Viktor Bruçeti (1938-2010) Artist i merituar | “Harapi i Shkodres”!

0
1791

Viktor Bruçeti (1938-2010) Artist i merituar !

“Teatri është një djep i mrekullueshëm për aktorin ku ai përkund ëndrrat e jetës së tij. Jeton në skenë. Sikur një shpend të mos fluturoj e të mos prekë qiejt. A mundesh që ta ndalosh? A mund që të jetë zog kjo krijesë e mrekullueshme e hapësirave qiellore? Kjo vlen edhe për ne aktorët. Jo vetëm karriera, por edhe jeta e tij kalon e mbetet veçse në ato 8 metro pod, që ne i thërrasim skenë, me shqetësime e gëzimet që të fal ajo magji që quhet teatër. Ai bën që të ndryshojë jetë njerëzish që e ndjekin në sallë. Ka dhe jep mesazhe të fuqishme, që nga antikiteti i hershëm kur u ngjitën kryeveprat e Eskilit, Sofokliut me shokë” – V. BRUÇETI

Shkodres nuk i kane munguar artistet dhe…..oh cfare artistesh ka patur ky qytet, pa ekzagjerim nga ato qe mund te ngjiteshin pa frike ne cdo skene europiane, mbase koha kur ata jetuan ndofta ishte e “gabuar”. Nje nder artistet e asaj gjenerate te arte ka qene edhe aktori i mirenjohur Viktor Bruçeti, ose “harapi i Shkodres” (per interpretimin me mjeshtri te rolit ne dramen “Baca i Gjetjave”) .

Viktor Bruceti ne “Harapi, masha e bejlereve te Shkodres”
“…..po kulla mund te shembet e mund te digjet, e bajraku ngel brenda e nuk vlen ma me lidh as ushkuret” / “….ndersa yt bir lepin gradat neper ferra. C`e ke njate faqe ashtu? E shikon, me ferra kan pune trimat e tu o bajraktar” / “I pritka drute shkurt ky djali yt o Kadri bajraktari” / “Ashtu thuaj o kryetar, prandaj nuk lehen qente e bajraktarit” / “I paske te pa hajer djemte o Kadri. U kacafytkan me grate”

Me poshte po risjellim nje artikull te botuar ne Gazeta Shqiptare” online ne v. 2009, vetem nje vit perpara se ai te nderronte jete.

Gadi prej 10 vjetesh jeton ne France se bashku me te shoqen e tij Miriamin edhe ajo aktore e Teatrit te Shkodrës, jetonin te dy me enderren e skenes ne nje vend qe ata e e konsideronin shtëpia e aktorëve, në Angoule , qytet piktoresk e historik afër qendrës së Francës. Ndanin gjithçka në hapësirën e ditës, midis shtëpisë dhe shëtitjeve nëpër parqe të periferisë. Jetonin me kujtimet e veprën artistike që lanë pas.

Viktori i diplomuar në shkollën rumune të artit si aktor në skenën shqiptare ku për disa dekadash do t’i duhet që të luante në mbi 130 role në teatër dhe 14 të tillë nëpër filma artistikë. Aktor i roleve negative, por ai kujton me nostalgji Migjenin, Palin e Markun, role të cilat i ka luajtur nga seria e personazheve pozitivë. Bajraktarët e priftërinjtë kanë qenë krijesat që ka ngjitur në skenën shkodrane, por edhe në ekran, ka një karrierë tepër të gjatë si aktor.

“Ca të vërteta kundër regjimit i kam thënë atëherë. Kam pasur mundësinë që të bëja njeriun kundër. Këtë që është sot dhe që ne mundëm ta bëjmë pas vitit ’90-të. Jam ndjerë komod brenda rolit tim”. Serafin Fanko ka qenë regjisori që i ka lënë më tepër mbresa gjatë jetës në skenën teatrore, të cilin e kishte pasur njëkohësisht edhe koleg. I ardhur nga shkolla e teatrit rumun, kujtonte me nostalgji vitet studentore. Aktori Fanke Jordake, një nga yjet e artit rumun që ka shkëlqyer për disa dekada në atë vend, ka qenë ish-kolegu i tij me i mirë në bankat e shkollës.

Kur e pyeten Brucetin se cfare eshte Teatri per ate ai e pershkroi tamam me nje profesionalizem prej aktori :
“Teatri është një djep i mrekullueshëm për aktorin ku ai përkund ëndrrat e jetës së tij. Jeton në skenë. Sikur që një shpend të mos fluturoj e të mos prekë qiejt. A mundesh që ta ndalosh? A mund që të jetë zog kjo krijesë e mrekullueshme e hapësirave qiellore? Kjo vlen edhe për ne aktorët. Jo vetëm karriera, por edhe jeta e tij kalon e mbetet veçse në ato 8 metro pod, që ne i thërrasim skenë, me shqetësime e gëzimet që të fal ajo magji që quhet teatër. Ai bën që të ndryshojë jetë njerëzish që e ndjekin në sallë. Ka dhe jep mesazhe të fuqishme, që nga antikiteti i hershëm kur u ngjitën kryeveprat e Eskilit, Sofokliut me shokë”

Ndersa per rolet qe ka luajtur ai do te shprehej: ” Shumë nga kolegët e mi thonë se rolet janë si fëmijët tanë. Unë do të thosha diçka më ndryshe se kaq. Mbase më shumë nga një pikëpamje, ato realisht janë një tjetërsim, pavarësisht nga zemra që ne aktorët i japim personazhit. Kjo do të thotë që të futesh nën lëkurën e dikujt tjetër që ti as e njeh, por as edhe e ke njohur kurrë. Madje, nuk do të kesh mundësi kurrë.

