Profil i këngëtares Violeta Zefi!

0
3375

Vjoleta Zefi
Kengetare e mirenjohur i muzikes popullore dhe asaj te lehte kryesisht gjate viteve 80-te.

Lindi në Shkodër më 15 Qershor 1960. Nje person qe karakterizohet nga thjeshtesia, e dashur dhe fisnike, ku me zerin e saj melodioz qeteson shpirtrat e njerezve dhe largon ata per disa momente nga streset e jetes se perditshme. Qe e vogel bie ne sy si një vajzë, me flokë të verdha krrela-krrela, çapkëne, jashtëzakonisht e qeshur, e bukur si një kukull që impononte çdo banorë të rrugës a mëhallës ta uronte: “Zoti të ruajtë!”. Kjo zhdërvjelltësi dhe premisat që u shfaqën në talentin e saj, bënë që nëna e kësaj çapkënia të vogël, ta afronte atë pranë rretheve artistike të qytetit, ku për moshën ishte shtëpia e pionierit.

Për të parën herë, e shohim të dalë në publik me Estradën Profesioniste të qytetit të Shkodrës, me datë 26 mars të vitit 1968, ku ishte inkuadruar me një shfaqje për fëmijë, aty ku këndoi dy këngë, “Librazhdi im sa fort të dua”, dhe “Hyjo-hyjo, kalë vrapo”. Që nga këto shfaqje ajo nuk u shkëput më nga skena.

Sa mbaroi shkollën 8-vjeçare, për nevoja ekonomike u vendos në punë në Uzinën e Telave në Shkodër. Pa u rritur mirë tashmë ajo ishte bërë e njohur në të gjithë Shkodrën. Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Teatrit “Migjeni”, në këtë institucion nga ku kanë dalë me dhjetra këngëtarë të famshëm.
Këtu pra ajo u inkuadrua me trupën profesioniste të Estradës së Shkodrës, përkrah këngëtarëve të mëdhenj Bik Ndoja dhe Shyqyi Alushi, ku për një kohë të gjatë këndoi në trio, bashkëpunim që i solli një sukses të jashtëzakonshëm si në Shkodër ashtu edhe në turne jashtë Shkodrës.

Dalja e saj gjithnjë përkrah dy kolosëve të këngës Shkodrane, krijuan tek ajo vetëbesimin për të kënduar në skenë por edhe përfitoi prej tyre shumë për këngën popullore shkodrane. Ajo pati fatin e madh, që në këtë moshë të njomë të kishte pranë vetes këngëtarë, instrumentistë dhe humoristë ndër më të njohurit dhe më të aftët e artit skenik shkodran.

Në kohën që punonte në Uzinën e Telave, u njoh me parodistin dhe humoristin e mrekullueshëm Gjosho Vasija, që në atë kohë drejtonte grupin artistik të kësaj ndërmarrjeje, humoristin tjetër dhe aktorin Mark Lëkunda, këngëtarët Bashkim Alibali dhe Eduard Jubani, me të cilët dha me dhjetra shfaqje dhe fitoi sa e sa çmime ndër festivale lokale dhe kombëtare. Kur ishte ende 13 vjeçe, dhe pse në një moshë që askush s’e beson mori pjesë në Festivalin e 13-të Kombëtar të këngës në RTSH, me këngën “Tre brezat”, e cila fitoi çmimin e tretë. I vetmi rast që në këtë moshë konkurron në festival, duke befasuar publikun e Tiranës me talentin dhe interpretimin e saj të sinqertë fëminorë, të brishtë e të pasigurtë ende. Gazetat e kohës, filluan të shkruanin për këngëtaren e vogël shkodrane, për Shkodrën që të befasonte gjithnjë me talentet e veta në festivalet e RTSH.

Kështu Vjoleta vazhdoi të jetë pjesëmarrëse edhe në festivalin e 14-të, me këngën “Dasëm në fshat”, ku mori cmimin e trete, duke vijuar më pas me festivalin e 15-të ku dhe vazhdoi të jetë pjesëmarrëse edhe në festivalin e 18-të.

Veç interpretimit tek kjo këngëtare, shiheshin premisat e qarta të një vokali, që premtonte shumë dhe që nuk ishte ndeshur më përpara. Zor se do të gjeje në këtë moshë ende të njomë një zë të tillë kaq të madh dhe të gjërë për nga dimensioni dhe intensiteti, të bukur dhe imponues për nga timbrika e të tjera vlera të përkryera vokale.

