Ne dhe Gjermania | Pjesa e 6-të / #1!

0
1036

#VizionSportivOraKampioneve  

(pjesa e 6-te / #1)

Përsëri në të njëjtin grup

Nuk përbën më çudi që, shorti i eliminatoreve në futboll, shpesh bën kapriçio fëmije. Në rastin e Kombëtares së futbollit, një dorë e padukshme, shpesh i rendit kundërshtarët sipas dëshirave të çmendura! Humbja 8-0 prej Gjermanisë Perëndimore në Dortmund, natyrisht që ishte rrënjosur thellë në mendimet e çdo futbolldashësi shqiptar. Ishte një pikë historike që të bënte të ndiheshe keq, të reflektoje, të kërkoje revansh por…për këtë të fundit në fakt, të tërë mendonin përsëri e binin dakord që ta evitonin! Në se në ndeshjen e vitit 1971Gjermania Perëndimore, sapo ishte vënë në udhë drejt titujve Kampion Europe 1972 e Kampion Bote 1974, kjo Gjermani e vitit 1983, ishte konsoliduar si ekipi Kampion i Europës dhe Nënkampion i botës vetëm brenda dy viteve. Kë të përmendje më parë nga lojtarët e saj? Harald Shumaker ishte portieri më i mirë i botës por edhe ” bisha” e ”Natës së Seviljes” ku për pak desh vrau Patrik Batistonin gjatë dramës së gjysëm finales kundër Francës! Më pas, ”Tanksi” gjerman Horst Piter Brigel! Shtilike, Hansi Myler, dy vëllezërit Fërster, ”artisti” Pierr Litbarski e mbi të gjithë sulmuesi më i mirë i botës, Karl Heinz Rumenige! Madje dy yjet e mëvonshëm gjermanë Rudi Fëler dhe Lottar Mathaus do të ishin edhe ata në fushë kundër Shqipërisë. Ky ekip, një nga më të famshmit në historinë e futbollit gjerman, jo pa të drejtë, nga paraqitja dhe të dhënat trupore, personifikohet si një ”kast i përshtatshëm për filmat me Chuck Norris”!
Ne, nuk është se nuk e njihnim ata. Dy ndeshje kundër tyre, para dy vitesh. Dhjetë gola të pësuar dhe asnjë të shënuar! Ishte fundi i hidhur në futboll i të madhit Loro Boriçi por edhe i lojtarëve të brezit të viteve 70të, Ilir Përnaska, Safet Berisha, Kastriot Hysi, Kujtim Çoçoli, Sefedin Braho, Shyqyri Ballgjini etj. Shqipëria, ashtu siç ora e kërkonte, po rinovohej. Lojtarë më të rinj e të nivelit shumë të mirë kishte mjaftueshëm. Nga pas, brezi i ekipeve Shpresa po sillte një valë tjetër e cila pas një viti do e ngrinte nivelin e futbollit të klubeve si kurrë më parë. Trainerët Shyqyri Rreli e Ramazan Rragami po mernin përgjegjësinë për të krijuar një Kombëtare me nivel për dhjetëvjeçarin e 80ës. Nuk ishte e pamundur kjo dhe ndihej se diçka e mirë po arrinte. Kthesa e madhe në prezenca ndërkombëtare dhe kjo, le të fillonte nga kundërshtari më i vështirë i mundshëm në Europë. Gjermania Perëndimore! E përse jo? Duke gjykuar sot, konkludohet lehtë se pasojat e mungesës dhjetëvjeçare në ndeshje ndërkombëtare, e shoqëruar me klasifikimin e futbollit në nivel gjysëm amator dhe moslejimi i shitjes së lojtarëve, të treja bashkë, do të pengonin që Shqipëria të kishte shpresa për gjëra të mëdha. Ishte fatkeqësia e një brezi i cili edhe pse na dhuroi shumë emocione suksesesh të mëdha, edhe pse mundej që ta ndryshonte krejt historinë e futbollit shqiptar, jo për faj të tij, nuk mundi të bënte dot atë.

