Liri
I pari erdhi Liri. ishte viti 1967 kur i madhi Skënder Jareci i jep freski moshe Dinamos duke afirmuar në ekipin e parë dy të rinj të cilët më vonë do të shndërrohen në legjenda të futbollit dinamovit. Ilir Përnaska dhe Faruk Sejdini. Iliri është vetëm 16 vjeç. Që në debutim shënon dy gola në fitoren jashtë fushe kundër Traktorit vendas në fitoren 1-3. Që nga ajo ditë e deri sa la futbollin Ilir Përnaska do të ishte emri i madh i sulmit të Dinamos. Në tërë Shqipërinë edhe sot e kësaj dite njihet si “Gerd Myleri” shqiptar. Ilir ishte një makineri golash, një sulmues i jashtëzakonshëm. I aftë të shënonte nga çdo vend e me çdo mënyrë, jashtë zone, brenda zonës me kokë, me këmbë, në minutën e fundit, gjatë një rrëmuje në zonë gjithnjë ishte ai, i frikshmi Ilir Përnaska. Një nga momentet më të spikatura është kur gjatë ndeshjes Shqipëri – Gjermani 0-2 në prill të 1981, pasi kalon kapitenin gjerman, qendërmbrojtësin Bernard Dietz, ky i fundit, i mbetur pas, brenda zonës, e tërheq dhunshëm disa metra nga fanella. Për turp të arbitrit, Shqipërisë i u mohua një penallti fare e pastër!
Luhet Dinamo-Flamurtari. Sërish fundi i viteve 70-të. Minuta e ’87. Rezultati 0-0. Pas nje krosi nga e djathta, portieri Berberi del e grushton topin. Jashte zonës, “killeri” Ilir Pernaska, ngrihet në ajër e stopon topin me gjoks – im ate ngrihet e ulerin GOOOL – dhe pa e lënë të bjerë ne tokë me nje gjuajtje te fuqishme dhe teknike, e dërgon drejt e në trekëndësh. Jam ne 20shen e “Qemal Stafa”, mes tifozëve të një stadiumi plot, pa kuptuar se në ate shtet ateist, duhej të falenderoja Zotin (dhe tim atë tifoz i Dinamos) që gjendesha aty, në atë tempull ku lejohej gjithcka dhe cdo moshë kishte të rezervuar një vend. Aty ku copa pazli të tilla, plotësonin një kapitull historie futbolli brilante.
Liri u nda nga futbolli i luajtur në vitin 1982 pas plotë 15 vitesh tek Dinamo. Erdhi fëmijë, i panjohur si emër. U largua burrë dhe fanella e tija me nr 7 peshonte jashtë mase, emri i tij është një mit sot e kësaj dite. Fanella me nr 7 u vesh nga disa lojtarë të Dinamos. Askush nuk mundi ti japë vlerë atij numri si Ilir Përnaska. Vetë Iliri ja dha Sulejman Demollarit por kjo është një tjetër histori…

Ilir Përnaska – tituj
Këpuca e Artë Shqiptare 1971–72, 1972–73, 1973–74, 1974–75, 1975–76, 1976–77
Mjeshtër Sporti
Mjeshtër i Merituar i Sportit
Mjeshtër i Madh
Urdhëri i Naim Frashërit (3)
Golshënuesi më i mirë në historinë e Dinamos, me mbi 150 gola zyrtarë të shënuar mes sezoneve 1971-1981.
5 Kampionate të fituara: 1972–73, 1974–75, 1975–76, 1976–77, 1979–80
4 Kupa të Republikës:1970–71, 1973–74, 1977–78
6 herë rradhazi Golshënuesi më i mirë i Kampionatit (qe perben nje rekord absolut).