Prandaj edhe interesimi dhe diskutimet që u ngritën nga specialistët dhe gazetarët në ato vite për Vjoletën ishin plotësisht të motivuara. Kritika gazetareske kishte përpara saj një fenomen që nuk i vinte shpesh Shqipërisë. Vlerat e Vjoletës nuk qëndrojnë vetëm tek zëri, por edhe tek inteligjenca e saj për të plotësuar vetveten edhe me një repertor sa më të larmishëm e të dashur për publikun, me këngë shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, kosovare dhe të Jugut.

Vjoleta Zefi, u aktivizua në shumë drejtime, si këngëtare, si spikere dhe si aktore; kujtojmë këtu aktivizimin e saj tek drama “Përmbytja e Madhe”, ku ajo luajti përkrah aktores së njohur të Teatrit “Migjeni”, Vitore Nino, dhe ku ajo në një aktivitet kombëtar të teatrove fitoi çmimin e parë si aktore amatore. Natyra e saj e gëzuar, optimiste dhe plot humor, përfaqësohet edhe në repertorin e zgjedhur për interpretim, këngë të gjalla dhe të gëzuara, plot dinamizëm të brendshëm e me shtrirje që i përgjigjen edhe natyrës së saj vokale, tematikë e larmishme, nga ato lirike dashurore, tek ato të trimërisë, të kurbetit, nga këngët e vjetra tek ato më të rejat.

Talentin e saj ajo e ka demonstruar edhe në marrëdhënie me zërat e tjerë si në duete, ansamble vokale etj. Vjoleta që nga koha kur ka dalë për të parën herë në skenë, ka fituar respektin dhe dashurinë e spektatorit, i cili e ka duartrokitur dhe mirëpritur në çdo shfaqje. Këtë respekt e mirëpritje Violeta e ka patur jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë, e në të gjitha skenat ku ka përformuar jashtë shtetit.

Në të gjitha aktivitetet artistike kombëtare dhe ndërkombëtare Vjoleta ashtë vlerësuar maksimalisht me diploma, çertifikata dhe medalje. Kështu vlerësohet me Çertifikatën e Çmimit të Parë, në konkursin e këngëtarëve dhe instrumentistëve solistë zhvilluar në Tiranë nga data 25 deri me 28 Mars 1971.

Festivali i Estradave i zhvilluar në Tiranë prej datës 21 korrik deri me 2 gusht 1971 e vlerësoi punën e Vjoletës me Fletë Lavdërimi. Po kësaj kohe i takon edhe një Festival i Estradave që u zhvillua nga data 4 e deri me 6 gusht të vitit 1971, i cili e vlerësoi me Medaljen e shkallës së parë, për interpretim shumë të mirë. Në Festivalin kombëtar të Shtëpive të Kulturës, zhvilluar në vitin 1975, në Durrës, nderohet me Çmimin e Parë, si këngëtarja më e mirë.
Me 22 Shkurt 1975, i jepet Çertifikata dhe medalja me motivacionin “Për punë të dalluar në përhapjen e kulturës në masat e gjëra”.

Në vitin 1976 Vjoleta Zefi dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullorë me urdhërin “Naim Frashëri i klasit të dytë”.
Vitet ’80, kur Ansambli i Radio Shkodrës shkoi në Kosovë për të bërë një turne në qytetet kryesore, ajo këndoi me bashkombësit e saj. Ky kujtim do të mbetet i pashlyer në gjithë karrierën e saj artistike.
Në takimin ndërkombëtar të Turqisë (1981), Vjoleta u nderua nga juria me çmimin më të lartë duke i dhënë titullin “Mbretëresha e Festivalit”. Vjoletën sukseset e ndoqën kudo. Në vitin 1993, kur shkoi në Amerikë, pritet shumë mirë, pastaj vijnë turnetë e tjera si: Zvicër 1994, Gjermani 1995, Mal të Zi 1996 e Maqedoni 1998.

Më 2 qershor 2005, nderohet nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin “Mirënjohja e qytetit”, me motivacion: “Për merita të veçanta në fushën e interpretimit të këngës popullore dhe për kontributin e madh të saj në këtë gjini”. Duke analizuar veprimtarin artistike të Vjoleta Zefit ndër vite konstatojmë se ajo ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme të artit dhe të Radios para viteve ’90, si: Radio Shkodra, Radio Tirana, TVSH, Teatrin “Migjeni”, “Kino Puntori”, Klubi i Rinisë “Herojt e Vigut”, dhe pas viteve ’90 me institucione kombëtare kulturore dhe mediat vizive më prestigjioze brenda dhe jashtë atdheut.

