Rikthim në vendin e krimit!
Përdoret shpesh si frazë në kriminalistikë dhe cilëson se, vrasësi rikthehet në vendin e krimit. Po ta përqasim me histori futbolli, në fakt aty, u kthye edhe viktima!
Pas 14 vitesh, Gjermania Perëndimore dhe Shqipëria. Përseri aty, në Dortmund. Kësaj radhe në disa metra më tej nga fusha e vjetër e prillit të vitit 1967, në “Westfalenstadion”. Atëherë ishte një humbje e rëndë, 6-0. Tetë muaj më pas, si hakmarrje për atë humbje të rëndë, u shkaktuam një goditje më të rëndë se një humbje gjermanëve. Një skualifikim i cili, të themi të drejtën, do tu rëndojë gjithmonë. Kësaj radhe, është e kundërta. Kemi humbur pa pretendime në prill në Tiranë dhe më 18 nëntor gjendemi në Dortmund duke e ditur shumë mirë se çfarë na pret. Gjithashtu jemi krejt të ndërgjegjshëm se nuk mund të pretendohet përveç se një humbje dinjitoze. Është një kombëtare pak e ndryshme nga ajo e ndeshjes së Tiranës. Mungojnë Përnaska, Çoçoli, Minga, Kaçi, Shyqyri Ballgjini por, Loro Boriçi është i plotfuqishëm në punën e tij dhe vepron pikërisht ashtu siç vetëm ai mendon. Është edhe një nga Kombëtaret më…kombëtare! Përveç lojtarëve të klubeve nga Tirana dhe Shkodra që, tradicionalisht përbënin trungun e kombëtares, në formacion gjenden edhe Popa dhe Lleshi të Labinotit të Elbasanit dhe Sefedin Braho i Luftëtarit të Gjirokastrës. Prurje të reja janë Perlat Musta, Agustin Kola, Roland Luçi dhe Haxhi Ballgjini. Himni kombëtar ngroh zemrat e lojtarëve në fushë. Loro Boriçi dhe Jupp Derwall përshëndesin përzemërsisht njëri tjetrin. Furtuna nuk ka plasur akoma…
Shpërfytyrimi!
Gjermania njeh vetëm fitore në grupin e parë eliminator për Kupën e Botës – Spanjë 1982. Gjithsesi, përveç Bërnd Schuster i larguar përgjithnjë tashmë nga kombëtarja gjermane, vetëm Eike Immel gjendej në portë në vend të Harald Schumacher. Djetë të tjerët janë formacioni më i mirë i mundshëm gjerman. është thuaj se i njëjti ekip që përparoi deri në finalen e Kampionatit Botëror kundër Italisë pas një viti, një nga ekipet më të mira të historisë së futbollit gjerman. Shqipëria kishte përsëri pafatësinë të gjendej në grup më një brez historik gjerman. Kjo, u duk menjëherë në fushë. Karl Heinz Rummenigge pa u impenjuar shumë, dëshmoi qartë përse ishtë sulmuesi më i mirë i botës. Me tre gola të tij dhe një të Fisher dhe një nga Kaltz, pjesa e parë përfundon 5-0! Turpi është i madh po të mendosh se janë luajtur vetëm 45 minuta! Gjermanët ndërrojnë pasa dhe vende lirshëm, nuk kapen në ritëm, shpesh përdorin finde, shpesh luajnë me një takim. Nga krahët Manfred Kaltz dhe Hans Peter Briegel janë të papërmbajtshëm aq sa ndonjëherë, nuk kuptohet kush luan në sulm për ta! Në luftën në ajër janë krejtësisht superiorë. Nga ana fizike ka diferenca të mëdha. Në përgjithësi ata janë në fushë dhe ne, nuk jemi! Me një vështrim të parë, ngjan se Shqipëria nuk ka luajtur kurrë aq dobët!