Klima para ndeshjes

Thonë se çudia më e madhe, tre ditë zgjat. Kështu, pas ndeshjes së Dortmundit, irritimit pak kohë më pas, ja zunë vendin qyfyret. Gjithashtu pasi u mor vesh shorti, habija pak më vonë u shndërrua ne humor. Në atë botën e bukur të tifozëve të futbollit, si gjithnjë, humori kishte vendin e tij të nderuar. Pak ditë pas anunçimit të shortit i cili na vinte përsëri në grup me Gjermaninë Perëndimore, nën zë filloi të përhapej kudo komenti epik i shkodranëve rreth kësaj – ”Gjermanët kan marë përsipër me na msue futbollin”! E pra, futbolli dhe tërë ajo botë e bukur e asaj dekade, pa faktorin Shkodër, do ishte thjesht një varfëri e zymtë! Në fakt, e vërteta ishte se nuk kishim diçka për të humbur. Mbi të gjitha, të luash kundër Gjermanisë, nuk humbet kurrë – vetëm fiton! Presioni ishte mbi ta. Ky fakt, më vete mjafton të të japë krahë e të luash futboll për ta shijuar. 

Perlati.

Dy ndeshje, tre portierë, dhjetë gola të pësuar! Në fund të gjithçkaje, askush më i plagosur se Perlati! Fenomeni vlonjat, simbol i përjetshëm i portës së Partizanit, ndonëse ishte që prej fundit të 70ës një emër i madh, në fakt, ishte akoma i ri në moshë. Në atë mbrëmje fatale të Dortmundit të vitit 1981, Perlat Musta ishte vetëm 23 vjeç. Edhe sot, për një portier është shpejt të jetë gardian i kombëtares në këtë moshë dhe teknikisht, një portier akoma nuk konsiderohet plotësisht i pjekur në këtë moshë. Perlati, thjesht ishte një fenomen dhe si i tillë, shumë shpejt fitoi vendin tek Partizani, ekipi Kombëtar ”Shpresa” si dhe në Kombëtare duke lënë pas emra si Jani Kaçi, Ilir Luarasi apo Artur Lekbello. Pikërisht për të tëra këto, ishte krejt e padrejtë ajo që i rezervoi mbrëmja e Dortmundit. E pra, në se dikush kërkonte një revansh, i pari ishte Perlat Musta! Vlonjati i Partizanit, nuk ishte thjesht ai portieri i mirë i një ekipi kampion të një shteti të vogël. Përkundrazi! Perlati ishte një ”fuori class” i të njëjtit nivel me më të mëdhenjtë! Këtë, do ta tregonte së shpejti…

29 Mars. Është kohë me diell por jo tamam pranverore. Pranvera u vonua pak atë vit. Ndonëse është diell, njerëzit qarkullojnë akoma me rroba dimërore. Franz Beckenbauer shijon kohën e bukur. Nuk ka më ato detyrimet e një futbollisti të Kombëtares Gjermanee kjo bie lehtë në sy që në veshje. Ashtu, me xhinse, atlete e një xhakavento dimërore, del një shëtitje përgjatë bulevardit të Tiranës. Është thuaj se bosh! Ngjan se i tërë bulevardi është i tij! Në fakt, njerëzit punojnë. Në Shqipërinë socialiste, papunësia dënohet me kushtetutë! Pak më pas, gjendet në stadiumin Qemal Stafa.

Tashmë, është më i madh si stadium se sa ai i 12 viteve më parë por, krejt i shurdhët në krahasim me atëherë. Bisedon pak me trainerin Jup Derwall, ka kohë edhe për një shaka me Rumenigen.

Është aq qetësi sa zërat e tyre mund të dëgjohen qartë kudo nga shkallët! Nuk ka ‘kureshtarë” në stadium dhe pikërisht prej kësaj, stadiumi Qemal Stafa i ngjan një impianti sportiv gjigand! Në Tiranë, kudo, ndër qendra pune e nëpër shkolla, porosia nga ”lart” ishte prerë. Askush në stadium për të ndjekur stërvitjen e gjermanëve. Është Shqipëria socialiste e vitit 1983

vijon

nga Arian Muraj

Vizion Sportiv / Ora e Kampioneve – mars 2021

Follow us: 
Facebook : https://www.facebook.com/VizionSportiv
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti 
Blog:  https://pierosportvision.blogspot.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here