Në kujtim të aktores Hajrie Sula ( – 2014) | Aktorë te harruar te skenes shqiptare!

0
2484

Hajrie Sula (    – 2014) 
Aktore e estradave profesioniste te Shkodres dhe Tiranes.

Hajrie Sula eshte pjese e atyre aktoreve te lene ne harrese, edhe pse ajo ishte një nga artistet më të njohura të skenës shkodrane në fushën e humorit dhe të satirës. Ajo i perket bërthamës së parë të humorit profesionist shkodran. I takon viteve ’65. Ishte një talent që lulëzoi shpejt dhe u shua shpejt. “Yll i skenës…” – e pati quajtur kolegen e tij aktori Tano Banushi (A.P).

Talenti i saj rrezatonte art e bukuri, që shpërblehej gjithmonë me duartrokitje të vazhdueshme të spektatorit shkodranë. Nisi udhën artistike në Estradën e Shkodrës. Ishte ende një vajzë e re, e thjeshtë, pa komplekse, e mbi të gjitha me një sy që e bënte padyshim një aktore ekspresive. Interpretonte me profesionalizem duke krijuar profilin e saj përkrah aktorëve, si: Tano Banushi, Hasan Smaja, Paulin Preka, e te tjere aktore te mirenjohur te kohes. Kishte një nuhatje të veçantë dhe në atë që bënte ishte organike e sugjestionuese.

Interpretimet e Hajries kishin diçka të veçantë, një individualitet të papërsëritshëm. Nga premiera në premierë ajo sillte dukuri të reja në komunikimin me shikuesin. Tano Banushi në atë kohë krijoi ciklin-parodi: “Dulla e Havusha”, i cili rezistoi gjatë. Ky cikël e bëri Hajrien një nga aktoret më të shquara. Dulla ose Dullesha, Hava ose Havusha u futën në mënyrë të çuditshme, sidomos në humorin shkodran, në fjalorin e përditshëm njerëzor.

Në vitet e suksesshme kur Hajria ishte pjesë e estradës së Shkodrës, papritur lëkundjet e jetës e ndoqën nga pas e duartrokitjet e spektatorit të saj të dashur shkodran u ndërprenë.

Mbas pak vitesh ajo erdhi në Estradën e Tiranës, por tashmë ishte më e pjekur. Edhe në premierat e kësaj estrade, ra në sy menjëherë talenti i saj përkrah Melpomeni Çobanit, Skënder Sallakut, Enver Dautit, etj. Interpretimet e saj plot ëmbëlsi edhe këtu, patën të njëjtin sukses dhe e radhitën ndër aktoret më të kërkuara në estradë. Duke qenë aktore plastikisht e punueshme, lakonike e konkrete, ajo arriti te krijojë një katalog rolesh, brenda të cilit kishte gruan, plakën, fëmijën, vajzën etj.

Në Estradën e Tiranës u krijua një cikël skeçesh me përmbajtje aktuale të ditës, në të cilin Hajria krijoi me dhjetëra tipa të gruas që nga veriu deri në jug. Pikërisht për këtë cikël, drejtoria e estradës mendoi ta propozonte aktoren Hajrie Sula për titullin ‘Artiste e Merituar’ me mbështetjen e të gjithë kolektivit, e kështu u bë.

Mbas dy ditësh e thërrasin në drejtori dhe i komunikojnë pushimin nga puna e kalimin në prodhim. Ishte viti 1975 kur e dërguan në Uzinën “Dinamo” për të mos u kthyer më në skenat profesioniste. Shumë shpejt ngriti grupin amator të uzinës me të cilin ajo jo vetëm shkëlqeu, por u rrethua nga dashuria e njerëzve të thjeshtë.
(deri ketu teksti simbas z. Xh. Bushati i vetmi burim informacioni )

Ajo ka interpretuar edhe ne dy filma artistike te gjinise se komedise “Estrada ne ekran” (1968) dhe “Kur hiqen maskat” (1975). Sidomos tek ky film, edhe pse fakti eshte evident askush nuk u kujtua te publikoj nje foto te sajen nga ky film teksa interpretonte perkrah aktorit te madh te humorit, Skender Sallaku (A.P).

Zonja Hajrie Sula i mbylli sytë në Liezh, Belgjikë ne vitin 2014 nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Malli për qytetin e lindjes që i dha jetë artit dhe e bekoi me talentin e humorit shkodran, i jetonte gjithëherë në zemër.

Nderkohe, anasjelltas ne Teatrin “Migjeni” te Shkodres nuk ekziston dosja personale e saj. Madje nuk ka as date apo vit lindjeje te shenuar diku (edhe nese provoni te kerkoni)……Ja ky eshte “shperblimi” qe iu jepet artisteve tane, sidomos atyre qe nuk jetojne, te cilet largohen nga kjo bote me nje peng te madh, me kontributin dhe vlerat e mohura ne artin skenik.

U publikua per here te pare ne faqen “Kinematografia Shqiptare” ne Facebook ne janar 2020.
______________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
VINI RE: Nje pjese e tekstit eshte marre nga libri “Kujtesa e nje qyteti” – Teatri Migjeni / albas 2020/ XH. Bushati / f. 106.

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here