(pjesa e 6-te / #2)
Pak para ndeshjes
Ora shënon 12.30. Trotuari i gjerë përpara biletarisë së tribunës veriore, ajo që sheh përballë radiotelevizionit është i mbushur me njerëz. Pakica e tyre, përpiqen të blejnë biletë por, është e kotë. Shumica, të ndërgjegjshëm për këtë, kërkojnë me zë të lartë a shet dikush. Natyrisht që ”ai” dikushi është gjithmonë aty, herë mbi një biçikletë, herë pak më tutje, ose përballë trotuarit tjetër, ose pranë hyrjes dhe kuptohet që nuk është ”ai” por janë ”ata”. Tifozë të tjerë përpiqen të korruptojnë çdokënd që ka lidhje me ndeshjen e sotme, policët që ruajnë hyrjet, kontrollorin e biletave madje edhe ruajtësin e biçikletave. Pak më vonë, ashtu si dy vite më parë, dikush jep orën, dikush dhjetëfishin e çmimit të biletës. Në total, dhjetëmijë njerëz më shumë se kapaciteti, do të hyjnë në stadium me çdo lloj mënyre.. Midis tyre shumë fëmijë që lusnin të rriturit ti fusnin në stadium duke i justifikuar si fëmijën e tyre! Tempulli shqiptar i futbollit, ”Qemal Stafa”, tregoi sërish se brenda tij, kishte vend për të tërë!

Vrapo or mik, vrapo!
Është ftohtë sado që pranvera ka hyrë edhe zyrtarisht. Ndër shkallë, askush nuk qëndron ulur. Stadiumi është fryrë aq shumë sa që njerëzit ngjeshen asfiksueshëm shpatull më shpatull! Në një moment, dikush, që nga shkalla më e lartme e stadiumit, fillon e rrotullohet mbi kokat e tifozëve për drejt shkallëve të para, ashtu si një gur, rrotullohet nga kodrina. Pastaj edhe një tjetër. Pas disa minutash ndodh përsëri. Në fakt nuk ishte një fenomen i panjohur gjatë ndeshjeve kur ”Qemal Stafa” mbushej më shumë se plot. Diçka si Rolling Stones…apo rolling men? Fotografëve të huaj kjo u tërheq vëmendjen dhe afrohen për të mos humbur këtë fenomen të rrallë. Në fushë, përballë tribunës së mbuluar, gjermanët janë duke kryer nxemjen. Sytë e të tërëve janë mbi ”të njohurit” Rumenige, Brigel, Litbarski dhe vëllezërit Fërster. Harald Shumaker kryen nxemjen në portë larg tyre. Pa pritur, një njeri me kostum gri të errët ( i zakonshëm në modën e asaj kohe) vrapon si i çmendur dhe i drejtohet tribunës, grupit të lojtarëve gjermanë. Është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Njerëzit, policia, sigurimsat hutohen. Rumenige është përkulur drejt tribunës, i veshur me xhaketën e kaltër adidas të kombëtares gjermane dhe po kryen nxemjen klasike. Prek majën e këmbës së djathtë me dorën e majtë dhe anasjelltas. Dëgjon zhurmën e tifozëve por nuk arrin të ngrejë kokën. I riu arrin tek ai dhe i hidhet nga pas në trup! Rumenige i hutuar kërkon ta largojë nga vetja. Tifozi, i hedh dorën mbi shpatulla, e përqafon, e puth me nxitim e menjëherë rikthehet me vrap nëpër fushë, kësaj radhe, që të futet e të humbasë midis njerëzve në tribunën e madhe qendrore, ose ”20shja” siç quhej dikur. Tërë organet e Pushtetit Popullor e kanë kaluar hutimin dhe vihen në ndjekje të tij. Policë e civilë. Tridhjetë mijë njerëz në stadium bërtasin me sa munden duke inkurajuar guximtarin, ”vraapoo, vrap, vrap vrap robo, vrapo, vrapo miko”. I riu arrin tek kangjellat dhe me shpejtësi drite, kapet me njërën dorë tek to e i kapërcen duke humbur në turmën e tifozëve. Tërë stadiumi oshëtin nga ovacionet! Një numër i madh policësh dhe agjentësh futen midis tifozëve për ta gjetur. Në të njëjtën kohë përhapet fjala se i panjohuri është një shkodran, natyrisht, tifoz i thekur i Gjermanisë. Ndërkohë entusiazmi vazhdon në stadium.Dukej sikur tridhjetë mijë njerëz gëzoheshin që i panjohuri, arriti në finish më parë se forcat e rendit! Natyrisht, as sot nuk lejohen të tilla gjëra por, atë pasdite, futbolli i dha mundësinë aq shumë njerëzve, të ndiheshin një herë fitues kundër rendit! Në mos për të tjera, ajo ndeshje do të mbahet mend të paktën për këtë.
