Todi Vasi i dëmtuar rëndë dhe që fillimisht refuzon të dalë nga loja. Dalja e tij e lë Shqipërinë me një lojtar më pak por kjo, nuk ndihet në fushë. Ashtu siç nuk do të ndihej në një betejë trup me trup!
Është e vetmja ndeshja ku Shqipëria sheh djemtë e saj në fushë të luftojnë si shqiptarë! Është beteja e fundit por…është nëna e tërë betejave! Din Zhega si tërë të tjerët, prioritet ka mbrojtjten dhe di të luftojë kur dhe ku duhet në mesfushë e në mbrojtje.
Rramazan Rragami nuk humbet asnjë top në ajër e në tokë. Treshja e Vllaznisë në fushë e ngritur Shqipërinë në një tjetër nivel nga ajo çka ishte në Dortmund. Ali Mema dhe Josif Kazanxhi janë në ditë të mirë ashtu si në ditët e mira tek 17 Nëntori i viteve të fundit. Veçse mbi të tërë dallon Lini. Lin Shllaku! Ky njeri luajti ndeshjen e jetës së tij. Ishte heroi i padiskutueshëm i Kombëtares atë ditë, luani i cili të dilte përpara ngado, në çdo cep të fushës. Kush u gjend në stadium atë ditë, mban mend paraqitjen e jashtëzakonshme të Shllakut dhe dy gjuatjet e Fredi Jorgaqit. E para, grushtohet nga portieri Wolter pasi topi pati kaluar vijën fatale!
E dyta shkon disa centimetra mbi trekëndësh duke tronditur akoma më keq nënkampionët e botës. Ndeshja përfundoi në barazim 0-0. Gjermania Perëndimore, duhej të ndihej me fat që doli me një barazim nga stadiumi “Qemal Stafa” por, ashtu si edhe Irlanda e Veriut para dy vitesh, dështoi të arrinte aty ku kishte qëllimin – Në finalet e Kampionatit Europian të Italisë të vitit 1968.
U dëgjua nga gjermanë të nervozuar se shqiptarët, luajtën aq mirë dhe aq të vendosur, për të ndihmuar Jugosllavinë ( e cila, pas këtij rezultati u kualifikua në finale). Nga ana jonë dëgjohet akoma ankesa se ishte pakuptueshme që atë ndeshje të rëndësishme të R.F.Gjermane ta drejtonte një austriak. Madje ky, austriaku Ferdinand Marshall, ankesës shqiptare se përse e mohoi golin i u përgjigj “e ç’rëndësi ka? Me apo pa atë gol, ju i latë jashtë gjermanët!”
Pas ndeshjes, shumë njerëz u futën në fushë për të përqafuar heronjtë e tyre! Shqiptarët festonin si të çmendur barazimin dhe kjo për gjermanët ishte e pakuptueshme po aq sa ç’ishte kuptueshme që ata që festonin në fushë me lojtarët nuk ishin jugosllavë! Një mënyrë festimi në shkallët e “Qemal Stafës” ishte edhe ndezja e copave të gazetave, një pamje që sot të sjell ndërmend koncertet apo festimet në stadiumet me drita fikur e mijëra celularë ndezur!
Pas ndeshjes, Helmut Shën u shpreh me fjalët më të mira për kolegun e tij Loro Boriçi. Natyrisht që ishin shumë më tepër fjalë në krahasim me sa pati menduar të thoshte pa filluar ndeshja. Pas asaj humbjes turpëruese 6-0 në Gjermani, ne morrëm hakun duke i shkaktuar eliminimin ekipit gjerman. Sot e kësaj dite, mbetet një nga tre turpërimet futbollistike të tyre së bashku me humbjet nga Gjermania Lindore 0-1 në botërorin e 1974 dhe humbjes 2-3 nga Austria në botërorin e Argjentinës më 1978.
Pas atij barazimi, ne nuk kemi arritur më të marrim qoftë edhe një pikë nga gjermanët. Ata, gjithmonë na goditën fuqishëm dhe shpesh edhe në minutën e fundit! Aq shpesh sa kemi sharë Zotin e futbollit si pakkush! Ne, goditëm vetëm një herë por…atyre u dhemb akoma!
__________
Nga: Arian Muraj, “Vizion Sportiv / Ora e Kampioneve”