Vllasova Musta | Profil!

0
1519

Vlasova Musta
Skenariste, poete!

Lindi ne Gjirokaster me 8 prill 1949. U diplomua për Gjuhë – Letërsi në Fakultetin e Filologjisë, Tiranë në vitin 1971. Menjëherë pas studimeve punon në Kinostudion “Shqipëria e re” si skenariste ku e nisi krijimtarinë me skenarin e parë të filmit dokumentar ”Heshtja e armëve”, 1971 dhe më pas skenarin e filmit dokumentar ”Këndon Tefta Tashko Koço”, me regji të Marjanthi Xhakos, 1972.

Në vitet 1975 – 1976 kreu specializimin në kursin pasuniversitar dy vjeçar, dega regjisurë, pranë Kinostudios. Vllasova krijoi skenarë në zhanret e filmit dokumentar dhe kronikal dhe, me vonë, në periudhën 1982 – 1987, edhe në filmin e animuar. Për pesë vjet, mbajti detyrën e drejtoreshës së studios Albafilm, nga 1997- 2002, e më pas punoi në Muzeun Historik Kombëtar si specialiste në Sektorin e Muzeologjisë dhe Botimeve (2002-2006).

Puna në vite e Vllasova Mustës, përfshin edhe detyra të tjera si anëtare e Këshillit Artistik për aprovimin e skenarëve dhe të filmave në Kinostudio, 1983-1990; anëtare e Bordit pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike në vitet 1998-2002.
Ka realizuar mbi 35 skenarë për filma të animuar si dhe dhjetra filma dokumentarë e kronikalë ku spikasin bashkëpunimet me regjisorët Vitori Ҫeli dhe Gjin Varfi e Rikarda Nova: ”Pranë hapave të parë” 1974, ”Vatër dije, vatër lirie”, 1975, “Banorë të rinj buzë Jonit”, Vitori Ҫeli, 1976, “Prite, prite Skënderbenë”, Vitori Ҫeli, 1983, ”Mjeshtri dhe nxënësit e tij”, Adriana Elini, 1987, filmi dokumentar për aktorin Naim Frashëri “Meteori i skenës”, 2002, filmi dokumentar Për Vangjel Zhapën “Njeriu që kapërceu kohërat”, Donika Muçi, 2004.

Realizoi si skenariste dhe regjisore filmin kronikal për tërmetin në rrethit e Shkodrës “Tërmeti tundi malet, bashkoi zemrat”, 1979, dokumentarin “Teratri krahinor i Prishtinës”, 1979, si dhe skenariste dhe regjisore në realizimin e dhjetra kronikave.

Në zhanrin e animacionit krijoi skenarë për filmat ”Në pyllin me bredha”, Tonin Vuksani, 1983, Seria e filmave vizatimorë “Zogu pushbardhë”, “Abetarja dhe zogjtë e Oltes”, Bujar Erebara, 1988, “Pas një zënke”, Gjin Varfi, 1987, “Dy vëllezërit dhe ujku”, Boris Ikonomi, 1987, “Kërpudha”, Artur Muharremi, 1989, “Lëkura e luanit” , Gjin Varfi, 1989, “Bashkë me perëndimin e diellit”, Artur Dauti, 1996, “Balada e druvarit”, Rikarda Nova, 1997, “Loja e djallit”, Rikarda Nova, 1999, “Ura”, Artur Muharremi, 2005, “Ka ndodhur dikur dhe vazhdon përsëri…”, 2007.

Krijimtaria e Vllasova Mustës është vlerësuar ndër vite me çmime, kupa, medalione si brenda dhe jashtë vendit:
Filmi “Banorë të rinj buzë Jonit”, fitues në Festivalin e parë të filmit Shqiptar.
Filmi vizatimor “Dy vëllezër dhe ujku”, fitues i Kupës së Festivalit të 7- të të Filmit, 1988. Filmi vizatimor “Kërpudha”, fitues i Medalionit të Festivalit të 8-të të Filmit, 1990. Filmi vizatimor “Balada e druvarit”, fitues i Kupës së Festivalit të 11-të të Filmit Shqiptar, 2000. Filmi “Ura”, ka konkuruar në disa aktivitete ndërkombëtare dhe ka fituar disa çmime, si në Itali, Francë dhe Greqi.

Krahas punës krijuese në kinematografi, Vllasova lëvron me sukses edhe poezinë shqipe ku shquhet për ndjeshmëri lirike,njohëse e mirë e vargut dhe mjeshtre e poezisë. Ka shkruar poezi që në vitet e hershme të rinisë dhe ka fituar çmimin e parë për ciklin më të mirë poetik, në konkursin kombëtar për talentet e reja (1966). Kënga “Xhaketa e kuqe” me tekst të shkruar nga Vllasova Musta u shpall fituese e Festivalin e parë të këngës së ushtarit.

Në vitin 1970 botoi librin e parë me poezi të titulluar “Pa kopertinë”. Në vitin 1984 botoi librin me poezi ”Kur çelin sythet”, i cili fitoi çmim në konkursin kombëtar të organizuar me rastin e 40 vjetorit të çlirimit. Në vitin 2006 ka marrë pjesë në konkursin Kombëtar Letrar “Dritëro Agolli” në gjininë e poezisë, ku u shpall fituese. Në vitin 2007 botoi librin me poezi ”Kthema diellin, Tim”. Dhe së fundmi, në 2014 botohet libri me poezi “Më thuaj diçka të bukur”.
________________________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca : “Enciklopedia e Kinematografise Shqiptare” – Toena 2002 / A. Hoxha / f. 280-281 si dhe AQSHF (prill 2016) Fotot pa logo jane marre nga “google images”

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

Discover more from Kinematografia Shqiptare - Sporti

Subscribe to get the latest posts to your email.

Leave a Reply