Para betejës
Jup Derwall, ai burri i urtë në pankinë, si rrallë trainer gjerman, nuk pret ndonjë qëndresë nga shqiptarët. Thënë ndryshe, në dy ndeshje kundër Shqipërisë jo shumë kohë më parë, mori një fitore pa vuajtje në Tiranë 0-2 dhe një tjetër me rezultatin mamuth 8-0 në Dortmund. E cilëson të arsyeshme tu japë një rast, lojtarëve pa shumë emër. Jonny Otten, Stephan Engels, Gerd Strach dhe…Rudi Fëler. Madje për Rudi Fëler është ndeshja e parë e tij me ”Die Nationalmanschaft”.
Shyqyri Rreli, ky një njeri i qetë dhe shumë fisnik, pati filluar pa shumë zhurmë rindërtimin e Kombëtares. Kryesisht i besonte lojtarëve nga ekipet e Tiranës. Pa diskutim, kapiten ekipi ishte Mujo (Muhedin) Targaj i Dinamos dhe me të në mbrojtje, Arjan Bimo – Tirana, Arjan Ahmetaj – Partizani dhe Petro Ruci i Flamurtarit. Mesfusha me tre, nuk përmban lojtarë kryeqyteti por forcë dhe teknikë mjaftueshmërisht. Dy lojtarë të fuqishëm si Haxhi Ballgjini i Lokomotivës, Ferit Rragami i cili ndërlidhte fare mirë fuqinë me teknikën dhe Luan Vukatana i Vllaznisë plot cilësi teknike e sidomos në pasime të sakta afër e në distancë. Në sulm, dyshja e njohur Kola-Minga të Tiranës dhe Dashnor Bajaziti i Besës së Kavajës. Në portë…kush tjetër përveç Mustës?!
”Dita e Perlatit”
Tërë ata të pasionuar që ndiqnin fshehurazi rregullisht kampionatin italian, e njihnin shumë mirë arbitrin Menegali. Nga ana tjetër, Gjermania Perëndimore, si çdo ekip i madh, favorit ndaj më të voglit, kështu ose ashtu, do ta merrte ndihmën e arbitrit në momentin që do ti duhej. Këto nuk janë thjesht fjalët e dikujt që mbështet ekipin e tij por një pjesë e pamohueshme e ndeshjes së 30 marsit 1983!
Gjermanët hidhen menjëherë në sulm për të siguruar golin i cili do tu jepte qetësinë në vazhdim. Vetëm se, Shqipëria që kishin përballë, nuk kishte lidhje me atë që patën njohur në dy ndeshjet e kaluara. Shumë shpejt, Agustin Kola, në një dyluftim shpejtësie dhe force, kalon Karl Heinz Fërsterin në të majtë, hyn në zonë dhe gjuan fort tokazi me të majtën por, topi godet në rrjetën e jashtme. Stadiumi ëshë ndezur. Thënë ndryshe, ishte i ndezur, pas ndodhisë me tifozin para fillimit të ndeshjes. Gjermanët qarkullojnë topin dendur në mesfushë por aty Rragami dhe Haxhi Ballgjin kanë kanë vënë shpirtin në fushë. Presingu gjerman dhe sulmet nga krahët sa vijnë e shtohen. Është më kollaj kështu se sa të thyesh Shqipërinë në qendër por, edhe sepse arma më e fuqishmë e gjermanëve është loja në ajër. Tashmë luhet në gjysmëfushën tonë. Është një numër i pafund dyluftimesh për topin. Shyq Rreli nuk i trembet ndeshjes. Përkundrazi, kryen një lëvizje mjeshtërore të cilën, mbase nuk do ta bënte ndonjë trainer tjetër. Në minutën e tridhjetë, heq sulmuesin Bajaziti dhe vendos përforcim në mesfushë ”Traktorin” Ilir Lame. është një lëvizje mat. Gjermanëve u mbetet të luajnë vetëm me krosa nga krahët. Është mënyra e vetme për të arritur tek porta por, edhe këtu, Shqipëria ka përgjigjen e saj. Perlat Musta! Është pasditja e tij! Për shumë njerëz, ndeshja e tij e madhe është ajo e kthimit më 20 nëntor në Saarbryken, për shumë të tjerë ajo ndeshje kundër Spanjës në Tiranë. Përgjigjen më të saktë e di vetëm Perlati…
Nga mesi dhe deri në fund të pjesës së parë, loja është një ”shi” i furishëm krosash nga krahët drejt portës së Shqipërisë. Litbarski, Engels, Myler, Otten krosojnë dhe Rumenige, Fëler, Brigel dhe qendërmbrojtësi shtatlartë Strach janë gjithnjë aty. Është një lojë shahu midis trainerëve sepse, për gjermanët, sulmojnë edhe mbrojtësit dhe për Shqipërijnë, mbrojnë edhe sulmuesit. Për ata, të gjatët e të fuqishmit janë përpara, për ne rëndësi ka mbrojtja rezultative. Shpesh në mbrojtje gjendet edhe Kola i cili shquhej gjithnjë edhe në lojën mbrojtëse përveç se sulmues i shkëlqyer. Sido që të jetë, Musta ka gjithnjë fjalën e fundit. Herë del e ngrihet mbi të tërë duke ndalur një top në ajër, herë fluturon në goditjet nga këndi duke i hequr topin nga koka lojtarëve gjermanë, herë zgjatet të devijojë ndonjë gjuajtje e herë kontrollon qetë topin duke vonuar paksa lojën.
