Histori dashurie që në kohën kur u shfaqën në kinematë e vendit u kthyen në kolona zanore të të rinjve. Romancë brenda kufijve të asaj deri ku duhet të shkonte dashuria në një film. “Unë e dua Erën”, një “love story” e viteve para ‘90, së bashku me “Në çdo stinë”, “Cifti i lumtur”, “Flutura ne kabinen time” etj. Ja ato filma që përkufizonin kronikën rozë të kinematografisë shqiptare .
Unë e dua Erën
Regjisor: Albert Minga
Aktorë kryesore: Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani
“Unë e dua Erën” është pa dyshim një prej historive të dashurisë më të ndjera në kinematografinë shqiptare të viteve ‘80-‘90. Protagonistë janë Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani në një histori dashurie të përzier me ndjenja të thella, por të dyzuara pasi bëhet fjalë për një situatë të ndërlikuar në një opinion që godet me gjithë forcën e mundshme. Ajo është shtatzënë nga i fejuari i saj, me të cilin është ndarë dhe është njohur me personazhin kryesor (Ndriçim Xhepa). Të dy ndiejnë për njëri-tjetrin, por në mes tyre qëndron e shkuara “e njollosur” që i ndiqte si hije nga pas.
Në çdo stinë
Regjisor: Viktor Gjika
Skenarist: Viktor Gjika, Bashkim Hoxha
Aktorë kryesore: Arben Imami, Anisa Markarian.
Filmi “Në çdo stinë” është prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria Sot” në vitin 1980. Një romancë tjetër në fondin e artë të filmit shqiptar. Zana (Anisa Markarian) dhe Bardhyli (Arben Imami)janë dy studentë që dashurohen. Përmes amplitudave shpirtërore të dashurisë së tyre filmi zbulon ëndrrat dëshirat dhe preferencat e tyre. Me karakteret që kanë pak a shumë të njëjtën moshë por edhe ndryshime midis njëri-tjetrit filmi jep portretin e studentit të ri.
Malet me blerim mbuluar
Skenari: Dhimitër Anagnosti
Regjisor: Dhimitër Anagnosti
Kompozitor: Robert Radoja
Aktorë: Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Timo Flloko….
Filmi ka në qendër një histori dashurie mes partizanëve. Ishte kohë lufte dhe partizania e re Lilo Labja (Yllka Mujo) dashurohet me Jahon . Ajo që ka mbetur refren nga ky film është thirrja e Jahos “O Lilo Labja moreeee”. Ngjarja zhvillohet në vitin ’43 kur Kabo, Jaho si dhe Peliceli, një mjek italian dhe Zeneli i vogël, mbajnë në një vig Lilo Laben, drejt spitalit partizan. Jaho tregon gjatë rrugës dobësi të veçantë për Lilon.
Flutura në kabinën time
Regjisor: Vladimir Prifti
Aktorë kryesore: Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Tinka Kurti, Reshat Arbana
“Flutura në kabinën time” mund të cilësohet një “love story” me fund jo të lumtur e para viteve ’90. Në vitin kur u shfaq në kinema kjo histori u kthye në një kolonë zanore të bisedave të të rinjve. Tom Melgushi (Ndriçim Xhepa) është një shofer i ri problematik dhe i kritikuar gjithnjë nga eprorët dhe familjarët. Ai krijon lidhje të shpejta që s’kanë shumë rëndësi për të dhe nuk shqetësohet kur lëndon ndjenjat e të tjerëve. Por gjithçka ndryshon në momentin që në kamionin e tij hipën Flutura, mësuesja e fshatit. Në sytë e Tomës ndizet një fije shprese për një lidhje të qëndrueshme me një njeri që ai e respekton.
