Një gol i Gerd Myler
Kjo ishte e vetmja diferencë ndërmjet dy ekipeve. Goli! Diferenca e madhe në futboll. Të mos harrojmë, futbolli është një sport ku nuk fiton gjithnjë më i miri!
Janë eliminatoret për Kampionatin Europian të Belgjikës 1972. Gjendemi në grupin 8 i cili përbëhet nga Gjermanët, Polonia, ne dhe Turqia. Pikërisht gjermanët dhe Polonia, së bashku me Hollandën, do të jenë protagonistet e mëdha të botërorit pas tre vitesh. Në ndeshjen e parë në grup, Gjermania ka gabuar në shtëpi duke lënë barazim me Turqinë. Siç u vërtetua më vonë, R. F. Gjermane, e eliminuar gjatë “Betejës së Shekullit” në “Azteca” të Meksikës, prej Italisë në gjysëmfinale, do të jetë ekipi që do të mbretëronte në Europë e në botë më 1972, 1974 dhe n/kampione Europe më 1976.
Që prej përplasjes së fundit me R.F. të Gjermanisë në Tiranë, kanë kaluar katër vite. Në këto katër vite, Kombëtarja jonë ka zhvilluar vetëm ndeshjen jashtë fushe, kundër Polonisë, humbje 3-0, më 14 tetor 1970. E ndërsa R. F. Gjermane është përsëri një superfuqi botërore ne, në sajë të vendimeve të pakuptueshme të qeverisë sonë, në momentin më të bukur, kur sapo patëm krijuar një ekip të mirë kombëtar, i privuam vetes pjesëmarrjen në kompeticione ndërkombëtare duke humbur shumë në eksperiencë. Nga eposi i 1967 ndaj gjermanëve, në përbërje të ekipit tonë gjenden Dinella, Vaso, Rragami, Bizi dhe Pano. Iljaz Çeço, Ziu, Dhales, Gjika, Cani dhe Gëzim Kasmi janë gjashtë të zgjedhurit e tjerë prej një kampionati që sa vjen dhe ekuilibrohet, bëhet akoma më i bukur.
Gjermanëve u duhen patjetër pikët. Përveç fitores në Tiranë, çdo opsion tjetër nuk pranohet! Për këtë, Helmut Shën, i cili i frikësohet Shqipërisë, zgjedh ekipin më të mirë të mundshëm. Përveç fitores në Tiranë, çdo opsion tjetër nuk pranohet! Gjashtë prej lojtarëve që gjenden në “Qemal Stafa” do të gjenden në finalen historike të tre viteve më vonë në Mynih ndaj Hollandës. Sepp Majer, Berti Vogst, Franz Bekenbauer, Volfgang Overat, Jurgen Grabovski, Gerd Myler, dhe Jup Hajnkes së bashku me Weber, Patzke, Netzer dhe Overat të cilët ishin në Tiranë edhe para katër viteve. Këtyre u shtohej një tjetër emër i rëndë, Karl Heinz Schnellinger në ndeshjen e tij të fundit me Kombëtaren e R.F. Gjermane.
A do të ishte një mision i pamundur për Loro Boriçin? Apo, do të ishte një dështim tjetër për Helmut Shënin? Ishte një pyetje për të cilën nuk mund të kishte një përgjigje. Sepse, hera e fundit kishte vërtetuar që Shqipëria nuk pyeste për emra, në fushën e saj nuk frikësohej nga askush. përkundraziu, gjermanët, na e kishin frikën. Ylli i tyre Franz Bekenbauer, si nën një “alter ego” paraqitet me një look me mustaqe si kurrë ndonjë herë, si të donte ti jepte më burrëri e kurajo vetes. Në të dyja kampet, ka më shumë heshtje se sa deklarata. Ora e betejës së Tiranës kishte mbërritur! Mendohej të ishte një betejë sepse, të dyja ekipet, sejcila sipas arsyes së vetë, pritej të jepnin maksimumin në fushë.
Pikërisht kjo e fundit u vërtetua. Të dy ekipet dhanë maksimumin në fushë vetëm se, Shqipëria ishte tërë kohën në kërkim të golit. Pano ishte po ai i katër viteve më parë. madje që në fillim të ndeshjes bën të njëjtin driblim dysh, si në nisjen e pjesës së dytë më 1967. Viktimë përsëri Overat dhe Grabovski. Që në fillim të ndeshjes, Ziu pas një inkursioni gjuan fuqishëm tokazi dhe Majer pret në dy kohë. Në këtë ndeshje vërtet mungon Jorgaqi dhe gjuajtjet e tij të para katër viteve por, Shqipëria në fushë, në çdo mundësi “bombardon” portën gjermane me gjuajtje nga distanca të ndryshme. Asi i fshehtë nën mëngë i Loros por edhe i Ilia Shukes, ndihmëstrainerit, ishte Ziu. Ai, nga mbrojtës i krahut të majtë, shndërrohej në një sulmues duke lodhur jo pak gjermanët. Po ajo gjë që bën sot Jurgen Klopp me Robertson dhe Alexander Arnold tek Liverpool.