Në përgjithësi, është mbreti i zonës! Pjesa e parë mbyllet me një rast për gjermanët. Brigel, i zbuluar, vetëm pak metra përballë Mustës godet fort me kokë. Topi përplaset në tokë e i drejtohet trekëndëshit. Është gol i sigurt…por, jo! Musta fluturon në trekëndësh dhe grushton topin. Gjermanët por dhe tërë stadiumi nuk u besojnë syve. Një minutë më pas, tërë stadiumi shpërthen sikur të kishim shënuar gol! Musta sapo pati kryer një tjetër ndërhyrje të pabesueshme! Nuk gjendej dikush dhe nuk kishte një mënyrë që të Perlati të thyhej!
Pjesa e dytë fillon me korne për gjermanët. Musta edhe një herë tjetër, del nga porta dhe pret topin me një plonzhon karakteristik të tij. Stadiumi shpërthen edhe një herë! Më pas, rast për tanët. Ferit Rragami, ndalon Otten në mesfushë, merr topin dhe avancon në të djathtë. Futet në zonë dhe gjuan fort diagonal në gjysëmlartësie por, Shumaker grushton, topi përfundon majtas tek Agustin Kola. E majta e tij është vrastare, Kola është në një pozicion të favorshëm për të, tërë stadiumi ngrihet në këmbë për të festuar golin, Kola gjuan fort dhe…për habi këmba e tij gabon duke e dërguar topin jashtë. Agustini bie në gjunjë dhe vë duart në kokë! Nuk mund ta besojë as vetë! Shqipëria nuk ka frikë. Jemi akoma në 0-0 dhe ndeshja është e hapur. Është minuta e 54t. Pikërisht aty ndodh e keqja! Bernd Fërster në mesfushë, nis një top për Litbarskin në të djathtë. Ky kroson një top që nuk ngjan problematik. Ndërkohë që Musta lë portën për ta ndaluar topin në ajër, (i ndjeri tashmë) Arjan Ahmetaj, fut kokën dhe i ndryshon drejtimin topit duke e dërguar drejt rrjetës. Musta përpiqet të kthehet pas në portë dhe kjo ngjan e pamundur. Gjithsesi Perlati, në momentin e fundit hidhet mbrapsht me trup dhe arrin në momentin e fundit ta nxjerrë topin nga porta. Aty, ”dhelpra” Rudi Fëler, me nuhatjen e një sulmuesi të madh, arrin më parë se Petro Ruci dhe, thjesht shtyn topin në rrjetë, 0-1. Është goli i parë i Fëler me Gjermaninë dhe ata, më në fund marrin frymë. Ne jemi të goditur në psikologji. Pas një pauze të qetë prej dhjetë minutash, Engels (shqiptarët ishin shumë të familjarizuar me këtë mbiemër), hyn në zonë nga e djathta, përpiqet të kalojë Targajn, vijon një përplasje trup me trup. Stephan Engels rrëzohet kollaj dhe, pikërisht aty, arbitri Menegali ”prezantohet më së miri”! Penallti për Gjermaninë Perëndimore. Rumenige do të ekzekutojë saktë dhe gjermanët kryesojnë 0-2. Loja menjëherë humbet ritmin. Gjermanët arritën aty ku donin. Shqipëria nuk ka çfarë të humbasë dhe fillon e shtyn drejt sulmit. Në minutën e 80të, Lame nis një kros me të majtën. Strach, brenda zonës së tij, nuk arrin dot me gjoks dhe përdor dorën që të marrë topin. Menegali nuk mund të mos akordojë penallti…
Pas një minute, Muhedin Targaj hyn në histori si shqiptari i parë që i shënon Gjermanisë. Në stadium, goli i parë në histori ndaj gjermanëve festohet me ovacione të pandalueshme për rreth pesë minuta. Me këtë imazh përfundon edhe ndeshja, 1-2. Gjermanët do të fitojnë me fat, me arbitër, me të drejtë, pa të drejtë…e ç’rëndësi ka? Për ta në futboll, gjithnmonë qëllimi justifikon mjetin!
Perlat Musta është njeriu i ndeshjes, por ndonëse praktikisht i pathyer nga gjermanët në ”open play”, zyrtarisht pati pësuar dy gola! Çfarë ndjesish mikse! Dhe, sa i çuditshëm është futbolli!
Nuk ishte hera e parë që Shqipëria linte fushën e mundur nga Gjermania por, ishte e para ndeshje që përfundonte me një gol diferencë pas asaj humbjeje të rëndë në Dortmund! Kapitulli i betejave të mëdha në futboll midis shqiptarëve e gjermanëve, sapo kishte filluar…
nga Arian Muraj
Vizion Sportiv / Ora e Kampioneve – mars 2021
Follow us:
Facebook : https://www.facebook.com/VizionSportiv
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
Blog: https://pierosportvision.blogspot.com/