Portreti i harruar | Sander Prosi ne “Pranvere e hidhur”!

0
873

Në galerinë e një piktori ruhet që nga 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë marsi, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite dhe ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto tani pakkush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur marsi…

Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…

Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekuilibri ka humbur shtratin e përhershëm dhe ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në ato momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty e mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri te hotel “Vollga” asnjëri nuk e ndjeu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.
____________
Referenca: marre nga gazeta “Tema” online (2016)

Follow us :

Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/

Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare

Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti

YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here