“Restart”
Rifillim! Në kuptimin se Kombëtarja, do të rikthehet të luajë për eliminatore botërorësh dhe europianësh, pas dhjetë vitesh. Gjithashtu, që do të përballeshim me Gjermaninë, ishte sikur ta nisnim aty ku e lamë para dhjetë vitesh nga hera e fundit. Ishim me ta në një grup, u tërhoqëm nga ballafaqimet ndërkombëtare dhe kur u rikthyem, u gjendëm sërish me ta në grup.
Shqipëria
Në fakt, gjërat kanë ndryshuar shumë brenda Shqipërisë. Kampionati, niveli i tij gjithashtu. Sapo ka perfunduar cikli i Dinamos së treshes së famshme Ballgjini – Zëri – Përnaska. Partizani i Bejkush Birçes është kampion i vendi, në ardhje është Tirana e viteve 80të por edhe Vllaznia. Është ai ndërrimi i dekadave i cili, fillon me fundin e një Kombëtareje të shkëlqyeshme. Ekipi që përfundoi eliminatoret me fitoren ndaj Turqisë 3-0, pati fatin e keq që në dhjetë vitet e ardhshme të mos merrte pjesë në aktivitete ndërkombëtare. Kështu, fund për dy yje të mëdha të futbollit shqiptar si Sabah Bizi dhe Iljaz Çeço ndërsa, një bomber si Ilir Përnaska konsumoi dhjetë vite pa Kombëtare! Ndeshja e fundit e Kombëtares në Tiranë, më 14 nëntor të 1971, ishte një nga ditët më të bukura të karrierës së Përnaskës. Shënonte dy gola në fitoren 3-0 ndaj Turqisë. Ishte vetëm 20 vjeç! Kombëtarja zbret në fushën e “Qemal Stafa” me Jani Kaçin, Safet Berishën, Kastriot Hysin, Kujtim Çoçolin, Muhedin Targaj, Ilir Lamen, Ferdinand Lleshin, Uran Xhafën, Arben Mingën, Ilir Përnaskën dhe Shyqyri Ballgjinin. Trainer si gjithnjë Loro Boriçi. Kundërshtari i fortë i Helmut Shën dhe protagonisti i suksesit të madh ndaj R. F. Gjermane më 1967.
Përbindëshi!
Ishte pikërisht kështu! R. F. Gjermane, sapo pati rinovuar ekipin. Niste dekadën me një njëmbëdhjetëshe krejt të re nga 1974 me përjshtim të Paul Breitner. Ishte Kampionia e sapokurorëzuar e Europës, Itali 1980. Kishte në përbërje lojtarë “yje bote” në kuptimin e plotë të fjalës. Synimi i tyre i qartë – vendi i parë në grup dhe Kampione bote pas një viti në Spanjë! Në dëgjimin e emrave të tyre…stepeshe! Shumaker, Brigel, Kalc, Dremler, dy vëllezërit Fërster, Braitner, Shtilike, Litbarski, Fisher, Hrubesh, Allofs, sulmuesi më i mirë i botës, Rumenige dhe një nga mesfushorët protagonistë në Europë gjatë dhjetëvjeçarit, si me Barcelonën edhe me Real Madrid, Bërnd Shuster! Ishte dhjetëvjeçari që nisi me këtë ekip si kampion Europe më 1980, finalist i të tre Botërorëve, për tu kurorëzuar Kampione Bote më 1990, po aty ku e nisi si Kampion Europe, në Itali! Në se ekipi Kombëtar i Republikës Federale të Gjermanisë, nuk ishte një përbindësh,…atëherë kush tjetër mund të ishte?!
Biçikleta!
Në Shqipërinë e vetmuar nga bota, biçikleta ishte më e rëndësishme se ajo e një hollandezi në Amsterdam apo një kinezi në Shanghai! Ishte mjet transporti i familjes, ishte dashuri, ishte dhe modë! Për shkodranët ishte më shumë se kaq! Ishte mbase… gjithçka!
Interesimi për këtë ndeshje ka qenë i jashtëzakonshëm! Statistikat thonë se në 1 Prill të vitit 1981, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ishin të pranishëm 30.000 spektatorë. Pra, 10.000 mbi kapacitetin! Askush nuk mund të japë një numër të njerëzve që mbetën jashtë. Që tre ditë më parë, mijëra shkodranë u nisën drejt Tiranës me trena, autobuzë, kamionë dhe…me biçikleta! Bileta në tregun e zi u dhjetëfishua nga tre lekë të reja në 30-35, pra, dy ditë pune. Shumë njerëz të cilët nuk gjetën biletë, filluan të tundonin policët duke u falur biçikletën! Po, po! Duke u falur biçikletën e në disa raste edhe duke e këmbyer me dhjetë pesëmbëdhjetë bileta! Të tëra këto sakrifica për vetëm 90 minuta ndeshje!
Ishte në përgjithësi një ndeshje e qetë, pa tension dhe pa shumë gjëra për tu mbajtur mend. Në fushë dukej qartë supremacia e gjermanëve. Ishin vetëm tre momentet që kanë mbetur në kujtesë. Dy golat e Shuster dhe një penallti e pa dhënë për Përnaskën. Të treja këto, për jo pak njerëz, vlejtën…sa një biçikletë!
Bernd Schuster
Në tërë Shqipërinë, ishte dita e gënjeshtrave! Për Bërnd Shusterin, në plot kuptimin e fjalës, ishte dita e tij! Shënoi të dy golat e fitores së ekipit të tij. I pari spektakolar, me një gjuajtje jashtë zonës direkt e topin që përfundon në trekëndësh. Në të njëjtën ditë, gruaja e tij, në Gjermani, sillte në jetë fëmijën e tyre të parë!
Padrejtësia
Shqipëria ishte e vogël në futbollin Europian dhe askush nuk dyshonte se, në rast nevoje, gjermanët, do të kishin arbitrin në anën e tyre. Golit të mohuar të Gjinalit në 1967ën prej austriakut Ferdinand Marshall, i u shtua penalltia e padhënë e Përnaskës në këtë ndeshje. Përnaska ka lënë pas qendërmbrojtësin Bernhard Dietz dhe brenda zonës gjendet përballë me portierin Shchumacher. Menjëherë Dietz e tërheq nga dora dhe nga fanella duke mos e lejuar të godasë topin dhe…për arbitrin Antonin Vencl nga Çekosllovakia, çdo gjë është në rregull!
Goli i parë ndaj R. F. Gjermane, do të vononte edhe dy vite akoma. Do të shënohej pikërisht nga pika e bardhë e penalltisë!
Follow us:
Facebook : https://www.facebook.com/VizionSportiv
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
Blog: https://pierosportvision.blogspot.com/