Helmut Shën nuk ka ndonjë surprizë për të paraqitur. E vetmja shpresë është tek bomberi i futbollit gjerman, Gerd Myler. Është pikërisht ai, që i vidhet për herë të dytë mbrojtjes sonë, konkretisht markuesit të tij Bujar Canit. Herën e parë paralajmëron me një goditje me kokë në formë parabole që përfundon sipër tranversës. Herën e dytë, në të njëjtin vend, pas krosit të Grabovskit nga e majta e sulmit gjerman, Myler stopon çuditshëm topin në ajër me pjesën e majtë të fytyrës e më pas, me një kthesë me të majtën e dërgon në cep të portës së Dinellës. Është minuta e 34t. R. F. Gjermane mer frymë! Përveç një gjuajtje të Grabovskit të cilën Dinella e bllokon pa shumë probleme, çdo gjë tjetër po fliste për Shqipërinë.
Ishte e thënë të ishte goli që do të jepte verdiktin e ndeshjes! Në pjesën e dytë Shqipëria është konstante në sulm. Në fund të fundit, Shqipëria pati zbritur në fushë për të marrë fitoren dhe jo për tu mbrojtur. Ky ishte ndryshimi i madh në lojën e saj në karahasim me katër vite më parë! Gjermanët luftojnë…siç dinë ata, por, më shumë në mbrojtje. Berti Vogst, Shnelinger dhe Veber kanë shumë punë.
Në rastin më të vogël hidhen me vetëmohim në këmbët e Panos, Çeços, Bizit apo Ziut. Bekenbauer vrapon e gjendet kudo në fushë dhe për të tjerat kujdeset Sepp Majeri, legjenda e radhës në portën gjermane! Për të ishte me të vërtetë një ditë gjatë së cilës pati shumë punë. Në atë terren të lagësht, nuk i shpëton asnjë krosim. Shiu ishte prezent gjithashtu për ti dhënë një ton të veçantë kësaj “beteje”. Majer shpëton përsëri gjermanët nga një gjuajtje e fortë brenda zonës të Ziut. Në një rast tjetër, pas një krosi, Bekenbauer nuk largon mirë me kokë dhe topi kalon paralelisht me portën, jo larg Bizit por ky nuk arrin dot ta shtyjë në rrjetë. Sado që Shqipëria bën presion tërë kohën, mbrojtja gjermane dhe Majeri e menaxhojnë rezultatin dhe R.F. Gjermane fiton 0-1.
Pas ndeshjes, tërë deklaratat e gjermanëve e të shtypit të tyre, në fakt janë komplimente.
Gerd Myler – ” Ishte një ndeshje e vështirë! Ky rezultat e bën ditën të bukur dhe ndihem i lumtur që shënova sot”
Helmut Shën, edhe një herë nuk i kursen elozhet për Loron e madh – “Dua t’i bëj komplimentet më të mira kolegut tim Boriçi. Ai, e ka ngritur shumë nivelin e ekipit të tij. Ndonëse fituam, barazimi do të ishte më i drejtë. Shqiptarët nuk shënuan por patën më shumë raste se sa ne. Po të vazhdoni të luani kështu, çdo skuadër e Europës do ta ketë të vështirë të matet me ju!”
Në shtypin gjerman lexon – “Mund të themi se fitorja e sotme ishte një nga fitoret më me fat që prej Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët patën epërsinë gjatë tërë lojës. Pa dyshim, ata meritonin të merrnin më tepër.”
” Pa bomberin Myler nuk vemi askund! Është njeriu special i cili po afirmohet si zgjedhja e duhur ndaj shqiptarëve!”
Ishte hera e parë dhe e fundit që Shqipëria hyri në fushë si e barabartë me gjermanët, me synimin e qartë për të marrë fitoren. Ekipi gjerman gjatë atyre eliminatoreve, u tregua më i fortë jashtë fushës duke mundur Poloninë 1-3 dhe Turqinë 0-3 çka flet shumë për atë fitore dramatike në Tiranë. Ekipi i bukur që patën ndërtuar Loro Boriçi dhe Ilia Shuke, në dy ndeshjet e tjera në Tiranë, mori një barazim 1-1 ndaj Polonisë dhe një fitore spektakolare ndaj Turqisë 3-0! Thjesht u vërtetuan fjaët e Helmut Shën – Po të vazhdoni të luani kështu, çdo skuadër e Europës do ta ketë të vështirë të matet me ju!”
Pas përfundimit të ndeshjeve eliminatore të këtij grupi, Shqipëria…u tërhoq përsëri, për tetë vite nga eliminatoret për kompeticionet e ardhshme.
Do të rikthehej sërish më 1980 dhe në grup, shorti do ta vendoste përsëri përballë R. F. Gjermane!
nga Arian Muraj per “Vizion Sportiv / Ora e Kampioneve”