Profil i këngëtares Myfarete Laze!

0
720

Myfarete Laze
Kengetare

Lindi me 15 tetor 1958 ne Shkoder. Kreu shkollen e Muzikes “Preng Jakova” dhe gjithashtu Universitetin “Luigj Gurakuqi“ per gjuhe letersi ne Shkoder, qytetin ku u rrit dhe u edukua artistikisht. Familja e saj u zhvendos ne qytetin e Shkodres nga Saranda per arsye politike.
Shkodra e artit, e kulturës, e sportit, e këngës, e barcaletës dhe e humorit, shumë shpejt u bë për ata një vendlindje e dytë. Këtu lindën tre fëmij. Prindërit, me problemet e vështirësitë e shumta që ata të dy kalonin, rritën fëmijët me përkujdesje dhe me shumë dashuri. Myfarete duke qënë fëmija më e vogël ishte edhe më e përkëdhelura. Që kur ishte e vogël ëndërronte të këndonte dhe të bëhej një mësuese e mirë.

Prindërit, duke e parë pasionin dhe prirjet që ajo kishte për muzikën në përgjithësi dhe kanton në veçanti, e nxisin që të frekuentojë Shtëpinë e Pionierit ku dhe spikat talenti i saj.
Myfarete Laze ishte vetëm 10 vjeç kur u ngjit për herë të parë në skenë në një festival për fëmijë që u zhvillua në Shkodër, pikërisht në vitin 1968, me një këngë të kompozuar nga Xhavit Ujkani.

Babai i saj në vitin 1972 u pushua nga çdo punë shtetërore prej regjimit komunist pёr arsye politike. Familja jetonte me një rrogë të nënës. Kjo gjë rёndoi fёmijёrinё dhe adoleshencёn e Myfaretes si nga ana shpirtёrore dhe nga ana materiale. Sa e sa darka pa bukë, me vetëm 2-3 gota ujë. Mbrëmjet e gjata dhe pa televizor, familja i kalonte duke diskutuar për festivalet që i shihnin te komshija, për librat, teatrin, estradën, për ndeshjet e basketbollit, pasi babai e merrte në Pallatin e Sportit me i pa ndeshjet e basketbollit e volejbollit.

Përveç talentit dhe pasionit, suksesi i saj u ndihmua shumë nga jeta artistike dhe kultutore qё karakterizonte qytetin e Shkodrёs. Myfarete Laze u rrit mes njerëzve me shpirt e humor të madh, mes bylbylave të këngës si Marie Kraja, File Gjeloshi, Luçie Miloti, Naile Hoxha, Bik Ndoja, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizit, Klotilde Shantonja që intërpretoi në teatrin veror operën e parë shqiptare, “Mrika”, dhe plot të tjerë.

Në vitin 1979, pas shumë suksesesh në Shkodër, merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës.


Është Festivali e 19-të i Këngës në RTSH, Leti (kështu e thërrasin të afërmit dhe miqtë) ishte akoma një vajzë e re e cila do të përballej me gjiganten e këngës shqiptare Vaçe Zela dhe me shumë këngëtarë të tjerë të talentuar. Këndon këngën “Shoqet tona ilegale”, të kompozuar nga z. Agim Prodani, orkestruar nga Alqi Kareco dhe shkruar nga Xhuliana Jorganxhi, ku ishte partnere skene e Vaçe Zelës. Kënga fitoi Çmim të Parë. Po në këtë festival këndon “Nën kurorën e ullirit” të kompozuar nga Enver Shëngjergji, shkruar nga Xhuliana Jorganxhi. Kjo këngë fitoi Çmim të Tretë. Për të ishin dy gëzime në një festival.

Duke qënë një soprano shumë e mirë dëshira e saj ishte të vazhdonte studimet për kanto por, për atë “njollë” që kishte në biografi nuk i jepet e drejta. Kështu studion për Gjuhë-Letërsi. Përsoni që e ndihmoi dhe iu përkushtua më së shumti talentit të saj ishte profesori i kantos në shkollën artistike “Prenkë Jakova”, z. Ferit Bala.

Myfarete Laze ka bashkëpunuar me kompozitorët dhe poetët më të mirë të vendit, ndoshta këtë dhe për veçantinë e zërit të saj. Ndër kompozitorët përmendim Tish Daija, Avni Mula, Agim Prodani, Limoz Dizdari, Kujtim Laro, Flamur Shehu dhe poetët Zhuljana Jorgaxhi, Xhevahir Spahiu, Gjok Beci, Agim Doçi, etj.

Fal talentit të saj dhe pasurive artistiko-kulturore që i dhuroi qytetaria Shkodrane, Myfarete Laze në çdo festival që ka marrë pjesë është nderuar në çmim. Ka marrë pjesë në 17 festivale dhe ka fituar 13 çmime, ka qënë pjesëtare e Koncerteve të Pranverës, në Festivalin e Interpretuesve dhe gjithmonë është vlerësuar nga juritë. Është nderuar me çmimin “Çesk Zadeja”, “Naim Frashëri”, etj.
Është e martuar me z. Zenel Vekshari, trajner basketbolli shumë i suksesshëm.

Myfarete Laze cilësohet ndër këngëtaret më të suksesshme të viteve ’60-’80. Ajo vazhdon të jetë pjesë e skenës duke na dhuruar emocione dhe kënaqësi. Kohët e fundit ka bërë disa krijime dhe bashkëpunime të bukura për aktivitete të ndryshme si artistike dhe sociale. Një prej tyre, që tashmë është kthyer në traditë në qytetin e shkodrës, është “Dita e luleve”. Në këtë grup pune përfshihen edhe persona të njohur si Isa Alibali, Ritvan Karakaqi dhe Ahmet Osja.
Aktualisht jeton ne Tirane.

Foto galeri e kengetares Myfarete Laze
 
   
 
  
  
  

Kenget me te suksesshme te saje me te cilat u vleresua me cmime jane:
“Shoqet ilegale”, kënduar me Vaçe Zelën, çmim të parë
“Nën kurorën e ullirit” , me Lindita Theodhorin
“Nusja e maleve”, me Irma Libohovën, çmim të tretë
“Gjuha jonë”, çmim të tretë
“O Enver, o yll, o dritë”, çmim të dytë
“Udhët e atdheut na thërrasin”, çmim të tretë.

_______________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013.
Referenca: “ShkodraNews”
Fotot jane kontribut i administratoreve te faqes

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here