Intervista | Zhaneta Petushi, mjeshtre e grimit!

0
645

Zhaneta Petushi
Grimiore

Të trukosh një artist nuk do të thotë thjesht ta bësh atë të duket bukur nën prozhektorët e skenave apo studiove televizive. Është një krijimtari më vete. Është shndërrim. Aq më tepër kur bëhet fjalë për teatrin apo kinemanë, ku të njëjtin aktor duhet ta shndërrosh në dhjetëra personazhe të ndryshëm… Mjeshtrja e grimit, Zhaneta Petushi
Nje Interviste dhene per “Panorama” (Gusht 2013)

* * *
Mjeshtrja e grimit, Zhaneta Petushi, ruan qindra histori nga bashkëpunimi i gjatë me artistët e Teatrit Kombëtar, dikur Popullor dhe të Kinostudios. Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Serafin Fanku… aktorë që fatkeqësisht nuk jetojnë më, përpara se të zbrisnin në sheshxhirim apo ngjiteshin në skenë, kanë kaluar në duart e Zhaneta Petushit. I ka bërë të duken më të rinj, më të moshuar, kaçakë të frikshëm, priftërinj të përkorë… I paharrueshëm mbetet për të takimii fundit me Naim Frashërin, i cili do të ndahej nga jeta pas xhirimit të dramës “Familja e peshkatarit”. Nga duart e saj ka kaluar Dhaskal Todri tek “Udha eshkronjave”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e kështu me radhë…Puna ndryshon me balerinat, këngëtaret apo prezantueset. Vërtet nuk i duhej një punë aq krijuese sa me aktorët, por ama duhet të përballej me huqet e secilës.

Grimierja tregon si silleshin Vaçe Zela e Edi Luarasi para se të dilnin në skenë. Si i gjenin materialet në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe nga e vilnin informacionin për tendencat e fundit të modës, që me apo pa dëshirën e diktaturës, hynte dhe ndër shqiptarë.
Grimierja, e cila tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregon për të gjitha këto…

Zhaneta Petushi
Fillimi i punës sime në televizionin eksperimental RTSH nuk ka qenë i vështirë. Thjesht ishte makijazh i lehtë që u bëja dy spikereve të bukura, Stoli Belit e cila jepte lajmet dhe Zerina Kukës që paraqiste programet. Vështirësitë profesionale filluan në qendrën e re televizive me regjistrimin e teledramave që sillnin për TV të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë.

E fillova në vitin 1973 me dramën “Zekthi” që e punoi për ekranin regjisori Albert Minga. Atë mund ta quajmë edhe filmin e parë televiziv.

Zekthin e luante Serafin Fanku, i cili gjatë shfaqjes grimohej dy herë: një herë si djalë i ri 18 vjeç dhe mbas shumë e shumë vjetësh, si burrë, me një fytyrë të vrarë nga burgimi dhe lufta. Nga 36 vjeç që ishte Serafini, mua më duhej ta shndërroja në djalë të ri 18-vjeçar. Veç makijazhit në fytyrë, me një mashë të hollë që e kisha për të përdredhur zakonisht mustaqet, duke e ngrohur në një furnelë me korrent, mbas dy orëve arrita t’ia bëj flokët kaçurrela. Ndërsa në figurën tjetër më duhej tash përfytyroja krejtësisht, që të mos njihej që ishte po ai, Zekthi. Veç flokëve, i vura mjekër, mustaqe dhe dy shenja plage në fytyrë. Drama më kërkonte punë edhe me një plak të moshuar, një prift katolik. Veç makijazhit si plak, më duhej edhe një paruke me flokë të bardha që nuk e kisha. Atë e improvizova me lesh deleje të bardhë, duke ia qepur në perimetër një takieje të vogël rrumbullake që mbajnë në kokë priftërinjtë katolikë…

Unë e dashuroja profesionin e grimieres. Ajo më dukej puna më e bukur në botë, kur shikoje që ditë përditë nga duart e tua dilnin figura nga më të shëmtuarat, apo nga më të bukurat, tipa e karaktere nga më të ndryshmet. Qëllonte nganjëherë, që dhe vetë aktorët nuk e njihnin veten dhe kënaqësia rritej edhe më shumë…

Na treguat për Serafin Fankun, si ishte puna me Naim Frashërin, Kadri Roshin,Sandër Prosin, aktorë që fatkeqësisht nuk jetojnë më ?