Përrallë nga e kaluara
Regjisor: Dhimitër Anagnosti
Skenari: Dhimitër Anagnosti, Anton-Zako Çajupi
Aktorë krysore: Elvira Diamanti, Xhevdet Ferri, Hajrie Rondo, Robert Ndrenika
Në qendër të kësaj komedie është historia e dashurisë së Marigosë (Elvira Diamanti) me trimin (Xhevdet Ferri), të cilët për shkak të kohës, në të cilën jetojnë. Marigonë 20-vjeçare e martojnë me djalin e një familjeje të pasur për kohën, të cilin ajo sigurisht nuk e dashuron. Por përveç këtij fakti ekziston dhe një problem tjetër që do të shërbejë për ta bërë situatën mjaft komike. Dhëndri është vetëm 14 vjeç. Sidoqoftë fundi është i lumtur, Marigoja martohet me trimin e saj, i cili hedh gurë nga mali.
“Çifti i lumtur”
Teatri “Migjeni”, Shkoder dhe Kinostudio “Shqiperia e re”
Skenari: Bik Pepa
Kompozitor: Agim Krajka
Aktorë kryesore : Marie Qyrsaqi, Niko Kanxheri, Bep Shiroka, Tinka Kurti…
Një komedi për jetën e viteve ‘70. Dy të rinj, që vijnë nga besime të ndryshme fetare, vendosin të martohen me njëri tjetrin. dhe ua bëjnë të njohur dashurinë prindërve të tyre. Në takimin midis dy baballarëve, i ati i djalit, i rrethuar nga gruaja dhe halla krijon gjithfarë situatash komike pasi nuk e fsheh dot se nuk e do vajzën që vjen nga “një fe tjetër”. Por më në fund dorëzohet.
“I teti në bronx”
Regjisor: Viktor Gjika
Interpretojnë: Mevlan Shanaj, Sandër Prosi, Vangjush Furxhiu, Piro Mani, Yllka Mujo etj.
Një histori dashurie që lind si një rreze drite në kohë lufte. Por një histori, e cila do të kalojë peripeci të shumta. Bëhet fjalë për partizanin Ibrahim Kovaci interpretuar nga Mevlan Shanaj, i cili plagoset dhe kur shkon në shtëpinë e një doktori të njohur për t’u mjekuar njihet me vajzën (Yllka Mujo). Lind një simpati reciproke mes dy të rinjve, por ajo është e fejuar me një biznesmen që siç rezulton më vonë bashkëpunonte me forcat armike. Atëherë dy të rinjtë vendosin të dalin së bashku në mal.
Edhe ashtu edhe kështu
Regjisor: Bujar Kapexhiu
Skenari: Bujar Kapexhiu
Një histori dashurie sa argëtuese aq dhe e pamundur. Kjo histori vjen si limonadë e freskët në një situatë absurde e komike njëkohësisht. Teoriku Apostol Sako shkruan artikuj dhe jep leksione mbi dashurinë e lirë të rinisë në një kohë kur një konflikt i madh ndodh në familjen tij. E bija, Alma, studente e inxhinierisë, dashuron një këngëtar, Andi Bega, atëherë kur i ati do ta martojë me një diplomat. Konflikti zgjidhet përmes situatave komike dhe fundi është i lumtur.
Duaje emrin tënd
Regjisor: Ibrahim Muço, Kristaq Mitro
Skenari: Nasi Lera
Muzika: Thoma Simaku.
Aktorë: Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa
Jona, Arseni dhe Agroni janë tre të sapodiplomuar që po përpiqen të gjejnë vendin e tyre në jetën që secili ka ëndërruar për veten. Bashkangjitur kësaj, ekziston një histori e dashurie që në fillim shfaqet e fortë mes Agronit dhe Jonës, por me kalimin e kohës del se ai do zgjedhë karrierën e tij para saj. Nga ana tjetër është Arseni që gjithnjë e ka dashuruar Jonën, por ka zgjedhur të heshtë. Përmes lidhjeve shoqërore dhe dashurisë së tyre, filmi hyn në botët e tyre shpirtërore dhe psikologjike duke zbuluar kështu konceptet e tyre dhe vlerat morale.
Nga : Blendina Cara – 2009
_______________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Follow us : Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/ Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com) Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw