Tinka Kurti: “Përfundova rastësisht në skenë”!

0
396

Tinka Kurti: “Përfundova rastësisht në skenë”!
Nga: Lindita Cela (2013)

Ngado që të udhëtojë kjo grua era e shirokut dhe era e murlanit shkodran do ta ndjekë pas. Do ta ndjekë pas si një kujtim i bukur, ajo udhëza e parë, trokitja e parë në portën e teatrit “Migjeni”.

Tinka Kurtin, me “rrënjën” e parë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi, për rolet që dhuroi, pak kush mund ta nxjerrë nga mendja. Çuditërisht, në atë rrugë që mbante emrin “Hysaj”, ku banonte ajo vajzë, në atë shtëpi të vogël krevete, siç i thonë shkodranët, nuk kishte asnjë artist apo njeri që merrej sadopak me art….
Pra, kjo udhë ishte e zbrazët, askush nuk ndikonte, askush nuk mbartte qoftë një grimcë talenti e magji arti. Me sa dukej, vetëm mosha me sekretet e saj fshihte magjinë që më vonë do të shfaqej si vjollcë në pranverë, me një qeshje të bukur, si vajzë çapkëne e shumë gazmore.

Ajo do të rrezatonte në universin e aktrimit, kështu do të kalonte Tinka një fëmijëri me ëndrra, më shumë në krahët e nënës se të babait. Shpesh ndodh që jeta të hedh në brigje të panjohura, kurse ëndrrat në brigje të largëta drejt të cilave duhet të ecësh, të stërmundohesh dhe nuk arrin… Kështu ndodhi edhe me Tinkën. Jeta e hedh në një “vendqëndrim” jo të shumëkohshëm si punonjëse e muzeut të rrethit, ndërsa zëri i skenës e thërret. E thërrasin ëndërrat për të bërë në realitet ëndrrën e saj. Si shumë kolegë të saj nisi udhën në Shtëpinë e Kulturës.

Shpejt dallohet mbi të tjerët. Hyn në teatrin “Migjeni” dhe fiton një nemër….
Bep Shiroka, Artist i Merituar, kujton se “kur kam hyrë në teatrin “Migjeni” Tinka kishte emër dhe kishte 10 vite si aktore profesioniste. Ndoshta jam partneri që ka role më shumë se të tjerët më të. Roli im i parë qe te drama “Nora”, por roli im i parë i rëndësishëm ka qenë në dramën “Histori irkutase”. Valja – Tinka ishte një rol që e nderonte aktoren. E gjithanshme. Ajo pëson një metamorfozë dhe bëhet një grua ideale. Tinka jo vetëm shpalos një botë të mrekulleshme prej aktoreje, por kalon situata të ndryshme, natyrshëm, me ngrohtësi e vërtetësi. Roli i Valjas është i bukur profesionalisht, pa batakçillëk”.

Ka kaluar mbi gjysmë shekulli që kur aktorja Kurti ka nisur rrugën e saj të karrierës. Kur ishte vetëm 14 vjeç ajo del për herë të parë në skenë. Ndërsa 25-vjetorin e saj e feston gjatë xhirimit të filmit të parë shqiptar “Tana”. Për Tinkën dy çmimet e para janë njëri ne Festivalin e Parë të filmit me filmin “Çifti i lumtur”…. Më vonë, me një karrierë të gjatë, aktorja shkodrane Kurti meriton shumë çmime deri në Festivalin Kombëtar të Teatrit, të zhvilluar në Vlorë, rreth gjashtë vite të shkuara, kur ajo merr çmimin e karrierës.

Kurti shënon 65 role në film dhe mbi 167 role në skenë. Në tërë këtë galeri figurat – nëna zënë një kapitull të veçantë, figura siç thuhen në një këngë
për nënën; “nuk njohin mplakje, nuk njohin moshë”. Te drama “Gjaku i Arbërit” Tinka arrin një kulm në figurën e Nënëmadhes. Mandata i vjen për djemtë e vdekur, të bijën e ka martuar nëntë male larg. Në stoicizmin e saj, përmes vijave të vuajtjeve e tragjizmit, ajo nuk përthyhet, burrave u flet me gjuhën e burrërisë.

Tinka Kurti është një aktore që të gjitha roleve ua ka bërë hyzmetin. Asnjerin nuk e ka nënvleftësuar, i ka luajtur me shpirt. Ndaj figurën e saj e ka gdhendur skena e teatrit dhe celuloidi i kinematografisë. Tinka Kurti, një nga aktorët më me emër të filmit dhe teatrit shqiptar, ka marrë një vlerësim edhe nga Universiteti i Biografive të Kembixhit, medalje për arritje të larta në fushën e artit. Krahas 5 500 grave të tjera nga e gjithë bota edhe artistja shqiptare me gjen shkodran, është renditur mes personaliteteve që kanë konturuar listën deri në vitin 2000. Aktorja Kurti, megjithëse në pension, për asnjë çast nuk i ndahet skenës se teatrit. Ajo është e ftuar për të marrë pjesë në shumë trupa teatrale të vendit, të cilat po vënë në skenë pjesë të ndryshme teatrale. E kështu mund të themi se Tinka mbetet përherë e re dhe e mirëpritur në skenë.

Kur ka interpretuar për herë të parë në skenë, Tinka Kurti ishte veç 14 vjeç. Qysh atëherë deri më sot në fondin e karrierës së saj artistike numërohen 320 role, shumica në dramë, por pa lënë pas edhe filmin, ku ajo ka realizuar karaktere të papërsëritshme. Karrierën e saj si aktore e nisi në Shkodër, ku për herë të parë u ngjit në skenë. Roli i saj i vërtetë ishte në dramën “Fejesa” të Çehovit, i cili do të pasohej me dhjetëra të tjerë, si “Fisheku në pajë”, Toka jonë”, ku ka interpretuar rolin e Files dhe më pas të Lokes etj. Vetëm pas tre muajsh shkollë në degën e dramës në Liceun e Tiranës, ajo, së bashku me 7 – 8 shokë të tjerë do të përjashtohej nga shkolla për shfaqje liberale. “Teatrin e mora tmerr”, tregon ajo. Nuk e mori asnjëherë diplomën e aktrimit, por talenti i saj nuk kishte nevojë për diplomë. Shumë shpejt regjisorët zbuluan tek ajo jo vetëm talentin, por edhe pasionin e një aktoreje të vërtetë.

“Më ndodhte që brenda një viti të realizoja 4 role. Më duhej të shkoja nga Shkodra në Vig, ku xhiroheshin “5 heronjtë”, që aty në një vend tjetër. Isha e lodhur, e sfilitur, por shumë e lumtur”, thotë aktorja.

Rolet do të pasonin njëri-tjetrin, nga skena në sheshxhirim. Disa nga rolet e saj më të arrira janë ato të Lokes te “Toka jonë”, nënë Pashakoja, te “Yjet e netëve të gjata”, nëna te “Gjaku i arbrit” etj.
Nga Lindita Çela, gusht 2013
__________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe nga v. 2013

Follow us:
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here