Memakijazhin e teatrit, që ishte krejt ndryshe nga ai i televizionit, aktorët familjarizoheshin aq shumë, sa pa atë u dukej se nuk do të interpretonin dot në atë nivel që ishin mësuar të pëlqeheshin. Me ta duhej bërë kujdes që t’i bindje për t’iu nënshtruar një makijazhi televiziv, që përballë kamerës ishte shumë i ndjeshëm. Në inskenimin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, që u bë edhe telefilm, Sandër Prosi e luante në skenë rolin me një mjekër si të ushtarëve alpinë italianë. Ai ishte një gjeneral i ditëve tona dhe unë doja ta sillja në kohë, pa mjekër alpine, vetëm me një palë baseta të kohës. Me Sandrin u mirëkuptuam shpejt. Me të edhe tek “Udha e Shkronjave” ramë në ujdi që në fillim. Sandri i rriti flokët siç ia kërkova unë, teksa unë i punova mjekrën e mustaqet me ngjyrën e flokëve. Nga kjo maskë Sandri mbeti shumë i kënaqur. Këto bashkëpunime më erdhën në mend në ato momente trishtimi të thellë, kur mësova vdekjen e tij tragjike dhe kënaqem e trishtohem njëherësh kur shikoj tani ato shfaqjet e tij. Tronditës ka qenë bashkëpunimi me Naim Frashërin, me atë aktor kolos, me një repertor shumë të pasur, por asnjëherë të ekranizuar në televizion. Sidomos takimi i fundit më ka mbetur në mendje…

Çfarë e bënte kaq tronditës këtë takim të fundit ?
Vladimir Prifti bënte regjinë e “Familjes së peshkatarit” dhe Naimi luante rolin kryesor. Edhe me këtë artist të madh bashkëpunimi im shkoi për mrekulli. Veçse, Naimi i mirë, vdiq natën e fundit, sapo mbaruan xhirimet e dramës. Dridhesha e tëra kur sillja ndërmend që para disa orëve e kisha kokën e tij në duart e mia…

Ndërsa me Kadri Roshin ruaj dy kujtime. Në dramën “Epoka para gjyqit” më lindi në kokë ideja që portretin e tij ta përngjasoja me njërin nga vëllezërit Frashëri. Ai ma pëlqeu idenë. Për një kohë të gjatë me imagjinatën time dhe me shumë fotografi të Abdyl Frashërit, të ngjitura në pasqyrë, (mes tyre edhe një kartëmonedhë), përshtata portretin e frashërlliut mbi fytyrën e paharruar të Kadri Roshit të madh. Ai pranoi pa fjalë që t’i hiqja dhe vetullat e tij të bashkuara. Në fund kur mbarova, më tha: “Zhani, të gjitha t’i kam falur, por këtë, që m’u ça hunda për një cigare, nuk ta fal!”..

Më pas, realizova maskën e Kadriut për rolin e Ndrios në filmin “Udha e shkronjave”, por ai atë rol nuk e xhiroi. Nuk e di seç e pengoi, por Ndrion më pas e luajti me mjaft sukses Ndrek Luca, me të cilin gjithashtu patëm një harmoni të përsosur.

