Zina Andri – Pano
(1924 – 1980)
Regjisore e pare femer e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombetar).
Zina Andri, emri i vërtetë i së cilës ishte Zinaida Andrejenko,
lindi në një familje ukrainase më 24 dhjetor 1924.
Pasi mbaron gjimnazin në qytetin e lindjes, në vitin 1943 ndjek studimet e larta në Univesitetin e Moskës, në Institutin Teatral “Lunaçarski” në degën e mjeshtërisë së aktorit.
Në vitin 1948 njihet me studentin shqiptar, aktorin dhe regjisorin Andon Pano, i cili kishte shkuar në Bashkimin Sovjetik, ashtu si shumë të rinj shqiptarë për specializim.
Kjo beri vajzën bionde ta linte Rusinë dhe t’i thoshte “po” dashurisë së studentit shqiptar Andon Pano për të lidhur bashkë me martesë e për të jetuar në Shqipëri… Ishte vetëm 24 vjeçe kur u takuan bashkë me studentin shqiptar Pano në Bashkimin Sovjetik.
Për Zinën vitet në Moskë mbetën përgjithmonë brenda saj, jo vetëm si vitet e bukura të dashurisë, por dhe si vitet që rritën tek ajo ndjesitë për teatrin. Me të ardhur në Shqipëri, ajo filloi punë në Teatrin e Ushtrisë.
Në vitin 1950, Zina Andri – Pano hyn në Trupën e Teatrit Popullor duke u bërë një nga femrat e para regjisore, e cila përgjatë karrierës së saj realizon 20 premiera.
Në vitin 1963, ajo ngjit në skenën e Teatrit një nga dramat më të njohura të Federiko Garsia Lorkës, një dramë e cila vazhdon të inspirojë regjisorët e teatrit sot, “Shtëpia e Bernarda Albës”.
Regjisorja ia kishte besuar personazhin e Bernardës, Marie Logorecit, në rolin e Magdalenës ishte Violeta Manushi, gjyshja interpretohej nga Behije Çela, Ponsia nga Marika Kallamata, në rolin e Martirios ishte aktorja Liza Vorfi.
Duket se dramaturgjia spanjolle është e dashur për regjisoren e cila sapo i kishte kaluar të 30-at. Po atë vit, ajo ngjit në skenën e teatrit një tjetër vepër nga dramaturgjia spanjolle të autorit Lope De Vega, “Qeni i kopshtarit”, një komedi e ndërtuar mbi një linjë dashurore.
Kritika e kohës shkruan për këtë vepër: “Guximi krijues i regjisores shihet dhe në ndarjen e roleve: Dy personazhet kryesore të komedisë Diana dhe Teodori, luhen respektivisht nga Besa Zheji dhe Naim Frashëri, aktorë të njohur të dramave të forta”.
Zina Andri – Pano kishte aftësinë të futej brenda karakterit të personazheve dhe ta sinjifikonte atë me portretin e një prej aktorëve të Teatrit, duke i lidhur menjëherë aktorin dhe rolin.
Ndoshta kjo i bënte shfaqjet e saj të ishin të pëlqyera, fakti që aktorët ishin aq të ngjashëm me personazhet që interpretonin.
Një vit më vonë, ajo ngjit në skenën e teatrit dramën e shkrimtarit francez Emanuel Roble, “Monserrat”, një vepër e cila ishte nën kornizat e teatrit të realizmit socialist, e konsideruar si një vepër e fuqishme antiimperialiste dhe antikolonialiste.
Për këtë dramë, ajo përfshin aktorë të mirë të teatrit si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Besa Zheji, Besim Lëvonja, Sulejman Pitarka etj. Ndër shfaqje të tjera të suksesshme të saj mund të përmendet “Shërbëtori i dy zotnive” dhe “Votra e huaj” e Ndrekë Lucës, e cila është dhe e vetmja pjesë shqiptare.
Për shkak të gjuhës, edhe pse ajo u bë një njohëse e mirë e shqipes, Zina pati më shumë lehtësi në sjelljen në teatër të dramaturgjisë së huaj.
Për më shumë se 20 vite, kjo regjisore që thirrej nga të gjithë me dashuri si “ruska”, do të ishte aktive në jetën artistike të Teatrit Kombëtar, duke ndihmuar në rritjen e tij profesionale.
Zina arriti të përshtatej me kornizat e realizmit socialist në teatër, por dhe të dilte me stil prej tyre. Duke pasur parasysh pjesët që ajo vuri në skenë, lirinë që u ka dhënë personazheve dhe konceptet regjisoriale, Zina mundi të sillte një teatër të denjë për çdo skenë të botës.
Të qenët e huaj nuk ka qenë gjithnjë pozitive për regjisoren. Në shtypin e kohës, gjejmë dhe kritika për mosnjohjen e mirë të shqipes, apo kujdesin që duhet të ketë ndaj dramaturgjisë kombëtare.
Por… pavarësisht kritikave dhe jetës së vështirë që iu desh të bënte në Shqipërinë socialiste, Zina Andri do të kujtohet gjithmonë në historinë e Teatrit Kombëtar Shqiptar, jo vetëm si regjisorja e parë femër, por dhe si artistja e cila ngriti konceptet e para të një teatri të lirë…
Ajo u largua nga teatri në vitin 1975, kur doli në pension dhe mbylli sytë përgjithmonë më 15 janar të vitit 1980. Portreti i saj është në një nga imazhet e postës shqiptare.
*************
Kinematografia Shqiptare ne aktivitet qe ne vitin 2013
Referenca: “Gazeta Shqip” – Shtator 2013 (u rivizitua ne janar e dhjetor 2020)
Fotot © jane kontribut i vajzes se regjisores, zonjes Vasilika Pano –Kaloshi te cilen e falenderojme perzemersisht.
Follow us: Blog: https://albaniancinematography.blogspot.com/ Facebook: https://www.facebook.com/ksh.faqjazyrtare Dailymotion: https://www.dailymotion.com/kinematografiashqiptareartisporti YouTube: https://www.youtube.com/channel/UCDRYQ5xCyGkfELm3mX8Rhtw