Bashkim Alibali
Kengetare i brezit te arte i muzikes shqiptare para 90-tes!
Eleganti i mikrofonit te kenges shqiptare.
“Më kishte dëgjuar duke kënduar e një ditë më thotë se kisha zë të bukur. “Mos e humb këtë zë duke kënduar rrugëve serenata, por hajde te Shtëpia e Kulturës e të provojmë atje”! Shkova pa ndonjë qejf të madh, isha në mëdyshje, se deri atëherë kisha kënduar për qejf. Më pyetën se cilën këngë dija. Unë thashë se s’dija asnjë këngë shqip. Provat i bëra duke kënduar italisht. E pëlqyen zërin tim. Më aprovuan të marr pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës. Prej aty nisi rruga ime”. (Bashim Alibali)
Ka lindur në Tiranë ne 25 tetor 1957 por qe eshte transferuar ne Shkoder qe ne moshen 5-vjecare dhe eshte rritur ne kete qytet . Ishte mjaft i vogël kur erdhi në Shkodër duke ruajtur shumë kujtime në rininë e tij si lidhjet miqësore, kur ka filluar të këndojë me shokun tij të rinisë Tonin Tërshana, si hobi rinie.
Këndonin serenata në rrugët dhe rrugicat e Shkodrës nën qiellin e pastër pranveror dhe nën dritën e vakët të llampave elektrike që ndriçonin në shtyllat prej druri.
Kendon për herë të parë në shtëpinë e kulturës së qytetit të Shkodrës ku i pëlqyen zërin dhe i aprovojne të marr pjesë në festivalin e këngës së ketij qyteti. Si nje zbulues i zerit te tij konsiderohet z. Nard Bushati i cili ishte drejtor i klubit të rinisë Heronjtë e Vigut. Ai kishte një veçori karakteristike, ishte shumë impulsiv dhe talentet që zbulonte i detyronte të hipnin në skenë. Shumë këngëtarë dhe artisë shkodranë i detyrohen shumë këtij personazhi.
Ne ate kohe, jeta artistike e qytetit të Shkodrës ishte mjaft e pasur dhe e larmishme. Vetëm teatri “Migjeni” funksiononte si trupë profesioniste, por burimi që vazhdimisht e furnizonte me talente të rinj ishin trupat amatore të ndërmarrjeve dhe institucioneve të qytetit. Në këto “ujëra të pastra të këtij burimi” u zbuluan shumë talente të ardhshëm, ku spikat edhe këngëtari simpatik, alegro e gjithmonë rinor Bashkim Alibali që punonte asohohe në uzinën e telave në Shkodër.
Shkëlqimin në një jetë artistike, asnjë artist nuk mund ta bëjë i vetëm pa bashkëpunimin e një stafi ku anëtarët plotësojnë njëri tjetrin. Në këtë kontekst Bashkimi pati fatin e madh të ketë përkrah edhe talente të tjerë shkodranë si: Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, por edhe të planit të estradës si: i ndjeri Tano Banushi, Zyliha Miloti, Paulin Preka, Jolanda Shala, Gëzim Kruja, Zef Deda etj.
Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në festivalin e këngës së qytetit të Shkodrës, ne vitin 1970 me një këngë të kompozitorit, Dhimitër Curri ku ishte dalja e parë në skenë me një publik të gjerë. Lëvizja artistike kulturore e atëhershme në qytetin e Shkodrës ka qenë shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore.
Jo vetëm shtëpia e kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera. Ishte viti 1969 kur Alibali filloi të aktivizohet me trupën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës. Pjesëmarrja në këtë trupë përkon me shkuarjen në Tiranë me një aktivitet dhe kënga e parë që ka kënduar në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush” te kompozitorit Pjeter Gaci.
Pasioni dhe këmbëngulja e tij i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit ka qenë çelësi i sukseseve të tij. Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Dallohet per veshjen dhe elegancen. Është ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa e kontrolluar edhe një herë veten për paraqitjen e tij.
Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.
Jeta ka ndryshuar dhe është në zhvillim, por duhet të pranojmë se edhe kënga popullore shkodrane e vjetër duhet të ruhet dhe zhvillohet, pasi në të është shkrirë talenti, fantazia e shpirti i brezave të tërë krijuesish me emër dhe anonim, ndryshe nuk mund ti themi më Këngë shkodrane.