Në pjesën e dytë, gjermanët nuk e ulin ritmin. Tashmë shënojnë gola edhe me ndihmën e fatit! Litbarski ekzekuton një goditje të lirë. Topi përplaset në trupin e Berishës dhe ndërron krah drejt rrjetës duke lënë Perlat Mustën të pafuqishëm. Ishte një mbase mbrëmja më e eerët në karrierën e Perlatit! Me ose pa faj të tij, gjashtë gola, ishin shumë për nivelin e tij e në përgjithësi për një portier i cili sapo pati marrë vendin në Kombëtare. Le fushën kokëulur. Është i plagosur rëndë, në egoizëm! Nuk ishte mbrëmja e tij! Në tërësi, nuk ishte as mbrojtja me të dhe as fati. Çdo portier në vend të tij do ti lutej Zotit për një mundësi tjetër, mbase shpagimi, mbase për të treguar se nuk është në të vërtetë ai i asaj mbrëmjeje në Dortmund. Në futboll, kush nuk do ta dëshironte një mundësi të dytë? Zoti ose fati, jo shumë më vonë, do ta vinte përsëri Perlatin përballë ekipit gjerman. Asaj radhe gjërat do të ishin shumë më ndryshe…
Në fushë, me nr 12të dhe si shqiptari i dymbëdhjetë, hyn Luarasi. Në se golin e gjashtë e shënoi fati, ai i shtati vjen nga…arbitri. Në se kjo në Dortmund ishte penallti për Litbarskin, atëherë çfarë duhej të ishte rasti i Përnaskës në Tiranë? Ndodh shpesh që një penallti e padiskutueshme të mos akordohet dhe një e diskutueshme, të akordohet nga arbitri, i cili nuk lë vend për diskutime! Në realitet, pa diskutim që penalltitë, janë një kapitull më vete në përplasjet gjermano-shqiptare. Gjithsesi, në Dortmund, rezultati është 7-0 dhe, gjermanët akoma rendin kudo pa mëshirë mbi lodhjen e shqiptarëve! Këtë kupton kur katër minuta më pas, në se sheh Fisher duke shënuar edhe golin e tetë për të hedhur përfundimisht në gropë kufomën e asaj mbrëmjeje!
Në fakt, bisha nuk kishte vdekur akoma!
Epilogu
Të tërë dalin nga fusha me kokën ulur. Shumica të rraskapitur. Roland Luçi me probleme në këmbën e djathtë pas një ndërhyrjeje nga pas të Shtilike. Safet Berisha e ndjen se ka ardhur koha të dorëzojë shiritin e kapitenit. Muhedin Tarkaj aty pranë tij mbase nuk mendon të njëjtën gjë por, është i vetmi që mund ta mbajë shiritin në vitet e ardhshme. Në dhomat e zhveshjes, Rumenige merrte për dore Agustin Kolën dhe e shpinte tek dhoma e gjermanëve duke i dhuruar disa palë këpucë futbolli “adidas”. Të tjerët, kanë përfituar një fanellë të gjermanëve.
Loro Boriçi, lë dhomën e Kombëtares Shqiptare dhe ecën mendueshëm në korridor. Nuk ka nevojë të arrijë në Tiranë për të kuptuar se çfarë do të ndodhë… Djemtë e kanë të qartë gjithashtu por, në heshtje, brenda vetes, kërkojnë një revansh…
Është mbrëmja e 18 nëntorit, 1981. Ashtu si 14 vite më parë, Gjermania Perëndimore, fitonte si duke u tallur me Shqipërinë. Nga ana tjetër, bisha e plagosur rëndë, Shqipëria, nuk mundej përveç se të fiksonte mirë atë që i shkaktoi atë plagë, Gjermania.
Vetëm pas njëzet vitesh ose më saktë, pas shtatë “betejave”, Gjermania do të mund të rifitonte përsëri pa pësuar dhe, me më shumë se një gol diferencë.
nga Arian Muraj