Ka kënduar nën shoqërimin e brezave instrumentistë si: Abdullah Salabegu, Mark Kaftalli, Nazmi Lishi, Luan Barova etj.
Ka kënduar me orkestrat Simfonike të RTSH, RT Prishtinë, Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Orkestrën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Banden Frymore të Shkodërs, Orkestrinën e Estradës së Shkodrës, dhe shumë formacione të tjera orkestrale edhe jashtë vendit. Ka regjistruar 39 potpuri, prej të cilave 5 janë kolazhe dhe 20 janë duete dhe trio.

Ka bashkëpunuar me figura të tilla të artit shkodran si: Tish Daija, Tonin Harapi, Xhavit Ujkani, Nazmi Lishi, Luan Borova , Tonin Daija, Ilir Zoga e shumë të tjerë. Në 7 albumet e saj ka 84 këngë të regjistruara, prej të cilave 61 janë shkodrane, 9 Shqipëri e Mesme dhe të tjerat nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare jashtë atdheut.

Në Albumin “Hala jam”, ka një bashkëpunim me këngëtarët Bik Ndoja e Shyqyri Alushi, si dhe një duet me këngëtarin Adnan Bala me këngën “Dukane”. Tek kënga “Edhe baba po m’bërtet”, një këngë e re e viteve ’70, e krijuar enkas për dy tenorët e famshëm popullorë Bikun e Shyqin dhe vajzën e re, u krijua një trio e bukur që u realizua mjaft mirë nga të tre kengetarët.

Në këtë shkrim ja vlen të evidentojmë disa nga interpretimet më brilante që Vjoleta ka në karrieren e saj, në veçanti në interpretimin e këngës shkodrane, duke përmendur këtu disa prej tyre: “Kndon bylbyli me t’madhin za”, “Hala emrin s’ta kam zan”, “Ashtë nji djalë moj nanë”, “Këngë për Mujo Ulqinakun”, “O bylbyl, o i bukri shpendëve”, “Shtëpia pastë gjithmon pranverë”, “Erdhi pranvera”, “Pse ti lule rrin e mshehun”, “Këpucët me meste”, “Djalë i dashur”, etj., të cilat i gjejmë edhe në albumet e saj: “Tash du me fillu”, “Pasha sytë e mi”, “N’andërr më del”, “Hala jam”, “Merre nji tub lule”, “Ti je si nji gonxhe” dhe “Shkodra ime”.

Edhe bashkëpunimi me Vjoletën në studion e inçizimit për realizimin e albumeve të saja, ka qenë mjaft i suksesshëm. Përsosmëria e realizimit të këngëve dhe vokali i saj mjaft interesant flasin më së miri për një këngëtare të formuar artistikisht dhe mjaft të talentuar.

Vjoleta Zefi është ndër ato këngëtare që me zërin e saj të ëmbël dhe me interpretimin e saj mjeshtëror ka mahnitur dhe ka bërë që spektatori të bëhet pjesë e këngës së saj duke e shoqëruar vazhdimisht me duartrokitje e duke kënduar bashkë me te. Skena dhe kënga popullore do ta dëshirojë gjithmonë zërin e ëmbël dhe interpretimin mjeshtëror të këngëtares Vjoleta Zefi”.

NE FESTIVALE
Deputon qe ne moshen 13 vjeve ne Festiv. E v. 1974 me kengen “Tre brezat”.
Merr pjese gjithsejt 4 here (1974;1975;1976’1979), duke kenduar 6 kenge:
Fest. 13 – 1974 / “Tre brezat” (M. Reshat Osmani; T. ? / “Cmimi i trete”
Fest. 13 – 1974 / “Syrin pishe zemren barot” (M. Kristo Kote; T. Aleksander Banushi)
Fest. 14 – 1975 / “Dasem ne fshat” (M. Agron Xhunga; T. Ismail Kadare)
“Cmimi i trete”
Fest. 14 – 1975 / “Kooperativisteve te Kemishtajt” (M. Shpetim Kushta T.Isuf Nelaj
Fest. 15 – 1976 / “Vallja e festes se madhe” / M. Reshat Osmani, T. Flamur Laro)
Fest. 18 – 1979 / “Lum moj Shkoder heroine” / M. Mark Kaftalli, T. Jonuz Velaj
_____________
Kinematografia Shqiptare 2013-2021
Teksti nga Ramazan Çeka botuar ne “Tirana Observer – 2014”
Fotot nga faqja ne “facebook”dhe arkivi personal i kengetares.
Publikuar per here te pare ne Facebook ne dhjetor 2015.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here