Një ndër ata është edhe Bashkim Alibali, i cili herë pas here edhe në ditët tona na sjellë perla të mrekullueshme që ndriçojnë me shkëlqimin e kësaj muzike të papërsëritshme. Megjithatë shkëlqimi i tij më i madh ka qenë në interpretimin e këngës së muzikës së lehtë.
Bashkim Alibali është ngjitur në skenë në festivalin e dhjetë (1971) me këngën “Stacioni i dashur”. Para provave të përgjithshme i hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi simbas drejtuesve te kohes bënte disa lëvizje “te papranueshme” , te cilat ishin thjeshte pa qëllim, por instiktivisht, pasi e ndjente këngën. Gjithsesi largohet dhe merr rrugen e kthimit per ne Shkodër. Eshte pikerisht ketu maestro Alfons Balliçi pastaj që bën përpjekje të tjera që Bashkimi kthehej dhe të ngjitej në skenë. Ashtu ndodhi, kesaj rradhe i dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”.
Ishte një moment i veçantë, mbasi edhe proven e kalon me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një Festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale. Pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë. Moment magjik!
Po realizohej ëndrra e tij më e madhe, ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës. Më pas Alibali merr pjese edhe ne Festivalin e 11-të në RTSH, me një këngë interesante për studentët. Me titullin “Mbrëmja e fundit”. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme per ate, ku qe natën e parë të pranishmit e kthyen dy tre herë ne skene, dhe çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Më vonë kengetarin e kritikuan për ekstravagancë me e habitshmja nga njerëz që nuk e kishin parë fare festivalin. Keshtu qe deri në vitin 1978, Bashkimi këndonte vetëm në estradën e ndërmarrjes këngë popullore, pa këngën e lehtë i dukej vetja bosh.
Në Festivalin e Ushtarit me një këngë të kompozitorit Ferdinand Deda, merr çmimin e dytë. Po me këtë kompozitor fiton dhe katër çmime të tjera të dyta.
Bashkim Alibali rikthehet përsëri në skenë në Festivalin e 17-të dhe përsëri mori pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Ka marrë pjesë rregullisht në Festivalet e RTSH-së deri në vitin 1990-të, ku këndoi këngën “E imja Shota”, që pati një sukses të padiskutueshëm. Me pas kthehet ne v. 2011 ne Fest 40-te me kengen “Taverna e vjeter”.
Ndër vite të prezantimit të tij në festivale, gjithashtu ka marrë çmimin e parë në Koncertin e Parë të Pranverës me këngën “Në duart e nënës”, çmim të dytë me një duet me Eduart Jubanin me këngën e Ferdinand Dedës “Takim pas vitesh”, si dhe çmimin e tretë me këngën “Lulet e mollës” të Enver Shëngjergjit, dy çmime të dyta në dy duete me këngëtaren Valdete Hoxha, kompozuar nga Ferdinand Deda, etj.
Një periudhë kohe Bashkim Alibali ishte Drejtor i pallatit të kulturës “Vasil Shanto” në Shkodër, ku për herë të parë u organizua koncerti recital i këngëtarit Bujar Qamili me drejtues muzike Nazmi Lishi dhe regjisor Serafin Fanko. Kështu aktivitetet vazhduan njëri pas tjetrit duke organizuar edhe disa turne me trupën amatore të këtij pallati në mbarë vendin. Vetëm në Tiranë kjo trupë ka dhënë mbi 70 shfaqje dhe mbi 30 shfaqje në qytetet e tjera.
Gjatë kohës që Bashkimi ka qenë drejtor i këtij institucioni, u plotësua me të gjitha instrumentet muzikore, me foni e ndriçim, me një skenë të madhe e cila në atë kohë plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme, duke u bërë edhe skena e trupave amatore të ndërmarrjeve, institucioneve dhe trupave që vinin nga fshati. Niveli i organizimit të këtyre aktiviteteve jo vetëm gjallëronte jetën e qytetit, por shpesh konkurronte dhe trupën profesioniste të teatrit “Migjeni”.
_______________________________
Kenget ne Festivalet e RTSH-se dhe evenimente te tjera muzikore:
1971 – Qyteti punetor – Fes. i 10-te ne RTSH
1972 – Nata e fundit e studenteve – Fest. i 1-të
1978 – Hapet vallja – Festivali i 17-të në RTSH
1982 – Ne balle te brigades – Fest i 21-të
1983 – Jam i yti i toka meme – Festivali i 22-të
1984 – Takim pas vitesh – Festivali i 23-të
1984 – Çel si gonxhe dashuria – Festi. i 23-të
1985 – Lulet e molles – Fest. i 24-të në RTSH
1985 – Per ty baba – Festivali i 24-të në RTSH
1986 – Shalli i kaltër i rinisë – Fest.i 25-të
1986 – Kur flasin zemrat – Fest.i 25-të RTSH
1988 – S’ma njohe zemrën – Fest i 27-të
1989 – Borë me Hënë – Fest i 28-të në RTSH
1990 – E imja Shota – Festi.i 29-te ne RTSH
2001 – Taverna e vjeter – Fest. i 40-të RTSH
2011 – Kengen time merr vehte – Festivali i 50-të në RTSH
2014 – Shkodra zemra jeme – Kenga Ime 2014
2014 – Kacurrelat – Kenga Ime 2014
Kenge te tjera te Bashkim Alibalit:
Në duart e nënës; Se kam të lehtë; Mes bukurive; Rritu moj vajzë e malit; Në duart e nënës; Urimi i ditëlindjes; Nënës time; Për ty baba; Motrës sime – duet Eduart Jubani; Përher me ty – duet Nertila Koka
“….. sot këngëtarët nuk duket se punojnë aq seriozisht sa punohej dikur me këngën. “Serioziteti në punën tonë, ky është dallimi kryesor mes brezave të këngëtarëve”, thotë ai. “Atëherë ne ishin shumë serioz dhe punonim me shumë përkushtim. Unë në Teatrin Migjeni isha i rrethuar nga një rreth artistësh shumë të mëdhenj, ishte fat të punoje pranë tyre, por edhe detyrim, që të punoje fort e mos të turpëroheshe. Mjeti i vetëm që kishim ishte talenti, zëri. Ndërsa sot shoh se mjet janë kryesisht pjesët epshmbjellëse të trupit” (BASHKIM ALIBALI)
“Asaj kohe dëgjoja fshehtas muzikë të huaj dhe më pëlqente pa masë Little Tony. Kujtoj sesi në një revistë mode pashë modelin e kostumit të tij dhe mendova, pse jo?! Do të dal në festival me kostum të bardhë si Little Tonny në Sanremo. Porosita tek një mjeshtër rrobaqepës shkodran kostumin e festivalit që do të ishte në ngjyrë të bardhë. Ma kishin ndaluar të dal me kostum të bardhë, por unë dola në skenë ashtu. Salla reagoi dhe une thashë me vete: Ç’më duhet mua të rrezikoj, ç’më duhet kostumi i bardhë??!!!
Më kapi paniku, aq sa po harroja këngën. Të them të drejtën megjithëse këndova mirë, më shumë e kisha mendjen se çfarë mund të më ndodhte, sesa tek kënga. Sa mbarova publiku shpërtheu në duartrokitje. Kuptova se më kishin pëlqyer, por akoma nuk kisha marrë një opinion nga drejtuesit lart. Pas këngës, rastësisht në korridoret e Teatrit të Operas, takoj një ish anëtar të Byrosë Politike, i cili më jep dorën e më bën pyetjen e tmershme: Përse dole me kostum të bardhë?!!! Ç’është ky kostum?…. Dhe mua, se nga më erdhi një përgjigje e cila në fakt më shpëtoi: Po, përderisa jeta jonë është e bukur, si një pranverë, përse të mos jetë pranverë edhe skena?
Më dha dorën dhe iku…Një vit më pas, shumica dolën me kostume të bardhë, ndërsa unë vesha kostum të zi me këmishë të kuqe. Sapo kisha zbritur shkallët e 15 Katëshit, kur më del përpara i njëjti drejtues i lartë dhe më pyet: Bashkim, përse je veshur si kosovarët?!!! Jo si kosovarët, u përgjigja unë, por si flamuri ynë kuq e zi. Dhe kështu shpëtova edhe një herë tjetër”
(BASHKIM ALIBALI)
_________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
U publikua kohe me pare ne faqen me te njejtin emer ne Facebook ne dhjetor 2013.
Teksti u rishikua ne vitet vijues.
Referenca: Simbas intervistes se kengetarit botuar online ne “Tirana Observer” / “Revista shqip 2010” HERMES NEWS / informacione te mbledhuara nga portale te ndryshme shqiptare online.
Fotot: Kontribut i administratoreve te faqes, nga videot e kengeve qe disponon kjo faqe, si dhe “Google search”.
Follow us : Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/ Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com) Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw