Roli i fëmijëve në kinemanë shqiptare!

0
964

GEZUAR 1 QERSHORIN!
Meqenese sot eshte 1 Qershor, le te flasim pak per femijet, duke ngacmuar disi kujtimet edhe nga femijeria jone. Me konkretisht do te ndalemi tek ky shkrim, ne rolin e tyre ne kinemane shqiptare.

Prezenca e femijeve, aktoreve te vegjel ne Filmat shqiptar ka qene e shumte dhe me rendesi sidomos ne Filmat me teme te luftes, por edhe me teme tjeter ata u kthyen ne heronj te vegjel te skenes shqiptare, nepermjet roleve qe interpretuan dhe madje edhe sot ne jete kujtohen nga artedashesi yne me emrat e personazheve duke nisur qe me Benin dhe Jeten “tullumbacen” tek “Beni ecen vete”, Tomken, tek “Tomka dhe shoket e tij”, Nertil Dulin , tek “Shoku yne Tili, Mirin, tek “Ne shtepine tone”, Colin tek “Debatik”, Taulantin tek “Taulanti kerkon nje moter apo Mimozen tek “Mimoza Llastica etj.

Nepermjet ketij albumi kjo faqe do te kujtoje dhe te sjelli ndërmend disa prej tyre, ata me te spikaturit, megjithse pa pretenduar se do i permendim qe te gjithe.
Ata jane te shumte dhe shumica e tyre nuk e kanë vazhduar rrugën artit. Te tjere vazhduan jeten duke ushtruar profesione krejt ndrysh me ate te aktrimit, duke qene aktorë të “mëdhenj’ kur ishin të vegjël, ndërsa tani bëjnë një jetë të zakonshme por c`eshte me kryesorja luajne rolin e prinderve ne jeten reale.

DONALD KOKONA (Taulanti)

Kush është më shumë se 20 vjeç nuk mund të mos e kujtojë personazhin e filmit “Taulanti kërkon një motër”. Ai quhet Donald Kokona, sot arkitekt. Katër vjeç e gjysmë u përzgjodh nga regjisorja Xhanfize Keko për të qenë pjesë e atij filmi për fëmijë. Dy ishin karakteristikat bazë që kërkonte Keko: flokët si “tas” dhe të ishte brunë. Flokë “tas” dhe brunë në atë kohë mund të gjeje shumë, por një aktor të vogël që të kishte atë kiminë që i duhej filmit…vështirë!. Të gjithë janë “dashuruar” në atë periudhë me pamjen dhe mënyrën e tij të të folurit aq sa, sot vazhdojnë ta thërrasin Taulant, gjë që nuk i pëlqen dhe aq. I duket sikur “Taulanti” i ka vjedhur një pjesë të identitetit. Donaldi kujton me nostalgji momentet e xhirimeve, tekat prej fëmije, edhe pse në ato momente nuk e kuptonte se po bëhej pjesë e një filmi dhe se do ishte fëmija “Vip” i kohës. “Kam qenë i llastuar e kam jetuar një fëmijëri të lumtur”, thotë në rrëfimet e tij.

HERION MUSTAFARAJ (Beni)

“Beni ecën vetë” është një nga filmat më të suksesshëm të regjisores Xhanfize Keko, po ashtu edhe aktori protagonist i saj, Herion Mustafaraj (Beni). Ashtu si pjesa më e madhe këtij brezi Mustafaraj nuk jeton në Shqipëri. Ai tashmë jeton në Amerike së bashku më familjen e tij. Ka qenë një ndër fëmijët “Vip” të viteve 80’.

SELMA SOTIRIADHI në filmin “Beni ecën vetë” u dallua si një vajzë e vogël, “tullumbacja”. Kjo vogëlushe është protagoniste edhe në disa filma të tjerë duke qenë mjaft e suksesshme dhe e preferuar edhe për regjisorë të tjetër veç Kekos. Kështu ka interpretuar edhe në filmat “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Dollia e dasmës sime”, “Pranverë në Gjirokastër” dhe “Mësenjtorja”. Më pas, kur u rrit nuk preferoi aktoren, por gjuhët e huaja. Nuk u angazhua më në ekranin e madh

PETRO PAPAKOSTA (Velo)
“Sa të çlirojë Shqipërinë edhe erdha…” E mbani mend batutën e djalit me theks jugor në filmin me temë patriotike “ Partizan i vogël Velo”. I duhej një pushkë për të luftuar maleve… Sot, Petro Papakosta (Velo) nuk kërkon më një pushkë, por një penë, pasi i është përkushtuar të shkruarit ku ka nxjerrë nga botimi libra me poezi dhe ese. Profesioni i tij nuk ka lidhje me aktrimin.

ADMIR SORRA (Gjino)
“Përrallë nga e kaluara” e Dhimitër Anagnostit është një nga perlat e kinematografisë shqiptare. Në këtë film ka pasur një tjetër fëmijë aktorë kur u rritë nuk e ndoqi këtë rrugë. Për Admir Sorrën, aktori që luan rolin e Gjinos, ishte e vetmja pjesëmarrje në një film. Edhe pse është vlerësuar për një realizim perfekt të atij roli, ai nuk e provojë më… Djali nga Vlora, sot jeton në Itali dhe në Shqipëri është shfaqur rrallë.

ENEA ZHEGU (Tomka)
“Tomka dhe shokët e tij” mund të themi që ka qenë një ndër filmat më të dashur për fëmijë. Prodhim i viteve 77’. Ky ishte një tjetër shkëlqim i Xhanfize Kekos, por edhe një shkëlqim i aktorit të vogël Enea Zhegu (Tomka). Si shumica e këtij brezi, as Zhegu nuk e ka vazhduar rrugën e aktrimit megjithate eshte kthyer si aktor ne nje rol ne serialin “Millenium” te rregjizorit Besnik Bisha ne v. 2013 . Enea interpretoi në disa filma të tjerë si Ziguri në filmin Njeriu me top”, apo edhe në Filmin “Një jetë më shumë”, të Gëzim Erebarës. Fatkeqesisht nderroi jete para kohe me 20 maj 2022.

SHPETIM ZHANI (Coli), është një tjetër personazh simpatik Filmit shqiptar, ai që materializoi rolin e bukur të Colit në filmin “Debatik”. Edhe Shpëtim Tani nuk mundi të bëjë emër si aktor, por tërë jetën ai u krenua me atë rol të bukur që bëri kur ishte fëmijë. Në këtë film pati disa aktorë të tjerë të vegjël që më pas bënë emër si Roland Trebicka e Dhimitër Pecani etj. Fatkeqesisht  nuk jeton me.

ZHAKLINA DHIMOJANI
Llastica e vogël me emrin Mimoza edhe sot shikohet me admirim nga fëmijët e asaj moshe. Në këtë rol Zhaklina Dhimojani shkëlqeu duke lënë pas emrin e saj, dhe pse më vonë nuk u mor më me film. Ajo sot vazhdon jetën e saj në Zvicër ku ka ndërtuar atje familjen e saj. Ka patur disa eksperienca sporadik në art, por kaq. Ka vazhduar studimet për ekonomi dhe jeta e saj sot vazhdon në një tjetër drejtim.

MANJOLA BEGOLLI (Rudina)
Rudina, protagonistja simpatike e kinokomedisë “Dy herë mat”, është një rol i bukur, i këndshëm dhe i interpretuar me finesë nga Manjola Begolli. I mjaftoi ky rol Manjolës për të shënuar emrin e saj në librin e filmit shqiptar, për të cilën ajo i është mirënjohje , pa dyshim, Bujar Kapexhiut. Sa herë që kujtohet shahu, emri dhe figura e saj janë të pa ndashëm, sot ajo është ekonomiste dhe ruan një formë të shkëlqyer fizike.

ILIR CELIA “Adushi”, interpretoi disa filmash si aktori vogël, por edhe kur ishte në rininë e tij. Pas filmit të parë “Kryengritje në pallat”, ka qenë protagonist në filmat “Lume drite”, “Me hapin e shokëve” dhe “Partizani i vogël Velo”.

STRAZIMIR ZAIMI mbahet mend tek “Lulekuqe mbi mure” në rolin e Jaçes qe ishte nga rolet qendrorë e të bukur në këtë film. Ne kete Film rregjizori Anagnosti ka angazhuar mjaft femije qe u dalluan gjithashtu. Më pas, kur u rrit, Zaimi interpretoi edhe në 3-4 filma të tjerë, si në filmat “Gurët e shtëpisë sime”, “Flutura në kabinën time”, “Dhe vjen një ditë”.

KRENAR ARIFI eshte Suloja i filmit “Lulëkuqet mbi mure” . Roli i tij është pika kulmore e filmit dhe mbeti gjatë në kujtesën e spektatorit. Krenari interpretoi më vonë edhe në filmat “Nga mesi i errësirës” dhe “Gëzhoja e vjetër”.

SOKOL GOXHI “violinisti i pasionuar” në kohën e luftës, interpretoi për herë të parë në filmin e Xh. Kekos “Tingujt e luftës”. Më pas interpretoi edhe në filmin “Dasma e shtyrë”.

GENTI BASHA, djali i vogël që vuante dramën e prindërve të ndarë në filmin “Kur xhirohej një film” ishte pikërisht aktori i përzgjedhur nga Xhanfise Keko. Aktori vogël interpretoi edhe disa role të tjerë me sukses si në filmat “Zhesari”, “Një vonesë e vogël”, “Nata e parë e lirisë”, etj.

EPTAN LOHJA u përzgjodh nga Dhimitër Anagnosti për rolin e Mirit në filmin “Në shtëpinë tonë”, një film që i ngjiti e që la gjurmë. Ky film shikohet edhe sot me endje, dhe mbetet nga më të suksesshmit. Lohja interpretoi edhe në filmin “Një gjeneral kapet rob”, ndërsa më vonë nuk u mor me filmin, por sot e gjen veten pranë TV Klanit.

Ekrani i madh i kinemasë nuk mund të bënte dot pa fëmijët, ndersa keta te fundit deshmuan se mund te jetonin edhe pa Filmin.

Emra te tjere qe lane gjurme edhe pse ne dy-tre Filma jane :


MURAT BASHA tek “Komisari i dritës”, si një nxënës I Dritan Shkabes, I cili me pas luan edhe ne Filmin “Plagë të vjetra”, djali i vogël në spital, që nduk mustaqet e Ndrekës. Murat Basha, sot është një emër i njohur e aktiv në politik. Ai sot është anëtar i këshillit bashkiak të kryeqytetit dhe një nga njërzit më të afërt të familjes mbretërore.

ARBEN LATIFI tek “Shoku yne Tili” ne rolin e protagonistit Nertil Duli
KOLE PRELA tek filmi “Lugina e pushkatarëve”.
KLAJDI KAPEXHIU Luan ne Filmin “Stola në park”, por interpretoi edhe në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” të Mevlan Shanajt.
ALTIN VELAJ në rolin e Batos në filmin “Shpella e piratëve”, ku me vone nuk u pa më në Film.
BLEDAR RUDI tek filmi “Zemra e nënës”.
VIVIAN RAMA tek “Plumbi prej plasteline”, e shumë të tjerë.

________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca “Dita” online artikull i Entela Resulit (Maj 2014)
Pershtatur per faqen ne Facebook qe ne qershor 2016.

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here