Kupto këtu se sa të ndryshëm janë nga njëri tjetri këto figura që të duhet të krijosh në skenë për të tjerët, ata që të ndjekin në sallë, dhe që presin të edukohen nga shkalla e besueshmërisë që ti i jep atij roli. Unë personalisht nuk do t’i klasifikoja rolet në tradicionalen që jemi mësuar t’i emërtojmë, në role pozitiv dhe në role negativ. Kjo nuk është e rëndësishme për një aktor të formuar. Sepse, pa asnjë përjashtim kërkojnë të njëjtin përkushtim për t’i krijuar, të njëjtin mundim e pasion prej aktori.

Por, realisht, si për statistikë, jeta dhe karriera e një aktori kalon nëpër qerthullin e tre etapave. Tek rolet me heronjtë, rolet negativet e rolet komike. Ky në të vërtetë është edhe cikli ku kalon karriera e një aktori përgjatë skenës. Unë kam pasur pak më shumë se 130 role në skenë dhe 14 të tjera në filmat artistikë. Që të gjithë të dashur për mua.”

Ndoshta Viktor Bruceti ka qene i prere per role negative ?! Ndoshta ,por…….Ai ka patur për zemër rolin e Migjenit tek pjesa e Tom Shoshit, Pali “Përkolgjinajt”, tek Kol Jakova, por dhe Marku, tek “Ftese për darkë” e Çapalikut, që konsiderohen si pozitivë. Në jetën e tij të gjatë në skenë që shkon përtej të dyzet vjetëve, i është dashur që të luaj edhe role nga ato që sot quhen negative, por që edhe qëndrojnë si koncept për shoqërinë në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj.

Harapi i Shkodrës tek drama “Baca i Gjetajve”, është konsideruar si një nga rolet më interesante të krijimtarisë se tij si aktor, nje rol i arrirë, por edhe prifti tek filmi televiziv, “Ditët që sollën pranverën”. Me këtë të fundit ku luante pra rolin e priftit Viktor pat lindur edhe nje shprehje ne gjinine e batutes shkodrane nga ato me thumb që dinin veçse shkodranët të qëndisnin atëherë, por që edhe fshihte realisht një disidencë që ballazi mungonte për të vërtetën e hidhur. Dikush paska thanë; “Me bà me u hap prap kishat, priftin-Viktor e kena gati. Ka rreziku qyqari vedin ……

Trupa e Shkodrës në ato vite ka qenë nga më të mirat në krejt vendin. Por si do te shprehej Viktor Bruceti per institucionin “shtepine e tij” per me se 30 vjet : “…..sot ka ndryshuar gjithçka. Sa herë më çon rruga tek ish- shtëpia ime aty në Shkodër, jo vetëm që mbush sytë me lot për shkak të gjendjes aktuale të atij institucioni me aq emër, por edhe ndjehem keq kur mësoj se ish-kolegët e mi janë tashmë pa krah, pa jetë artistike, pa skenën që i rriti dhe i bëri artistë të vërtetë.

Ndoshta me ndonjë përkushtim pak më të madh të pushtetit, gjërat nuk do të jenë më kështu për teatrin, këtë pasuri të rrallë artistike që kemi trashëguar. Këtu nuk është fjala për të bërë tashmë diferenca kohësh. Sepse, edhe në atë që lamë pas, të vinte vërtetë keq që disa breza aktorësh të talentuar u dërmuan duke luajtur role partizanësh e gjermanësh, sikur të ishte lojë kalamajsh ndër rrugica. Mbetën aty. Edhe unë vetë. Kam respekt në radhë të parë për vetë aktorin dhe artistin që nuk po gjen ende vendin në shoqëri.”
Fjalet e fundit te Brucetit do te ishin rreth jetes se perditeshme ku ai jetoi dhe malli per atdheun e tij: “Ndjehem mirë së bashku me Miriamin. Por, nuk e harrojmë Shqipërinë.

Atje ku thotë Çajupi, “na ka rëndur koka”. Ndërsa, jeta këtu është krejt ndryshe. Ka tjetër ritëm. Shumicën e kohës e kaloj nëpër parqe, që janë gjithmonë të gjelbëruara. Herë vetëm e herë me Miriamin. Kur shëtis nëpër park, recitoj për veten time. Shumicën e rasteve, “Tringën” e Mjedës. Më duket se jam afër me skenën, mbi të. Jetoj me të dikurshmen dhe me të ardhmen time në ato momente. Dhe, vazhdoj që të ëndërroj si një njëzetvjeçar ”

Linku i shkrimit ne Facebook: https://www.facebook.com/notes/399072414585491/

Albumi i aktorit ne Facebook – Kinematografia Shqiptare

_____________
Per ndertimin e ketij teksti u perdore intervista e Viktor Brucetit ne v. 2009 dhene “Gazetes Shqiptare”/ K.Sh: Tetor 2013 / ripublikim shkurt 2020

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here