Në kujtim të kompozitorit Feim Ibrahimi (1935-1997)

0
2641

Feim Ibrahimi (1935–1997)
Kompozitor i shquar, “Artist i Popullit”

Lindi më 20 tetor 1935 në Gjirokastër, është nga kompozitorët më të njohur të Shqipërisë. Emri i tij është një nga personalitetet më të spikatura të muzikës shqiptare që prej viteve 1970 e më tej. Praktikisht autodidakt në fillimet e veta, ai qe i pari kompozitor shqiptar me peshë që studioi në mënyrë ekskluzive brenda vendit, duke u regjistruar më 1962 në Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, ku studioi nën drejtimin e Tish Daisë deri më 1966. Pas kësaj ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni, në Konservator (1966–73), e më pas mbajti postin e nëndrejtorit të Institutit të Lartë të Arteve, organizmi mëmë i Konservatorit (1973–1977). Krijimtaria muzikore e tij, përmban në vetvete vepra nga llojet më të ndryshme. Atë mund ta ndajmë në tri periudha.

Në periudhën e parë, vitet 1963-1970, përfshihen krijimet e para të kompozitorit. Veçojmë këtu Tokatën për Piano, suitën e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, suksesi i së cilës e bëri të njohur, jo vetëm në qarqet artistike por edhe për publikun e gjerë. Ndërsa Koncerti për Violonçel e Orkestër dëshmoi qëllimin e Ibrahimit për prurje të reja. Krjimet e periudhës së parë treguan për ardhjen në skenë të një kompozitori të ri me pretendime serioze, ku gjithsesi dalin në pah simptomat e para të një autori profesionist.

Vitet 1971-1990, periudha e dytë, përmban veprat ku autori kristalizoi tiparet e tij dalluese. Veçohen këtu dy koncertete për Piano e Orkestër si edhe Koncertin për Oboe e Orkestër. Të tri këto vepra sollën një realitet të ri për muzikën shqiptare të asaj kohe. Të shquara për një frymë novatore, duke treguar tendencën e Ibrahimit për të dalë nga standartet e kohës, ku dalin në pah specifikat dalluese të krijimtarisë së autorit. Një vend të veçantë në këtë periudhë zë edhe vepra e vetme skenike a autorit, Baleti Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë, të cilën e krijoj në një kohë kur ai e kishte arritur plotësisht stadin e pjekurisë kompozicionale, duke sjellë kështu një nga veprat më të mira për artin skenik shqiptar.

Periudha e tretë dhe e fundit përfshijnë veprat e viteve 1990-1997. Ai në këtë periudhë shfaqet një kompozitor me një dozë të madhe tragjizmi në vetvete. Kjo gjendje e tij sigurisht që lidhet ne situatën historiko-politike, që po kalonte vendi ynë. Pasi, ashtu si edhe shumë artistë të tjerë autori krijoi “iluzionin” se rrjedha e artit shqiptar me ndrrimin e sistemeve do të merrte një rrjedhë krejt të re dhe më pas diziluzioni i autorit, për arsye se atë do ta arrinin edhe ta shpërfillnin nga muzika shqiptare. Kështu ai mbërthehet i tëri nga mendimet dhe ndjenjat më të errëta të një njeriu, duke shkuar gjithnjë drejt një gjendje të pashpresë, kjo fazë mund të cilësohet edhe si periudha “tragjike” e krijimtarisë së Ibrahimit, përfaqësuese me veprat, De profundis, Trio Vikamë, Simfonia Tragjike, romanca Dasvidanja.

Posti i tij më i lartë qe maestro Ibrahimi mbajti ishte ai i sekretarit për muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1977–1991) ; më vonë qe edhe drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë (1991–92). Prej 1992 deri sa nderroj jete, dha mësime teorie dhe kompozicioni në Konservatorin e Tiranës.

Më 1992, themeloi festivalin Mbrëmje të Muzikës së Re Shqiptare. Më 1994 themeloi shoqatën artistike Pentaton (sot Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”), me synim organizimin e disa veprimtarive kulturore dhe ngritjen e një konservatori privat për fëmijë të talentuar. Disa nga veprat e tij janë botuar në Angli prej Emerson Edition.Për meritat artistike, më 1989, shteti shqiptar i akordoi titullin Artist i Popullit, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë. Ndërsa më 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin Nderi i Tiranës, për kontributin e tij në kulturën shqiptare, dhe veçanërisht për kulturën e kryeqytetit. Më 2001, Bashkia e Durrësit (qyteti ku kish kaluar fëmijërinë dhe rininë e vet) i dha titullin Qytetar Nderi.

Ibrahimi ka fituar shumë nga çmimet e dikurshme kombëtare dhe ato të Koncerteve të majit (aktiviteti kryesor muzikor i përvitshëm që prej 1967-s). Ka fituar dy herë Çmimin e Republikës – çmimi më i rëndësishëm dhënë për veprimtari krijuese.
Më 1990, në Aalto Theaterfoyer, në Essen (Gjermani), u organizua një koncert-portret, që përmbante edhe një leksion mbi muzikën e tij. Më 1994, me ftesën nga Brahms-Gesellschaft, Ibrahimi qe composer-in-residence në Brahmshaus të Baden-Baden-it (Gjermani), dhe drejt e pas kësaj studioi muzikë elektro-akustike në Mozarteum në Salcburg (Austri). Më 1995, vepra e tij De Profundis – kompozuar gjatë qëndrimit të tij në Salcburg – u përzgjodh për festivalin e muzikës elektro-akustike në Bourges, Francë.

Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale. Dialog për violonçel dhe piano, si dhe romanca E la tua veste è bianca (sipas një poeme të S. Kuazimodoso) për soprano, violonçel dhe piano, (të dyja të kompozuara në qershor të 1997-s) janë punët e fundit të kompozitorit .

Maestro Feim Ibrahimi eshte dhe kompozitori i kolonave zanore te disa filmave shqiptar, nder ato : “Ngadhenjim mbi vdekjen”; “Perse bie kjo daulle”; “Shembja e idhujve”; “Pylli i lirise”; “Balada e Kurbinit”; “Kur zbardhi nje dite”; “Balle per balle”; “Te paftuarit”;
Nderroj jete në 2 gusht 1997 në Torino, Itali.
___________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Publikuar per here te pare ne Facebook ne gusht 2016 dhe rishikuar ne vitet vijues.

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here