Portret i aktores Vitore Nino (1924-2007)

0
1901

Vitore Nino (1924-2007) Artiste e merituar.
Aktore e brezit themeltar te teatrit “Migjeni”, Shkoder si dhe e kinematografise shqiptare. Ajo mbeti “Halla” e skenes shqiptare. Publiku artedashes dhe ne vecanti ai i qytetit ku ajo lindi e kujton ate me se miri si “Halla”, per rolin e interpretuar tek filmi “Cifti i lumtur”, aty ku Vitore Nino ka arritur te simbolizohet dhe te misherohet gjeresisht. 

U lind në Shkodër, më 7 shkurt 1924 atehere kur teatri amator i shoqërive kulturore ishte në kulmet e tij. Shkodra, me shoqëritë kulturore, me teatrin amator ato vite, ishte ndër qytetet pararojë të artit tonë skenik, pasi aty, në atë qytet, u dha edhe shfaqja e parë teatrale në fund të shek XIX. Kjo atmosferë arti, me shfaqje e një rini të kulturuar, ndikoi shumë në karrierën e vajzës së re shkodrane me plot ëndrra.

Kyen studimet ne Institutin Pedagogjik dhe fillon punë si mësuese në Tiranë dhe në Kosovë ku jepte gjuhën shqipe. Por dashuria e saj e madhe është teatri. Keshtu ajo së bashku me vajza e djem të tjerë, aktorë të talentuar të artit amator, krijuan me regjisorin e madh Andrea Skanjeti teatrin diletant të shtëpisë së kulturës, me të cilën vunë në skenë disa pjesë. Vitorja shkëlqeu që në shfaqjen e parë në vitin 1946.

Pjesa “Portreti” e vënë në skenë nga Skanjeti, bëri të mundur të shpërfaqet talenti i Vitores dhe vajzave të tjera. Kjo bërthamë e teatrit diletant bëri që në vitin 1949, katër vjet pas krijimit të Teatrit Popullor në Tiranë, të krijohej teatri profesionist “Migjeni”. Së bashku me 25 pjesëtarë të tjerë, mes të cilëve edhe Vitore Nino, Ida Kraja, Çezarina Çiftja, Aneta Nikaj etj nisi udhën e tij teatri profesionist që mblodhi rreth tij artistët më të talentuar të kohës. Në karrierën e saj të gjatë mbi 40 vjecare janë afro 130 role në skenën e teatrin “Migjeni” dhe mbi 7 role edhe në filmin artistik, ne harkun kohor 1946 – 1989.

U pelqye se tepermi per rolet e grave malesore te qendrueshme e fisnike, per figura nenash te forta e te dhimbsura, per njerez qe harmonizonin ne karakteret e tyre tonet e ashpra me ato te buta. Perjetime te thelluara psikollogjike me sensin e humorit , te ironise e shakase. Pa u ndalur më gjatë në analizën e tyre do të veçonim nga kjo krijimtari rolet e Vitore Ninos në pjesët, qe ne fillim te karrieres : “Portreti” ; “Çështja ruse” ; “Ata që nuk shfaqen” ; “Ishulli i paqes” ; “Përmbysja” ; e me pas ne rolin e Lokes tek “Toka e jone” te Kole Jakoves; rolin e Soses ne dramen “Fisheku ne paje”; “Keshilli i ndrikullave “ ; “Shpartallimi”; rolin e Nene Bjeshkes tek “Baca i gjetajve”; “Luani i shtepise”; “Cifti i lumtur” etj.

Në kinematografi interpretimi i saj i parë do të jetë në filmin “Komisari i Dritës” më tej do të vazhdonin rreth 20 role të tjera. Do të bëhej shumë e njohur për publikun me rolin e Hallës në filmin “Çifti i lumtur”. Roli i saj më i fundit do të jetë, roli i Gjyshes, në filmin televiziv “Rikonstruksioni” në vitin 1989.

Veprimtaria skenike e Vitores është e larmishme, nga role të vegjë, në role të fuqishëm karakteri, nga komedia e gëzueshme tek dramat e lotët e thellë.
Një aktore me vlera si Vitore Nino ka qenë fat për teatrin “Migjeni”, pasi ajo ka kompletuar më si miri atë tablo të bukur të aktorëve shkodranë, të cilët të gjithë së bashku i ngjajnë një kurore plot yje ku secili prej tyre ka vendin e merituar e të domosdoshëm.

Vitore Nino mbahet mend nga spektatori shkodran për larminë e roleve, për bukurinë skenike e mbi të gjitha për talentin e saj. Ndërsa spektatori shqiptar i ekranit e ka skalitur ne mendje në komedinë e famshme “Çifti i lumtur”, ku Vitore Nino luan rolin e hallës. Ne njefare kuptimi “Halla” e paharruar e Kinemase Shqiptare. Nino ishte një aktore që, së bashku me aktorë të tjerë të shquar të tetarit “Migjeni” krijuan një profil kolektiv, të veçantë dhe që të gjithë së bashku ishin nga shtyllat e teatrit shqiptar. Janë pjesë të mëdha, komedi e drama nga më të arrirat e dramaturgjisë kombëtare e asaj të huaj, të cilat konkurruan denjësisht në rang kombëtar, dhe mbetën si modele të artit tonë skenik.
Pas vitit 1990 do të shpërngulet në Tiranë. Ndahet nga jeta me 25 mars të vitit 2007. Për meritat e saj të larta Vitore Nino do të vlerësohet më titullin “Artiste e Merituar”.

* * *
“Eshtë një ndër aktoret që përvetësonte menjëherë të dhënat regjisoriale dhe e studionte rolin e saj në thellësi. Këto të dhëna i mishëronte duke i zhvilluar me krijime të reja sipas natyrës së personazhit që interpretonte. Që nga “Portreti” (1946) dhe gjatë periudhës së 30 e më shumë viteve ndër shfaqjet që mori pjesë u dallua për një realizëm sa më të natyrshëm të rolit. Këto i përgatiste me dashuri dhe ishte e lidhur ngushtë me teatrin sa ajo nuk u shkoq nga ai as kur doli në pension.”
ANDREA SKANJETI – “Artist i Popullit”

* * *

TEATER
“Portreti” (1946); “Çështja ruse” (1947); “Ata që nuk shfaqen” (1948); “Ishulli i paqes” (1949); “Përmbysja” (1950); “Toka e jone” (1954) ; “Votra e huaj” (1956); “Tirani I Padoves” (1957); “Nora (1960); “Histori Irkutase” (1961) ; “Përkolgjinajt” (1963) e Kole Jakoves ; “E bardha dhe e zeza” (1965); “Cuca e maleve” (1967) e Loni Papes; “Çifti i lumtur” (1974); “Fisheku ne paje”; “Baca e Gjetajve” (1981) e Fadil Krajes ; “Keshilli i Ndrikullave”; “Luani i shtepise”; “Shpartallimi”; “Çështja e Blertës” (1984), etj.

FILMAT
“Komisari i dritës” (1966); “Çifti i lumtur” (1975); “Ditët që sollën pranverë” (1978); “Qortimet e vjeshtës” (1981); “Dora e ngrohtë” (1983); “Dasma e shtyrë” (1985); “Rikonstruksioni” (1989); Balada e Kurbinit (1989).


__________
Referenca: portale e gazeta te ndryshme shqiptare online, dhe nje shkrim nga F. Slatina. U publikua per here te pare ne Facebook “Kinematografia Shqiptare ne shtator 2016 dhe u rishikua ne vitet pasardhes.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here