Llaqi
Ishte viti 1973. Para fillimit të kampionati, lajmi kishte bërë xhiron e botës së tifozerisë tiranase. Vasillaq Zëri nga Shkëndija e jashtëzakonshme e studentëve pati kaluar tek Dinamo. Një vlerë më shumë në sulmin dinamovit në të cilin gjendej tashmë prej disa sezonesh kryegolashënuesi i kampionateve shqiptare Përnaska.
Llaqi siç e thërrisnin shkurt, me nr 9, ishte një nga ata lojtarë të cilët brenda një shekulli vështirë se shfaqen dy herë. Në të vertetë, vështirë se shfaqen përsëri. Mbreti i driblës në Shqipëri ishte edhe një shënues i shkëlqyer. Lojtari që shënonte në ndeshje të mëdha, nga ato që mbesin të paharruara në kujtesën e tifozëve si Dinamo – Tirana, Dinamo – Partizani apo Dinamo – Vllaznia.
Shënuesi në fitoren ndaj Karl Zeis Jena, frika e mbrojtjes së Aberdeen dhe Ajax të Amsterdamit. Madje këta të fundit e kërkuan zyrtarisht por në Shqipërinë komuniste shtiblerjet e lojtarëve nuk lejoheshin dhe futbolli ishte amator, lojtarët për të cilët po shkruajmë gjysmë profesionistë.
Ishte sulmuesi që bazohej tek dribla por edhe snajper në gjuajtje, të cilat, me të vërtetë ishin një specialitet i tija.
Lojtari mbase më popullor në Shqipëri sepse përfaqësonte futbollin e bukur, argëtues. Është shkaku që shumica e tifozëve 50-60 vjeç të sotëm të Dinamos, në moshë fëminore, dashuruan këtë ekip, pra, pikërisht prej lojës së bukur të të paharrueshmit Vasillaq Zëri! Në një farë mënyre, ashtu si edhe Garrinça, Llaqi ishte gëzimi i popullit në vitet që luajti futboll, sidomos me ngjyrat e Dinamos nga 1973 deri 1984.
Nuk mbaj mend a isha ne klasën e tretë apo te katërt. Nuk mbaj mend mirë a ishte viti 1978 apo 1979. Gjithashtu, nuk mund të them me siguri qe isha një tifoz i Dinamos por, isha ama një tifoz i Llaqit, Vasillaq Zerit!
Atë pasdite, im atë më pati mare ne stadium për të ndjekur ndeshjen Dinamo-Skenderbeu. Pak para fundit te ndeshjes kur me një gol po te Zerit, Dinamo kryesonte tashme 1-0, Llaqi, gjendet jashtë zonës me një mbrojtes përballe tij. E shmang pa u sforcuar, duke i ikur majtas, si me magji. Në hyrje të zonës, i ndërhyn mbrojtësi i fundit. Përsëri si me magji, e shmang duke i ikur nga e djathta dhe pas këtij mini sllallomi gjendet përballë Jani Kacit. Jani, portieri i kombëtares atëhere, i hidhet me vrull tek kembet por Llaqi ja kalon topin sipër trupit dhe i vetm futet me gjithë top ne portë! Cfarë mund te ndjente një fëmijë në Brazil po të shihte Garrincën të shënonte një gol të tillë? Cfarë mund të ndjejë një fëmijë sot në Barcelonë ne se Mesi shënon në të tillë mënyrë? Pikërisht ato ndjenja më elektrizuan mua fëmijen dikur në “Qemal Stafa”
4 Kampionate 1975, 1976, 1977, 1980
3 Kupa të Republikës 1974, 1978, 1982
Shyqi
I fundit i treshes mitike të Dinamos. Përnaska prej vitit 1967 dhe Zëri prej viti 1973 ishin tashmë aty. Në fakt, Zëri sapo kishte mbyllur sezonin e parë me Dinamon. Shyqi, siç thërritej ngado, me nr 11 mbi shpinë, ishte njeriu më adapt për të plotësuar një treshe të frikshme sulmi. Me vrapin e tij në krahun e majtë që i ngjasonte një kompresori që punon pareshtur, pa u lodhur, me krosimet e tija perfekta nga e majta, me mushkëri “hekuri”, lidh më së miri nuhatjen brenda zonës së “vrasësit” nga ajri dhe toka Përnaska me dribluesin dhe shuterin Zëri. I papërmbajtshëm në duelet një kundër një, me gjuajtje të mira dhe me nuhatjen e golashënuesit, Shyqi, i mbërritur nga Durrësi i jep tjetër impuls asaj tresheje, e bën atë të frikshme dhe sot e kësaj dite, mbase më e mira e tërë kohërave në kampionatet shqiptare.
Pasdite e vrenjtur. Stadiumi “Qemal Stafa” i mbushur plot. Ndeshja e kthimit, ndeshja e dytë finale për Kupen Ballkanike, ekipet “Shpresa”, Shqipëri-Rumani. Kërkohet përmbysja e humbjes së ndeshjes së parë në Rumani, 1-3.
Shyqi, kapiten ekipi. Tashmë, kur rezultati ka arritur ne 6-1 per “Shpresat” e Shqiperise, ka shënuar dhe ka servirur për të tjerët. Eshte ndeshja e tij!
Pak para fundit, jashte zonës, duke ja kaluar topin sipër kokës, lë pas mbrojtësin e fundit dhe i drejtohet portes. Portieri del me vrull për ta ndalur. Mbrojtësi nga mbrapa, më te dyja duart, me të tëra menyrat, tërheq Shyqin nga trupi dhe fanella. Para se të rrezohet, Shyqyri Ballgjini, arrin të lëshojë nje parabël sipër portierit duke vulosur rezultatin Shqipëri-Rumani 7-1!
Pas ndeshjes, si kapiten ekipi, tashmë Kampion Ballkani, mer kupen nga dora e Loro Boriçit! Në të njëjtin tempull, kundër të njëjtit kundërshtar, nga dora e një kapiteni legjendar po aq protagonist! Rastësite që përsëriten, nuk quhen më rastësi!

Shyqyri Ballgjini – tituj
Pesë kampionate 1972–73, 1974–75, 1975–76, 1976–77, 1979–80
Dy Kupa Republike 1973–74, 1977–78, 1981-82
Kampion Ballkani Under21, viti 1978
Zëri – Ballgjini – Përnaska!Gjatë atyre viteve, një dekadë, ajo treshe, numëron mbi 400 ndeshje (aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare), duke shënuar mbi 300 gola në total. Fatkeqësisht, shumë pak ne ndeshje ndërkombëtare. Në fillimin e viteve 70të, pas një humbjeje 1-4 me ekipin Olimpik të Rumanisë në Tiranë, F.SH.F.njoftoi UEFA-n dhe FIFA-n, për një vetëpezullim, pas të cilit erdhi edhe skualifikimi zyrtar trevjeçar (1973-76), për futbollin shqiptar me klube e përfaqësuese (i treti në historinë tonë, pas periudhave 1953-1957 dhe 1958- 1963).
Kjo, ishte fatkeqësia e madhe e karrierave futbollistike të asaj kohe në Shqipëri. E mira ishte që ata njerëz, ndonëse kurrë nuk u bënë të pasur, gëzojnë përjetë titullin e njeriut të respektuar!
nga Arian Muraj
_____________
VizionSportiv / Ora e kampioneve – 10 janar 2021
Follow us:
Facebook : https://www.facebook.com/VizionSportiv
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
Blog: https://pierosportvision.blogspot.com/