“Kutia e Pandorës”
Dortmund, 8 Prill, 1967
Kanë kaluar vetëm 23 vite nga lufta. Nuk ekziston më Gjermania sepse tashmë është e ndarë në dy shtete, Republikën Federale Gjermane ose Gjermaninë Perëndimore dhe Republikën Demokratike Gjermane ose Gjermaninë Lindore. Atë që nën emrin “Perëndimore” vijon të jetë pjesë e Europës demokratike dhe atë “Demokratike” që është pjesë e influencës komuniste të imponuar me dhunë nga Bashkimi Sovjetik.
Është ajo Republika Federale Gjermane që do të shkruajë një histori brilante në futboll për 45 vite, duke qenë superfuqia e Europës si edhe konkurentja më e fuqishme e Brazilit në rang botëror. Gjermania Demokratike është ajo e cila ka mundur atë Federale 0-1! Në të vetmen ndeshje që u rezervoi historia, në të vetmin botëror në të cilin mori pjesë Gjermania Demokratike dhe ishte e vetmja humbje për perëndimorët në atë botëror i cili në fund, u fitua nga Perëndimorja ose Republika Federale e Gjermanisë.
Sa dhimbje koke për gazetarët, mediat, njerëzit në përgjithësi kur i referoheshin një shteti të ndarë në dy shtete, me dy emra të ndryshëm, madje, me nga dy emra për sejcilin shtet! F.R.G. – Federal Republic of Germany ose West Germany (Gjermania Perëndimore) dhe G.D.R. – German Democratic Republic ose East Germany (Gjermania Lindore). Në fakt, versioni më i përdorur ishte ai i gjuhës gjermane, D.D.R. (Deutsche Demokratische Republic)
Republika Federale e Gjermanisë, R.F.Gj, siç i referoheshim dikur shkurt në shqip, për herë të parë, u lejua të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar, në Kampionatin Botëror të Zvicrës, 1954 dhe, që në pjesëmarrjen e parë, fitoi titullin. Për kundërshtarët e tyre, favoritët absolutë të turneut, Hungarinë, humbja në atë finale, përbën deri më sot dhimbjen më të madhe dhe një ngjarjet më të pabesueshme në historinë e futbollit botëror. Për gjermanët, ajo fitore, qëndron në historinë e tyre si “Dita e Kombit”! Në shumë kuptime, mesazhi gjerman për botën e futbollit ishte i qartë që në fillim!
Dymbëdhjetë vjet pas asaj finaleje, Gjermania Federale, gjendet përsëri në finale për titullin Kampion i Botës. Është finalja e famshme ndaj Anglisë në “Wembley” më 1966. Në të vërtetë, gjermanët, janë ata që kanë zotësinë e veçantë që ti japin famë si askush tjetër ndeshjeve të tyre ndër kompeticione të mëdha dhe, për hir të së vërtetës, Gjermania Federale, ose Perëndimore, ose R.F.Gj-ja e finales së vitit 1966, ishte fillimi i vërtetë i historisë së Gjermanisë në futbollin botëror dhe atë europian.
Viti 1954, mbetet një vezullim i veçuar. Brezi i Fritz Walter, Toni Turek apo Helmut Rahn është një brez që lidhet vetëm me atë titull. Nga brezi i finales së vitit 1966, gjashtë vite më vonë më 1972 do të shpalleshin Kampionë Europe e më pas, më 1974 do të shpalleshin Kampionë Bote lojtarët si – Bekenbauer, Sep Majer, Shnelinger, Hoetges, Overat, Grabovski, me të njëjtin trainer i cili hodhi bazat e asaj historie të madhe, Helmut Schon!
E pra, këtë këtë ekip ose, këtë Gjermani solli shorti përballë ekipit tonë Kombëtar në vitin e largët 1967!
Pikërisht që atëherë fillon kapitulli “Ne dhe Gjermania”. Shorti na vendos shtatë herë përballë tyre ose, 14 ndeshje në total. Nuk janë pak, janë më shumë se me çdo ekip tjetër! Fillojnë si Republika Federale Gjermane ose R.F.GJ ose Gjermania Perëndimore ndaj Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në vitin 1967 e për momentin janë ndalur në vitin 2001 si Shqipëria ndaj Gjermanisë!
Në atë ndeshje të parë në Dortmund, Shqipëria vjen pa shumë eksperienca në ndeshje kundrejt ekipeve perëndimore. Eksperienca e saj në futbollin ndërkombëtar, përmblidhet në ndeshje ndaj skuadrave të bllokut lindor të Europës. Megjithatë, nuk është një ekip i rregullt në pjesëmarrje ndër eliminatore kompeticionesh ndërkombëtare. Ka një brez të shkëlqyer futbollistësh dhe përpiqet të ingranohet në jetën futbollistike të Europës së viteve 60të. Shqipëria e viteve 60të, ka masivitet në futboll, një kampionat të fortë sepse tashmë, midis Partizanit e Dinamos protagoniste është edhe Tirana, ka klube futbolli të një niveli mjaftueshmërisht të kënaqshëm. Kombëtarja gjithsesi është e brishtë, nuk është konsoliduar akoma. Në krye të saj i madhi Loro Boriçi.
Ajo pasdite e vrenjtur ishte sfondi i ndeshjes së parë midis nesh dhe gjermanëve. Ishte gjithashtu, ndeshja e parë për të dy ekipet për eliminatoret e Kampionatit Europian të futbollit si edhe ndeshja e parë e Gerd Mylerit me “die Nationalmanschaft”, siç thërritet Kombëtarja Gjermane e futbollit.
Gjermania hedh në fushë pothuaj se ekipin e finales së “Wembley” të para një viti. Ata janë;
Tilkowski, Patzke, Höttges, Beckenbauer, W. Schulz, W. Weber, B. Dörfel, Ulsaß, G. Müller, Overath, Löhr.
Përballë tyre tanët me Mikel Janku, Fatmir Frasheri, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Josif Kazanxhi, Niko Xhacka, Sabah Bizi, Skënder Hyka, Panajot Pano, Bahri Ishka.
Shumica emra legjendë sot të futbollit shqiptar por, aq, të thyeshëm atë pasdite prilli të 1967 në Dortmund.
Gjermanët fitojnë 6-0! Midis të tjerash janë katër golat e parë për Gerd Mylerin me fanellën e Gjermanisë. Çdo gjë ngjante të ishte kaq e kollajtë për gjermanët! Kuadrati i portës shqiptare, gjatë pesëmbëdhjetë minutave të fundit, i ngjante një kutie të cilën gjermanët e hapnin lehtësisht sa herë që donin! Po! Shqipëria dukej se ishte një ekip i vogël i cili si tërë ekipet e vogla, bie lehtë. Pikërisht këtu gabuan gjermanët! Shqipëria edhe sot karakterizohet si një ekip të cilin po ta nënvlehtësosh, “ta bën të keqen”! Po! Në pamje të parë, porta e saj, ajo kutia që nuk duhej të hapej, të linte përshtypjen se u ishte bërë dhuratë gjermanëve por…
Koha, do të tregonte se, në se atyre u ngjante si një dhuratë, për gjermanët, ajo dhuratë do të ishte si “Kutia e Pandorës”!
_______________
nga Arian Muraj