Ju i keni njohur nga afër tekat dhe pretendimet e shumë artistëve shqiptare.Cili prej tyre ka qenë më pak i “binduri” për t’i besuar syrit tuaj estetik?
Zoica Haxho në xhirimin e baletit “Halili dhe Hajria”. Mbasi i vura parukën të larë dhe të formuar më parë, i thashë se për t’i zmadhuar syrin do t’i aplikoja një palë qerpikë artificialë. Zoica menjëherë kundërshtoi:
“Nuk i dua ato! Do të më tregojnë si lavire”.
“Si lavire?!” – u mundova ta shtroj unë,
– “Po ti Zoicë ke në kokë paruke, edhe qerpikët janë pjesë e trukut”…
Kur ia pa Sekine Sharofit qerpikët artificialë, i pëlqyen, iu ndërrua mendja dhe erdhi tek unë si dele e urtë. Kur doli në skenë para xhirimit, Albert Minga, që ishte regjisori që do ta regjistronte dhe Agron Aliajn, baletmaestri që e pa krejt ndryshe nga makijazhi i skenës, bërtitën nga larg: “Zoica, dukesh e mrekullueshme!”.


Po më komodi prej tyre në karrigen e grimit ?
Kur bëhet fjalë për krijim tipash dhe karakteresh, asnjë nga artistët nuk ndihet i qetë. Po ashtu edhe unë, deri sa të përfundojë puna ime, emocionet janë të të dyja palëve.

Na tregoni pak për këngëtaret, ato ndoshta kishin më pak punë, por më shumëteka, apo jo?
Nuk mund ta harroj Vaçe Zelën me ato flokët e saj të mrekullueshme, që nga drejtoria më kërkonin t’ia prisja. Unë nuk e bëra asnjëherë atë gjë. Vaçen e admiroja si këngëtare, përveçse e kisha dhe mikeshë. Doja ta bëja maksimalisht të bukur, por Vaçja nuk ma krijonte këtë mundësi. E para nuk interesohej për veshjen deri në minutën e fundit. Një herë m’u ul para pasqyrës e paveshur. “Ku e ke fustanin?”, e pyeta. “Akoma nuk e di se çfarë do të vesh. Asgjë nuk më pëlqen”. Më shikoi mua nga koka te këmbët dhe më tha copë: “A ma jep ti Zhani këtë fustanin që ke veshur?”. Ai nuk ishte për skenë, por Vaçja në atë moment nuk kishte ku të gjente fustan më të mirë se ai… Vaçja kishte emocione të fuqishme para daljes në skenë. Sapo filloja punën, ajo ngrihej e shkonte në tualet. Kjo përsëritej disa herë, derisa unë mbaroja… E kundërta e Vaçes ka qenë Edi Luarasi, e cila shfaqte një përkushtim të jashtëzakonshëm për paraqitjen e saj, si spikere në festivalin e famshëm, të njëmbëdhjetin. Me udhëheqësin artistik e regjisorin Mihallaq Luarasi morëm copat e ekspozitës se manifakturës kineze për veshjet e atij festivali. Me Edin zgjodhëm copat e modelet se si do të qepeshin. Fustanet e bukura të gjata deri në fund të këmbëve dhe interpretimi i shkëlqyer i Edi Luarasit lanë përshtypje të mahnitshme që kujtohen edhe sot.

Si i siguronit mjetet e punës, gjithçka që ju duhej për makijazhin ?
Punoja pa ndërprerje për të kompletuar repartin e parukerisë: paruke, mjekra, baseta,vetulla, mustaqe etj. Më jepej një sasi valute çdo vit nga shteti. Ishte gjetur një firmë profesionale franceze, që e merrja nëpërmjet Italisë, me një gamë të gjerë prodhimesh, si për makijazhin e televizionit, ashtu edhe për atë të filmit, e quajtura “Zhasmine”, që ka marrë edhe çmime “Oskar”.

A kishte censurë në përditshmërinë e punës suaj, duke qenë se afërmendsh kenipunuar nën diktatin e një sistemi komunist…
Donte apo s’donte diktatura, moda e të lyerit dhe ajo e veshjes penetronin nëpërmjet televizioneve italiane, siç na vinte edhe gjuha italiane. Me gjithë praninë e censurës, gratë dhe vajzat tona mundoheshin të dukeshin moderne dhe kishte plot prej tyre që nuk linin pa i ndjekur të rejat. Mua më kishin ngjitur nofkën “modernia e Tiranës”. Në punë unë dhe regjisorja Vera Grabocka kritikoheshim nga komunistët e “kulturuar” që na vinin nga klasa punëtore sipas shembullit të revolucionit kinez, për të “na ndrequr” ne intelektualët e rrëshqitur. Por, pa dobi. Për fat ne na mbronte kolektivi. Ndërsa në jetë, moda erdhi njëherë me të kuq buzësh shumë të çelur e më vonë shumë të errët, gati të zezë. Këto, absolutisht nuk lejoheshin në televizion.

Ku i merrnit modelet në të cilat referoheshit? Revistat e huaja nuk qarkullonin, ç’bënit që artistët të mos dukeshin njësoj?
Karakteret dhe tipat i merrja nga vëzhgimi në jetë dhe nga eksperienca. Të tillë ishin fshatarët, burokratët, servilët, intelektualët, lebërit, malësorët e Veriut, hoxhallarët, priftërinjtë… Veç kësaj, më duhej të njihja edhe epokat e kaluara. Dhe sa për atë që artistët mund të dukeshin njëlloj, kjo nuk ndodh kurrë. Çdo njeri ka karakteristikat e veta, është unik, i papërsëritshëm. “Zhasmina”, bashkë me materialet më dërgonte shumë revista profesionale e shkencore, si ato të Akademisë së Shkencave për bukurinë. Ato më vlejtën shumë në perfeksionimin e profesionit. Në vitin 1993, mbështetur në dijet e mia, në studimin e këtyre materialeve shkencore, të pesë ligjeve të arta të kozmetikës, me ndihmën e kolegut e mikut tim, kryeinxhinierit Agron Aranitasi, hapëm një rubrikë javore me redaktore Ariana Kokobobon. Titullohej “E bukura dhe njeriu”. Në këto emisione unë demonstroja drejtpërdrejt mbi fytyrat e vajzave dhe grave se si të kujdeseshin për lëkurën, flokët, për mbrojtjen dhe ushqimin e tyre. Dhe sipas rregullave të arta të bukurisë, i mësoja se si me anën e një tualeti të lehtë,të korrigjonin p.sh. një gropë syri, një kokërdhok të dalë, një ballë të madh,një hundë të madhe, të gjerë, një mjekër të gjatë. Këto emisione në televizion bëheshin për herë të parë dhe patën shumë jehonë, madje kur pata rastin të shkoj në Maqedoni, vura re me kënaqësi se edhe atje i paskëshin ndjekur me interes mësimet tona në ekran.

* * *
Grimierja që u kujdes për trupin e vdekur te E. Hoxhes
Gjatë viteve të gjata të punës, grimierja Zhaneta Petushi ka kaluar gjithfarë eksperiencash, tipa të vështirë, kritika për prirje moderniste, po ngjarja që ajo s’do ta harrojë kurrë, edhe pse nuk flet shpesh për të, është grimimi iish-diktatorit të vdekur. Zhaneta Petushi u përzgjodh të përgatiste për homazhe trupin e diktatorit në prill të vitit 1985. Për plot 6 ditë ajo u kujdes përngjyrën e fytyrës dhe të thonjve, për flokët, për riparimin e dëmtimeve që ndodhnin gjatë homazheve (shtrembërimi i hundës, një gropë në faqe, nxirja ethonjve). Në një intervistë të dhënë për suplementin “Unë gruaja”, Petushi zbuloi se diktatorit i ishte bërë një operacion për heqjen e rrudhave, pas vdekjes. Ndërsa vargani prej mijëra vetash priste të bënte homazhe, grimierja duhet të përballej me situatën, ndoshta më të vështirë në jetën e saj: të kujdesej për trupin e pajetë të diktatorit.
__________________
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: Ermira Isufaj. “G. Panorama” / Gusht 2013

Follow us :
Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/
Vimeo: Kinematografia Shqiptare (vimeo.com)
Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare
Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti
YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here